SPORT

Frikë nga korruptimi, arbitrat e ndeshjes Partizani-Kukësi u izoluan në katër hotele

13:07 - 07.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Kryendeshja e javës së 32-të e Kategorisë Superiore është gjykuar nga një treshe sllovene, me kryesor Matej Jung dhe ndihmës të tij Matej Zunik dhe Andrea Kovaçiç. Pas kërkesës së Partizanit, FSHF u bëri kërkesë disa federatave europiane dhe në fund në Shqipëri mbërriti një treshe nga Sllovenia.

Duke ditur se kishte humbur besimi te kasta arbitrare shqiptare për drejtimin e kësaj ndeshjeje, zyrtarët e federatës kanë bërë të pamundurën që çdo gjë të mbetej sa më misterioze rreth përcaktimit të gjyqtarëve të sfidës Partizani-Kukësi. Mbase për të përhapur një tymnajë rreth “xhaketave të zeza”, disa ditë para ndeshjes u përhap lajmi se arbitrat e këtij takimi do të vinin nga Gjermania, por në fund ata erdhën nga Sllovenia.

Emrat e gjyqtarëve u bënë të njohur vetëm një ditë para ndeshjes, ditë të cilën ka nisur një tjetër mision për zyrtarët e FSHF-së. Për të humbur çdo mundësi kontakti me gjyqtarët e ndeshjes, pasi frika për korruptimin e tyre nga klubet ndihej, federata ka përdorur një taktikë hutimi.

Burime pranë federatës kanë bërë të ditur se të enjten, një ditë para ndeshjes, FSHF ka prenotuar katër hotele për akomodimin e gjyqtarëve dhe vendin se ku ata kanë fjetur e kanë ditur vetëm pak njerëz, kuptohet më të besueshmit në zinxhirin drejtues të FSHF-së.

Kjo ka qenë situata që i ka shoqëruar arbitrat sllovenë pasi kanë mbërritur në Shqipëri, por nuk dihet nëse ata janë zbuluar nga “të interesuarit”, nga të cilët kishte frikë vetë federata. Kjo taktikë e përdorur nga federata me gjyqtarët sllovenë tregon qartë se sa i pabesueshëm mbetet integriteti i garës në Kategorinë Superiore.

Natyrshëm lind pyetja: Nëse “të interesuarit” nuk kanë arritur të zbulojnë bujtinën e arbitrave të huaj, çfarë standardi do të ndiqet për ruajtjen e gjyqtarëve vendas për katër javët e mbetura?

36-vjeçari slloven kishte një mesatare 3.9 kartonë të verdhë për ndeshje, por në sfidën Partizani-Kukësi e nxori 6 herë të verdhën, ku në fund “plagosi” Shametin dhe Cetkoviç, të cilët mungojnë në ndeshjet e radhës për klubet respektive. /PanoramaSport/

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.