Intervista

8 marsi/ Mbesa e Martin Camajt: Jeta me halle pas burgut, kush janë 2 pengjet e mia

08:53 - 08.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Xhensila KODRA

 

Vera Camaj, mbesa e gjuhëtarit të njohur Martin Camaj ka vetëm 2 muaj që ka lënë qelitë e burgut 325 në kryeqytet. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 39-vjeçarja rrëfen vështirësitë me të cilat po përballej çdo ditë, me frikën se nuk do të mund të gjente një punë që të mbijetonte. “Pasi lashë qelitë, u përballa me shumë vështirësi. Endesha rrugëve çdo ditë për të kërkuar punë e doja t’i rikthehesha jetës normale”, tregon Vera. E ndërsa përpiqet të jetë e fortë për vuajtjet që ka kaluar për dy vite me radhë në burgun e grave, ajo pohon se është pikërisht njëra prej femrave që ka njohur aty që i “shtriu dorën” e para. “Është një ish-e dënuar që më përkrahu. Më mbajti në shtëpi e më gjeti punë”, thotë Vera. Mbesa e shkrimtarit Martin Camaj, e cila u lirua dy muaj më parë duke përfituar nga amnistia, rrëfen se është dënuar padrejtësisht për shfrytëzim prostitucioni dhe se të drejtën e saj do e kërkojë në Gjykatën e Hagës.

Vera, si është jeta juaj “e re” që nga momenti që latë qelitë e burgut?

Kam dy muaj që kam dalë prej andej. Ditët e para, e sidomos dy ditët e para më është dukur çdo gjë ekstreme, por më pas vendosa që t’ia dal mbanë për gjithçka. Kjo falë edhe shoqërisë sime, që unë e njoha brenda hekurave, dhe nga mbështetja që këta persona më kanë dhënë jam shumë e lumtur.

Aktualisht me çfarë po merreni? A keni filluar punë?

Për momentin jetoj në “Qytetin Studenti”. Më ka përkrahur shumë një grua, një ish-e dënuar. U njohëm atje. Më ofroi një hyrje pa asnjë lloj interesi për 12 muaj. Më premtoi se do të më gjente edhe një punë, dhe e mbajti fjalën.

Ku jeni e punësuar?

Te një kuzhinë te “Qyteti Studenti”.

A kishe vështirësi në gjetjen e një pune?

Në fillim po, u përballa me shumë vështirësi. Ishte shumë e vështirë të gjeje një vend se ku të fusje kokën, e më pas të gjeje një vend pune për të mbijetuar. Endesha rrugëve çdo ditë për të kërkuar punë. Doja t’i rikthehesha jetës normale. Por që nga momenti që fillova punën ku jam sot, jam e sigurt që do t’ia dal mbanë, pasi e kam vendosur që nuk duhet ta kthej më kokën pas, por të vazhdoj të eci para, pavarësisht gjithçkaje. Edhe në momentin që u thashë se sapo kisha dalë nga burgu dhe kisha shumë nevojë për një vend pune, askush nuk e pati problem këtë pjesë. Më thanë “je e mirëpritur dhe do vazhdosh të punosh sikur me ty të mos ketë ndodhur asnjë gjë”.

Si je ndjerë në atë moment?

Shumë-shumë mirë, sepse ka ende persona që nuk duan t’ia dinë se nga vjen, por të vlerësojnë ty si person dhe për punën që ti bën.

Kush të jep më shumë forcë?

Fëmijët dhe nëna ime, që më jep gjithmonë këshilla. Unë jam dënuar për një akuzë që unë nuk kam pasur fare lidhje me të. U denoncova nga një person anonim për shfrytëzim prostitucioni. Nuk kam pasur dëshmitarë që të më akuzonin. Më dënuan me 4.8 vite burg pa të drejtë. Kam shkuar në Gjykatën e Hagës, sepse vetëm aty mund të marr drejtësi. Drejtësinë do e kërkoj deri në pikën e fundit, sepse në Shqipëri i drejti humbet gjithmonë.

Ti je nënë e dy djemve. Si është marrëdhënia juaj me ta? Takoheni?

Unë fëmijët e mi i takoj, edhe pse familjarët e tyre nuk kanë dëshirë që unë t’i takoj. Shkoj në Shkodër për t’i takuar. I dua shumë, janë drita e syve të mi dhe e di që do të vijë një ditë që ata do të jenë me mua.

Kur thua ‘familjarët’, konkretisht për kë e keni fjalën?

Për ish-bashkëshortin.

Keni biseduar me të, ju ka dhënë ndonjë arsye pse?

Po, kam biseduar dhe më ka thënë që nuk më lë t’i marr në Tiranë, nuk do që t’i takoj as në Shkodër. Ai kërkon që unë t’i jap firmën që të ikë në Gjermani në këmbë, nuk e di si, por unë këtë gjë nuk e bëj kurrë, nuk mund t’ia jap fëmijët e mi.

Po fëmijët, çfarë ju thonë? Duan të qëndrojnë me ju?

Po, duan, por më thonë se “nuk na lë babi”. Edhe pasi kam dalë nga burgu, kam shkuar dy herë në policinë e Shkodrës dhe asnjëherë nuk më kanë dhënë ndihmë. Kam bërë kallëzime 4 vite me radhë dhe s’janë marrë parasysh. Tani i jam drejtuar edhe policisë së Tiranës për këtë gjë dhe më kanë thënë që do më ndihmojnë.

Nesër (sot) është 8 Marsi, festa e nënave. A e ndjen mungesën e dy fëmijëve?

Po, e ndjej shumë (ul kokën).

Pret ndonjë dhuratë prej tyre?

Dua vetëm që ata të jenë me mua. Por, ma kanë bërë një dhuratë, që ma dhanë pak ditë më parë. Është një varëse. Unë uroj çdo nënë në Shqipëri gëzuar festën, e sidomos drejtoreshën e burgut të grave, Xhoin, sepse është një nënë e dytë për mua dhe një grua që ka shumë vlera. Është një nga personat që më ka ndihmuar pa masë. Gjithmonë më thotë të mos e kthej kokën mbrapa dhe se “do më kesh mbështetje gjithmonë”.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.