OPINION

Nuk na e kanë fajin filmat e socializmit që kemi degraduar si shoqëri

06:30 - 11.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Mentor KIKIA




 

– Një nga anëtarët e AMA-s, Erald Kapri, ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa institucionale për të ndaluar transmetimin në televizione të filmave të prodhuar në kohën e komunizmit. Debati, në fakt, është rihapur nga kreu i Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa, i cili ka kërkuar ndalimin e këtyre filmave. Të dy zyrtarët mendojnë se këto filma e informojnë brezin e ri me një histori të deformuar, apo siç Kapri thotë, tregojnë se komunizmi nuk ka qenë edhe aq i keq. Gjithashtu, ata tregojnë se si është edukuar “njeriu i ri socialist”, duke bërë kështu edhe dëme sociale tek gjenerata e re. Ideja, në fakt, është hedhur edhe më parë, por ka qenë në formën e propozimeve, pa gatishmëri për nisma zyrtare.

A kanë të drejtë Tufa dhe Kapri, se ka nga këto prodhime kinematografike që e deformojnë historinë? Padyshim që po! Veçanërisht historia e Luftës Nacional-Çlirimtare, e cila u shkrua sipas variantit të fituesve dhe kineastët e riprodhuan atë sipas këtij versioni, duke e jetësuar. Nuk mendoj se ata që kërkojnë ndalimin e këtyre filmave kanë vërejtje për nivelin artistik, apo hiperbolizimin e heronjve të luftës. Pasi unë nuk mendoj se komandanti që thërriste “Para partizanë”, dhe gjermanët ia mbathnin nëpër ferra, ka ndonjë ndryshim të madh nga Rambo i Hollywood-it, që i vetëm vinte përpara një ushtri me vietkongë dhe që me një dorë ndalonte helikopterin të ngrihej në ajër. Ajo që mund të shkaktojë debatin real është ndarja politike e kohës, mes partizanëve dhe ballistëve, të cilët kinemaja i prezanton jo vetëm si bashkëpunëtorë të nazistëve, por skenaristët dhe regjisorët janë kujdesur t’i paraqesin sa groteskë aq edhe qesharakë. Kjo i ka shërbyer politikës së ndarjes klasore që u instalua në Shqipëri dhe diskriminimit, përndjekjes, burgosjes e vrasjeve të ish-anëtarëve të Ballit dhe familjarëve të tyre më pas. Unë jam plotësisht dakord që gjeneratat e reja historinë nuk duhet ta mësojnë nga kinemaja, por nga librat.

Por kinemaja e realizimit socialist nuk është kjo e gjitha. Janë prodhuar filma të mrekullueshëm bazuar mbi ngjarje historike para Luftës Nacional-Çlirimtare. Janë prodhuar filma me temë sociale e familjare, filma argëtues dhe edukativë për fëmijë. Janë prodhuar edhe filma me përmbajtje të thellë ideologjike e politike, por janë prodhuar edhe komedi të shkëlqyera, filma që i kanë shërbyer revolucionarizimit të shoqërisë, jo në aspektin politik, por në aspektin social dhe emancipues.

Çdo diktaturë e përdor kinemanë për ta indoktrinuar dhe nënshtruar shoqërinë, dhe në fondin e Kinostudios ka plot filma të tillë që tregonin se si punëtori gëlltiste teserën e partisë për të mos u djegur, ndërsa ai digjej vetë, apo se si çiftet e reja braktisnin qytetin për të jetuar e punuar në fshatra. Por duhet të jemi realistë që shumë filma i kanë shërbyer promovimit të ndryshimeve të mëdha sociale. Të mos harrojmë se ishim një shoqëri injorante, analfabete, patriarkale, që fejonim fëmijët që në djep, që martonin vajzat me pahir duke i shkëmbyer me një lopë, që e trajtonim gruan me keq se mushka, e që vriteshim për gjakmarrje edhe të një shekulli shkuar.

Vërtet filmat kishin elemente ideologjike, por kishin edhe disa edukative, veçanërisht për fëmijët. Vërtet kishte doza ideologjike, por kishte subjekte që himnizonin njeriun e ndershëm dhe njeriun që punonte.

Rënia e komunizmit që hoqi censurën dhe çliroi artin nga ideologjia, në vend që t’i hape rrugë kinemasë më cilësore, çoi në degradimin e këtij arti. Përveç disa përjashtimeve, prodhimet e tjera janë si të ishim tema diploma studentësh, me personazhe trafikantë dhe prostituta. Ndërsa simbolet që prodhohen sot, me ndihmën e “pakursyer” të medias, nuk janë partizanët trima, as saldatorët e palodhur, as traktoristët e shoferët që tejkalojnë planin, apo nxënësit e mirë në shkollë, por janë pjesa më parazite dhe e degraduar e shoqërisë. Janë femrat që “rikualifikohen” me botoks dhe japin intervista sa “Like” kanë marrë me gjoksin e ri, vajza që shndërrohen në këngëtaruce me ndihmën e dashnorëve të pasur, janë reperët që më shumë se sa këngë numërojnë arrestimet për dhunë e shitje droge, janë fëmijët e të pasurve që shkojnë në shkollë me makina luksoze dhe që telefoni u kushton sa rroga 6-mujore e mësuesit.

Nëse nuk bëjmë dot kinema sot, sepse nuk ka fonde qeveria apo se kineastët vjedhin edhe paratë e filmave të tyre, kjo nuk është për faj të filmave të realizimit socialist. Nëse nuk prodhojmë heronj të rinj e modele të reja për shoqërinë, kjo nuk është për faj të filmave me mësues e mjekë që shkonin nga Tirana për të punuar në Fushë Arrëz, ku edhe sot nuk ka mjekë e një mësues i jep mësim tërë shkollës. Unë sa herë të kem nevojë të qesh do ta shikoj “Kapedanin” e Xha Sulos, edhe “Tela për violinë”, edhe ekranizimin e komedisë “Pallati 176”, e shumë të tjerë, derisa ende nuk i ka një më të mirë. Sa për impaktin ideologjik, po e them me sinqeritet që do të preferoja që fëmijët e mi të kishin më shumë idhull personazhet e Rikard Larjes që ngrin në shtyllë, Xhevdet Ferrit që shkon të punojë në minierë, Petrit Malajt që lë Tiranën për të shkuar mjek në Veri, e të tjerë personazhe si këta, sesa Noizin apo Encën.

Opinion.al

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.