OPINION

Pastrimi i politikës dhe i mendjes fillon gjithmonë me pastrimin e fjalëve

10:17 - 22.03.23 NDRIÇIM KULLA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të ruash mirësinë kur je nën presion, të qëndrosh me elegancë dhe drejtësi në gjestet e tua kur momentet janë të vështira, të përballosh momentin, por në emër të një etike të veprimit; ta veshësh idenë si rrobë të aksionit , – ky qe ideali i jetës së një heroi amerikan, sipas Ernest Heminuejit. Dhe ky duket të qe edhe modeli që frymëzoi stilin orator të Barak Obamës në ligjëratën e tij në ditën e betimit si president. Ndërsa fjalimi përndizej flakë nga ideale të larta, trupi i oratorit mbetej solemn dhe i palëvizshëm, gati sikur të donte t’i reduktonte në minimum dimensionet ekspresive të trupit dhe fytyrës së liderit politik, pikërisht të atij lideri që deri atëherë në podium kishte shpërthyer gjithë karizmën e vet personale duke arritur të magjepste me gjeste e lëvizje shikimin e miliona admiruesve.
Një analizë e tillë u përsërit shpesh nga shumë media të huaja, prestigjioze, jo vetëm amerikane. Ndoshta pse në ligjëratën e tij të parë si president, Obama synonte t’i jepte një kuptim të ri fjalëve, kur mendohej se ajo e kishte humbur joshjen e vet dhe se tërheqja në heshtje ishte zgjedhja më pak e denjë, -theksuan ato. Obama i dha fund këtij stanjacioni. Filloi duke propozuar shpresën, që ngrihet papritur, pikërisht atëherë kur pasioni optimist po shuhej.
“Në vitin e lindjes së Amerikës, në muajin më të ftohtë, një grup i vogël patriotësh shtrëngoheshin përreth zjarreve gati në të shuar, në brigjet e një lumi të ngrirë. Në atë moment, Ati i Kombit tonë urdhëroi që popullit t’i lexoheshin fjalët e mëposhtme: “Në botën e së ardhmes do të thuhet… që në zemër të dimrit, kur asgjë përveç shpresës dhe virtytit mund të mbijetojë… qyteti dhe fshati të alarmuar nga një rrezik i përbashkët u puqën së bashku… Amerikë. Përballë kanosjeve të përbashkëta, në këtë dimër të mundimeve tona, le t’i kujtojmë këto fjalë pa fund në kohë. Me shpresë dhe virtyt, do t’i përballim edhe një herë rrymat e akullta e do t’u qëndrojmë furtunave që do të vijnë”. Është ky pasazhi i përsëritur shpesh si një kulm ideal, për të ilustruar përfundimin se ndoshta momenti më i lartë Obama është pikërisht ky: në fjalën e rigjetur prej tij. Sigurisht që nuk është vetëm kjo, nuk mjafton aspak vetëm kjo, megjithatë rigjetja e forcës ideale të fjalëve shprehet si madhështia e papërshkueshme e fillimit të një fjalori të ri të politikës. Mbetesh i goditur nga fakti i idesë së një kombi të bashkuar, nga vullneti i gjithëpërfshirjes nënvizuar nga presidenti i sapozgjedhur, nga ajo fjalë së bashku, e përsëritur aq shumë herë, si të qe një mantra (e magjishme). Vërtet, që ekziston në të një komponente e fortë retorike, që disa pasazhe mund të duken të rënduara apo fjalë-mëdha, megjithatë edhe teprimet mëse të dukshme shërbejnë fortësisht në nënvizimin e faktit se në këtë moment vendi duhet të gjendet kompakt, e të bashkëndajë një pasuri vlerash më të rëndësishme sesa përkatësia në pozicione të ndryshme politike”.
Kuptohet se fjalët që vënë theksin mbi idealet, vlerat e virtytet në momente të vështira duhen rigjetur, pa u konsideruar aspak teorike, naive e pse jo dhe boshe, siç është bërë mëse zakon në gjuhën e politikës shqiptare. Se përkundrazi është fjalori ynë politik ai që “spiunon” emblematikisht atë humnerë kulture që e ndan atë nga ajo e një politike moderne. Është ky një ves i pakuptuar në gjithë përmasën dhe rëndësinë primare që ka në kuadrin e patologjisë nga e cila vuan politika jonë. Aq më tepër që në realitetin e sotëm shqiptar vihet re një fenomen akoma dhe më i përkeqësuar, pasi fjalët në Shqipëri, në të gjitha nivelet (qoftë dhe në media) zvetnohen dhe degjenerohen në kuptim dhe në përdorim, në mënyrë sa të thjeshtë aq dhe ciklike. Nuk “djegin” atëherë kur duhet të “djegin” dhe përflaken kur përshkruajnë fakte mëse të pritshëm. Ajo çka është normale, teprohet, ajo që është e parregullt, madje dhe ilegale, përjetohet dhe paraqitet si normalitet. E kur në botën e fjalëve krijohet një konfuzion kaq i madh, do të thotë që është humbur rruga, që shkohet rrugës si një i verbër nëpër natë, dhe që e vërteta me gënjeshtrën, përzihen e ngatërrohen. Fjalët janë si një vend: humbet koordinatat, atëherë kur nuk korespondojnë me asgjë. Nëse dhe vetë profetët biblikë, kanë vështirësi të thonë disa fjalë të caktuara, madje dhe shpesh u përvidhen për t’i shqiptuar, është se duan t’i thonë në mënyrë të përpiktë, të kuptueshme, të pranueshme e të pamanipulueshme nga kush priret të “vazhdojë rrugën pa e kthyer kokën prapa .
Është vërtetë “vdekjeprurëse” ajo që konformizmi dhe pasiviteti bëjnë me fjalët: ilegalja bëhet normë dhe norma nis të ngjallë dyshim. Mirëpo nihilizëm është emri i gjithë kësaj në historinë e Evropës. Po kështu ndodh dhe me përdorimin e fjalës “luftë” vend e pa vend. Flitet për luftë midis niveleve të drejtësisë, apo midis drejtësisë dhe politikës, në një kohë kur diçka e tillë mund të jetë në caqet e një veprimi jo legal e teknik. E kur në origjinë të veseve të tilla të përdorimit, gjendet një konfuzion i detyrave që shpjegon këtë kaos linguistik, që ka të bëjë vërtetë me diskreditimin e drejtësisë, me faktin që nuk durohet dot që ajo të punojë në autonominë e saj, apo me një përqëndrim të pushtetit në të gjitha nivelet, përdoret po e njëjta fjalë, që tashmë e zvetnuar dhe e degjeneruar nga domethënia, nuk krijon dot më asnjë ndikim, nuk “ngjit”, nuk kuptohet, nuk pranohet, e kësisoj manipulohet.
Nuk zotëron durimin e këtij të fundit, e as thjeshtësinë e përulësinë e tij. Ka ngut të pamotivuar për të arritur qëllimin që i ka vënë vetes. Ashtu si Orfeu në poezitë e Rilkes, do medoemos ta shpëtojë Euridiçen e vet, por sheh përpara i mbytur i tëri nga padurimi dhe pamaturia, duke e përpirë rrugën me kafshata të mëdha, pa e përtypur . Vetëm duke përtypur rrugën mund të bësh vërtet reforma serioze, ndryshe do të paguash çmimin e tyre, të bëhesh i prekshëm, i goditshëm, të vihesh në lojë e të mbetesh pa rezerva për të fantazuar misione shpëtimi.
Aq më tepër që ka fjalë që janë si të qeverisura nga Irinit, hyjnitë e hakmarrjes: rishfaqen herë pas here dhe shpërhapen kudo nëse domethënia e tyre çnatyrohet ose pështjellohet deri në shuarje. Kanë një ekzistencë të ngjashme me atë të personave, të brishtë e të luhatshme. Jo rastësisht grekët e lashtë i personalizonin konceptet dhe pasionet e trishta, duke u shtuar hyjni të reja banorëve të Olimpit. Një fat i ngjashëm u takon sot tek ne dhe fjalëve të tilla si identitet, liri, kujtesë, të drejtat e njeriut. Janë fjalë që lipset të përdoren me një kopraci të skajshme, pikërisht për t’i mbrojtur e nënvizuar. Në pritje të përdorimit të volitshëm të tyre, e kësisoj dhe ringjalljes së asaj çka nënkuptojnë realisht, lipset të ndihmohemi nga terma të tjerë. Pastrimi i politikës dhe i mendjes fillon gjithmonë me pastrimin e fjalëve domethënie-shprishur nga përdorimi i pavend. Aq më tepër që pastrimi i fjalëve dhe eliminimi i tyre nëse janë korruptuese është njëri nga aktivitetet më të bukura të mendjes.
Ja, pse dhe momenti i fillimit të kësaj stine të një politike të re, duhet të jetë rigjetja e fjalëve, rifillimi i shkruarjes së një fjalori të ri të politikës sonë. Se duke u dhënë domethënien e duhur fjalëve, termave, dhe veprimeve që ato nënkuptojnë, duke i rivënë ato në vendin e duhur, fillon dhe dalja nga kriza kulturore dhe morale e vetë politikës shqiptare dhe e demokracisë së saj përfaqësuese. Na e nënvizon një gjë të tillë edhe Saviano, në veprën e tij të famshme Gomorra, kur evokon don Peppino Dianën, të vrarë nga Kamorra më 1994. “Mendova edhe një herë betejën e don Peppinos dhe prioritetin e fjalës. E se sa qe vërtet, pabesueshmërisht i ri dhe i fuqishëm, vullneti i vendosjes së fjalës në qendër të luftës kundër mekanizmave të pushtetit. Fjalë, përpara betonierave dhe pushkëve. E jo metaforikisht. Realisht. Që të jenë aty, gati për të denoncuar, dëshmuar. Fjalë, me armaturën e tyre të vetme: shqiptimin, formulimin. Fjalë, që janë roje, dëshmimtarë që duan të bien patjetër në ujdi midis tyre që të mos reshtin kurrë së “gjurmuari”së denoncuari. Fjalë që të orientuara në një mënyrë të tillë, mundet t’i eliminosh vetëm duke i vrarë”.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.