OPINION

Që 7 Marsi tjetër të mos na gjejë kështu

06:22 - 07.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Fitnete GRUDA

 

– Në çdo 7 Mars ne mësuesit marrim urime nëpërmjet medias nga politikanë të ndryshëm dhe qeveritarë, të cilët bashkë me urimin, japin edhe një premtim. Ky premtim bëhet aq i madh në 7 Marset e viteve elektorale, të cilat ringjallin shpresën se arsimi do të progresojë aq sa na bën të “fluturojmë” nga gëzimi, por me kalimin e kohës harrohen premtimet dhe ne biem nga “fluturimi kokëposhtë”. A e kuptojnë këta qeveritarë se çfarë mendon mësuesi teksa urohet dhe flitet për vlerësim të tij, ndërkohë që nuk i është rritur paga me vite (vetëm në fund të mandatit), i është ulur norma mësimore me udhëzim të posaçëm dhe praktikisht nuk zbatohet, kur orët e konsultimeve për provimet e lirimit nuk paguhen, kur korrigjuesit e testeve të PL/MSH nuk paguhen, punon mësuesi mbi normë dhe nuk paguhet, shkruhet që klasa kujdestari llogaritet dy orë në javë dhe praktikisht jo, kur mësuesi i Matematikës dhe i Gjuhës kanë të njëjtën ngarkesë me mësuesin e Historisë, kur orët për SHQK nuk paguhen, kur shpërblimi i fundvitit nuk i jepet…?! Nuk mund ta motivojë mësuesin vlerësimi moral, kur paga e tij cenohet; as premtimet kur ata mbeten thjesht në letër. Një rritje page që e motivoi vërtetë mësuesin ka qenë në vitin 2006, shumë shpejt pas premtimeve elektorale. Është për t’u vlerësuar përpjekja e MAS për të hequr mësuesit pa arsim përkatës, por lind pyetja a u realizua kjo në çdo DAR/ZA dhe në çdo shkollë; a ka nëpër shkolla mësues me diploma false? Fakti që në media flitet që ka deputetë me diploma false edhe në shkolla pse jo. Por, çështja  është se mësuesi me atë diplomë false jo që nuk do ketë produktivitet, por do të shkatërrojë edhe punën e kolegëve. Prandaj nuk e gëzon mësuesin kur thuhet që nuk ka mësues pa arsim përkatës. Nuk është e habitshme të shohësh dëshpërim te mësuesi teksa dëgjon urimin dhe premtimet, kur në institucionin që punon nuk po vihet drejtësi; kur ca palo drejtues “sfidojnë” ligjin, por  edhe titullarët e tyre të rangjeve më të larta. Është qartësisht e dallueshme klima në atë institucion, nëse dikush do të hynte (kur shkolla është në mësim) dhe do të shikonte në sallën e mësuesve “Qeverinë e Nxënësve teksa bën mbledhje (që do të thotë të gjithë senatorët të nxjerrë nga ora e mësimit ), po aty dy nxënës të një klase teksa punojnë si marangozë, më tutje një vajzë që ka dalë nga ora e mësimit dhe po rri në fundin e korridorit, nxënës të klasave të tjera që po hyjnë në një klasë që ka mësim për të bërë prova dhe drejtori në zyrë indiferent dhe pse ia bën prezent dikush fenomenet, më e keqja edhe orën tjetër ndodh e njëjta gjë! Tashmë çështja nuk mbetet vetëm tek provokimi i mësuesit që ka ngritur problemet, por më tej, përhapja nga drejtuesit e një fryme “si shumë të mbrojtur nga lartë dhe karshillëk eprorëve të tyre. Nuk gëzohen, por diçka tjetër mendojnë, teksa dëgjojnë të flitet për meritokraci ata mësues, kur qoftë në konkurse e kudo vërejnë teksa vlerësohet “hiçi”, teksa mënjanohen sepse kanë qenë drejtues në qeverisjen e mëparshme, madje edhe më keq kur shohin drejtuesit e tyre që ligjin e bëjnë vetë në shkollë dhe një ligj kryekëput kundër ligjeve në arsim. Dëgjon mësuesi teksa flitet që arsimi është i depolitizuar dhe kjo gjë është mbajtur shumë parasysh vitet e fundit. Nëse është kështu, përse unë apo ndonjë mësues tjetër që mbajmë qëndrim kritik nuk jemi çuar nga drejtuesit në një nga takimet që ministrja e Arsimit apo kryeministri kanë bërë këto katër vite me mësuesit psh., për reformat në arsim, për 7 Mars, në diskutim për kurrikulat etj., por janë çuar mësues fshehurazi dhe dihet se cilët. Mësuesi do të bëhej më i motivuar nëse e vërteta do të pranohej dhe do të hiqej dorë nga fyerjet. Por, për fat të keq pranimi i së vërtetës mbetet në tentativë pafundësisht. Tendenca për të rekrutuar sa më shumë në ushtrinë që kërkon ta servirë këtë të vërtetë si të gënjeshtërt sa vjen e rritet. Punojmë në një situatë ku çdo gjë lihet pezull, duke u nisur vetëm mbi bazën e opinioneve, ku normalisht secili ka opinionin e vet dhe kështu nuk ka drejtësi. Prandaj u referohem shembujve konkretë hera- herës. Prandaj në këtë 7 Mars bëj thirrje për më shumë respekt dhe vlerësim ndaj mësuesit, më shumë transparencë, përgjegjshmëri, korrektësi. Të punosh në një institucion ku sundon papërgjegjshmëria është më keq se sa të rrish jashtë në stuhi.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.