BOTA

Sulmi kimik në Siri, “luftë e ftohtë” mes OKB-së dhe Rusisë

08:30 - 06.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Gerilina KODHELI

Sulmi kimik në Siri, që shkaktoi vdekjen e 72 civilëve, ka tronditur botën, ndërsa palët refuzojnë të marrin përgjegjësinë. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër, njoftoi dje se nga 58 që u raportua fillimisht, personat që humbën jetën në këtë sulm kundër një qyteti nën kontrollin e kryengritësve në Siri, arriti në 72, nga të cilët 11 ishin fëmijë. Vëzhguesit e situatës janë në terren për të monitoruar situatën, ndërsa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, përgatitet për një seancë urgjente për të diskutuar për këtë çështje. Deri tani, si rebelët, ashtu edhe qeveria e Assad-it që mbështetet nga Rusia nuk pranojnë të kenë të bëjnë me këtë sulm shkatërrues, ndërsa fajësojnë njëri-tjetrin. Nga njëra anë, Rusia raporton se sulmi toksik që vrau e plagosi dhjetëra persona në veri të Sirisë, erdhi nga rebelët. Por nga ana tjetër, Sekretarja e Jashtme e Britanisë dhe një komandant i rebelëve thanë se të gjitha faktet provonin se sulmet erdhën nga forcat qeveritare siriane, apo aleatët rusë. Damasku mohon gjithashtu që forcat qeveritare të kenë shkaktuar sulmin kimik në spital. Nga të dhënat e deritanishme, në Observatorin për të Drejtat e Njeriut thuhet se gati gjysma e viktimave të sulmit janë fëmijë dhe femra, megjithatë, nuk është në gjendje të thotë se çfarë materieje kimike është përdorur në sulmin vdekjeprurës në qytetin Khan Sheikhoun. Megjithatë, personeli lokal mjekësor tha se mund të jetë përdorur gazi sarin, një lëndë kimike e konsideruar si një nga armët më vdekjeprurëse kimike, ndërsa që nga shekulli i kaluar është konsideruar si një armë e jashtëligjshme lufte nga Konventa kundër Armëve Kimike. Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera kanë fajësuar qeverinë e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, për këto vrasje, ndërsa Rusia, që ka autoritet për të paraqitur veto në Këshillin e Sigurimit, e ka mbrojtur aleatin e saj Bashar al-Assad. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ky sulm ishte pasojë e rrjedhjes së gazit nga një depo e armatimit të kryengritësve, pasi ishte goditur nga sulmet ajrore të qeverisë së Sirisë. Të njëjtin qëndrim kishte edhe qeveria e presidentit Assad. Për çështjen në fjalë po mbahet një konferencë në Bruksel. Rreth 70 vende po diskutojnë mbi përpjekjet për të ofruar ndihma për vendin e shkatërruar nga lufta. Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara së shpejti do të organizojë një mbledhje emergjente.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.