OPINION

Veshja është një çështje politike

13:17 - 14.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Eni DARE

 

Çdo njëri nga ne shumë më parë se të ketë folur me fjalë, flet me gjestet dhe gjuhën e trupit. Në folkun tonë ka edhe shprehje popullore që theksojnë rëndësinë e veshjes në atë që përfaqëson një njeri. Kështu në trevat e veriut populli thotë “të presin nga guna e të përcjellin nga puna”. Në botën tonë çështja e “gunës” ku gjithmonë e më shumë po varemi nga komunikimi, nga marketingu, nga reklama, po bëhet një “punë” më vete. Më shumë se kaq duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm se gjuha e trupit nëpërmjet lëvizjeve apo gjesteve, të na “tradhtojnë”, dhe i bëjnë të dukshme ndjenjat dhe emocionet tona ndaj të tjerëve.

Ashtu siç lëvizjet na tradhtojnë edhe pse mundohemi, të paktën në publik, të qëndrojmë sa më të kontrolluar, me sa më pak lëvizje, ne komunikojmë edhe me atë që kemi veshur, e cila jo rrallë na “braktis”, sepse përçon një mesazh që s’kemi dashur të jetë ashtu.

Luigji i XIV, ishte ndër monarkët që i dha një rëndësi të madhe këtij dimensioni. Ai kishte kuptuar më mirë se paraardhës të tjerë monarkë, që për të mbajtur në nivelin e duhur lavdinë dhe rangun e tij, duhej një kurim shumë i menduar i veshjeve dhe çdo aksesori që përdorej në veshjen e tij. Ky sofistikim i bashkuar me këtë simbolikë të kujdesshme mund të impononte respektin e duhur ndaj të tjerëve, por jo vetëm kaq do të mbështeste zhvillimin e arteve dhe tregtisë së tyre nga Franca, – thotë Nicolas Delamare.

Personazhe të njohur të historisë kanë përdorur veshjen për të komunikuar. Në fakt, asnjë shoqëri nuk ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme pa ndonjë revolucion në mënyrën e të veshurit: Stalini, Mao, Kastro apo Hitleri përdorën veshjen si armë politike dhe vulë personale. Mënyra e të veshurit nuk është një temë, le ta quajmë e “kotë”. Ajo çfarë tregojmë jashtë lidhet ngushtë me procesionin që kalojmë. Forma dhe përmbajtja shkojnë ngushtë me njëra- tjetrën.

Gjatë verës së 1676-ës Luigji i XIV vendosi të zbukuronte Paris-in. Njëkohësisht ai nuk mund të linte pas dore të transmetonte dallimin në pasuri dhe elegancë me vendet e tjera. Metamorfoza e këtij shteti gal, ku moda ishte qendra e botës, nuk ndodhi, sepse qytetarët ishin elegantë ose më të “rafinuar” se pjesa tjetër e Europës, por, sepse bëhej fjalë për një çështje shteti. Veshja e Luigjit të XIV u bë shumë e sofistikuar vetëm për të treguar se sa superior ishte ai karshi popullit të tij e po ashtu edhe kundrejt qeveritarëve të shteteve të tjera. Ishte një çështje politike dhe jo shijesh personale. Ai kërkonte me ngulm të përcillte magjepsje dhe pse jo frikë: respekt, në fund të fundit.

Ai, gjithashtu, dëshironte shumë të nxiste sektorin luxe franceze, që në atë kohë ishte inekzistent. Ai u bë monarku më i fuqishëm i të gjitha kohërave, dhe e bëri vendin e tij një komb modern me një fuqi tregtare që eklipsoi Britaninë, Holandën dhe Spanjën. Mbreti Diell nxiti qarkullimin e pasurisë në mënyrë që paraja të lëvizte dhe arriti që Franca të dominonte tregtinë në pasuritë, që në atë kohë quheshin luksi.

Me ndërtimin e ndërmarrjeve të tilla, monarku francez u mbështet nga ministri i tij i financave Jean Baptiste Colbert, një njeri i shkëlqyer dhe kreativ, që nxiti më shumë proteksionizmin ekonomik: bllokoi importet dhe ekspozoi “mallrat e luksit” që Mbreti Diell përdorte në Versajë.

Luigji i XIV-të, me ndihmën e Colbert-it, vendosi norma të reja estetike që lidheshin me veshjen dhe dekorin: stilistë, parukierë, kuzhinierë, antikuarë, këpucarë dhe dekorues duhet ti paraqisnin Luigjit tendencat më të fundit në mënyrë të përgjithshme, në mënyrë që të sillte risi, dhe këtë të fundit ta përhapte te fqinjët.

Konsumizmi i shkaktuar nga padurimi për “t’ia kaluar komshiut” krijoi një rrjetë solide kompanish, duke rritur kështu numrin e të punësuarve. Në një garë apo konkurrencë të pakrahasueshme, u arrit të “merreshin peng”, për orë të tëra dhe përtej çdo çmimi, stilistët dhe parukierët. Edhe pse kishte shumë nga të gjitha, Franca u rrit në mënyrë eksponenciale. Madje të rinjtë britanikë filluan të kopjonin stilin francez dhe mësuan të shkonin për “shopping” në Paris.

Çdo gjë mund të gjeje në Qytetin e Dritës, edhe gjermanët, edhe holandezët edhe skandinavët.

Mbreti Diell ishte pararendësi i parë i “efektit ZARA”: alta moda, deri në atë kohë e rezervuar për fisnikët, u zgjerua në shtresa të tjera sociale; personat e shtresës mesatare, modestët e atyre viteve, zgjidhnin firma të mira për të realizuar qepjet e fustaneve në pëlhura më të lira; disa të tjerë, mjaftoheshin me detaje të thjeshta, siç mund të ishin fjongot, çorapet, dantellat, kopsat. Por, kur disponueshmëria e veshjeve apo fustanit, veçanërisht për gratë dhe zonjushat, u zgjerua, sfida ishte tjetër: të dukeshe ndryshe, por me rroba të ngjashme. Dhe këtu fillon apo lind dantismi, një mënyrë e përpunuar apo kodifikuar për të marrë të gjitha copat e për t’i kthyer në veshje, në tendencë siç e quajmë ne sot. Këtu nuk kemi të bëjmë më me rrobat, por mënyrën se si mund t’i vishje ato. Dhe diçka e ngjashme po ndodh sot, në ditët tona.

Luigji i XIV-të një strateg brilant, krijoi “sistemin aktual të modës”. Shumë, e quajtën “mbeturina” periudhën e dantismit, por pa ato mbeturina nuk do të ekzistonin, as dje e as sot, firmat e rrobave, industria e artikujve të luksit e as turizmi i blerjeve, që ende sot e kësaj dite Parisi mbetet vendi i parë, sepse Franca ende vazhdon të “përfitojë” nga puna e mirë e mbretit që pati mend vetëm për të bërë biznes dhe të kishte shije.

Por në kundërvënie me figurën dhe gjithçka ka bërë Luigji i XIV, sot vetë liderët, në botë, kanë vendosur të kenë një veshje minimaliste. Zonjat e tyre kanë vendosur të vishen me sa më pak lule, me krehje të thjeshta mundësisht edhe pa bizhuteri. Është e qartë se këto zonja apo këta lider nëpërmjet veshjeve të tyre na transmetojnë një mesazh: disa, në vende në krizë, përfshirë edhe ne, solidarizohen me problemin dhe tregojnë maturi në veshje; disa të tjerë s’ju intereson, u mjafton të duken bukur dhe të jenë në harmoni me veten e tyre kur dalin para pasqyrës; disa të tjerë nuk heqin dorë nga moda, por janë gati të ikin nga politika, disa kanë vendosur që karakterin e tyre ta përcjellin me kollare, disa me këpucë, etj., etj. Megjithatë, populli, në disa raste, pret t’i shikojë në një stil disi më “mbretëror”.

Në asnjë moment, gjatë studimeve 7 vjeçare rreth kulturës dhe gjuhës spanjolle e ruse, nuk u anashkalua mesazhi i veshjes së Stalinit, Roosvelt-it, ajo e Churchill-it, as ajo e Kastros. Jo më kot komunisti Stalin, i cili kishte krijuar një uniform të re dhe të “rreptë” të Bashkimit Sovjetik, kur mori pjesë në Konferencën e Postdam-it mbante veshur uniformën e bardhë me spaleta të arta të epokës së carëve. uniform e cila që në fillimet e revolucionit Bolshevik ishte hequr. Një kontradiktë e tillë shpjegohet vetëm në faktin se ai thjesht nuk ka dashur të ndihej më pak i pushtetshëm duke u ulur në një vend me Roosvelt dhe Churchill, politikë, në fund të fundit.

Në fakt, një histori shumë interesante është dhe ajo që tregon mbretëresha e Spanjës, Sofia, gjatë një udhëtimi drejt Seviljës, për në Expo’92 me Fidel Kastron. Fideli ishte një njeri shumë i këndshëm, i hapur, komunikues, me shumë humor. Ai i tregonte se sa shumë kishte bërë për popullin e tij dhe sa shumë Kuba kishte ndryshuar me Revolucionin. Kur mbretëresha e pyet nëse do provonte të vishej ndonjëherë civil, ai ia kthen duke i thënë se kollaret dhe kostumet nuk i përkasin Revolucionit, megjithatë ai do ta mendonte. Në 1995-ën gjatë një aktiviteti në Kopenhagen Fidel Kastro kishte veshur një kostum gri shumë elegant.

Revolucionet janë për ushtarakët dhe civilët, dhe se çfarë kostumi vesh nuk ka rëndësi. Por në aktivitete të ndryshme, si p.sh., Lojërat Olimpike apo Expo Sevilla, në këtë rast, sikur nuk shkonte të paraqiteshe me kostum ushtarak.

Çdo lider botëror ruan me shumë kujdes veshjen e tij 24 orë në ditë; ai asnjëherë nuk duhet të harrojë cilin institucion përfaqëson dhe se cili është pozicioni i tij. Paraqitja dhe sjellja përcaktojnë njeriun.

Si përfundim, edhe pse zonjat e këtyre liderëve, apo bashkëshortët e këtyre grave lidere nuk kanë një pozicion apo detyrë ekzekutive apo ndonjë pushtet specifik, mund të ndihmojnë de facto në rëndësinë mediatike jo vetëm vendase por edhe ndërkombëtare. Ato mund të ndikojnë në industrinë e modës, të gastronomisë dhe të turizmit duke mbështetur firmat dhe kompanitë lokale të vendit që përfaqësojnë. Për mirë apo për keq, efektet e cilitdo rast apo veprim do të shikohen të zmadhuara në mënyrë të menjëhershme.

Në Shqipëri duhet thënë që kujdesi për veshjen e duhur që i përshtatet ambientit apo statusit ka shumë pak mundësi të zhvillohet në mënyrë profesionale dhe të menduar. Të gjitha zonjat dhe zotërinjtë që janë pjesë e jetës publike e kanë kryer këtë deri sot thuajse plotësisht me shijen dhe intuitën e tyre, ndonëse në botën e zhvilluar ky është një proces që përfaqëson një industri më vete.

Nga ana tjetër duhet po është theksuar që është shumë e vështirë në Shqipëri për shkak të gjendjes së varfër të shumicës së popullsisë të gjesh ekuilibrin e artë mes veshjes së duhur dhe të kuruar dhe mosshfaqjes i distancuar nga pjesa tjetër e shoqërisë, sidomos kur bëhet fjalë për individë që kanë pozicione publike dhe politike.

Pikërisht sepse Shqipëria përbën ende një terren thuajse djerrë në diskutimet e kujdesshme për klasin e paraqitjes, për veshjen e duhur, për shijen që s’duhet të mungojë te përfaqësuesit publikë, për faktin që veshja dhe qëndrimi i duhur është, në fakt, pjesë e punës, jo luks i paragjykuar, vlen të niset një diskurs i hapur, i këndshëm mbi imazhet që duhet të krijohen për publikun si modele për t’u ndjekur.

Në perëndim veshjet dhe qëndrimet nuk komentohen dhe as mendohen vetëm për sa janë blerë dhe sa kushtojnë, por mbi të gjitha çfarë tregojnë për karakterin e individëve dhe për mendësitë e tyre mbi të gjitha.

Duke mos harruar që veshja e duhur ose qëndrimi i duhur mund të ndihmojë, ose të përkeqësojë karrierën dhe krijimin e çdo modeli për t’u ndjekur, do të ishte interesante që në shkrimet në vijim të paraqiten disa nga këto domethënie të kodit të gjesteve dhe veshjes.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.