KULTURË

Zonja Vdekje mori me vete Pitarkën

10:00 - 23.05.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Admirina Peçi – “Dua të jetoj, jo të vdes në skenë. Skenës dua t’i jap frymë, energji”. Dhe e bëri këtë deri në moshën 82-vjeçare. Vdekjen? “Unë s’kam frikë nga vdekja. Dua të vdes në shtrat”. Dhe vërtet, e priti në shtëpi “Zonjën Vdekje”, qetësisht, ndërsa përjetonte prej ditësh kapriçot e moshës së vonë.
83 vjeç, me shikimin e dobësuar në maksimum, fizikun e rënduar prej moshës dhe lëngimit në shtrat prej një sëmundjeje të gjatë, dje në orët e paradites, dha frymën e fundit, duke lënë pas kujtimet e hershme, vitet kur adhuronte Charli Chaplin-in, kohën kur as e mendonte se një ditë do të bëhej aktor, ditët e vështira të rinisë së hershme dhe shansin që e shndërroi në yll.




 

Historia e një djaloshi të varfër që fillimisht ishte hamall, pastaj ndihmësllogaritar, pastaj një nga aktorët më të mëdhenj të shek XX-të të filmit e teatrit shqiptar

***
Atëherë s’e dinte ç’ishte skena. I duhej të punonte për të ndihmuar familjen e tij. Dhe bëri çdo gjë që mundi për ta arritur këtë. Punoi si hamall në portin e Durrësit, më pas në kriporen e Kavajës. Në kohën e luftës punoi ndihmësllogaritar në një firmë të njohur italiane e më vonë në Bankën e Durrësit. Fill pasi Shqipëria ishte shpallur e lirë, mendoi të rendte drejt botës së aktrimit dhe shënoi fillimin e një karrierë të shkëlqyer. Shënoi lindjen e një aktori të madh.
Sulejman Pitarka lindi në Dibër të Madhe, më 2 shkurt 1924. Kur ishte vetëm 3 vjeç, bashkë me familjen e braktisën vendlindjen. Mbërritën në Durrës, ku kreu shkollën fillore e të mesme. Në vitin 1945, ai interpretoi në teatrin amator të Durrësit disa role si në dramat: “Ishulli i paqes”, “Invadimi”, etj. Pas 6 viteve aktor në këtë teatër amator, me ndihmën e aktorit të madh shqiptar, Mihal Popi, në vitin 1951, kur po krijohej trupa e teatrit Kombëtar, u bë pjesë e këtij teatri, për të mos e lënë më deri në moshën 82 vjeçare kur luajti rolin e fundit në dramën “Pjata prej druri”, një dramë e Edmond Morris dhe e vënë në skenë nga regjisori Gëzim Kame.
Roli i parë si aktor profesionist i takon vitit 1945, dhe është pikërisht roli i Hysen Agës, te komedia “Prefekti” i Besim Levonjës dhe më pas Halilin në dramën “Toka Jonë” e Kol Jakovës. Në 1952 do linte mbresa me interpretimin e personazhit Ljapkin Tjoplinit në komedinë e Gogolit “Revizori”. Në vitet 50-60 Pitarka realizoi tre role me kolorit krejt vetjak nga dramaturgjia e Shekspirit: Otellon, Pejxhin te “Gratë gazmore të Uinsdorit” dhe Gildesernin te “Hamleti”. Në vitet ‘63-‘64 shquan me interpretimin e “Borgjezit Fisnik” të Molieirit. Pas një ndërprerje disa vjecare Pitarka i kthetet Teatrit me role që kanë mbetur në vemendje të shikuesit si aktori te “Arturo Ui”, dhe deri te roli më i fundit i realizuar në 2005 “Pjata e drunjtë”, ku luan rolin e një babai, djemtë e të cilit grinden me njëri tjetrin se, cili e ka për detyrë ta mbajë e më në fund gjejnë një zgjidhje shumë të hidhur, duke e dërguar në azil. Një rol brilant, ku Pitarka ka dhënë shumë prej vetvetes, një shkëlqim pas ndarjes gati 20-vjeçare me skenën e Teatrit Kombëtar. Roli i këtij babai, me bastunin e përhershëm e pak verbëri që i vështirëson lëvizjet, bota shpirtërore përcjellë mrekullisht nga Pitarka, rrëzoi perden e një lloj ftohje të spektatorit me skenën e këtij teatri. Natën e kësaj premiere, spektatorët kanë dalë të përlotur nga teatri, kanë duartrokitur gjatë dhe kanë qarë në heshtje, jo vetëm për emocionet e përcjella nga Pitarka, por dhe për ndjesinë e humbjes përgjithmonë të këtij brezi rrezëllitës aktorësh. Pikërisht para kësaj premiere tha: “Dua të jetoj, jo të vdes në skenë”, duke iu dëshmuar në orët e gjata të provave të gjithë artistëve se një aktor i mirë, duhet të punojë shumë, aq shumë sa të bëhet i vërtetë, i besueshëm, aq sa të prekë ndjesitë e të gjithë spektatorëve, të depërtojë në shpirtrat e tyre.

 

KINEMA
Sulejman Pitarka ka shënuar në karrierën e tij artistike edhe rreth 20 role në kinema. Realizimet e tij kanë hyrë në fondin e artë të kinemasë sonë. Role të tilla si: mësuesi te “Debatik”, Sokrati te “Horizonte të hapura”, Galipi te “Tinguj Lufte”, Lipja te “Pas gjurmëve”, Zheleznovi te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Xha Avdiu te “Gjeneral Gramafon” etj

***
Sulejman Pitarka ka shënuar në karrierën e tij artistike edhe rreth 20 role në kinema. Realizimet e tij kanë hyrë në fondin e artë të kinemasë sonë. Role të tilla si: mësuesi te “Debatik”, Sokrati te “Horizonte të hapura”, Galipi te “Tinguj Lufte”, Lipja te “Pas gjurmëve”, Zheleznovi te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Xha Avdiu te “Gjeneral Gramafon”, kasapi Çelo te “Nxënësit e klasës sime”, Llambi te “Rrethimi i vogël” dhe deri te paraqitja spektakolare te filmi më i fundit, prodhim frëng, “Larg barbarëve”.
Por nëj stacion i rëndësishëm në jetën e tij artistike ishte edhe krijimtaria, të shkruarit. Pitarka përfaqëson ata artistë shqiptarë që krahas kontributit të çmuar të interpretimit, lëvruan në mënyrë të prekshme dramaturgjinë. “Familja e peshkatarit” ka hyrë në në fondin e artë të letërsisë shqipe. Emrin e tij mbjanë gjithashtu edhe komedia “Burri me përparëse”, dramat “Trimi i mirë me shokë shumë” (1957), “Heronjtë e Linasit” (1967), “Kulla e Linasit”. Vetë Pitarka do të kujtonte me nostalgji para pak muajsh fillimet e tij në botën e krijimtarisë. “Unë e kam pasur pasion leximin dhe letërsinë në përgjithësi. Kam shkruar fillimisht vjersha në moshë shumë të re, 17 vjeç, ndonjë skicë letrare, më pas vargje satirike, dialogë apo skena humoristike dhe guxova të shkruaj për herë të parë një dramë, të cilën e titullova “Familja e Peshkatarit”. Pas kësaj kam shkruar edhe drama të tjera, por me ç’thonë dhe me ç’duket më shumë nga të gjitha këto drama është pëlqyer “Familja e Peshkatarit”. Me fjalë të tjera, e para më e mirë se e fundit”, do të kujtonte fillimet e tij Pitarka.

 

TEATRI
Roli i parë si aktor profesionist i takon vitit 1945, dhe është pikërisht roli i Hysen Agës, te komedia “Prefekti” i Besim Levonjës dhe më pas Halilin në dramën “Toka Jonë” e Kol Jakovës. Në 1952 do linte mbresa me interpretimin e personazhit Ljapkin Tjoplinit në komedinë e Gogolit “Revizori”. Më tej Otellon, Pejxhin te “Gratë gazmore të Uinsdorit”

 

***
Por në shtëpinë e tij, mbushur plot me libra e shënime, Pitarka ka lënë dhe mjaft gjëra që s’do të donte të mbeteshin në sirtar.
Vite te fundit, ishte tërhequr. Ditët i kalonte në shtëpi. Dilte ndonjëherë mëngjeseve pinte kafenë e zakonshme aty pranë, shkëmbente ndonjë bisedë, e kur ndjente gjunjët ta tradhtonin, i thoshte ndokujt ta ndihmonte të ngjiste shkallët, (zakonisht zonjën e tij, e cila I gjendej gjithmonë pranë). Kthehej në botën e tij pranë librave. Në të vërtetë librat zaptuan kohën më të madhe gjatë viteve të fundit. Thoshte se me to mbushte hapësirën që kishte lënë bosh teatri në jetën e tij. Tregonte se mundohej nga pak çdo ditë, me atë pak shikim që i kishte mbetur, në pleqëri të lexonte ndonjë gjë, ose të hidhte ndonjë shënim. Tregonte se vitet e fundit i ishte kushtuar gjuhësisë dhe dramaturgjinë. E dëshmojnë këtë shënimet që ai ka lënë, megjithëse, thoshte se janë pak, se shkruante ndonjë rresht në të rrallë. Në bisedat e para një viti, Pitarka thoshte se në shtëpi kishte ca materiale për të botuar. “Kam përkthyer dy novela të një shkrimtari rus, Leonid Andrejev. Është një shkrimtar i Luftës së Parë Botërore, i cili ka vdekur larg Rusisë. Duke u bazuar tek njëra prej këtyre novelave unë kam shkruar një dramatizim. E veç saj, kam përkthyer dhe kam realizuar një përshtatje të një komedie të Oktav Mirbos”. Thoshte se dorëshkrimet do t’ia jepte Teatrit Kombëtar. “Ata mund të mendojnë për vënien e tyre në skenë. Ndoshta mund t’u vijë radha për t’u ngjitur aty, megjithëse kam shumë vite që i kam mbaruar”, thoshte aktori dhe dramaturgu, duke u lutur të mos mbeteshin përjetë aty në sirtar.
***
Këto janë gjëra të vogla. Ngjajnë grimca, pas një humbjeje të madhe. Pitarka tashmë nuk është më. Janë vetëm këto kujtime, rolet e tij në filma e në teatër, imazhi i tij i fiksuar në kujtesën e adhuruesve të kinemasë e teatrit. Kanë mbetur rrëfimet e tij të fundit dhe pesha e fjalëve: “Në skenë dua të jetoj”.

Premtimi i regjisorit: Kame: Pengu që më la Pitarka

E shoqërova Sulejman Pitarkën atë ditë që u zhvilluan homazhet e Kadri Roshit. E ndjeu shumë rëndë atë vdekje dhe më tha ta çoja në shtëpi pasi nuk e përballonte dot varrimin. Kjo ishte dita e fundit që u pashë me të. Disa ditë më vonë e mora në telefon. Dëshiroja që të bëja bashkë disa artistë të vjetër dhe t’i mblidhja në teatrin tim veror. M’u përgjigj se tani ishte pak ftohtë, por sapo të ngrohej koha do të vinte me dëshirë. Më ngeli peng që nuk arrita dot t’i mblidhja së bashku. Ai e ndjeu rëndë vdekjen e Kadri Roshit. Ishin dy titanë të Teatrit Kombëtar dhe ashtu siç erdhën në të njëjtën kohë, pothuajse në të njëjtën kohë u larguan. Këta janë gjigandë që njëher në 100 vjet i vijnë një shoqërie. Në ato nivele të larta ku ndodheshin të dy, është një shanc i madh për të gjithë ne që arritëm të jetonim në një kohë me ta, që jemi rritur, edukuar e kemi shijuar filozofinë artistike të këtyre mjeshtrave të skenës që kanë prurë letërsinë botërore nëpërmjet një interpretimi të jashtëzakonshëm. Humbja e Pitarkës ndodhi në një moment të veçantë. Ai ishte një nga artistët e fundit me të cilët unë nuk kisha punuar deri në këtë moshë ku jam. E kam ndjerë shumë humbjen e tij. Më duket e pabesueshme që një njeri, i cili para një viti ishte vital, që lëvizte nga Fieri në Dibër me shfaqjen “Pjata e drunjtë”, të jetë shuar. Kujtoj se ishte vetëm me rreth 20% të shikimit dhe iu desh të përballonte me kurajo të jashtëzakonshme errësirën e prapaskenës dhe lëvizjet artistike në skenë. Për mua këta aktorë janë të njëjtë si në kulmin e karrierës së tyre, ashtu edhe në fund të saj. Kanë një përkushtim dhe idealizëm të jashtëzakonshëm në punë. Unë kam shumë për të kujtuar, por më ka befasuar llogjika e tij e kristaltë, që përveç intrigës artistike që çdo artist i madh e ka brenda vetes, përdorte një arsyetim që vinte nga kultura e lartë dhe formimi profesional i shkëlqyer. Ajo ishte një shkollë më vete në punë. Analistët, studiuesit e kritikët tanë të teatrit duhet të nxjerrin në pah vlerat e tyre, sepse shkolla janë ata me vlerat dhe talentin që kishin. Nuk di si ta vlerësosh një njeri që në moshën 82-vjeçare del në skenë, punon në një sallë të ftohtë në janar dhe në kushtet që ofron Teatri Kombëtar. Vinte çdo ditë nëpër shi dhe pothuajse i verbuar për të bërë prova. Nuk e dëgjova asnjëherë të ankohej. Ata janë një shembull i jashtëzakonshëm për brezin e ri dhe atë që do të vijë më vonë. Nuk duhet të humbasë asgjë nga bagazhi i këtyre gjigandëve.

 

ROLET

“Ishulli i paqes”
“Invadimi”
“Trimi i mirë me shokë shumë”
“Syleshi”
“Orët e Krmelinit”
“Familja e peshkatarit”
“7 shalianët”
“Vajza nga fshati”
“Doktor Aleksi”
“Epoka para gjyqit”
“Debatik”
“Oshëtimë në bregdet”
“Horizonte të Hapura”
“Tingujt e luftës”
“Gunat mbi tela”
“Streha e re”
“Gjeneral Gramafoni”
“Pas gjurmëve”
“Ballë për ballë”
“Familja e peshkatarit”
“Heronjtë e Linasit”
“Punë grash”
“Kulla e hutajve”
“Udhëkryq në barikada”
“Larg Barbarëve”

 

Josif Papagjoni: Pitarka, epëria e aktrimit shqiptar

Sulejman Pitarka i përket brezit të ndritur të aktorëve të mëdhenj shqiptarë, i dimensionit të Kadri Roshit, Naim Frashërit etj. E veçanta e tij veç të tjerash qëndron në fuqinë e konkretësisë dhe natyrshmërinë e dukshme të lojës. Rrallë aktor si ai në teatrin dhe kinemanë shqiptare sillte të vërteta njerëzore të atilla që mbeteshin në mëndjen e spektatorit dhe nuk shlyheshin më. Sulejman Pitarka mbetet një nga aktorët më të kulturuar. Veç gjuhëve që zotëronte dhe flsite lirshëm ai ishte njëkohësisht dramaturg dhe shkrimtar me të cilin kishe kënaqëi të bisedoje dhe të ndjeheshe shpeshherë inferior për njohuritë e thella që ai zotëronte në fushën e letërsisë, teatrit dhe gjërazi të kulturës. Aktor i karaktereve dhe i shndërrimeve të papritura, të plota e të thella nga roli në rol, nga ana tjetër Sulejman Pitarka kishte dhe atë që në gjuhën e teatrit quhet “prania skenike”. Sa herë ai ndodhej në skenë, syri i publikut do të ishte pikërisht te qënia e tij psiko-fizike, sepse atë mund ta quaje me të vërtetë një “Mag” të skenës dhe ekranit. Tipar tjetër i jashtëzakonshëm i aktrimit të tij ishte përjetimi i thëllë i figurës, një qënie që buronte gjithandej emocion, vërtetësi gjer në bulbë, pa kurrfarë shtirjeje dhe gënjeshtre. Ai vet kishte dëshirë të pohonte se “aktrimi në thelb është një gënjshtër, por kur aktori e bënte këtë gënjeshtër “të përsosur”, aq sa publiku e merrte si të vërtetë dhe e “paguante” me qejf biletën,- atëherë në këtë rast interpretimi aktorial mbërrinte në epërinë e vet. Pikërisht në epërinë e aktrimit shqiptar ishte dhe do të mbetet përher “lojtari” i kalsit të parë i teatrit dhe kinemasë, “Artisti i Popullit”, Sulejman Pitarka.

Kiço Londo: Aktori i lindur për skenën

Sulejman Pitarka ishte i lindur për skenën dhe po kaq natyrshëm mund
të thuhet se skena është krijuar për artistë të përmasave si Pitarka. Midis tij dhe skenës ka pasur një lidhje hyjnore, një përcaktim të fatit që nuk ka mundur ta devijojë asgjë. Pitarkën e ka “puthur” ylli i fatit. Të gjithë regjisorët e donin me një rol në dramë a komedi, shqiptare a të huaj, klasike a bashkëkohore qoftë. Të gjithë aktorët e donin partner sepse Pitarka ishte investim i sigurtë, garanci për suksesin e shfaqjes. Këtë e kuptuan shumë mirë edhe regjisorët e filmit të cilët “luftuan” me kolegët e tyre të teatrit kush e kush ta merrte më parë. Fatkeqësisht unë nuk e pata fatin e madh të punoj me këtë aktor gjigand, por unë në raport me Pitarkën kam pasur fate të tjera. Së pari kam qenë admirues dhe dëshmitar i artit të tij të madh. Së dyti, kam pasur fatin të kontriuboj që së paku pas më shumë se 15 vjetësh, Pitarka t’i kthehet skenës së Teatrit Kombëtar me shfaqjen “Pjata prej Druri” e regjisorit Gëzim Kame. Shfaqja në të cilën ai shkëlqeu me një talent dhe energji që sfidonte moshën e tij. Së treti kam hyrë në Akademinë e Arteve me firmën e Sulejman Pitarkës. Dëshiroj shumë që artistët e teatrit dhe kinemasë shqiptare ta kenë si fari në det që u tregon marinarëve rrugën në të cilën duhet ecur.

* Marrë nga arkiva e pasur elektronike e “Gazeta Shqiptare” – suplementi kulturor “MILOSAO”, E diel, 25 Mars 2007


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.