Intervista

“Drejtoresha e Punës”: Si mund të fitojnë bizneset, paga dhe sigurime nga shteti

12:04 - 11.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Ola MITRE

 

Bizneset që duan të përfitojnë nga programet e nxitjes së punësimit kanë dhe 3 ditë afat për të aplikuar pranë zyrave të punës”. Përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare” drejtoresha e Zyrës së Punës në Tiranë, Marisa Kacori shpjegon në detaje programet që synojnë nxitjen e punësimit për kategori të ndryshme të papunësh, si dhe përfitimet që kanë bizneset nëse punësojnë punonjës përmes tyre.

Znj. Kacori, çfarë janë programet e nxitjes së punësimit?

Këto programe ndihmojnë kryesisht grupet e disavantazhuara dhe grupet e veçanta, punëkërkuesit e papunë afatgjatë, që prej shumë kohësh janë të vështirë për t’u integruar në tregun e punës, për të gjetur një punë. Programet e nxitjes janë të bazuara secila në një VKM përkatëse dhe në total janë 7 programe.

Më konkretisht, cilat janë këto programe?

Një nga programet, që është edhe risi është “Programi i nxitjes së punësimit të të rinjve që kanë fituar statusin e jetimit”. Të gjithë ato subjekte që aplikojnë mund të punësojnë nga kategoria e personave me statusin “jetim”. Po ashtu kemi “Programin e nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë të rinj”, ku kryesore është që personat që do të punësohen duhet të jenë deri në moshën 30 vjeç, të kenë mbaruar arsimin e lartë në nivelin Bachelor apo Master, ndërkohë që profili duhet të përshtatet me kriteret që ka vendosur subjekti. Një tjetër program është “Nxitja e punësimit për personat me aftësi të kuafizuara”. Në këtë rast, jo vetëm ata që janë të regjistruar në zyrën e punës aktualisht, por sigurisht edhe persona të tjerë me aftësi të kufizuara janë të lirë që të vijnë në zyrën e punës për t’u bërë pjesë e këtij programi të nxitjes së punësimit. Gjithashtu, kemi “Programin e punësimit të grave dhe vajzave nga grupet e veçanta”, ku bëjnë pjesë nënat kryefamiljare, që e kanë të vështirë për të gjetur një punë. Gjithashtu, kemi “Programin e praktikave profesionale për punëkërkuesit e papunë”, që është me interes qoftë për administratën publike dhe për subjektet private. Ata kryejnë një praktikë në subjekt, duhet të kenë mbaruar arsimin e lartë në 2-vjeçarin e fundit dhe pasi kanë kryer praktikën sipas programit, ku edhe financohen nga zyra e punës me gjysmën e pagës minimale gjatë gjithë periudhës së praktikës, mund të punësohen nga kompanitë. Një tjetër program është i grupeve të veçanta, ku bëjnë pjesë grupet e disavantazhuara: ata që janë për shumë kohë të papunë, komuniteti rom e egjiptian, etj. Programi i fundit është ai i nxitjes së punësimit përmes formimit në punë, ku subjektet që aplikojnë përfitojnë subvencion që ka të bëjë me amortizimin e mjeteve. Personat që janë duke kryer procesin e formimit në punë në subjekt gjatë gjithë periudhës që zgjat programi paguhen nga zyra e punës me gjysmën e pagës minimale. Pas praktikës ata punësohen dhe paguhen me pagën që vetë subjekti vendos.

Çfarë përfitojnë bizneset në rast se punësojnë njerëz përmes këtyre programeve?

Bizneset përfitojnë një pjesë të financimit nga zyra e punës, ku përfshihen jo vetëm sigurimet shoqërore, por edhe disa paga. Pra, për shembull për një nga programet që zgjat për një periudhë kohore 12 mujore, personit me aftësi të kufizuar i financohet nga zyra e punës një pjesë e sigurimeve shoqërore dhe 4 paga. Pjesën tjetër të muajve i paguanin subjekti.

Subjektet që përfitojnë nga këto programe kanë edhe një sërë detyrimesh në drejtim të kohëzgjatjes së kontratave të punës. Çfarë ndodh nëse ata nuk iu përmbahen këtyre kushteve, pra, nëse personi i punësuar përmes programit largohet nga puna?

Subjektet, në rastin që nuk tregohen korrektë dhe nuk i përmbahen një nga pikave të kontratës apo largojnë nga puna punonjësit pa motivacion kjo do t’i penalizonte duke kthyer gjithë shumën e financimit. Sigurisht që ne mundohemi vazhdimisht të mos lejojmë të arrihet deri këtu. Ne ndjekim procesin deri në fund dhe punonjësi është i lirë të paraqitet në zyrën e punës e të raportojë çdo ankesë që mund të ketë në lidhje me subjektin. Ne procesin e ndjekim deri në fund, qoftë edhe duke iu drejtuar gjykatës në qoftë se ata nuk i kanë përmbushur detyrimet.

Kur mbyllen aplikimet për programet e nxitjes së punësimit?

Në aktualisht jemi në fazë aplikimi. Ato kanë filluar në datën 20 shkurt, ndërkohë që përfundojnë në datën 13 mars. Të gjitha subjektet janë të mirëpritura dhe meqenëse kemi ende kohë iu bëjmë thirrje të vijnë e të aplikojnë për programet e nxitjes. Për vitin 2016 kemi pasur shumë kërkesa. Vitin e kaluar aplikuan 800 subjekte dhe u punësuan mbi 1100 punëkërkues të papunë.

Sa është fondi për këtë vit?

Fondi është i shpërndarë për gjithë Shqipërinë dhe është 490 milion lekë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.