Intervista

Nga këshilli bashkiak, kandidate për deputete me LSI, Anisa Bahiti: Zgjedhjet pa opozitë s’janë demokraci

16:56 - 06.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Enida HIMAJ 

 

I është bashkuar LSI-së përpara 6 vitesh dhe sot, Anisa Bahiti është kandidate për deputete në qarkun e Elbasanit. Ka lindur në këtë qytet, ku dhe ka kryer studimet në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në fakultetin e Shkencave Sociale, dega Histori-Filozofi. Angazhimi i saj në Këshillin Bashkiak, i ka shërbyer si shkollë para se të jetë gati për parlamentin. Është në politikë për një qëllim, të përfaqësojë çdo instancë të qytetit të saj dhe jo vetëm. Në intervistën dhënë për GSH.al, Bahiti shprehet se ka zgjedhur LSI-në, sepse LSI ka zgjedhur rininë.

Anisa pjesë e listave të kandidatëve për deputet në Elbasan, çfarë do të thotë kjo për ju?

Për mua është një përgjegjësi shumë e madhe, por dhe një surprizë e këndshme. Besimin e LSI për të qenë pjesë e listave që do të përfaqësojnë qytetin e Elbasanit. E vlerësoj maksimalisht si një besim për rininë elbasanase dhe të gjithë Shqipërisë për të përfaqësuar më së miri kauzat dhe zërin e të rinjve . Emri im është emri i një vajze të thjeshtë që mund të ishte fare mirë emri i një tjetër vajze nga Elbasani . Do mundohem të jem një zë përfaqësues në çdo instancë, ashtu siç jam përpjekur dhe në këto 2 vite të përfaqësimit në Këshillin Bashkiak.

Ndërkohë si e keni parë angazhimin tuaj në Këshillin Bashkiak të Elbasanit?

Si pjesë e rëndësishme e parlamentit të vogël të qytetit dhe padyshim zëri i të rinjve dhe të rejave të qytetit tim në Këshillin Bashkiak, gjithmonë i kam mëshuar fort politikave që favorizojnë dhe përkrahin të rinjtë. Jo më larg se 2 muaj Këshilli Bashkiak miratoi buxhetin e vitit 2017, si anëtare e LSI-së në Këshillë propozova të kalonin në buxhetin e Bashkisë këto pika për rininë: Rritja e investimeve për gjimnazet e Elbasanit, kopshtet dhe çerdhet.

Propozova një fond për bizneset sociale rinore, ku të gjithë të rinjtë me ide novatore të aplikojnë, sepse të tilla biznese mbështesin dhe fuqizojnë të rinjtë ekonomikisht, por edhe ndihmojnë në punësimin e të rinjve të tjerë, zero taksë për të rinjtë që punojnë tokat bujqësore 3 vitet e para. Gjithashtu si nënkryetare e Komisionit të Kulturës kam propozuar të ketë investime dhe vëmendje në sport, por edhe krijimin e qendrave rinore ku do t’i vinë në shërbim të rinjve si ambiente, ku ata mund të argëtohen e të kryejnë aktivitete sociale, kulturore, më shumë mundësi për rininë dhe më tepër hapësira për ta. Puna ime konsiston në detyra konkrete dhe përgjegjësi për t’i zgjidhur ato sidomos kauzat të cilat prekin drejpërdrejtë të rinjtë.

Si ka nisur rrugëtimi juaj në LSI, i mbani mend fillimet?

Më vjen në mendje si sot dita kur një shok i imi i fëmijërisë më ftoi në vitin 2012 ti bashkohesha forumit Rinor të LSI, për hir të së vërtetës ka qenë ai që ka këmbëngulur që unë të shkoja në takimin e parë në forum, për të cilin thjesht kisha dëgjuar. Mjaftoi vetëm ajo herë për të më bindur që unë të bëhesha pjesë e pandashme e LRI. Kanë kaluar plot 6 vite që nga fillimet e mia në këtë forum dhe vazhdoj ta them me bindje çdo ditë që LRI njeh gjithmonë dhe më shumë rritje, sepse është e mbështetur fort nga qëllimet tepër të qarta, larg konflikteve, larg arrogancës dhe pro bashkëpunimit.

Ne jemi të bindur dhe ndërtojmë çdo ditë struktura të forta dhe solide të cilat e kanë të qartë misionin dhe vizionin e tyre, t’u shërbejmë nevojave të të rinjve dhe qytetarëve, ky është një vizion për të cilin kanë shumë nevojë qytetarët e thjeshtë, për të qenë në gjendje që të bëjnë politikën aktive dhe pozitive. Gjatë angazhimit tim në LSI, kam mësuar që Lëvizja Socialiste për Integrim, jo vetëm që është një përfaqësim i denjë i rinisë shqiptare, por gjithashtu është krijuesja e gjeneratave të tjera të politikë-bërjes ne atdheun tonë. Prandaj kam zgjedhur të jem pjesë e LSI, sepse LSI ka zgjedhur rininë.

Si i vlerëson Anisa zgjedhjet pa opozitën, a duhet të zhvillohen?

Zgjedhje pa opozitën janë jashtë funksionit normal të demokracisë dhe absolutisht nuk është në optikën time dhe të zhvillimit të vendit një zgjidhje për probleme të ndryshme që ka vendi, dua të them që si e re e dua garën, por sigurisht një garë të ndershme dhe dinjitoze. Pres me plotë bindje fal dhe angazhimit maksimal të LSI për të garantuar zgjidhje pasi në çastin që ka vullnet besimi arrin të gjej vend në një proces që do të prodhojë qeverinë e ardhshme të vullnetit të shqiptarëve.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.