KULTURË

Nobelisti në shqip, “Shoqëruesja” e John Galsworthy, ose e drejta për të jetuar

11:15 - 11.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Për politikanët në mbarë botën ka vetëm një rregull: kur je në pushtet, mos thuaj po ato që thoshe kur ishe në opozitë… Kjo fjali e shkëputur nga “Shoqëruesja”, ngjan e shkruar për përditshmërinë tonë. “Një satirë shoqërore e përmasave epike… një komedi e tërë mbi formalitetin shoqëror, bindëse si në besnikërinë e saj ndaj jetës dhe si vepër arti”. Për “The New York Times”, romani, pjesë e një vepre madhore së cilës autori i kushtoi tërë jetën, në thelb ka një temë të thjeshtë, atë të të drejtave të individit, e sidomos të një gruaje, për të jetuar e dashuruar. “Shoqëruesja”, botuar nga “Pegi” e përkthyer nga Anxhela Cikopano (Hoxha), është romani i shtatë i serisë “Kronikat e Forsajtëve”, e cila përbëhet nga tri trilogji mbi Forsajtët dhe familjet e lidhura me ta. Trilogjia e tretë, “Kapitulli i fundmë”, ndjek familjen Çerëll dhe “Shoqëruesja” është romani i parë i kësaj trilogjie. Në qendër të librit është një vajzë e re, Dini, rreth së cilës, përveç frymës së një moderniteti të ri dhe gjithëpërfshirës, vërtiten histori dashurie. Përqendrimi te familja Çerëll ka sjellë një frymëmarrje të re dhe freski, një ritëm të ri, aq sa trilogjia është tejet e këndshme. Vijojnë të spikasin karakteret e femrave të forta, të mprehta e gjuhëshkathëta, por edhe stili ironik i autorit nobelist anglez, që jo rrallë të bën të vësh buzën në gaz, edhe kur nuk do. Në vitin 1932, çmimi Nobel për Letërsinë iu dha John Galsworthy-t “për madhështinë e artit të tij të rrëfimit, i cili arrin formën më të dëlirë në Sagën e Forsajtëve”. “Histori të tilla John Galsworthy i shkruan ne mënyrë të shkëlqyer; romancat e trazuara, rastet gjyqësore dhe skandale të vendosura në mesin e klasave të larta angleze janë një territor i njohur për të”, kanë shkruar për të. John Galsworthy (1867 – 1933) ishte një shkrimtar dhe dramaturg anglez, veprat më të njohura të të cilit janë “Saga e Forsajtëve”, “Një komedi moderne” dhe “Kapitulli i fundmë”. Ai fitoi çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 1932. Përveç statusit të tij letrar, Galsworthy ishte gjithashtu një aktivist i njohur, për çështje të tilla si mbrojtja e të drejtave të grave, reforma e burgjeve dhe mbrojtja e kafshëve. Galsworthy ka qenë kryetari i PEN, një organizatë që nxit bashkëpunimin ndërkombëtar përmes letërsisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.