KULTURË

Rrëfimi i Dom Gjergj Metës: Një mea culpa në emrin tim e të Kishës

13:36 - 03.02.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli




Mea culpa është së pari personale e pastaj edhe e atyre që kanë përgjegjësi në Kishë. Sigurisht, unë kërkoj falje për njerëz brenda Kishës, që nuk janë sjellë në përkim me misionin e tyre, sikurse të tjerë kërkojnë falje për mua kur nuk sillem si duhet. Një Kishë që nuk kërkon falje, është një Kishë arrogante”. Këto pak radhë më duket të jenë përfaqësuese për një libër, që në kapitujt e tij rreket të gjejë paqen duke pranuar, rrëfyer, analizuar dhe shpjeguar jo vetëm jetën e një prifti, por edhe (pikë)pyetjet e tij. “Hyji është Atë me zemër nëne”, libri i fundit i Dom Gjergj Metës, mbledh së bashku disa refleksione, që mundet të jenë edhe përgjigje për shumëçka ne pyesim përditë. Vepra e Sieger Koder, titulluar “Shtëpia” vënë në kopertinë, të grish në një udhëtim brenda vetes, për t’u njohur me të, e mandej, mbase edhe për t’u pajtuar me të; qoftë edhe për të mos rënë dakord a për t’u rrekur të gjesh paqe. Si të zgjedhim të jemi të mirë, pa qenë nevoja të jemi të mirë prej frikës? Dom Gjergj Meta, së fundmi Zv. i Përgjithshëm i Arkidioqezës Tiranë – Durrës, vjen në një rrëfim për veten e Kishën, duke u ndalur në “mea-culpat”, herët e flirteve, tundimeve, mëkateve e ndodhive personale që e kanë bërë atë të mendojë të ndihet në faj, a të përmirësohet duke u penduar. Në intervistën e tij për “Gazeta Shqiptare”, Dom Gjergji është ndalur në tematika të ndryshme: nga ditët e ‘errëta’ të tij te kohët e errët të Kishës-duke pranuar ‘ngjarje e hije’ që errësojnë kishën, e në një farë mënyre duke kërkuar falje për shumëçka që i është besuar këtij ‘institucioni”.
Libri dhe intervista janë edhe një rrëfim krejt personal për Dom Gjergjin. “Nëse kam hequr dorë nga ngrohtësia e një familjeje, nga të qënit bashkëshort, nga pasja e fëmijëve, nga të qënit gjysh e kështu me radhë, duhet me patjetër që të zgjedh diçka që e mbush jetën time dhe jo të jetoja për para”, thotë ai, si një përgjigje ndaj perceptimit që “shpesh misioni i një prifti shikohet si një zanat: bën diçka dhe të paguajnë”. Në fakt, Dom Gjergji tregon se në shumë raste i është thënë kështu. Në intervistën e tij të mëposhtme për “GSH”, ai tregon se, “është edhe kjo një çështje delikate, sepse edhe një prift duhet të jetojë, por kjo nuk mund të kthehet në një motiv jete për një prift, që të mbledhë pasuri e të bëjë punën e vet për të grumbulluar para”.
– A duhet ta jemi frikë Zotin? Dhe si mundemi të mos kemi frikë Atin- kur kemi ardhur nga një shoqëri patriarkale e përkundrejt çdo mëkati na vihen flaket e ferrit? Si të kalojmë pra nga zgjedhja ‘për mos me ba’ te “mos me e ba prej frike’?
Frika është një dukuri komplekse që do të thotë se aty mpleksen, përthyhen shumë gjëra bashkë. Në thelb më duket se frika shpreh pasiguri që vijnë nga zona të ndryshme të psiqikës apo jetës tonë shpirtërore. Dhe frikërat mund të përmblidhen të gjitha tek njëra prej tyre, më e madhja: frika e vdekjes, e cila ka shumë trajta si frikë nga vetmia, frikë nga harresa, frikë nga dhimbja dhe nga vuajtja, nga ndëshkimi etj. Njeriu ka frikë se mund të humbë diçka, pra se mund të vdesë. Nëse frikën e Zotit e marrim në këtë kuptim atëherë është diçka e keqe. Për ne të krishterët Zoti është dashuri dhe në dashuri nuk ka frikë, kush ka frikë nuk është i denjë për dashurinë. E ky është njëri aspekt i frikës kundër të cilit duhet të luftohet. Frikërat që ne kemi janë shpeshherë edhe pikënisje e psikoanalizës apo psikoterapisë, sepse janë një burim i madh të dhënash për personalitetin tonë.
Por ekziston sipas meje edhe një frikë pozitive. Në Bibël thuhet që “frika e Tënzot është fillimi i mençurisë”. Mund të them se frika e humbjes së diçkaje të bukur shpesh më angazhon që ta mbaj fort atë. Kështu kur dy persona duan njëri-tjetrin dhe kanë frikë të humbin njëri-tjetrin, për çfarëdolloj arsye, angazhohen për të pamundurën që ajo gjë të mos ndodhë. Ne kemi frikë prindërit tanë në kuptimin që nuk duam të humbim dashurinë e tyre. Po kështu me Zotin është e njëjta gjë më duket. Zotin nuk e kemi frikë se na ndëshkon, por kemi frikë se ne mund të humbim, për shkak të brishtësisë tonë, marrëdhënien me të. Nga këtu mund të kuptojmë që një moral negativ: mos e bëj këtë gjë!, duhet të zëvendësohet gradualisht me një moral pozitiv: bëj këtë gjë.
– Ju flisni në libër për vëllain e madh e të vogël, për fajtorin që pendohet e të ndershmin që krenohet. Në fakt, kemi dy mëkatarë përballë? Pse kisha s’duhet të jetë e elitave?
Ju po më pyetni për një nga shëmbëlltyrat më të famshme që ka frymëzuar edhe shumë vepra arti në kohë, ajo e djalit plangprishës në Ungjillin e Lukës. Mjafton të kujtojmë Rembrandt me pikturën e tij Djali plangprishës, Chagall, por edhe Sieger Koder, pikturën e të cilit e kam përdorur si imazh kopertine në librin tim. Qoftë largimi nga Zoti, qoftë pretendimi se jam në rregull me Zotin dhe se ai ma ka borxh mua pse jam sjellë më mirë, janë mëkate që, edhe pse diametralisht të kundërta, përkojnë në një pikë: autoreferencialiteti. Në qendër është vetvetja. Ja ku gabojnë të dy djemtë e Atit të mëshirshëm. Dhe rruga është vetëm një: kthimi të Ati, i cili është gjithmonë i gatshëm për të dashur pa na kënduar atë refrenin e famshëm: “ta kisha thënë, por ti nuk më dëgjove, tani mirë të bëhet”. Zoti që ne besojmë është një Zot që nis nga e para me njeriun, tamam si me një fëmijë të vogël. Kisha nuk mund të jetë e elitave, sepse duhet të jetë e të gjithëve sidomos e të vegjëlve. Është shumë e thjeshtë.
– Vëllai i madh dhe i vogël ju sjell ndërmend ju “flirtin me pushtetin”- a ka diçka që Kisha duhet të bëjë në këtë aspekt?
Është një interpretim i lirë i imi. Djali i madh në shëmbëlltyrën e Lukës është arrogant dhe si pretekst për këtë arrogancë të veten ai sjell faktin se ka qenë i përsosur në gjithçka e sidomos moralisht i pacenueshëm. Kur unë flas për pushtet e kam fjalën për atë sjellje që kthehet në përçmuese ndaj të tjerëve, duke menduar se jam më i miri. Kjo është e rrezikshme, sepse kthehet në racizëm, ksenofobi, mendjemadhësi, e kështu me radhë. Kisha ka për detyrë t’i shërbejë Ungjillit, Fjalës së Mirë të Ungjillit. Duke bërë këtë Kisha sigurisht nuk i shërben të pushtetshmëve, as të fortëve, as atyre që kanë para, por të gjithë njerëzve, në mënyrë të veçantë atyre që kanë nevojë për një fjalë shprese e ngushëllimi dhe jo për ata që kanë dëshirë të krekosen nëpërmjet Kishës.
– A keni rënë ju vetë pre e flirtit me pushtetin?
Unë e kam shkruar edhe në libër në formën e një rrëfimi të themi. Po, ka ndodhur që kam dashur të jem i rëndësishëm e të rri me njerëz të rëndësishëm, me elita. Por kam hequr dorë dhe mundohem çdo ditë të kuptoj thelbin, esencën e të qënit tim njeri e njeri i krishterë. Mundohem të rri me të gjithë e të jem në shërbim, pa kërkuar që të ma kthejnë. Është një rrugëtim e gjitha kjo, një rrugëtim i gjatë pastrimi dhe vetënjohjeje. Duhet guxim t’i thuash jo dëshirës për t’u dukur më shumë se sa për të qenë. Dukja, pushteti, sundimi i tjetrit, hedonizmi janë të fuqishëm dhe mund të të mposhtin nëse nuk vendos të luftosh. Por në këtë luftë unë nuk jam i vetëm. Është Ai, Krishti që lufton me mua dhe për mua. Unë bashkëpunoj.
– Keni sjellë në vëmendje edhe priftin në komunizëm e priftin sot. A vijon ta përndjekë klerin, hija e komunizmit, drejtpërdrejt a jo?
E vështirë të hiqet ajo njollë paragjykimi. Priftërinjtë në komunizëm u vranë jo se ishin burra më të mirë se të tjerët. Kanë qenë edhe ata me të metat dhe të mirat e çdo njeriu. Jetët e martirëve na tregojnë edhe aspekte të karakterit apo të jetës së tyre problematike. Priftërinjtë katolikë u luftuan nga komunizmi për shkak të vizionit të tyre të kundërt me komunizmin, për shkak të besimit që u jepte atyre një vizion të ndryshëm nga ai komunist për jetën dhe shoqërinë e këtë vizion ata e edukonin tek njerëzit. Megjithatë Komunizmi propagandoi më të keqen për klerikët katolikë dhe të tjerë. E kjo hije na përndjek fatkeqësisht akoma. Mjafton të shohësh herë pas herë se si ndonjë negacionist nostalgjik i komunizmit, ende në veprim, thotë që në fund të fundit komunizmi u’a ka bërë mirë priftërinjve katolikë që i ka vrarë. Kjo bëhet Akoma më e rëndë kur janë të rinj që e thonë.
– ‘Njollat me fëmijët’ çfarë e ka çuar klerin deri këtu?
Është edhe kjo një dukuri komplekse. Do të thoja që ka shumë arsye. Por e para ndër të gjitha është fakti se nuk bëhet gjithmonë përzgjedhja e duhur për kandidatët për priftërinj, sidomos për çështjet e pjekurisë psiko-afektive. Nuk ka priftërinj pedofilë, por ka pedofilë që janë lejuar të bëhen priftërinj. Çështja e pedofilisë mbulon dy aspekte: njërin kriminal. Ata kanë abuzuar me fëmijë dhe kjo dënohet me legjislacione civile dhe kishtare e dikush duhet të paguajë pasi është çështje drejtësie për viktimat. E dyta ka të bëjë me aspektin e rritjes dhe pjekurisë së këtyre personave. Këtu ka shumë punë për t’u bërë. Ky është një fenomen që e përshkon shoqërinë në mënyrë diagonale do të thoja, por për ne priftërinjtë përbën bujë dhe është e tmerrshme, sepse njerëzit na kanë besuar fëmijët e tyre. Kjo më dhemb shumë.
– ”Ja dhe haku jot zotni”, – është një ndër frazat që në një farë mënyrë “zhvlerëson” a “zbeh” udhën që ju keni zgjedhur?
Shpesh misioni i një prifti shikohet si një zanat: bën diçka dhe të paguajnë. Në fakt në shumë raste më është thënë kështu. Është edhe kjo një çështje delikate, sepse edhe një prift duhet të jetojë, por kjo nuk mund të kthehet në një motiv jete për një prift, që të mbledhë pasuri e të bëjë punën e vet për të grumbulluar para. Personalisht po ta konceptoja jetën time si një jetë për të fituar para do të bëja të tjera gjëra dhe jo të isha prift. Nëse kam hequr dorë nga ngrohtësia e një familje, nga të qënit bashkëshort, nga pasja e fëmijëve, nga të qënit gjysh e kështu me radhë, duhet me patjetër që të zgjedh diçka që e mbush jetën time dhe jo të jetoja për para. Jetën mbushet kur ti i jep asaj një kuptim, një kahje, jeton për Dikend në kuptimin e plotë të fjalës. E ky dikush për mua është Hyji dhe njerëzit që më janë besuar t’u shërbej. Gjithçka tjetër, pra edhe paratë janë vetëm në shërbim të këtij misioni. Në librin tim pikërisht në kap. IV jam munduar nëpërmjet një paralelizmi me një film të Robin Williams të përshkruaj esencën e figurës së një prifti katolik.
Nuk është e lehtë, dhe unë këtë e provoj çdo ditë, pasi njeriu është i tunduar vazhdimisht të mbushë jetën e tij me diçka dhe shpesh e mbushim me gjërat e para që gjejmë apo që janë më të pëlqyeshme duke mos pasur durimin e gjërave që duhen pritur. Në përgjithësi ne njerëzit ngatërrojmë dëshirën me kënaqësinë, gjërat që dëshirojmë me gjërat që na pëlqejnë. Mund të bëj një shembull të thjeshtë. Unë dëshiroj të shkruaj një libër, por më pëlqen të fle gjumë orar pa orar. Kështu librin nuk do ta shkruaj kurrë edhe pse do të kënaq veten duke fjetur. Dëshirat presin, madje marrin kuptim vetëm kur presin, ndërsa kënaqësia nuk pret ajo kërkon të zotërojë objektin e saj jo të hyjë në relacion me të. Dëshirat sakrifikojnë dëshiruesin, ndërsa kënaqësitë sakrifikojnë tjetrin. Ka një dallim thelbësor.
– Kisha e varfër pa kompromise, a është një kishë që përzë politikanët?
Jo Kisha nuk mund të përzërë dikë, madje askënd. Ajo është një derë e hapur për gjithkënd dhe nuk mund të mbyllet. Dhe pikërisht një Kishë e varfër është një derë e hapur, sepse nuk ka asgjë për të humbur, por ka për të dhënë. Një kishë e varfër nuk është një Kishë pa asgjë, por një Kishë e vetëdijshme që çka ka e ka për shërbim dhe jo për vete. Në këtë sens politikanët janë të mirëpritur ashtu si çdo njeri, madje njoh prej tyre që janë vërtet njerëz të mrekullueshëm e të krishterë të mirë, pjesë e rëndësishme e bashkësisë katolike. Një Kishë pa kompromise do të thotë se ajo nuk lidh marrëveshje me askënd në kurriz të të varfërve dhe të mënjanuarve. Këta të fundit janë në krye të vendit e aty duhet të jenë gjithmonë jo vetëm në Kishë, por edhe në shoqëri.
– Po ju bëj të njëjtën pyetje që ju i keni bërë vetes – Çfarë mjetesh këshilloni kundër lodhjes së Kishës?
Rikthimi të Fjala e Zotit, të Tradita dhe te Liturgjia. Janë tri elemente që e bëjnë Kishën të gjallë. Një Kishë që dëgjon çfarë flet Zoti dhe këtë e kumton, një Kishë që dëgjon ata që kanë nevojë dhe këtyre u jep shpresë. Një Kishë që lutet shumë dhe i qëndron besnike misionit të saj, por që ka nevojë të heqë nga vetja shumë superstruktura duke filluar nga titujt, veshjet nganjëherë pompoze e kështu me radhë e të jetë në ripërtëritje të vazhdueshme.
– A është kjo një ‘mea culpa’ në emër të atyre që përveç fajit të vet, e kanë bërë kishën me faj?
Mea culpa është së pari personale e pastaj edhe e atyre që kanë përgjegjësi në Kishë. Sigurisht unë kërkoj falje për njerëz brenda Kishës që nuk janë sjellë në përkim me misionin e tyre, sikurse të tjerë kërkojnë falje për mua kur nuk sillem si duhet. Një Kishë që nuk kërkon falje, është një Kishë arrogante.
– Ju nuk e përfshini në libër, por mbetet një simbolikë që do shpjegim-Kulla e Babelit. A është ajo një destin që njerëzit mos me u marr vesh?
Jo nuk është destin Babeli. Është një situatë e përkohshme. Në Krishtin dhe me zbritjen e Shpirtit Shenjtë ditën e Rrëshajëve Babeli rikompozohet, por për të folur një gjuhë të re, gjuhën e dashurisë. Mendoj këtu qëndron sekreti: gjuha e dashurisë është ajo që i bashkon të gjithë njerëzit. Përveç Krishtit që thotë ta duam njëri-tjetrin (urdhri i dashurisë) do të citoja edhe dy personazhe të historisë shumë të largët me njëri-tjetrin: Shën Agustini që thotë: duaj e bëj ç’të duash dhe Perry Como: Love makes the world go round.
– Unë e kam lexuar librin tuaj si një rrëfim: edhe ‘confiteri’ edhe ‘referre’. Si ka qenë për ju? A ka qenë e vështirë ‘me u rrfy’ para një lexuesi diku larg që mundet t’u lexojë, keqlexojë, t’u marrë vesh edhe mos t’u marrë vesh?
Coming out –et janë gjithmonë të vështira, por shëruese. Po! Jam rrëfyer në një farë kuptimi edhe në disa nga dështimet e mia. Nuk është e lehtë, por kur unë e ndjej të nevojshme e bëj këtë punë. Mendoj se kam pak ditë për të jetuar (nëse Zoti më jep forcë ndoshta edhe 40 vjet të tjera), prandaj dua ta jetoj jetën në një mënyrë autentike. Çdokush pastaj merr atë që do nga libri im dhe e interpreton ashtu si do.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.