OPINION

Çështja e (pa)harruar e etnogjenezës iliro-shqiptare

07:30 - 16.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Moikom ZEQO




 Të pafundmë janë librat që janë shkruar për ilirët. Dëshmi të autorëve antikë i përmendin përherë ilirët.

Populli i madh i ilirëve së bashku me trakasit, sipas Herodotit, përbëjnë popujt më të mëdhenj të lashtësisë pas hinduve. Burimet kronikore përvijojnë histori të ndërthurura dhe sinkretike për ilirët në epokat e motshmërisë.

Të tërë historianët seriozë të botës nuk mëtojnë t’i shmangin ilirët nga historia e qytetërimeve të njerëzimit. Ekzistenca e ilirëve është një ekzistencë e patjetërsueshme dhe e padyshimtë. Ilirologu më i madh, prof. Stipçeviç ka botuar një vepër fundamentale, të quajtur “Bibliographia Ilyrica”. Shfletimi i kësaj vepre nuk është thjesht një trill kurioziteti. Ata që s’e kanë parë këtë vepër, mund të flasin për Hënën, por që s’kanë shkelur asnjëherë në sipërfaqen e Hënës. Çudira të tilla gazmore dhe të trishtueshme janë të pafundme. Pa i studiuar ilirët, mundet ose t’i mitizosh, ose t’i përbuzësh, por asnjëherë me siguri nuk mund t’i kuptosh.

Qëllimi im nuk është për të vërtetuar atë që nuk ka nevojë të vërtetohet: ekzistencën e ilirëve. Si hulumtues dhe arkeolog i kam kushtuar një pjesë të madhe të jetës, njohjes dhe kuptimit të çështjes së ilirëve në histori. Kjo çështje është e trefishtë. Së pari është çështje e ballafaqimit dhe kriticizmit serioz dhe akribik të burimeve të autorëve antikë për Ilirinë dhe ilirët; së dyti, është çështja e glosave, toponimeve dhe antroponimeve, që janë pasaportizuar si të qytetërimit dhe të gjuhës ilire; së treti, është bota e rizbuluar, e zhveshur nga lëvozhgat e paemërsisë ndërmjet arkeologjisë së monumenteve dhe të dhënave jashtëzakonisht të pasura dhe interesante të qytetërimit ilir.

Në këtë trinitet tejet shkencor, dhe diturak për fat të mirë, dy shekujt e fundit, shkencëtarë nga më seriozët dhe më autoritativët e Evropës dhe të botës kanë bërë disa struktura mendore dhe sinteza të palëkundura që do të formonin disiplinën e padiskutueshme të ilirologjisë, disiplinë kryesore për shkencat e gjenezave, kthjellëzimeve dhe historisë së qytetërimeve të popujve të botës.

Ilirologjia është përuruar nga shkencëtarë të huaj të cilët nuk kishin stimulime politike, as kompleksin e apologjive false. Këta shkencëtarë fillimisht u nisën nga glosat ilire dhe gjetën një përputhje jo të rastësishme me të dhënat kronikore të autorëve antikë për Ilirinë dhe ilirët. Kjo ndërthurje bëhej në një shtrat gjeografikisht të përcaktuar dhe të saktë. Kriticizmi i tyre qe domethënës dhe, të nisur nga një krahasueshmëri rigoroze, ata përftonin jo vetëm një vizion, por edhe një histori konkrete, të pafalsifikueshme dhe aspak të shpikur të ilirëve në histori. Kjo gjë nuk mund të vihet në dyshim nga askush, kurrsesi “revolucionet publicistike” të komplekseve të çmitizimeve për hir të ekzibicionizmave vetjakë nuk kanë të bëjnë fare me të vërtetën shkencore. Fakti që monopoli i ilirologjisë zotërohej nga dijetarë të huaj nuk qe fatal, sepse konkretisht në shek.XX edhe dijetarët shqiptarë kryesisht në rrafshin gjuhësor, por edhe atë arkeologjik, si të thuash zbuluan një botë, që konsiderohej e humbur, duke konkretizuar të vërtetat e mëdha të një historie të pamohueshme.

Çështja e ilirëve nuk u ka shpëtuar mëtimeve të ndryshme, madje dhe të skajshme. Ka pasur edhe mohime ekleziastike të ilirëve për t’i quajtur edhe një popull fantazmagorik. Po këto qenë përpjekje liliputësh, karakteristikë kjo e amatorëve delirantë, me prapavija politike shumë të qarta. Gjithashtu ka pasur përpjekje për t’u ngulitur ilirëve kompleksin frojdian të inferioritetit, simetrikisht edhe të kundërtën, kompleksin absurd të madhështisë së kotë. Të shumtë janë librat vendimtarë për ilirët.

Një nga librat më autoritarë është ai i dijetarit J. Willkes, i quajtur “The Yllirians”, botuar në Oxford më 1992-shin. Ai që s’e ka lexuar këtë libër, nuk mund ta bëjë përgjegjës autorin e librit, se për ç’arsye për shkak të injorancës tipologjike nuk ka arritur ta lexojë këtë libër. Një nga arkeologët më të mëdhenj në botë, Theodor Mommsen, në korpusin e tij madhështor të mbishkrimeve në rrafsh evropian është pionier themelvënës i ilirologjisë. Librat e Mommsen-it zënë një bibliotekë, e cila është më e rëndë se faqet e tabloidëve. Publicistika nuk është e barabartë me shkencën. Mediatizmi me shpejtësi të pabesuar i artikujve është njëkohësisht edhe një liri për të dërdëllitur apo një kiç kulture që s’ka asnjë lidhje me seriozitetin shkencor. Është meritë e jashtëzakonshme e filologut gjenial Eqrem Çabej, i cili duke u mbështetur në shkollën gjermane të ilirologjisë, shtroi si askush dhe argumentoi me një dituri të pabesueshme çështjen vërtet të diskutueshme të prejardhjes së shqiptarëve edhe nga ilirët. Është një meritë e pamohueshme e arkeologëve shqiptarë, që me zbulimet e tyre dhanë një ndihmesë të jashtëzakonshme për këtë çështje. Sintezat e historianëve shqiptarë, për fat të keq nuk janë në nivel të kënaqshëm, përshkrimet inventarizuese kërkojnë akoma mendje të fuqishme të kulturës së sintezës.

Megjithatë, miku dhe kolegu im i vjetër Neritan Ceka ka botuar librin e tij “Ilirët”, ku metodikisht dhe qartë bën publike urbi et orbi jo vetëm botën ilire, por edhe etnogjenezën e shqiptarëve edhe prej ilirëve. Zbulimi kryesor më i madh arkeologjik në Shqipëri në shek.XX lidhet me kulturën prehistorike nga më të vjetrat në Evropë në pellgun e Fushës së Korçës, por edhe në pika të tjera gjeografike të Shqipërisë. Për herë të parë, përmes një materiali, për fat të keq, pjesërisht të botuar, ne mësojmë për preilirët e epokës së neolitit dhe të eneolitit, për protoilirët e epokës së bronzit dhe të hekurit, dhe për përmendjen historike të ilirëve. Herodoti dhe Tukididi, Aristoteli dhe Hekateu, Skylaksi etj., janë tepër konkretë në të dhënat e tyre historike për ilirët.

Prehistoria, në kronologjinë e së cilës ka një meritë të padiskutuar dijetari i madh, arkeologu emblematik dhe i papërsëritshëm, miku im Frano Prendi, jo vetëm që riformuloi idenë e gjenezës, por u bë baza e birësisë (filiacionit) të popullsisë vendase në procesin e saj të zhvillimit nga preilirët te protoilirët dhe te vetë ilirët. Nuk kam ndërmend këtu të skicoj ato gjëra që tashmë janë bërë pronë e paluajtshme e pronës intelektuale shkencore.

Asnjë dijetar dhe asnjë shkencëtar serioz nuk bën më akrobaci apo shaka, ata nuk vënë në dyshim ekzistencën e ilirëve, por bëjnë saktësisht studimin e tyre të thukët. Është e vërtetë që në vitet ‘30 të shek.XX, i mirënjohuri Hans Krahe bëri një tejkalim me teorinë e tij të panilirizmit, gjë që u kapërcye shumë shpejt. Por studimi i fiseve të shumta të popullit kontinental të ilirëve është një proces hulumtues me të papritura nga më të çuditshmet. Studimet nuk kufizohen vetëm për ilirët ballkanikë ose të Gadishullit ilirik, por flitet edhe për ilirët e Gadishullit Apenin, konkretisht edhe për kulturën materiale, madje dhe shkrimore të ilirëve mesapë, pa harruar edhe ata japigë. Korpusi i mbishkrimeve mesape, sipas studiuesit të madh Karlo de Simone, lidhet edhe me substancën e gjuhës ilire, kështu miti që ilirët nuk kanë shkruar gjuhën e tyre, të paktën duhet revizionuar. Studimi i glosave ilire në mënyrë të veçantë nga Jokli, Majeri dhe sidomos nga Eqrem Çabej, e lidhin ilirishten me shqipen. S’mund të thuhet që ky studim është i përfunduar, por s’mund të thuhet që ky studim është një problematikë e gjallë dhe e patjetërsueshme. Në rrafshin historik, arkeologjia shqiptare ka zbuluar të dhëna jo vetëm për jetën paraqytetare ilire, ose protourbane, por ka folur konkretisht për qytetin ilir si koncept organizativ dhe politik, si dhe për historinë politike të shtetit ilir, i cili përfundon në vitin 168 p.e.s. kur mundet mbreti Genti nga romakët. Është gjetur varri monumental i mbretit Gent, që ruhet në Gubio të Italisë ende dhe sot. Ky varr është një monument, që nuk mund të zhbëhet, as të shpiket dhe as të mohohet.

Është e vërtetë që mohimi i ilirëve tani është diçka e pamundur. Çështja më e vështirë dhe më delikate, për pasojë akoma edhe më e rëndësishme, është çështja e birësisë së shqiptarëve prej ilirëve. Një ekuacion i tillë, që përfshin dëshmitë kronikore, glosat dhe faktet arkeologjike, është ravijëzuar qartë në studime serioze.

Gjeneza e shqiptarëve duke filluar nga arbrit e hershëm, është e vërtetë që kërkon studime të reja dhe më të thelluara, dhe sidomos shumë disiplinore. Të gjitha arritjet madhore të shkencës, flasin qartë që populli shqiptar është autokton në viset e veta për shkak të vijimësisë historike, që është gjeografike dhe gjuhësore, si dhe kulturologjike dhe shpirtërore.

Teoritë e prejardhjes së shqiptarëve janë të shumta dhe nga optika të ndryshme. Politikat antishqiptare kanë krijuar formula të prejardhjes së shqiptarëve që nga Kaukazi, nga Veriu i Evropës, nga Azia e Vogël, madje edhe nga Irlanda, ndoshta edhe nga planeti Mars.

Ka teori bizare, që shqiptarët i bën të prejardhur nga Arabia, akoma më qesharake janë teoritë e amalgamës, sipas të cilave shqiptarët janë një popull pa identitet, por një hibrid popujsh të ndryshëm dhe të rastësishëm, një metaforë kolonizimesh të ndërthurura dhe të alambikuara nga trilli i fatit dhe paradokset e historisë. Dikur një kryeministër i Serbisë, i quajtur Gjeorgjeviç, shkroi një libër ku i quan shqiptarët në mënyrë pezhorative “Evgjitët e Evropës, një racë kreole, barbarësh të paditur dhe pa kulturë, pa gjuhë dhe letërsi, pa dinjitet dhe të kriminalizuar në ind”. Ka teori që duke mohuar rëndshëm autoktoninë e shqiptarëve, i bëjnë ata ardhacakë kryesisht në shek.XII, dhe për rrjedhim përvetësues të trojeve të “të tjerëve”. Akademikët serbë kanë krijuar kështu me këtë tezë një delir kinse të frikshëm, por edhe me një absurd qesharak.

Për fat të mirë, shkenca serioze u është shmangur politizimeve të neveritshme dhe antishqiptare. Origjina e shqiptarëve ka disa teori që duhen marrë parasysh. Këto teori nisen nga kushti kryesor, formuluar së pari nga vepra prej pionieri e Franc Boppit, se gjuha shqipe është një gjuhë indoevropiane, me përbërës autoktonë të tejlashtë, madje me disa përbërës paraevropianë, fakt ky tepër i rëndësishëm.

Shqipja si gjuhë indoevropiane është çelësi dhe kodi i rikthimit në histori drejt gjenezës. Problemi i burimit të gjuhës shqipe lidhet me një numër çështjesh të tjera të mëdha.

Dy teori kryesore janë të rëndësishme. Një teori lidhet me analogjitë gjuhësore iliro-shqiptare dhe tregon se shqiptarët burojnë prej ilirëve. Teoria tjetër merr në konsideratë afritë e trakishtes me shqipen, pa mohuar dhe afritë e vetë ilirishtes me trakishten. Teoria e tretë është ajo e sintezës, që formulohet më afër dhe më prekshëm së vërtetës se formimi i gjuhës shqipe lidhet jo vetëm me ilirishten, por edhe me një dimension trakas.

Teoria e sintezës qe ajo së cilës i kushtoi kujdes të veçantë kolosi i gjuhësisë shqiptare Eqrem Çabej. Nuk është vendi për të rreshtuar argumentet e një diturie universale, që i reflekton dhe i skalit përjetë Çabej i pavdekshëm. Argumenti i gjoja një golle, boshllëku, i mospërmendjes së emrit të shqiptarëve nga shek.II i erës sonë, kur Ptolemeu i Aleksandrisë, shënon qytetin Albanopolis si kërthizën, epiqendër të albanëve dhe deri në shek XI, kur kronistët bizantinë Ataliati dhe Ana Komnena, i përmendin përsëri këta albanë, nuk është një argument fatal. Dijetari Johan Thumanni ka shkruar më 1774 për shqiptarët: “Në historinë e tyre nuk kam gjetur ndonjë gjurmë të një emigracioni të mëpastajmë. Gjuha e tyre na ka dhënë të tilla dëshmi për fatin e popullit, që unë nuk mund të mos njoh te ky popull, fqinjët e lashtë të grekëve dhe nënshtetasit e Romës së vjetër. Po të dyja këto më kallxojnë ilirët”.

Kretschmeri ka thënë: “Mendimi që gjuha shqipe paraqet fazën më të re të ilirishtes së vjetër, ose si shprehet me të matur Gustav Majeri, të një dialekti ilir, është në bazë të të gjithë situacionit aq afër mendjes, sa duhej njeriu të sillte arsye shumë të rënda për ta hedhur poshtë, sepse shqiptarët banojnë atje, ku në kohë të vjetër rronin popujt ilirë”.

Kjo do të thotë që ilirët jo vetëm kanë jetuar në brigjet bregdetare, por edhe shqiptarët rrjedhimisht i kanë viset e tyre autoktone brigjet bregdetare. Kjo vërtetohet edhe nga dëshmitë e toponomastikës shqiptare që sipas Çabejt janë zhvilluar sipas ligjeve të fonetikës shqipe, gjë që vërteton pikërisht vijimësinë. Elementët paraindoevropianë në shqip nuk mund të flasin për një ardhje të vonë të shqiptarëve. Autoktonia e shqiptarëve vërtetohet edhe nga huazimet e vjetra greke, kryesisht dorike ose të ashtuquajturit dorizëm ilirë. E njëjta pikë reference e pashlyeshme lidhet edhe me huazimet e latinishtes, tepër të hershme, madje edhe në një çështje kolosale siç është ajo e terminologjisë së krishterimit të hershëm te shqiptarët, duke filluar nga shek. I pas Krishtit. Shtresëzimi i huazimeve dalmate, spanjolle, italiane, anzhuine, që vijnë nga Evropa Perëndimore, janë gjithashtu të vijueshme në kohë dhe hapësirë dhe vërtetojnë gjithashtu autoktoninë. Çuditërisht, këtë gjë e vërtetojnë në një kah tjetër edhe huazimet sllave, madje edhe ato turke. Teoria e huazimeve lidhet jo vetëm me qenien e kontakteve, por edhe të mosshkëputjes së vendbanimit të shqiptarëve nga vetë shqiptarët, me ngjarjet e mëdha të lëvizjeve nga Perëndimi dhe Lindja. Një temë më vete është marrëdhënia e shqipes me rumanishten, ku elementet latine me shqipen dhe rumanishten lidhen edhe me elementet jolatine në këto dy gjuhë. Të përbashkëtat midis tyre krijuan Teorinë e Substratit, teori e cila u ndoq nga shumë dijetarë, por këtu është harruar vërejtja shumë e rëndësishme e Çabejt, që Teoria e Substratit nuk ka karakter përfundimtar, se kjo do të parakuptonte eliminimin e njërës nga gjuhët.

Të dalim tashmë tek ajo që është më vendimtare, jo te huazimet leksikore, por te sintaksa tepër konservative dhe e veçantë e gjuhës shqipe. Arkeologjikisht mund të them që e ashtuquajtura kulturë e Komanit ose e arbërve të hershëm në shek.V-VII pas Krishtit, vërteton materialisht gjithashtu procesin e vijimësisë së autoktonisë dhe të etnogjenezës së shqiptarëve.

Teoria e Vajgandit është tepër e njohur. Të gjitha pikat e kësaj teorie u morën në konsideratë dhe u studiuan seriozisht nga Eqrem Çabej. Këtu qëndron një nga vlerat më kolosale të shkencëtarit tonë, i cili me fakte dhe logjikë të pamohueshme tregoi vijimësinë e shqiptarëve në trojet tona, duke përfshirë edhe disa fjalë kryesore të leksikut detar, siç është fjala “det”, fjala “anije” (që vjen nga fjala “enë”), dhe terminologji të tjera vendase. Të vësh në dyshim autoktoninë e shqiptarëve, do të thotë të bëhesh personazh humoristik i Erazmit të Roterdamit. Një paskuil të fëlliqur shkroi një farë Kapllan Resuli, pa dyshim duke u bërë jehonë tezave shoviniste serbe. Publicistika e ditës për autoktoninë e shqiptarëve mund të jetë interesante për bujë mediatike, por është pëlcitëse si fishekzjarrët e kualitetit më të rëndomtë.

Secili mund të thotë: Ilirët? Ç’janë këta ilirë? Ç’duan ilirët me shqiptarët? Ç’janë këta shqiptarë? Ilirët, ah këta ngatërrestarë! Shqiptarët, ah këta të marrë! Heshtja e akademikëve tanë të nderuar, e arkeologëve dhe e historianëve, është turpi i tyre! E vërteta është përtej vetvetes, përtej të gjithë atyre, që e kuptojnë apo nuk e kuptojnë të vërtetën.

 


Shfaq Komentet (3)

Leave a Reply to Kapllan RESULI Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Akademiku Moikom-me i madhi nder mendimtaret e ketij kombi, e ka te gjithe tagrin, edhe t`ua perplase per fytyre mercenareve “pakuliqet” e tyre. Eshte i vetmi, nder historianet dhe shkrimtaret, por nder shkencetaret e mirefillte te Albanologjise, qe e ka kete tager. Kuptohet, Tager i krijuar nder vite, permes…LETËRSISË MOKOMIANE!

    Përgjigju ↓
  2. Sa për dijeni: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Sërbisë edhe sot e kësaj dite qëndron në pozitat e Mojkom Zeqos, se shqiptarët janë autohtonë, bile jo vetëm ilirë, por edhe pellazgë.
    Kurse unë jo vetëm që nuk u kam bërë jehonë tezave të akademikëve sërbë, por edhe kam dalë hapur kundër tyre, duke mbrojtur mendimin shkencor të akademikut shqiptar prof. dr. Eqrem Çabejt, se shqiptarët kanë ardhur nga Rumania në Mat në shekullin X të epokë sonë, kurse sërbët janë futur në Durrës në vitin 548, gjë që e kanë konfirmuar hartuesit e veprës HISTORIA E SHQIPËRISË, Tiranë 1959.
    Po enveristi Mojkom Zeqo flet e shkruan, siç thonë shqiptarët, si e ama e Zeqos maje thanës. Ai nuk merr erë nga albanologjia dhe jo vetëm që s’i njeh veprat e mija, por s’i njeh as ato të Akademikut Çabej.
    Nuk përjashtohet që ndonjë gjë edhe e di, por nuk ia mban ta thotë, se – si enverist që është – do t’i tërheqë shqiptarët për hunde, ashtu siç e ka instruktuar Xhaxhi Enveri i tij.
    Me nderime,
    Akademiku,
    Prof. dr. Kapllan RESULI

    Përgjigju ↓