MILOSAO

Në kopshtin zoologjik

08:00 - 19.05.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Arben Orhani – Duke shijuar i qetë kafen në një bar pranë qendrës së qytetit, dikush më mbuloi sytë me duar që mbara krahëve dhe, duke kapur hundën e vet me ndonjë dorë të tretë për të ndryshuar zërin, më kërkoi t’i gjeja emrin. U tremba pak sepse isha zhytur në mendime për shkak të një qeni rrugaç, i cili shtrëngonte fort mes dhëmbëve dy testikuj të mëdhenj. Instiktivisht, shtrëngova të mitë, si për t’i mbrojur. Me siguri kërkonte ndonjë gropë për t’i fshehur, kështu kam dëgjuar se bëjnë qentë me ushqimin e tepërt. Ngaqë nuk e kisha gëlltitur plotësisht gllënjkën e kafes, u mbyta dhe fillova ta nxirrja nga hundët, por symbyllësi nuk më lëshoi, duke këmbëngulur të dëgjonte emrin e vet nga goja ime. Iu përgjigja nervoz se nuk më shkonte fare mendja kush mund të ishte, madje e kërcënova se do ta godisja në testikuj nëqoftëse nuk i jepte fund. M’u duk sikur u mendua pakëz, pastaj kërceu hopthi para meje dhe buzëqeshi si fëmijë. Mezi m’u kthye vështrimi për shkak të shtrëngimit të fortë. Shquajta turbull një të njohurin tim të vjetër, me të cilin nuk kisha marrëdhënie të tilla, sa të sillej në atë mënyrë. Megjithatë, buzëqesha dhe e ftova të ulej. Ai u kënaq dhe hapi duart të më hidhej në qafë, por derdhi zhurmshëm kafen time të mbetur dhe gotën e ujit, gjë që u pasua nga dhjetërat e shikimeve të klientëve të tjerë ulur në bar. Pasi kthyen kokat përsëri me përtesë dhe vazhduan bisedat e tyre, unë zgurdullova sytë drejt kamarierit si për t’i kërkuar falje pa fjalë. I njohuri im nuk e prishi fare terezinë, por hapi nja tre – katër biseda njëherësh, pa pritur ndonjë miratim prej meje, madje pas pak nuk po më shikonte fare, sepse i nguli sytë shalëve të gjata të një femre seksi ulur përballë.




Sapo u bëra gati të ikja, madje duke i futur një të sharë, por që ndërrova mendje me shpresën se nuk do të më vinte re, më propozoi pa pikë turpi të vizitonim kopshtin e ri zoologjik të qytetit.

Fiksoi me sy buzët e mia, të cilat lëvizën pa dëshirën më të vogël dhe shqiptuan një Po! të fortë. Kapulita sytë dhe dola në rrugë të nisesha drejt shtëpisë, por i njohuri më futi krahun nga e djathta, duke më tërhequr andej nga duhej të ishte rruga për në kopshtin zoogjik, në anën tjetër të qytetit. U ndjeva i paralizuar përpara entuziazmit të tjetrit. Ecëm rreth gjysmë ore, unë duke dëgjuar, ndërsa ai fliste pa pushim, derisa i’u afruam portës së kopshtit zoologjik. Atje gëlonte një turmë e zhurmshme njerëzish të paduruar, që zgjatnin biletat drejt rojes, i cili mezi po mbante në kokë një kapele uniforme të vjetër, shekullore do të thosha. U dhashë këmbëve andej nga erdhëm, i bindur se shoqëruesi do të ishte i një mendjeje me mua, por ai rezistoi, duke m’i ngulur thembrat në vend. Buzëqeshi dhe më tha se rojen e kishte mik të vjetër dhe që do ta rregullonte të hynim jashtë radhe. I urova vetes që roja të ishte i tërbuar nga kacafytja me njerëzit dhe të na përzinte me ulërima, por i mallkova të gjithë kur na e bëri me sy duke drejtuar kokën nga një derë e vogël hekuri, e cila dukej e mbyllur mirë, megjithëse u hap sapo e prekëm me dorë. Hymë brenda, duke u bashkuar me turmën e njerëzve, të cilët nuk vunë re asgjë. Kopshti zoologjik ishte shumë i vogël për të qenë një i tillë. Dukej si amfiteatër i vjetër, skena e të cilit ngrihej mbi një pirg dheu, ndërsa kafazët mbushur plot me kafshë e përqarkonin si gjysmërrathë njëri pas tjetrit. Sapo u afrova u sulmova nga kutërbimi i bajgave të hienave, të cilat po mbllaçitnin ca zorrë me ngjyra të ndezura.

Hapa gojën t’i tregoja me gisht shoqëruesit tim një çift majmunësh që po çiftoheshin si të tërbuar, por ai më humbi nga sytë. Hetova nëpër turmën e njerëzve, e cila kundronte e heshtur vëmendshëm ndërzimin e dy breshkave në majë të piedestalit të një kolone antike. Krruajta kokën duke u rrotulluar, derisa shtanga prej vështrimit të një luani. Iu avita ngadalë kafazit të hekurt pa ia shqitur sytë, aq sa i ndjeva erën e keqe të gojës zaparitëse. U çudita kur vura re se nuk po më vështronte mua, por mbrapa krahëve të mi, madje m’u duk paksa i frikësuar, megjithëse unë nuk merrja vesh nga luanët. Thashë me vete se do të grindesha me shoqëruesin tim, nëqoftëse ishte mbrapa krahëve për të më kurdisur ndonjë rreng. Për ta trembur unë i pari, mendova të brofja vendit dhe të rrotullohesha në ajër këmbë e duar hapur dhe ashtu bëra. Në çastin që ndala kërcimin në anën tjetër, shtanga si i paralizuar. Turma e njerëzve po afrohej ngadalë drejt meje, me vështrimin ngultas e duke u zhveshur. Mes tyre vura re fytyrën e të njohurit tim, të cilën ai e çori me thonj dhe e flaku tutje si maskë. Të gjithë, lakuriq tashmë, shkulën maskat që mbanin dhe çorrën lëkurët e trupit. Brenda pak çastesh u gjenda gojëhapur nga habia përpara disa prej bishave më të egra e grabitqare të planetit: tigra, pantera, luanë, hiena, qen të egër, madje edhe disa krokodilë të stërmëdhenj. M’u ndal fryma nga gjithë ata çataj që më afroheshin hungëritshëm. U tremba edhe më shumë akoma, kur luani brenda kafazit, fryma e të cilit më rrihte shpatullat, më foli.

Zëri i tij m’u drejtua vajtueshëm, si për të më ngushëlluar. Sapo bëra të kthehesha drejt tij, kafshët m’u sulën egërsisht, duke më mbërthyer pas hekurave të kafazit. Filluan të më shqyenin mishin, të gjitha njëherësh, me dhëmbë e thonj. Ndjeva brinjët të më shkuleshin dhunshëm nga trupi dhe zorrët që filloi t’i shthurte prej barkut një hienë, e cila ia mbathi me to mes dhëmbëve. Dihatjet erëkeqe, hungërimat tmerruese dhe dhimbja nuk më ndalën të ktheja kokën drejt luanit të kafazit, duke zgjatur drejt tij dorën që më kishte mbetur. Ai kapi krifën me putër dhe hoqi zorshëm atë që dukej se ishte vetëm një maskë, pas së cilës u shfaq koka e të njohurit tim. Më vështroi ngjethshëm me lot në sy dhe duke iu dridhur pakëz mjekra më tha:
– Eh! Sa herë të kam thënë që kafshët flasin gjuhët e lashta?! Dhe që njerëzve nuk u duhet besuar kurrë!
Ndërkohë, një turi i gjatë me çataj të tmerrshëm m’u fut që poshtë kraharorit të shqyer dhe më shkuli zemrën. U përpoqa të mbaja sa më gjatë brenda mushkërive të copëtuara frymën e fundit, por nuk munda të shihja gjë tjetër, sepse sytë m’i mbuloi gjaku im, që rrodhi nga goja e një hiene tjeter, mbushur me rropullitë e mia te mbetura, e cila, pasi i përpiu me një frymë si të ishin makarona, filloi të më kërrmiste fytyrën me hungërima kënaqësie.

Marrë nga arkiva e pasur elektronike e “Gazeta Shqiptare” – suplementi kulturor “MILOSAO”, E diel, 25 Mars 2007


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.