AKTUALITET

Vrau dy vëllezër për kromin, gjykata dënon përjetë Muharrem Bugjishën

14:55 - 30.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Gjykata e Kukësit ka dënuar me burgim të përjetshëm shtetasin Muharrem Bugjisha, i akuzuar nga prokuroria për vrasjen me armë të vëllezërve Emri dhe Bilbil Batusha, si edhe plagosjen e Arbër Batusha, pas një konflikti verbal mes tyre, lidhur me përdorimin e një hapësire tokë krom-mbajtëse në fshatin Kalimash.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e datës 25.07.2014 dhe nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se i akuzuari Muharrem Bugjisha, në vijim të një debati verbal, ka qëlluar 7 herë me pistoletë, nga të cilat ka mbetur i vdekur në vend Emri Batusha, ndërkohë që është plagosur rëndë dhe ka vdekur rrugës për në spital, Bilbil Batusha. Ndërkohë, nga plumbat ka mbetur i plagosur edhe shtetasi, Arbër Batusha.

Pas krimit, i akuzuari është larguar dhe gjatë periudhës së hetimit ai nuk është mundur të arrestohet.

Autori i akuzuar është vetëdorëzuar në kohën kur Prokuroria e Kukësit dërgoi kërkesën për gjykim ndaj tij, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Gjatë gjykimit, i pandehuri dhe mbrojtja e tij kanë pretenduar se Muharrem Bugjisha ka pasur probleme me shëndetin mendor, si në kohën e kryerjes së krimit, po ashtu edhe në periudhën në vijim.

Pas kryerjes së ekspertizave ligjore, është konkluduar se i pandehuri nuk ka probleme të shëndetit mendor dhe se ai e ka kryer krimin në vijim të konflikti për të ndarë zonat e kërkimit të kromit në zonën e Kalimashit.

Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Kukësit dhe dënoi me burgim të përjetshëm të pandehurin.

Ngjarja, çfarë ndodhi më 25 korrik të 2014

Mësohet se konflikti midis dy familjeve Batusha dhe Bugjisha kishte nisur kohë më parë, pasi të dy familjet kishin bashkë të njëjtën galeri, çka kishte sjellë dhe mosmarrëveshje mes tyre. Pasditen e 25 korrikut, Muharrem Bugjisha, bashkë me tre pjesëtarë të tjerë të familjes së tij mbërriti te galeria dhe qëlloi me breshëri automatike mbi Emri, Bilbil dhe Arbër Batushën, respektivisht 48, 30 dhe 16 vjeç. Emriu nuk ka mundur dot t’iu shpëtojë plagëve, ndërsa i biri, Arbëri mori plagë në këmbë dhe në trup. Asokohe u transportua për në spitalin e Kukësit bashkë me xhaxhain e tij, Bilbilin. Ky i fundit u transportua për në Tiranë por pa mundur t’iu bëjë ballë plagëve të shumta që sipas të dhënave i kishin prekur organet jetësore. Tashmë në përfundim të procesit gjyqësor, gjykata ka dënuar me burgim të përjetshëm Muharrem Bugjishën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.