AKTUALITET

Masakra në Vlorë/ Deputeti i LSI: Të zhvendosen tallavatë në periferi të qytetit

15:43 - 27.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Enrik MEHMETI

 

Deputeti i LSI-së, Flamur Çelaj, i është drejtuar me një letër drejtorit të policisë së këtij qyteti, Jaeld Çelaj pas masarkës me 1 të vrarë e 3 të plagosur në këtë qytet.

Bëhet fjalë për një kërkesë, në qendër të së cilës qëndron propozimi për zhvendosjen e këtyre lokaleve me muzikë live në periferi të qytetit.

Në kërkesën e tij, deputeti Çelaj analizon disa faktorë që sipas tij, kërkojnë marrjen e masave që të mos ndodhin situata të ngjashme me atë të 20 Prillit dhe si një mundësi që Vlora të prezantohet si një qytet Europian, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe turistët e huaj.

LETRA E PLOTE

Lënda:      Kërkesë

Drejtuar:   Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë,

  1. Jaeld Çelaj.

Për dijeni: Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

  1. Haki Çako.

Bashkisë Vlorë

  1. Dritan Leli.

Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë,

  1. Arben Breshani.

I nderuar Z. Çelaj,

Së pari me lejoni t’Ju përgëzoj Ju dhe efektivat e Policisë së Vlorës, për gatishmërinë dhe efektivitetin e institucionit që drejtoni, për zbardhjen  në kohë të ngjarjes kriminale  të ndodhur në datën 20.4.2017, ngjarje e cila mori jetën e një të riu dhe rrezikoi shumë të tjerë të pafajshëm.

Veprimet profesionale të specialistëve tuaj, sollën efekte të pëlqyeshme brenda 24 orëve për qytetarët dhe opinionin publik në tërësi, të cilët ishin traumatizuar nga kjo ngjarje me rrezikshmeri të lartë shoqërore.

Në cilësinë e deputetit të Qarkut Vlorë në Kuvendin e Shqipërisë, si anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe si qytetar me përgjegjësi të lartë për të dhënë kontributin tim, Ju dërgoj për vlerësim kërkesën time si më poshtë vijon, nisur edhe nga nevojat për krijimin e një klime mikpritëse qytatere, të fillimit të sezonit turistik 2017, në qytetin e Vlorës.

Lidhur me ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë, është e nevojshme të analizohen të gjitha rrethanat, vendi në të cilin ndodhi, faktorët social, si dhe përgjegjësia qytetare dhe institucionale e të gjitha istancave përgjegjëse. Vendi ku ndodhi ngjarja ishte një lokal me muzik “tallava”, e cila në vetvete nuk është thjeshtë një stil apo rrymë e veçantë muzikore, me nota orientale, por në terësi, atmosfera që krijojnë në këto klube, tërheqin klientë të një kategorie të caktuar njerëzish, të cilët shfaqin sjellje aspak qytetare, me veshje aspak dinjitoze dhe në të shumtën e rasteve, janë përdorues të alkoolit apo të substancave të ndryshme narkotike dhe psikotrope. Jo rrallë mes tyre ndodhen edhe individë me precedent kriminal, të cilët paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Duke qenë se shteti përkrah sipërmarrjen e lirë dhe nuk dikton shijet, mënyrën apo stilin e jetesës së qytetarëve të saj, bazuar në parimin kushtetues të respektimit të lirisë dhe të drejtave të njeriut, propozoj që për këto lloj klubesh natë, në bashkëpunim edhe me Bashkinë Vlorë, Shoqatën e Biznesit, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe të gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë të cilët janë palë, të caktohet një territor në periferi të qytetit, konform të gjitha akteve juridike në fuqi, në mënyrë që të shmangen situata të padëshirueshme dhe që Vlorës t’i japim mundësinë të prezantohet si qytet me standarte Europiane, për qytetarët e vendit si dhe për turistët e huaj.

Për sa i përket sigurisë në këto lokale, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj, zbatimin e udhëzimit të Ministrit të Brendshëm, se “subjektet që ushtrojnë aktivitet natën, detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë, si dhe të pajisin punonjësit e sigurisë në hyrje të lokaleve të natës me detektorë. Gjithashtu, këto subjekte duhet të kontraktojnë shoqëri private sigurimi, ku përveç punonjësve në hyrje, duhet të ketë patjeter 1 punonjës per ç’do 25 m2.” Kontrollin e këtyre subjekteve, udhëzimi ia ngarkon Policisë, ndaj kërkoj që të më përcillni me shkresë zyrtare, se sa subjekte operojnë në qytetin e Vlorës si lokale nate? A janë të pajisura me mjetet e nevojshme të sigurisë? A janë të specialicuar punonjësit mbështetës për çështjet e sigurisë?

Një çështje tjetër e cila meriton vëmendjen tuaj dhe për të cilën më lejoni t’Jua bëj me dije, është mbajtja nën kontroll e normës së BE-së, për ndotjen akustike. Për këtë çështje, kërkoj të bëhen kontrolle të vazhdueshme në bashkëpunim me istancat përkatëse dhe të veprohet në rastet e konstatimit të shkeljes sipas kuadrit ligjor, në mënyrë që subjekte të caktuar të mos abuzojnë dhe të prishin qetësinë e pushuesve që vizitojnë qytetin e Vlorës.

Duke Ju uruar suksese të mëtejshme në punën tuaj, mbetem në pritje të vlerësimit të kërkesës time, si dhe në përgjigjen brenda afatit ligjor, lidhur me kontrollin e sigurisë së subjekteve që operojnë në Vlorë.

Gjithashtu, lutem të më dërgoni edhe planin e masave të detajuar, që institucioni që Ju drejtoni, ka hartuar për qytetin e Vlorës, me rastin e fillimit të sezonit turistik 2017, si dhe duke patur në konsideratë periudhën 45 ditore të fushatës elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme që shoqëron këtë fillim sezon.

Faleminderit per mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, Me respekt,

Flamur ÇELAJ

DEPUTET I QARKUT VLORË.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.