KULTURË

Shqipëria në zemrën e Helenë Pittard. (Rreth librit “Udhëtimi i mbramë i Eugene dhe Helene Pittard”)

10:04 - 16.05.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luan Rama  – Librat e ndryshëm historikë të botuar veçanërisht këto dy dekadat e fundit kanë nxjerr në pah shumë personalitete të botës europiane e të përtej Atlantikut që i janë përkushtuar Shqipërise në çastet më të vështira të saj pas krijimit të shtetit shqiptar nga Ismail Qemal Vlora dhe prijësit e tjerë shqiptarë. Ishte koha kur Shqipërisë i duhej të luftonte kundër politikave shoviniste të fqinjëve të saj e po ashtu dhe të politikave hegjemoniste të vendeve të mëdha. Dy nga këto figura ishin gjithashtu dhe zviceranët Eugene dhe Helene Pittard. Ka veçse dy muaj që ështe botuar libri voluminoz prej 1.000 faqesh i publiçistit Kudret Isaj me titullin «Udhëtimi i mbramë i Eugene dhe Helene Pittard – Krijimi i Kryqit të Kuq Shqiptar. Gjenevë-Tiranë» për çka autorit i është dashur të punojë prej 10 vjetësh dhe të kërkojë në arkivat e Zvicrës apo ato familjare e më gjerë. Dhjetë vjet punë që u kurorëzuan me një libër të botuar nga «Les Livres Rama» që na shfas jo vetëm jetën e tyre dhe veprimtarinë për Shqipërinë por dhe botën shqiptare të viteve 20-30 të shekullit XX. Padyshim që figura kryesore është ajo e Eugene Pittard, akademik dhe antropolog i njohur në rrethet europiane por dhe një humanist i madh e njeri politik i cili ndihmoi fuqimisht në krijimin e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe që më vonë, në vitin 1924, ishte i deleguari i Shoqatës së Kombeve për shpërndarjen e ndihmave në veriun shqiptar gjatë kohës së krizës së bukës të vitit 1924. Por Pittard ishte njëkohësisht një mbrojtës i flaktë i çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, veçanërisht për pranimin e Shqipërisë në Shoqatën e Kombeve dhe në mbrojtjen e kërkesave shqiptare kundër politikës shoviniste serbe. Por krahas kësaj, një vend të veçantë autori i lë zonjës Helene Pittard, gazetare e njohur dhe shkrimtare, e cila e shoqëroi burrin e saj në të gjitha viset shqiptare në një kohë mjaft të vështirë social-politike por dhe në udhëtime tepër të vështira nëpër male, çka na kujtojnë udhëtimet e Edith Durham.
Helene Pittard apo Dufour nga familja e saj, ishte vajza e një aristokrati të njohur të Gjenevës, njeri politik dhe mjaft i njohur në rrethet e kulturës. Helena, që në rini kishte pasionin e poezisë dhe eksperienca që kaloi gjatë disa viteve në londër e lnçoi në shrimet publiçistike. Më pas ajo ishte korespondente e Journal de Geneve për artin dhe që e re filloi botimin e romaneve të saj të para. Por një interes të veçantë ajo i kushtoi Shqipërisë. Udhëtimin e tyre të parë drejt Shqipërisë ata e bënë në vitin 1910. Dhe ja si e përshkruan autori Kudret Isaj kur ata zbarkojnë në Shkodër në 2 korrik të atij viti: « Pronari i hotel Grand-it, për të shprehur mikpritjen e tij, i ftoi miqtë zviceranë të pinin diçka freskuese në verandën e hotelit. Disa çaste më pas kamarieri u afrua me një tabaka kristali në duar dhe i gostiti klientët me nga një shurup të ftohtë trëndafili dhe me kafe turke. Para se të uleshin të hanin drekë në restorantin e hotelit, ata u bënë dëshmitarë të një skene tipike orientale. Sapo zunë vend në tavolinë, drejt tyre afrohet një kamarier i cili mbante në duar një ibrik të kuq bakri dhe një legen të të njëjtit material. Kamarieri me përkulje në gjysmë harku, u afroi ibrikun me ujë që të lanin buzët dhe duart me ujë të parfumuar prej atari, një esencë trëndafili e cila përdorej aso kohe kudo në hotelet dhe në restorantet e Shkodrës. Pasi mysafirët lanë duart, pronari i Hotel Grand-it, të cilin e thërrisnin Sokrat Shkreli iu afrua Eugene Pittard-it dhe bashkëshortes së tij dhe u vë një shishe vere të bardhë në tryezë duke u thënë: Këtë shishe verë e keni prej rrushit të bahçes sime. Kam një sahat që e kam zbritur me çikrik këtë shishe në pus dhe e kam ftohur për zotërinë tuaj. Ne akoma nuk kemi frigorifer në hotelin tonë. Mos kini merak për mungesën e etiketës në shishen e verës. Unë bëhem garant me jetën time, nëse ju ndodh gjë. Gruaja ime Mici është austriake, vijoi Sokrat Shkreli. A e besoni se ajo e gatuan tavën e krapit si me qenë shkodrane den baba den. E ka mësuar prej një shoqes së saj, kushërirës së Cuk Markut, mbretit të tavës së krapit, i cili e ka patur lokalin te pazari i vjetër te ura e Bunës. Gjysh stërgjyshat tanë tregojnë se një Shaban Baku në kohën e Turqisë ka qenë me nam në Shkodër për gatimin e tavës së krapit dhe ka shërbyer në vitet 800 si kuzhinier në oborrin e sulltanit. Shkodranët e motit e piqnin krapin në një tjegull të nxehtë. – Sa të piqet tava e krapit në furrë – vijon Sokrat Shkreli, pronari i hotel Grand-it – po ju bëj pak muhabet, se ne në Shkodër nuk mund ta presim ndryshe mikun që na troket në derë. Sikurse e dini, shkodranët kanë humor dhe vdesin për të treguar barsaleta. Një doktor më ka treguar – e mbyll tregimin e tij Sokrat Shkreli – që një buzëqeshje vë në lëvizje 17 muskuj të fytyrës. Nuk ju lë të ikni në Zvicër pa ju mësuar një barsaletë shkodrane. Jo shumë larg hotel Grand-it, në një kopësht me rrush, shegë dhe fiq ndiheshin tingujt e ëmbël të një violine. Një grup burrash me fustanella këndonin me zë të lartë një këngë melodioze, jonet e së cilës hynin pa trokitur në të gjitha shtëpitë e lagjes. Helena për një çast e zhvendosi në mendjen e saj grupin e burrave nga Shkodra në Gjenevë dhe mendoi se ata në qytetin e Kalvinit me siguri do të ishin proceduar për prishje të qetësisë publike, madje do të kishin paguar një faturë të kripur. Ndërsa këtu kryetari i Beledijes (kryetari i bashkisë), Muharrem Gjylbegu mund t’i përgëzonte ata për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit. Helena, tejet kureshtare e pyeti Sokrat Shkrelin t’i tregonte me dy fjalë se ç’përmbajtje kishte ajo këngë që ata burra e këndonin me aq pasion.




17. Helene Pittard duke iu shpërndarë beze për këmisha malësorëve para një kishe. Titulli C.Courtois. Foto Eugene Pittard. 1921. Nr 420781. Muzeu etnografik. Gjenevë. Helene Pittard duke mbajtur shënime gjatë një ndalese afër Petrelës. Titulli C.Courtois. Foto Eugene Pittard. Tiranë 1921. Nr 413029. Muzeu etnografik. Gjenevë. 3. Helene Pittard e shoqëruar nga bashkëudhëtarët e saj në rrugën e Dibrës. Titulli C.Courtois. Foto Eugene Pittard. 1921. Nr 420671. Muzeu etnografik. Gjenevë. Kop Pittard
<
>

 

Helena e pati të pamundur të mos e shprehte hapur habinë e saj kur pronari i Hotel Grand-it i shpjegoi se ata burra po u këndonin një jare trëndafilave të Shkodrës. Pasi u çlodhën pak nga vapa e ditëve të para të korrikut të vitit 1910, Eugene Pittard me bashkëshorten e tij u vunë në udhë drejt konsullatës austro-hungareze, e cila shërbente edhe si rezidencë e konsullit Adolph Ritter von Zambaur…»
Një nga takimet interesante me personalitetet e qytetit siç ishte dhe ajo me Kel Marubin, ishte dhe takimi me Kolë Idromenon, me të cilin ajo botoi një intervistë të panjohur deri më sot nga historiografia shqiptare. Helene Pittard e pyet rreth artit të tij e në veçanti për historinë e Zojës së Shkodrës dhe katedrales së qytetit të ndërtuar në vitin 1848. Idromeno i flet për Marin Barletin dhe udhëtimin e Skënderbeut drejt Italisë, për fluturimin e afreskut nga katedralja për në kshën e Genezzano-s pranë Romës, në 25 prill 1467, për t’iu lutur Papës për të ndihmuar Skënderbeun. Dhe më së fundi kthimin e imazhit të Zojës së Shkodrës. Idromeno i tregon për tërmetin e vitit 1905 dhe restaurimin e kubesë së kishës, kujton se si e ndihmonte babai i tij Arseni, kur ai lidhej me litarë për të krijuar afreskun e Shën Marisë me Jezunë fëmijë dhe se si, për të pikturuar këtë afresk ai kishte shkuar deri në kishën e Genezzano-s dhe sesi gjatë dhjetë ditëve e shikonte atë pareshtur me lotë në sy. Në kthim ai kishte pikturuar afreskun në kishën agostine pranë kalasë. Me shumë interes do të ishte vite më vonë takimi i tyre me patër Gjergj Fishtën më 14 prill 1924. “ Patër Gjergj Fishta, – shkruan autori,- u rrëfen Pittard-ëve për banorët shqiptarë të bjeshkëve të Hotit dhe të Grudës, të cilët ndarja e padrejtë e kufijve i la nën administrimin e Malit të Zi. Për t’i shpëtuar masakrave dhe raprezaljeve, qindra banorë të kësaj krahine – vijoi të tregojë Gjergj Fishta – kanë ardhur kohët e fundit si refugjatë në Shkodër për të kërkuar ndihmë dhe ushqim. Refugjatët – vijoi ai – janë të zhgënjyer, ngaqë kanë dëgjuar që në shpërndarjen e ndihmave ushqimore bëhen padrejtësi. Noëlle Roger (Helene Pittard) përshkruan në ditarin e saj skenën kur patër Gjergj Fishta po i shoqëronte ata kur po i shpërndanin këmisha një grupi refugjatësh. Papritur një grupi tjetër refugjatësh që nuk kishin mundur të merrnin këmisha, iu ishin errur sytë nga zemërimi në një shkallë të atillë, sa u nisën të sulmojnë dhe të përmbysin automobilin, brenda të cilit ndodheshin Eugene Pittard me bashkëshorten e tij. Mendimi i parë që i erdhi ndërmend vetëtimthi patër Gjergj Fishtës ishte të mbronte miqtë zviceranë dhe t’ia bënte të qartë turmës së papërmbajtur që miqtë e huaj mbrohen me jetë dhe se mund të kalonin vetëm mbi trupin e tij. Do të ishte patër Gjergj Fishta, i cili do të dilte ballë për ballë turmës së yshtur nga urrejtja e verbër dhe në emër të atit, të birit dhe të shpirtit të shenjtë si dhe të genit të tij shqiptar do të bëhej barrikadë para tyre. Duke shfletuar ditarin e Helene Pittard (Noëlle Roger), dashur pa dashur njihemi me itinerarin e udhëtimeve që Eugene Pittard me bashkëshorten e tij ka bërë në krahina të ndryshme të Shqipërisë së veriut. Që në ditët e para të qëndrimit në Shkodër Pittard-ët vizituan fshatrat Kastrat, Boriç, Koplik, Hot, Prekal, Dukagjin. Në datën 10 prill 1924, Pittard-ët lanë Shkodrën pas dhe u nisën në drejtim të Pukës për të verifikuar listat e banorëve në nevojë dhe për të shpërndarë ndihma ushqimore dhe veshmbathje. Rruga zgjatohej mes maleve në shtigje të rrezikshme, në buzë të humnerave, sa ishte e pamundur që të shkonin në Pukë me automobil. Anipse pronari i hotelit Europa u tha Pittard-ëve se për të shkuar në Pukë duhej të llogarisnin 14 orë udhëtim me kalë, ata nuk u tërhoqën nga vendimi i tyre. Lumi Drin fatmirësisht nuk ishte përmbytur nga shirat e pranverës, kësisoj ata e kapërcyen lumin mbi shpinën e kuajve. Ftohja e motit dhe rënia e temperaturave e bëri të pamundur që Eugene Pittard me bashkëshorten e tij të vijonin udhëtimin në drejtim të Kukësit. Në kthim, ata e kaluan lumin Drin me varkë, pasi sipas udhërrëfyesit kalimi me kuaj ishte i pamundur për shkak të reshjeve të dendura. “
Viti 1921 ka qenë për Helenë Pittard vit i mbresave të mëdha, veçanërisht në Shkodër, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Pogradec, e Kolonjë, ku ata u pritën me entusiazëm nga populli dhe politikanët shqiptarë. Me krijimin e Kryqit të Kuq Shqiptar ashtu si Eugene Pittard, edhe Helenë u zgjodh si kryetare Nderi e institucionit të ri shqiptar në ndihmë të popullatës. Po atë vit, gjatë udhëtimit në Korçë ajo u takua me gruan e Themistokli Gërmenjit, Evdhoksinë, e cila ishte kryetare e shoqatës së grave “Perlindja”. Madje çifti Pittard pas kthimit të tyre, u lidh me një avokat francez që të rihapte gjyqin rreth dënimit të padrejtë të Themistokliut meqë disa gjyqtarë nuk kishin qenë dakort me këtë vendim të ashpër, bërë fill pas një letre të kryeministrit Venizellos drejtuar qeverisë franceze.
Viti 1924 ishte tepër i vështirë për çiftin Pittard. Shqipëria po përjetonte krizën e bukës veçanërisht në veri për çka dhe Helenës iu desh të udhëtojë me kalë drejt maleve të veriut për ditë të tëra, të shkojë në zonën e Dukagjinit, në Prekal, Gomsiqe, etj, të cilat janë fiksuar në fotografitë e shumta të kësaj kohe. Në këto vite, Helenë Pittard sensibilizoi në mënyrë të ndjeshme donacionet europiane me të cilat bashkëpunonte, siç ishin dhe fondacioni Lady Carnavon, Këshilli i Britanisë së Madhe, fondi Save the Children në Londër si dhe Vatikanin. Në Shqipëri atë e shohim gjithnjë mes grave malsore duke shpërndarë misër, veshmbathje, ilaçe për të sëmurët. Në Shkodër ajo bëri porosi tek rrobaqepësit e qytetit për të qepur veshje dhe këmishë për të vobektit. Fotografitë e kësaj kohe janë vërtetë emocionante. Herë-herë, në vendet ku pushojnë një çast, duket figura e saj tek ka nxjerrë ditarin dhe shkruan mbresat e ditës.
Helene Pittard ishte një nga feministet e para dhe një humaniste e madhe, e ngjashme me Edith Durham. Si publiçiste dhe shkrimtare ajo zgjodhi pseudonim emrin Noëlle Roger, çka lidhej me emrat e dy vëllezërve të saj. Veç 54 romaneve dhe novelave të saj ajo shkroi dhe drama për teatër, siç ishte ndër të tjera dhe drama “Rrëmbimi i Europës” i shfaqur në Gjenevë dhe Paris dhe që lidhej me legjendën e kohës antike. Emrin e saj e gjen gjithashtu në gazetat e ndryshme të këtyre viteve. Për gjithë veprimtarinë e saj ajo u nderua edhe nga Franca me Medaljen e Akademisë si dhe Legjionin e Nderit. Po kështu u nderua dhe me çmime e medalje nga Rumania apo fondacione letrare e humaniste të Europës. Për Shqipërinë ajo mbetet padyshim një figurë jo vetëm humaniste por dhe letrare që duhet zbuluar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.