OPINION

Ndërveprimi i Gjykatës së Strasburgut e Luksemburgut, garanci e shtuar për individin

08:30 - 31.03.23 XHEZAIR ZAGANJORI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Proceset globalizuese e integruese padyshim që rrisin mirëkuptimin e bashkëpunimin mes shteteve, japin më shumë siguri dhe garantojnë një jetë më të bukur e më të begatë për të gjithë qytetarët. Këto objektiva realizohen gjithnjë e më mirë vecanërisht në Europë, falë mekanizmave të shumtë të përbashkët të krijuara në Kontinentin tonë pas Luftës së Dytë Botërore. Mes tyre dallojnë sidomos Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian, suksesi i padikutueshëm i të cilëve në arritjen e objektivave kryesorë që i kanë vënë vehtes, bëhet i mundur kryesisht në sajë të krijimit të gjykatave respektive, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (Gjykatës së Strasburgut) dhe Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian (Gjykates së Luksenburgut). Eshtë më se e qartë se jurisprudenca e këtyre dy gjykatave ka luajtur dhe luan një rol të jashtëzakonshëm në rendet ligjore të Shteteve Anëtare, duke ndikuar pozitivisht në krjimin e një shoqërie të hapur e demokratike, zbatimin e parimeve të shtetit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, zhvillimin e modernizimin e vazhdueshëm ekonomik, e të tjerë. Por në realizimin e këtyre detyrave të rëndësishme, shpesh ka edhe mbivendosje të jurisprudencës apo edhe të kompetencave mes këtyre dy gjykatave, gjë që bëhet shkak për debate në planin akademik. Ky debat është shtuar vecanërisht pas miratimit të Kartës së të Drejtave Themelore, e cila pas Traktatit të Lisbonës ka statusin e Traktateve të Bashkimit Europian. Megjithatë, sic thekson shpesh Prof. Koen Lenaerts, njëkohësisht edhe President i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, kjo situatë duhet të nxisë të dy gjykatat të punojnë seriozisht për krijimin e sinergjive të përbashkëta në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Kjo do të thotë se ato duhet të përpiqen vazhdimisht të krijojnë një lloj konvergjence në këtë fushë, bazuar në konsensusin europian, lidhur me zbatimin e zhvillimin e standarteve themelore të të drejtave individuale. Ky kujdes i shtuar, apo vëmëndje e ndërsjelltë, vihet re në të gjithë jurisprudencën e viteve të fundit të Gjykatës së Strasburgut dhe asaj të Luksenburgut, pavarësisht faktit se formalisht, bazuar në Nenin 6 të Traktatit të Bashkimit Europian, Konventa dhe vetë jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut kanë përparësi, pasi konsiderohet se “..përbëjnë parimet e përgjithshme për të drejtën e BE-së..”. Por në vendimin Spasov kundër Rumanisë, të shpallur rreth dy muaj më parë (Dhjetor 2022) shkohet edhe më tej se kaq. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut futet qartësisht aty në “domenin” e të drejtës së BE-së, duke marrë përsipër të merret me cështje të Politikave të Përbashkëta të Bashkimit Europian si dhe me vetë natyrën e të drejtës së saj, përparësinë dhe efektin e drejtpërdrejtë. Mbi këtë bazë ajo arrin në përfundimin se ka patur shkelje të Nenit 6/1 (procesi i rregullt ligjor) dhe Nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pasi në cështjen konkrete, procedurat ligjore të ndjekura nga pala e paditur (Rumania) bien në kundërshtim me të drejtën e BE-se, duke “..i mohuar kërkuesit te drejtën për të marrë drejtësi..”. Le ta shohim pak më qartë këtë problem:
Bëhet fjalë për shtetasin bullgar Hristo Spasov, pronar dhe kapiten e një anije peshkimi, regjistruar në Bullgari, i cili kapet nga autoritetet policore rumune duke gjuajtur peshk në Zonën Ekonomike Ekskluzive (ZEE – hapsira e ujrave detare që mund të shkojë deri në 200 milje, në të cilën shteti bregdetar respektiv nuk ka sovranitet të plotë, por ushtron disa të drejta sovrane me natyrë ekonomike, sic është peshkimi) të Rumanisë në Detin e Zi. Sic dihet, ujrat e këtij deti lagin edhe brigjet e Bullgarisë. Përvec faktit të peshkimit brënda ZEE rumune, nga kontrolli u konstatua se rrjetat e përdorura ishin me vrima më të vogla se sa ato të lejuara nga ligji rumun, por në përputhje me standartet që përcaktonte ligji bullgar. Nga ana tjetër u konstatua gjithashtu se Spasov nuk kishte licencë peshkimi nga autoritetet rumune. Mbi këtë bazë ju bllokua anija, ju sekuestrua peshku i kapur dhe u ndalua për disa ditë në stacionin e policisë. Më pas ai do të ndiqej penalisht në gjëndje të lire, por pa patur të drejtë të largohet nga territori rumun gjatë periudhës së hetimit. Spasov u mbrojt duke theksuar ndër të tjera që sipas Politikës së Përbashkët te Peshkimit të BE-së, licensa e tij e lëshuar nga autoritetet bullgare është e vlefshme edhe për peshkimin në ZEE rumune, brënda kuotave të përcaktuara për Bullgarinë, pasi ZEE e cdo Shteti Anëtar në BE konsiderohet si pjesë integrale e “Ujrave Komunitare” (“Community Ëaters”). Në përgjigje të kërkesës së prokurorit të cështjes, Agjensia Kombëtare Rumune e Peshkimit sqaroi se sipas së drejtës së BE-së, anijet që kanë flamurin e një prej Shteteve Anëtare në BE kanë të drejtën e aksesit në ZEE të Rumanisë, por që kur bëhet fjalë për të drejtën e peshkimit, ato duhet të marrin paraprakisht licensën e lëshuar nga autoritetet rumune. Pas këtij “sqarimi”, prokurori e dërgoi cështjen për gjykim, me akuzën e peshkimit pa licensë dhe përdorimit të mjeteve (rrjetave me hapsira më të vogla) të ndaluara të peshkimit. Megjithatë, Gjykata e Shkallës së Pare e qytetit rumun Mangalia e deklaroi z.Spasov të pafajshëm, duke vënë në dukje se dokumentacioni që ai zoteronte ishte në përputhje më të gjitha standartet e kërkuara nga e drejta e BE-së, e në vecanti me Rregulloren 2371/2002 “Mbi Politikën e Përbashkët të Peshkimit”. Pas ankimit të bërë nga prokurori i cështjes, dy vite me vonë, Gjykata e Apelit të qytetit rumun të Konstancës arriti në konkluzione krejtësisht të ndryshhme, duke vënë në dukje ndër të tjera se: a) Në cështjen konkrete nuk duhet të zbatohet e drejta e BE-së, por dispozitat e Konventes së Tretë të OKB-së mbi të Drejtën e Detit lidhur me Zonën Ekonomike Ekskluzive, si dhe legjislacioni rumun i miratuar në bazë e për zbatim të kësaj Konvente. b) Bazuar në këto akte ligjore, z.Spasov shpallet fajtor për peshkim ilegal, duke dëmtuar njëkohësisht edhe stabilitetin e ekosistemit detar. Prandaj ai duhet të dënohet me : i)Një vit burgim me kusht, ii) 4 mije Euro gjobë iii) 2250 Euro si vlerë alternative për konfiskimin e anijes dhe iv) Ndalimin e peshkimit për një vit në ZEE të Rumanisë në Detin e Zi. Pas ketij vendimi, kërkuesi Hristo Spasov ju drejtua Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pavarësisht se cështja në thelb ka të bëjë me zbatimin dhe interpretimin e të drejtës së BE-së, ndaj normalisht ai duhej të ankohej në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Le ta sqarojmë shkurtimisht këtë aspektë: Në sistemin gjyqsor rumun, gjykatat e apelit janë praktikisht instanca e fundit gjyqësore, pasi vendimet që japin janë përfundimtare. Nuk është aspak e lehtë në Rumani, që për cështje konkrete, të investohet edhe Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe e Drejtësisë, e cila vepron si gjykatë supreme, duke patur si detyrë kryesore funksionin nomofilaktik. Pikërisht për këto arësye, gjykatat rumune të apelit paraqiten edhe si “ gjykata më të larta” në nivel kombëtar, duke patur kështu të drejtë që në bazë të Protokollit 16 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të referojnë cështje për mendim këshillimor pranë Gjykatës së Strasburgut, me qëllim interpretimin apo zbatimin e një dispozite të caktuar të Konventës. Nga ana tjetër, duhet patur parasysh se të dy palët në gjykim, avokatët e z.Spasov dhe prokurori, i kërkuan Gjykatës së Apelit të Konstancës, që në bazë të Nenit 267 të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Europian, tja referonte cështjen për vendim paragjykimor Gjykatës Europiane të Drejtësisë, e cila duhej të interpretonte pikërisht Rregulloren 2371/2002 mbi Politikën e Përbashket të Peshkimit. Por Gjykata e Apelit nuk i mori në konsideratë këto kërkesa, duke qënë e bindur se e kishte të qartë se cilat norma ligjore duhej të zbatonte në rastin konkret. Në këto kushte, kërkuesi Spasov nuk kishte rrugë tjetër ankimi, përvecse ti drejtohej Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Meqenëse në këtë Gjykatë nuk mund të ngriheshin pretendime që kanë të bëjnë me interpretimin e zbatimin e Rregullores në fjalë, por vetëm me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, avokatët e tij, me shumë zgjuarësi, kërkuan që vendimi i Gjykatës rumune të Apelit të konstatohej si në kundërshtim me Nenin 6/1 të Konventës, pasi sipas tyre, zbatimi prej saj i një kuadri ligjor të gabuar përbën “mohim të të drejtës së dhënies së drejtësisë”, duke cënuar kështu një nga standartet kryesore të procesit të rregullt ligjor. U kerkua gjithashtu edhe cënimi i Nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës ( E drejta e pronës), pasi vendimi i mësipërm pezullon padrejtësisht për një kohë të caktuar licensën e peshkimit të z.Spasov, e cila sipas standarteve të Strasburgut përfshihet në këtë rast në konceptin “pronë”.
Në vendimin e dhënë nga Gjykata e Strasburgut më 6 Dhjetor 2022 konstatohen qartësisht pretendimet e kërkuesit Spasov për cënim të Nenit 6/1 dhe Nenit 1 të Prot.1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ndër të tjera, në vendimin e Gjykatës vihet në dukje se: a) Në kuadër të Politikës së Përbashkët të Peshkimit, BE ka miratuar një sërë Rregulloresh, të cilat janë të detyrueshme në tërësinë e tyre dhe janë direkt të zbatueshme për të gjitha Shtetet Anëtare. Pikërisht për këtë shkak, një Rregullore që ka efekt të drejtpërdrejtë, do të thotë se ka gjithashtu edhe përparësi ndaj cdo norme të së drejtës së brëndshme që bie në kundërshtim me atë. b) Në rastin konkret është vecanërisht i aplikueshëm Neni 17 i Rregullores 2371/2002 të BE-se, i cili, në bazë të kritereve të caktuara, garanton akces të barabartë të cdo qytetari europian në “Ujrat Komunitare”, në të cilat përfshihet edhe ZEE e cdo Shteti Anëtar. Ajo shton gjithashtu se në rastin konkret, autoritetet rumune nuk kanë shfrytëzuar Nenin 8 të kësaj Rregulloreje, i cili krijon mundësinë që në raste të vecanta, Shteti Anëtar respektiv të kufizojë akcesin e lirë në një hapësirë të caktuar të këtyre ujrave. c) Në këto kushte, kërkesa rumune që për shfrytëzimin për peshkim të ZEE të saj të merret licensë e vecantë nga autoritetet shtetërore, bie në kundërshtim me normat e BE-së që rregullojnë Politikën e Përbashkët të Peshkimit. Në kundërshtim me këto norma është edhe pretendimi tjetër i Rumanisë për të shfrytëzuar për peshkim në ZEE rrjeta me një minimum të caktuar hapësire, të përcaktuar në mënyrë të njëanshme nga ana e saj. d) Duke patur parasysh sa më sipër, arrihet në përfundimin se në rastin konkret, vendimi i Gjykatës së Apelit të Konstancës ka gabuar qartësisht në zbatimin e ligjit të përshtatshëm. Në rast dyshimi ajo duhej ta kishte referuar cështjen për vendim paragjykimor në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Për këto arësye, kërkuesi Spasov është viktimë e “mohimit të të drejtës së dhënies së drejtësisë”, gjë që përbën cënim të Nenit 6/1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. e) Përvec sa më sipër, ka cënim edhe të Nenit 1 të Protokollit 1 të Konventes, pasi dënimi i kërkuesit me pagesën e disa gjobave si dhe pezullimi i shfrytëzimit të licensës së peshkimit për një periudhë të caktuar kohore janë rezultat i konstatimit të mësipërm, që do të thotë i zbatimit të gabuar të ligjit nga ana e Gjykatës së Apelit. Bazuar ëe të drejtën e BE-së, shtetasi bullgar Spasov kishte të drejtë të peshkonte në Zonën Ekonomike Ekskluzive të Rumanisë në zonën e Detit të Zi. f) Së fundi, urdhërohet pagesa nga ana e Rumanisë të një shume prej rreth 11 mijë Euro, si dëmshpërblim për z.Spasov.
Sic kemi theksuar, vendimi i mësipërm ka ngjallur mjaft diskutime. Përgjithësisht vlerësohet pozitivisht, si një garanci e shtuar për mbrojtjen e të drejtave individuale. Por nga ana tjetër, vihet në dukje rreziku i interpretimit e zbatimit jo të qartë apo edhe ndoshta të gabuar të të drejtës së Bashkimit Europian, nga ana e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Përmëndet për këtë qëllim fakti se në ndryshim nga cështjet e mëparshme në të cilat Gjykata e Strasburgut ka operuar me të drejtën e BE vetëm në rastet e shkeljeve formale apo procedurale të gjykatave të Shteteve Anëtare (cështjet Dhalbi, Bosphorus, Sanofi Pasteur,….), në cështjen Spasov merret përsipër shumë më tepër se kaq, sepse ajo ndalet e interpreton elementë substancialë të kësaj të drejte, e për më tepër, nuk bën qartë dallimin mes efektit të drejtpërdrejtë dhe përparësisë së të drejtës së Bashkimit Europian. Në fakt, është e sigurtë që Gjykata e Strasburgut padyshim që di ta bëjë shumë mirë këtë dallim, duke patur parasysh rregullin themelor që parimi i përparësisë së të drejtës së BE-së zbatohet menjëherë kur konstatohet se në cështjen konkrete ka konflikt me të drejtën e brëndshme. Por në cështjen Spasov ajo thjeshtë konstaton fillimisht se Rregullorja në fjalë ka efekt të drejtpërdrejtë, e për këtë shkak, logjikisht ajo ka edhe përparësi ndaj së drejtës së brëndshme, gjë që është tërësisht në përputhje me paragrafin e dytë të Nenit 288 të Traktatit mbi Funksionimin e BE-së. Nga ana tjetër, duhet të vlerësohet në mënyrë të vecantë pjesa e vendimit Spasov që ka të bëjë me natyrën e të drejtës që duhet të zbatohet në këtë rast. Gjykata e Apelit kishte vënë në dukje se legjislacioni rumun që ishte zbatuar prej saj në këtë cështje, bazohej tërësisht në Konventën e Tretë te OKB-se mbi të Drejtën e Detit, e cila i jep mundësinë cdo shteti bregdetar te kete Zone Ekonomike Ekskluzive. Por nga ana tjetër, sipas saj, bazuar në Nenet 25 dhe 103 te Kartes, aktet e OKB-se kanë përparësi mbi cdo akt tjetër ndërkombëtar që bie në kundërshtim me ato, përfshi këtu edhe ato të Bashkimit Europian. Duke kundërshtuar këtë qëndrim të Gjykatës së Apelit, Gjykata e Strasburgut përcjell me këtë rast qartësisht mesazhin se Konventa në fjalë është Kushtetuta e të Drejtës së Detit dhe se mbi bazën e saj Shtetet përcaktojnë sovranitetin apo të drejtat sovrane në hapësira të caktuara detare. Kështu ndodh edhe me Zonën Ekonomike Ekskluzive. Bullgaria e Rumania e dinë shumë mirë se deri ku shtrihet ZEE e sejcilës prej tyre, duke u bazuar pikërisht në Konventën e Tretë të Detit. Por, nga viti 2007, me vullnetin e tyre të lirë, ato janë bërë anetarë të Bashkimit Europian, anëtarësi që imponon shpesh që po me vullnet të lirë e të plotë, këto shtete të delegojnë porcione të rëndësishme sovraniteti apo të drejta sovrane në drejtim të BE-së. I tillë është edhe rasti i ZEE. Shtetet Anëtare në BE kanë rënë dakort që në kuadër të Politikës së Përbashkët të Peshkimit, kjo hapësirë ujore detare të jetë pjesë e “Ujrave Komunitare”, në të cilat parimisht duhet të lejohet të peshkojë cdo qytetar europian që plotëson kërkesat e caktuara. Per këtë qëllim, ky regjim përcaktohet nga e drejta e BE-së, e drejtë që pikërisht për këto arësye duhet të merret në konsideratë edhe në zgjidhjen e cdo konflikti të mundshëm mbi këto cështje. Sepse është e qartë që e drejta e BE në këtë fushë, nuk ka asnjë lloj konflikti me të Drejtën e Detit.
Për sa më sipër, marrë në tërësi, sigurisht që vendimi Spasov ka një rëndësi mjaft të madhe. Ai hap një portë mjaft interesante, por shumë të vlefshme, për forcimin e efektivitetit të së drejtës së Bashkimit Europian në përgjithësi, si dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve europianë në vecanti. Sidoqoftë, padyshim që kjo kërkon ndërveprim të vazhdueshëm mes dy Gjykatave, Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, nga njëra anë, si dhe mes tyre e gjykatave të Shteteve Anëtare, nga ana tjetër.
Tiranë, 30 Mars 2023.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.