KULTURË

Nishani vlerëson me dekoratën “Skënderbeu” 7 aktorë të njohur

18:34 - 24.02.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në një ceremoninë solemne të zhvilluar sot në Institucionin e Presidentit të Republikës, ku ishin të pranishëm artistë dhe aktorë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, regjisorë e skenaristë, familjarë dhe personalitete të artit e kulturës, Presidenti i Republikës Bujar Nishani vlerësoi aktorë të mëdhenj të skenës teatrore dhe kinematografisë shqiptare me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Kreu i Shtetit i akordoi dekoratën e lartë shtetërore, pas vdekjes aktorëve Sulejman Pitarkës, Sandër Prosit, Kadri Roshit e  Violeta Manushit  “Në shenjë vlerësimi që ishin ndër të parët e artit skenik shqiptar, bashkëkontribues në fillesat e Teatrit Kombëtar, duke vënë në shërbim të roleve dhe interpretimeve e të zhvillimit të teatrit e kinematografisë në Shqipëri talentin, kulturën, dijen, urtësinë, punën e tij të palodhur që e bënë një shprehës të përkryer mjeshtërie të lartë dhe përkushtimi të pashoq.”

Kreu i Shtetit i akordoi dekoratën e lartë shtetërore edhe aktores Margarita Xhepa, “Si mjeshtre e përkryer dhe interpretuese e rrallë e artit skenik dhe atij kinematografik të vendit tonë të personazheve aq të spikatura jetësore, e cila për dekada me radhë ka portretizuar karaktere të panumërta dramatike e aq të dashura, duke mbetur përjetësisht e gdhendur në kujtesën e artdashësve shqiptarë.”;

Robert Ndrenikës  “Në vlerësim të artistit të rrallë e të talentuar, i cili me rolet dhe interpretimet e tij të paharrueshme në skenat teatrore dhe në kinematografi, është bërë tashmë, me thjeshtësinë e tij karakteristike të rrallë njerëzore, një nga figurat kryesore e të paçmueshme të artit kombëtar shqiptar.”; si dhe Tinka Kurtit “Me vlerësim të merituar shtetëror për interpretimet e saj të përkryera e mallëngjyese, duke u shndërruar prej disa dekadash me radhë në njërën prej aktoreve më të adhuruara e mbresëlënëse të filmit shqiptar që nga filmi i parë ‘Tana” e deri në qindra role të paharrueshme nëpër skenat tona teatrore.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.