Intervista

E plotë/ “PD gaboi me McAllister. Iki si president nëse…”, të gjitha përgjigjet e Metës

00:13 - 12.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga studio e “Top Story”, Ilir Meta deklaroi se nëse posti i presidentit shërben për të zgjidhur ngërçin politik, ai është i gatshëm të dorëhiqet. Lexoni më poshtë intervistën e plotë të presidentit të zgjedhur.
Urime edhe një herë për postin e lartë dhe të nderuar të Presidentit të Republikës! Megjithëse duhet thënë, z. President, më lejoni t’ju drejtohem kështu tani…

Pas 24 korrikut…

Presidenti i zgjedhur jeni në çdo rast. Disa e kanë krahasuar zgjedhjen tuaj atë ditë me atë të Presidentit të zgjedhur në vitin 1997, qoftë të Berishës në mars, qoftë më pas të z. Mejdani. Pra, edhe ju vetë nuk u dukët shumë i lumtur atë ditë!

Mendoj se nuk ka asnjë paralelizëm, të paktën me rizgjedhjen e z. Berisha në vitin 1997, sepse ajo rizgjedhje ndodhi në një parlament të kontestuar për shkak të zgjedhjeve të 26 majit. Ndërsa kjo zgjedhje u zhvillua në një parlament tërësisht legjitim jo vetëm kaq, por edhe më një maxhorancë tepër solide, pavarësisht se, për fat të keq, opozita nuk ndodhej aty për shkak të axhendës së saj të caktuar politike.

Por natyrisht që unë nuk kam qenë i lumtur, sepse situata në vend nuk mund të bëjë asnjë politikan të përgjegjshëm të lumtur, pra kur ne shohim përditë përshkallëzimin e një retorike, e cila nuk na ndihmon për të organizuar zgjedhje model, siç i meritojnë qytetarët tanë pas 27 vjetësh pluralizëm dhe demokraci, njëkohësisht eksperience të një kulture të re demokratike, europiane që duhet të tregojë.

Kjo është arsyeja pse nuk kam qenë i lumtur dhe nuk mund të jem i lumtur, sepse nuk ka asnjë arsye vërtet për të qenë i lumtur, jo vetëm për mua që jam Kryetar i Kuvendit dhe që do të jem Presidentit i ardhshëm i Shqipërisë nga 24 korriku, por edhe për çdo politikan tjetër që ka përgjegjësi të rëndësishme në Shqipëri qoftë në maxhorancë, qoftë në opozitë.

  1. Meta, a është e vërtetë që keni rezistuar deri në minutën e fundit për të mos u bërë President?

Nuk kam pasur asnjë qëllim të bëhem President apo të rezistoj që të mos bëhem President. Unë jam tashmë një politikan profesionit dhe di të marr vendime, të cilat nuk janë thjesht në interesin tim personal apo të karrierës sime, por në funksion të zgjidhjeve të caktuara.

E vërteta është që unë kam insistuar që në fillim për shkak të kësaj krize dhe të këtij ngërçi politik për qëndrimin e opozitës për zgjedhjet dhe për bojkotin e parlamentit, që çështja e Presidentit të vendosej në një paketë mirëbesimi, e cila do t’i ofrohej opozitës së bashku me mundësi dhe instrumente të tjera, me garanci të tjera për ta përfshirë atë në zgjedhje, por, njëkohësisht, edhe për të dhënë mesazhe të bashkëpunimit, të demonstrimit të një uniteti kombëtar.

Madje, kam insistuar që Presidenti të propozohej nga Partia Demokratike, me qëllim që të arrinim një marrëveshje për zgjedhjet, ta lehtësonim, ta thyenim këtë ngërç politik dhe psikologjik njëkohësisht. Për këtë arsye u dogjën edhe tri raundet.

Edhe kjo ishte e përfshirë në ofertën e McAllister, apo jo?

Po, patjetër, ishte një nga çështjet e para.

Meqenëse shumë e quajnë oferta “Meta” sesa oferta “McAllister”…

Jo, nuk ishte oferta “Meta”, por ishte vërtet oferta “McAllister” e mbështetur nga reporteri Fleckenstein.

Unë kam qenë një mbështetës i fortë i atyre propozimeve, sepse, në radhë të parë, dua të them se kam takuar shumë politikanë në jetën time nga të gjitha nivelet në një moshë shumë të re, por vërtet më ka lënë një mbresë të jashtëzakonshme, edhe pse ishte hera e parë që takohesha me z. McAllister, përgjegjshmëria e tij, neutraliteti i tij dhe dëshira e madhe për të dhënë kontribut të paanshëm, për të krijuar një klimë mirëbesimi dhe për të zhbllokuar këtë proces, i cili është shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

Por është shumë i rëndësishëm edhe për stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit, ku Shqipëria ka ndikimin e saj, njëkohësisht edhe për vetë Europën. Përshkallëzimi i krizës në Shqipëri absolutisht nuk i shërben askujt në këto kohë kur turbulencat janë prezent dhe të paparashikuara.

Sa i lartë është ky rrezik z. Meta?

Këtë gjë nuk mund ta them, sepse …

Kemi protestën e opozitës pas dy ditësh...

Ne jemi në një situatë që nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Natyrisht, unë kam një përvojë si politikan, besoj si ju si gazetarë, në ‘96, kur presidenti i atëhershëm, z. Berisha, në mënyrë jo demokratike ndryshoi Kodin, bëri një ligj, që u quajt ligji për gjenocidin, i cili përjashtoi shumë figura të njohura të opozitës.

Ju përsëri u futët në zgjedhje.

Gjithashtu, Fatos Nano ishte në burg dhe, ne pavarësisht nga të gjithë këto, hymë në zgjedhje dhe u tërhoqëm në fund dhe ju e dini çfarë kolapsi ndodhi me gjithë procesin zgjedhor, megjithëse nuk nguruan, edhe një ditë pas zgjedhjeve, përfaqësues të komuniteteve ndërkombëtare që përpiqeshin ta pranonin këtë…

Në emër të stabilitetit…

… këtë lloj farse, por kjo nuk zgjati shumë. Ne e dimë që vendi pastaj, për fat të keq, kalojnë … më pas u bënë ca zgjedhje model.

Në tetor të 96-ës.

Ato ishin zgjedhje…

Ishin zgjedhjet më të qeta që ndoshta janë mbajtur ndonjëherë...

Po, po, ato ishin zgjedhje model dhe PD-ja fitoi, por kjo situatë ishte tërësisht një situatë e papranueshme dhe shumë shpejt vendi rrëshqiti drejt një krize të tmerrshme, siç ishte ajo e vitit ‘97. Kështu që si mund të parashikojmë ne tani në një moment kur Partia Demokratike dhe forca të tjera të rëndësishme të opozitës pretendojnë që nuk do të hyjnë në zgjedhje dhe jo vetëm kaq, por nuk do të lejojnë që të ndodhin zgjedhjet në Shqipëri, që, për mendimin tim, është një qasje tërësisht e papranueshme, sepse në demokraci ti ke të drejtë të kërkosh të drejtat e tua, por në demokraci edhe do të luftosh për këto të drejta, për t’i garantuar, për t’i mbrojtur, për t’i fituar dhe rruga e vetme si rrugë zgjidhjeje, ajo e konfrontimit, është një rrezik i madh për të gjithë, por në radhë të parë, për vendin dhe për qytetarët e këtij vendi, jo thjesht për klasën politike.

Ju përmendët situatën pas 26 maj të vitit 96, ku thatë që edhe atëherë përfaqësues ndërkombëtarë tentuan t’i quajnë legjitime këto zgjedhje, megjithëse, në mos gaboj, ka pasur një raport të OSBE-ODIHR-it, që kërkoi të përsëritjen e zgjedhjeve në një numër të madh zonash.

Gjërat dolën jashtë kontrollit, unë e mbaj mend shumë mirë. Atëherë u raportua edhe një reagim i doktorit, sepse këta u lëshuan për t’i bërë qejfin doktorit dhe për t’u futur në garë se kush do të mbushte kutitë më shumë, edhe këta raportuan që u fitua edhe në Skrapar. Kur e mori vesh doktori këtë, i tha: “Budallenj, kthejeni shpejt Skraparin se nuk na beson njeri!”.

Megjithatë sot ka pasur një letër publike të komisionerit të zgjerimit, Johannes Hahn, i cili i përket spektrit të djathtë politik të Parlamentit Europian, të Partive Popullore Europiane, ku në një farë mënyrë ai dha një farë verdikti të Komisionit Europian, lidhur me përgjegjësit e krizës dhe gishti i përgjegjësive u drejtua nga PD, ku pati dhe paralajmërime serioze, edhe për këtë që ju thatë, për mospengimin e zgjedhjeve më 18 qershor dhe përmbajtjen e përgjegjësive në rast se situata përshkallëzohet. A keni ndonjë koment për këtë letër të ashpër?

Në radhë të parë, për këtë situatë në vend dua të them se Partia Demokratike, ose le të themi më mirë lidershipi i saj, pa dyshim që mban një përgjegjësi serioze, sepse ka pasur mundësi të bëhej pjesë e një zgjidhjeje dhe të merrte disa garanci që deri më sot asnjë opozitë nuk e ka arritur në Shqipëri në mënyrë të vullnetshme, kjo nga ana e maxhorancës, pavarësisht se ka dëshirë apo jo maxhoranca. Në fund fare është vullneti i saj, sepse shumica që është në parlament është e këtyre përmasave. Nuk mund t’i imponohesh me votë dhe, paketa McAllister, meqenëse po e konsiderojmë të tillë, mendoj se ishte një zgjidhje shumë e mirë për opozitën për t’u përfshirë në proces, mundësi për të marrë postin e Presidentit të Republikës.

Futen në qeveri apo jo…

Ata e kishin të gjithë mbështetjen time që të shtyhej data e zgjedhjeve deri në 16 korrik, pra, për t’i dhënë një kohë për të bërë listat e kandidatëve, apo për t’u dhënë kohë edhe disa ndryshimeve në qeveri. Bëhej fjalë për zgjedhje konsensuale, 4 ministri, pa përcaktuar se cilat dhe ku mendohet se mund të ketë interferencë elektorale.

Po që besoj ata me impakt elektoral…

Propozohej që kryetari i KQZ-së t’i jepej opozitës. T’i jepej dhe Ombusmani, që do të ishte krejtësisht normale, sepse edhe në të kaluarën iu dha opozitës nga Partia Demokratike në atë kohë në pushtet. Shumë elemente të tjera, siguritë apo garancitë, edhe mund të mos ishin të mjaftueshme për PD-në në një moment mosbesimi, por ishin disa masa garancie të cilat nuk kishin ndodhur më përpara dhe natyrisht që…

Pse nuk e pranoi Partia Demokratike këtë sipas jush? Kryeministri Rama thotë që është çështja e vetingut, sepse në një rast bojkoti të mundshëm të zgjedhjeve, i bie që një parlament tjetër pa Partinë Demokratike, por me parti të tjera, do ta bëje procesin e vetingut. Pra, a ju duket ndonjëherë sikur kjo shkon dhe përtej çështjes së vetingut?

Të them të drejtën jo vetëm çështja aktuale, që unë kam vështirë të jap një përcaktim të qartë, por edhe zhvillime përpara miratimit me konsensus të reformës në drejtësi, më kanë krijuar një ndjesi që ka interesa jo thjesht për të çuar para një reformë, apo për të bllokuar një reformë, për të bërë zgjedhje të lira, apo për t’i dështuar ato. Duket sikur ka interesa për të krijuar një përplasje dhe një konfrontim të panevojshëm në Shqipëri. A vjen kjo nga mosorientimi i duhur i politikanëve shqiptarë për të fituar interesin e vendit, prioritetet e vendit dhe respektimin e rregullave të lojës? A vjen kjo nga ndikime të tjera, të cilat mund të kenë axhenda të tjera në Shqipëri, dhe përmes Shqipërisë në rajon, unë këtë gjë nuk mund ta them sot me saktësi, por kjo është…

Por fakti që e keni si dilemë, është e rëndë.

E kam si ndjesi dhe mua ndjesitë nuk më gabojnë, por në fund fare përgjegjësia është e të gjithëve ne, nuk është vetëm përgjegjësi e lidershipit të Partisë Demokratike, që, për mendimin tim, duhet t’i kishte dhënë një zgjidhje kësaj situate dhe e pati mundësinë. Dhe në fund fare pa dyshim që ky është një proces i paparashikueshëm që do t’i krijojë dëme afatgjata vendit. Natyrisht që do të dëmtojë të gjithë politikanët, përfshirë edhe mua që mund të kisha bërë diçka më shumë. Nuk e di se çfarë mund të kisha bërë.

Çfarë mund të kishit bërë më shumë?

Unë nuk e di se çfarë mund të kisha bërë më shumë, por ndoshta mund të kisha bërë diçka më shumë.

Por maxhoranca ndoshta mund të kishte bërë diçka më shumë.

Ajo që nga maxhoranca për mua është e papranueshme, jo maxhoranca, por ndoshta edhe nga vetë Kryeministri, është çështja e retorikës. Ashtu sikurse kërkesa e opozitës që duhet të ikë Kryeministri bën patjetër.

Është një kërkesë që duket thjesht si një personalizim i konfliktit politik. Mendoj se Kryeministri, në çdo rast, pavarësisht se edhe mund të atakohet padrejtësisht, ka përgjegjësi për vendimin më shumë sesa kryetari i opozitës dhe çdo përfaqësues i saj. Nuk ka arsye përse të japë dorëheqjen, në qoftë se nuk e mendon se kjo e zgjidh këtë situatë, por mendoj që në çdo rast, çdo retorikë ose çdo përgjigje konfliktuale nuk ndihmon një atmosferë më të paqtë, më të qetë dhe më mirëbesuese.

Megjithatë, në negociatat me McAllister, cili ishte pozicioni i Kryeministrit?

Mendoj se ishte një pozicion i pranueshëm. Ishin përfaqësues të tjerë të PS-së pak më agresivë, por unë besoj se ishte pranë pranimit të kësaj zgjidhjeje. Natyrisht, gjithmonë me kushtin e vettingut, natyrisht që është një gjë mjaft e pranueshme gjithashtu, sepse duheshin të zhbllokoheshin të gjitha proceset në të njëjtën kohë, por fakti që nuk u pranua nga kryetari i PD-së e la atë proces pezull.

Në fakt, kryetari i PD-së iu rikthye pak ditë më vonë kësaj pakete dhe la të kuptohej se mund të ishte sërish një moment i negociueshëm. Megjithatë, dy raunde rresht te Presidenti Nishani dështuan sërish. Kryeministri mbajti një qëndrim pak më të tërhequr nga paketa “McAllister”. Por, ndërkohë, jemi në kushtet kur nuk kemi parlament, kur kanë skaduar të gjitha afatet e mundshme..

Ne parlament kemi. Deri më 9 shtator është ky parlament dhe mund të mblidhet, i ka instrumentet për t’u mbledhur…

Por, ama, afatet e tjera, për sa i përket afatit të regjistrimit të kandidatëve…

Patjetër, çdo ditë që kalon e bën situatën më të vështirë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet bërë çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje që e përfshin opozitën, në rast se edhe ajo reflekton dhe e tregon këtë vullnet.

Ndërkohë, kemi një padi në Kolegjin Zgjedhor nga opozita për afatin e regjistrimit të kandidatëve. A mund të jetë ky një moment, nga pikëpamja institucionale, që mund të hapë një spirale të re? Ju si e shikoni?

Nuk mund të them asgjë konkrete për arsye se unë asnjëherë nuk jam marrë thellësisht me procedurat e Kodit Zgjedhor, sepse këto janë çështje mjaft të imta dhe teknike. Janë institucionet që vendosin në bazë të ligjeve.

Por çështja e zgjedhjeve mendoj se nuk është një çështje, meqë përmendët termin “teknik”, thjesht teknike, as si është qeveria teknike, as si është votimi elektronik. Në radhë të parë, është çështje vullneti politik dhe vullneti politik duhet të jetë më i fortë nga të gjitha palët për të garantuar një situatë normale, të qetë, paqësore, konstruktive, larg çdo lloj presioni, qoftë edhe verbal, ndaj elektoratit, ndaj votuesit, ndaj qytetarëve, në mënyrë që ata vërtet të votojnë në një mënyrë krejtësisht të pavarur dhe vërtet të ndjehen qytetarë të një vendi europian.

Si e gjykuat tërheqjen e PS-së nga gara e Kavajës?

Ishte një veprim shumë normal dhe i arsyeshëm, por njëkohësisht ishte një veprim, i cili edhe më parë, po të ishte bërë, më mirë do të kishte qenë, që është për t’u përshëndetur, sepse shfryu një tension të panevojshëm.

Ndërkohë, pasnesër kemi një protestë që është etiketuar nga organizatori i saj si “nëna e të gjitha protestave”, ish- Presidenti dhe ish- Kryeministri Berisha e quajti “Everest”. A keni një porosi, edhe nga pozitat e reja institucionale që keni?

Nuk më takon mua të jap porosi, por unë mendoj që PD-ja ka të drejtë të luftojë për çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si çdo opozitë, ashtu sikurse Partia Socialiste e ka bërë këtë gjë më përpara me Partinë Demokratike, ashtu sikurse në vitin 2008 LSI-ja e ka bërë ndaj të dyjave së bashku dhe çdo force tjetër, sepse çështja e zgjedhjeve nuk është thjesht çështje e opozitës apo e partive, është çështje e qytetarëve, këtë duhet ta kuptojmë.

Është detyrimi ynë t’u japim mundësi atyre të shprehen në mënyrë të qetë dhe normale, të paktën një herë në katër vjet ata të flasin, të jenë vetvetja dhe të dëgjohen. Në këtë drejtim unë shpresoj që Partia Demokratike do të vazhdojë me protestat paqësore, por njëkohësisht duhet të punojë dhe të investohet për një zgjidhje.

Thjesht, më bëri përshtypje ajo që intuita juve ju thotë, që mund të ketë edhe forca të tjera të interesuara, pasi edhe momenti rajonal nuk duket…

Unë asnjëherë nuk e kërkoj fajin tek të huajt.

Por që mund të shfrytëzohet. Pra, ekziston potencialisht mundësia që të shfrytëzohet kjo situatë.

Për fat të keq, më vjen ndër mend ajo thënia: “Armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët”, sepse mund të ketë dikush interes për të krijuar një problem në Shqipëri, por në qoftë se nuk do të ketë një partner lokal, apo jo, atëherë kjo gjë nuk mund të ndodhë. Kështu që është përgjegjësia jonë që të mos ndikohemi nga asnjë lloj faktori, por të ndikohemi nga interesi i vendit dhe të jemi të ndershëm dhe të përgjegjshëm me njëri-tjetrin dhe me vendin.

Megjithatë, z. Meta, u duk që në çadër pati një pezmatim në momentin që u mor vesh që ju do të ishit kandidati, që ju u votuat. Z. Basha, bëri edhe një akuzë, ku tha se 35 milionë euro kushtoi kandidimi dhe zgjedhja e Ilir Metës president, duke iu referuar një shtese që bëri qeveria në fondin e rrugës së re Tiranë-Elbasan. U duk sikur u vërtetua ajo që në fakt shumë vetë e mendonin, le të themi, në atë lojën politike që nisi në bulevard nuk kishte vetëm dy pole, por kishte tre: tre kanë qenë gjithmonë që prej vitit 2003, por jam duke folur edhe në atë situatën aty të ngushtë: zyra e Kryeministrit, zyra juaj dhe çadra, u duk sikur kishte një lojë treshe, dhe kjo u vu re te pezmatimi i çadrës kur ju u zgjodhët president?

Problemet e rrugëve z. Basha i njeh më mirë se unë, sepse unë nuk kam qenë ministër i Transportit dhe nuk e di se si janë këto çështje. Për ju dhe teleshikuesit mund të ishte me interes, në qoftë është ky shqetësimi i opozitës, dhe është shqetësim i drejtë në rast se ka një abuzim, të merrnit në një debat drejtorin aktual të rrugëve dhe ish-drejtorin e rrugëve për rrugën Tiranë-Elbasan, meqë për këtë bëhet fjalë. Ajo që mund t’ju them është se kur z. Basha bëri këtë akuzë mua më thanë që ministri i Transportit do të shkonte te rruga, atje ku ishte bërë kjo rrëshqitja, devijimi i projektit që ishte bërë që në atë kohë, pra që në vitin 2013, që t’i jepte një përgjigje z. Basha.

Më thanë edhe përgjigjen që ai donte të jepte dhe unë iu luta që të mos e bënte këtë gjë, sepse unë e mirëkuptoj situatën, ngarkesën, përgjegjësinë dhe stresin që ndodhet z. Basha, përfaqësuesit e opozitës, sepse kam qenë vetë në një grevë urie në parlament dhe e di. Unë kisha përgjegjësi për njerëzit brenda, kisha përgjegjësi për njerëzit jashtë dhe kjo nuk është fare e rëndësishme.

Por edhe në qoftë se z. Basha nuk e di, sepse nuk kemi ndonjë njohje kaq të madhe, besoj se z. Berisha e di që për Ilir Metën nuk ka çmim, sepse për mua stabiliteti, qetësia dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë janë gjërat më të shtrenjta që nuk e njohin këtë çmim.

  1. Meta, zgjedhja juaj si president a jua komprometoi kanalet e komunikimit që ju i kishit me opozitën dhe nuk i keni fshehur kurrë?

Unë kam pasur kanale komunikimi me opozitën, nuk e fsheh dhe kam, por mund t’ju them se qëndrimet e mia kanë qenë publike, askush nuk ka përse të keqkuptohet ose pse të krijojë iluzione…

Besoj se edhe Kryeministri e vlerësoi këtë si një nga asetet që ju bëri ju President?

Faleminderit! E para, për dekriminalizimin i kam dhënë të drejtë Partisë Demokratike që kur është bërë ligji, që kur kanë ndodhur ngjarjet në parlament, e kemi mbështetur e të tjera. Mund ta them edhe këtu, për të gjithë ata që kanë merak çështjen e reformës në drejtësi se nuk po zbatohet, po të mos kishte ndodhur problemi i dekriminalizimit, i atyre ngjarjeve që ndodhën në parlament e të tjerë, reforma në drejtësi do të ishte zbatuar me kohë, por ato ngjarje, ato vonesa, ai bojkot e kështu me radhë i spostuan gjërat në kohë dhe reforma në drejtësi dhe çështja e zgjedhjeve u bashkuan duke krijuar një masë kritike dhe një politizim të panevojshëm dhe të dëmshëm.

Së dyti, për çështjen e kanabisit apo të drogës, qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë, madje po them se opozita ka qenë pak më e vonuar dhe nuk i takonte LSI-së, e cila ishte pjesë e një qeverie, ta ngrinte këtë çështje më shpesh dhe më fort.

Opozita e ktheu në një kauzë reale këtë çështje vetëm mbas humbjes në Dibër. Unë mendoj se krijoi bindjen apo e gjeti si një lloj justifikimi që kanabisi u përdor për të deformuar rezultatin, sipas tyre.

Pra, për ato çështje që ne mendojmë se opozita ka të drejtë, ka të drejtë dhe pikë. Unë nuk mendoj se ka ndonjë shqetësim, bile mendoj që edhe për çështjen e zgjedhjeve, çdo garanci që kërkon opozita, t’ia japim.

Përsa i takon çështjes së heqjes së Kryeministrit: si do të hiqet Kryeministri? Mbetet në vullnetin e tij, nëse ai ka dëshirë për të dhënë dorëheqjen për t’i dhënë një zgjidhje dhe për ta ç’tensionuar situatën, apo jo.

A duhet ta kishte bërë, sipas jush?

Më falni! Kjo është tjetër çështje. Unë po flas për raportin e opozitës me çështjen.

Së dyti, për çështjen e zgjedhjeve, sipas meje, nuk është tabu të shtyhen zgjedhjet 1-2-3-4 javë, pavarësisht se nuk është serioze.

Opozita ka kërkuar 6 muaj...

Por asnjëherë, unë nuk i kam krijuar asnjë iluzion opozitës as direkt, as indirekt, as përmes përfaqësuesve ndërkombëtarë, që të mund të ndodhnin zgjedhje përtej korrikut, sepse më 9 shtator mbaron mandati i këtij parlamenti, i cili mund të mblidhet në çdo kohë (edhe sot, edhe nesër, edhe në çdo ditë të shtatorit), pavarësisht nga zgjedhjet apo nga parlamenti i ri që do të krijohet, por mbas 9 shtatorit, sipas Kushtetutës, mandati i këtij parlamenti mund të zgjatet automatikisht vetëm nëse (larg qoftë), Shqipëria hyn në gjendje lufte me dikë dhe zgjat automatikisht për aq kohë sa zgjat gjendja e luftës.

Natyrisht, ne nuk jemi në atë gjendje, pavarësisht se ka shqetësime për drogën, për dekriminalizimin dhe është bërë një ligj që duhet zbatuar. Ai është zbatuar deri diku dhe duhet zbatuar deri në fund, pavarësisht se ka shqetësime për zgjedhjet, për keqpërdorimin e administratës, për përdorimin e parave të pista në fushatë e të tjera, por ne nuk jemi në gjendje të themi që do të bëhen zgjedhjet në tetor, në dhjetor apo do të bëhen zgjedhjet, kur të përfundojë votimi elektronik, sepse do të jetë shumë e vështirë që kjo gjë të mirëkuptohet.

Unë besoj kam qenë shumë i qartë për këto çështje, ashtu siç kam thënë që duhet një qeveri besimi që të garantojë, të japë besim për zgjedhjet. Pozicionin e Kryetarit të Kuvendit, pozicionet e ministrave të LSI-së dhe çdo gjë tjetër, ne i vëmë në dispozicion (jo thjesht që t’i marrë opozita), por nëse PS-ja është e detyruar të lëvizë disa ministra, le të marrë këto pozicione.

Megjithatë, ju e keni krijuar këtë iluzion dhe unë i referohem deklaratave publike dhe komunikimeve tuaja për çështjen e shtyrjes së zgjedhjeve. Ju e keni krijuar këtë iluzion, kur deklaruat atë të hënë (pas darkës së famshme te Pazari i Ri), se LSI-ja nuk do të futej në zgjedhje, në rast se PD-ja nuk do të futet në zgjedhje. Sot jeni në një pozitë tjetër, apo jo?

Unë jam shumë i kujdesshëm. Ajo është një nga deklaratat më të përgjegjshme që ka bërë Kryesia e LSI-së, e cila u bë në një kohë shumë të favorshme për t’i paraprirë evitimit të përshkallëzimit të krizës, sepse çdo ditë që kalonte dhe çdo orë që kalon sot, na vë në një situatë edhe më delikate. Ka qenë shumë e qartë që ne duke theksuar domosdoshmërinë e përfshirjes së opozitës ose të një qeverie të besimit (edhe kjo qeveri që është, le të japë besim dhe le të rrijë), nuk ka problem.

Ne bënim të qartë që e kushtëzonim koalicionin me PS-në me demonstrimin nga ana e saj të kësaj të vullneti maksimal për të krijuar këtë klimë besimi për përfshirjen e opozitës në zgjedhje.

Unë s’mund të them (pavarësisht debateve të forta që kam pasur me z. Rama për këtë çështje), që ai nuk i bëri përpjekjet e tij, me aq sa mund të bënte dhe ai nuk e refuzoi paketën McAllister. Për mendimin tim ishte një arritje, sepse kishte thënë që zgjedhjet do të mbahen në datën 18 dhe nuk ndodh kurrë që të shtyhen një orë më pas. Pra, e pranoi një shtyrje të arsyeshme dhe të pranueshme.

Gati një muaj…

Nuk ka rëndësi, sepse këtu lufta po shkon: “E kam thënë këtë gjë dhe nuk tërhiqem”. Këtu nuk do të bëjmë tërheqje litari, sepse kur tërhiqet litari nga të dyja palët, rrëzohen të dyja, nuk ka rëndësi se cili e ka fajin më shumë. Në këtë drejtim qëndrimet e LSI-së kanë qenë shumë koherente, shumë të pranueshme dhe shumë normale. Nëse sot do të duhet posti i presidentit të ardhshëm për të pasur një zgjidhje, unë përsëri do ta jap dorëheqjen dhe nuk ka asnjë problem, as për mua dhe as për LSI-në, sikurse e ka rikonfirmuar kryetari i ri, z. Vasili. Ne duhet të shpëtojmë zgjedhjet, stabilitetin dhe imazhin e vendit.

Para dy ditësh takova drejtuesin e një agjencisë turistike, i cili ishte shumë i shqetësuar, sepse të gjitha rezervimet që ishin bërë, tani po anuloheshin. Kur një turist nuk dëshiron të vijë, sepse lexon një lajm: “Pasiguri atje”, po një investitor që do të investojë miliona euro apo dollarë dhe që kërkon të marrë një kredi, sepse ka një plan biznesi, a mund të vijë në një vend të pasigurt?! Ky është një problem serioz dhe të gjithë duhet të marrim një përgjegjësi që të tërhiqemi diku dhe t’i fusim gjërat në një proces normal.

Nëse do t’ju pyesnin (besoj njëra palë ju pyet, pra pala me të cilën partia juaj është në koalicion), çfarë do t’i sugjeronit Kryeministrit dhe çfarë do t’i sugjeronit kryetarit të opozitës për t’u tërhequr, pra për të arritur në një pikë të përbashkët që, në fakt, e duam të gjithë? Zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse, pra të marrin pjesë të gjitha formacionet politike.

Nuk kam dëshirë të bëj sugjerime, sepse qëndrimet e mia kanë qenë të qarta. Unë atë qëndrim që kam mbajtur me z. Rama, me z. Ruçi dhe me kolegët e tjerë të Partisë Socialiste, i kam mbajtur edhe me tre ambasadorët, i kam mbajtur edhe në prezencë të tyre dhe të z. Rama, edhe me z. McAllister dhe me z. Fleckenstein dhe me të gjithë.

Nuk kam pasur asnjë axhendë time apo të ngushtë të LSI-së, aq më tepër që LSI-ja është një forcë e interesuar për stabilitetin e vendit dhe nuk dëshiron të bëhet palë në asnjë përplasje apo konflikt, sepse i humbet gjithë kuptimi dhe vetë filozofia e saj si një forcë politike. Mendoj se vendi është i të gjithëve, pavarësisht se kush ka përgjegjësi më shumë dhe kush ka më pak. Më e pakta që duhet të bëjmë është të përmirësojmë komunikimin publik, sepse është një komunikim shumë armiqësor, tensionues, përjashtues dhe popullim, një fjalë që në këtë kohë më kujtohet gjithmonë e më shumë, që më shumë vret fjala sesa plumbi.

Ka edhe një shprehje të bukur të pukjanëve që thonë: “Vetëm trimi nuk e dëgjon këngën e tij”, por të mos shkojmë tek ai skenar. Realisht mendoni se mbajtja e zgjedhjeve më 18 qershor, kështu siç janë punët deri në këto momente, është një opsion i pranueshëm?

Mbajtja e zgjedhjeve pa opozitën është një hap shumë i madh pas për Shqipërinë dhe për të gjithë, pavarësisht se e ka përgjegjësinë opozita më shumë për këtë gjë apo jo, por në fund fare ky është një problem i madh për Shqipërinë. Gjithmonë më kujtohet z. Ganof, të cilin ju e njihni para se Shqipëria të merrte ftesën në anëtarësimin në NATO, sepse ishte një situatë konfliktuale dhe më takon mua, Berisha në atë kohë ishte Kryeministër, Rama ishte në opozitë dhe unë isha në opozitë, më duket…

Ishit në opozitë me të dy…

Po, por se mbaj mend nëse ishim dy opozita të ndara veç e veç apo ishim bashkë. Unë mbaj mend se jemi takuar me të dhe më tha: “Mos e humbisni këtë rast. Është nisur avioni për t’u ulur në aeroportin tuaj dhe ky rast nuk ju vjen më. Nëse shikon aty poshtë pak tym e flakë dhe nëse dëgjon zhurmë, nuk ulet aty se nuk ka ndër mend të rrëzohet. Do të gjejë një aeroport tjetër të ulet, por kush e di kur do t’i vijë në mendje që të kthehet te ju. Ai, kur të shikojë të hyjmë aty dhe të dëgjojë zhurma, nuk do të pyesë: Kush e kishte fajin? A e kishte fajin Berisha, e kishte fajin Rama apo e kishte fajin Meta?”

Aty ishte një gjë që nuk ia vlente të uleshe dhe harrohej për një kohë të gjatë. Kështu që në këtë raport nuk ka rëndësi se çfarë do të thonë nesër në Bruksel ose në Uashington. Natyrisht, ka një rëndësi që fajin e kishte ky apo ai. Shqipëria do të jetë një vend që do të rrezikojë ndjeshëm kredencialet demokratike të fituara deri tani me shumë sakrifica si vend anëtar i NATO-s, vend kandidat në Bashkimin Europian, vend që i ka të gjitha mundësitë të çelë negociatat. Rruga e integrimit evropian, pavarësisht se mund të jetë qind për qind përgjegjësia e opozitës për këtë që po ndodh, nuk dua të vendos përgjegjësi të tilla, përsëri do të jetë një rrugë që do të jetë jashtëzakonisht e vështirë dhe mbi të gjitha do të jetë një problem kryesor pikërisht ajo që është më e rëndësishmja: paqja sociale në familjet tona, në vendin tonë, në komunitet tona. Pse? Për një konflikt, i cili më shumë krijohet lart sesa ekziston poshtë midis demokratëve dhe socialistëve, midis të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët luftojnë çdo ditë për qetësi, për siguri dhe për një jetë sa më të mirë.

Kryeministri Rama thotë se zgjedhjet do të mbahen dhe se me opozitën do të shiheni pastaj pas 4 vjetësh. Por realisht një parlament i tillë a mund të ketë legjitimitet, kolegjialitet? Po realisht ose politikisht sa mund t’i rezistonte nevojës për një marrëveshje dhe përsëritjen e zgjedhjeve në një afat tjetër?

Nuk mund të paragjykoj dhe as dua ta mendoj se do të ndodhë kjo apo do të ndodhë ajo. Unë dua të besoj se do të ndodhë mrekullia. Natyrisht që ajo nuk mund të bjerë nga qielli, por kërkon një rritje të përgjegjshmërisë, të reflektimit të gjithsecilit prej nesh, por zgjedhjet në këto kushte, pa përfshirjen e opozitës, por edhe pa treguar një vullnet, që të përfshihet në një mënyrë të pranueshme, pa dyshim që mund të sjellin pasoja që askush nuk mund t’i parashikojë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë një situatë e tillë dhe nuk është diçka që nderon çdo qytetar të Shqipërisë, pavarësisht se përgjegjësia mund të jetë e shumë pak personave.

LSI-ja do të marrë pjesë në këto zgjedhje në çdo rast?

Kjo është një pyetje që i takon kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Vasili, kështu që besoj se do të ketë edhe ai rast të vijë në këtë studio.

  1. Meta, në një intervistë tonën, të shtatorit të vitit të kaluar, ku ju thatë që do të ishit në krye të LSI-së në këto zgjedhje. Ja pra ku jeni sot, jeni vetëm një anëtar i LSI-së, e vetmja gjë që do të nisni është turi i falënderimit.

Po e kam nisur. Së pari, kemi qenë në shtator dhe kam qenë tërësisht i bindur në ato deklarata që kam bërë. Nuk e kam kërkuar postin e Presidentit as për LSI-në dhe aq më tepër për Ilir Metën dhe kur e kam kërkuar ose kur ka ardhur situata e tillë që duhej bërë një zgjidhje siç ndodhi praktikisht, kandidaturë kryesore kemi pasur z. Petrit Vasili, por për të gjitha ato rrethana, situata të paparashikuara, kush e mendonte në shtator se do të krijohej çadra, kush e mendonte që opozita do të merrte këtë qëndrim kaq të fortë.

Pra, ju thoni se çadra ndikoi deri diku te vendimi juaj për të pranuar ofertën?

Vendimi im është produkt absolutisht i atyre rrethanave që ndodhën pas misionit, të dërguarit të BE-së dhe të Parlamentit Europian pas përpjekjes sime, një përpjekje tjetër për t’i ftuar të gjitha partitë parlamentare. Partia Demokratike nuk erdhi, së bashku me partitë e tjera të opozitës dhe ndërkohë kur ishim përpara një opsioni, kishin dështuar tri raunde për të pritur PD-në për të bërë një zgjidhje, jo vetëm për Presidentin, por edhe në tërësi për çështjen e përfshirjes së saj në zgjedhje, ku kishim këto alternativa: njëra ishte që LSI-ja të mos bëhej më pjesë e zgjedhje së Presidentit dhe PS-ja përpiqej të bënte një zgjidhje të sforcuar, duke e zgjedhur Presidentin me 71 deputetë, ndërkohë që ajo mandatet si PS, nga zgjedhjet nuk i ka pasur të mjaftueshme dhe do të krijonte një problematikë ose do të dështonin raundet, edhe dy raundet e fundit dhe vendi do të shkonte automatikisht në zgjedhje, nuk krijonte asnjë premisë për një situatë më pozitive, jo vetëm kaq, por do të dukej sikur ishte bërë një lojë për të çuar vendin automatikisht në krizë dhe për të provokuar akoma më tej opozitën dhe do të dukej sikur të gjitha përpjekjet për ta përfshirë opozitën kishin qenë thjesht një lojë për të luajtur me kohën dhe për të bërë çdo gjë fakt të kryer. Ishte një moment delikat, natyrisht unë kam qenë i prirë të votoj edhe për emra të tjerë që mendoja se opinioni publik do t’i pranonte si figura qofshin të së majtës, por jo thjesht si njerëz të cilët janë nën ndikimin e kryetarit të PS-së apo njerëz të njohur si shumë partiakë, siç është rasti i z. Meidani, i cili mund të ishte shumë mirë një President i vendit, përsëri për shkak të qëndrimeve të tij dhe të faktit që ka konsumuar vetëm një mandat, i znj. Dade për shkak edhe të njohjeve të saj ndërkombëtare, por dhe disa qëndrimeve të pavarura, apo i z. Milo, i cili është një figurë e të majtës me një background edhe akademik dhe diplomatik. Pra, unë thjesht nuk doja të votoja dikë nga PS-ja për të marrë përsëri atë akuzën tuaj që thoni: “Ja ia dhatë të gjitha Edi Ramës, edhe qeverinë, edhe Presidentin”, siç ndodh rëndom, por nuk ishte thjesht ky problemi, problemi ishte për të dhënë një mesazh ekuilibri të një raporti më demokratik midis pushteteve, midis institucioneve në vend. Kjo ka qenë një zgjidhje e imponuar, e detyruar dhe unë këtë e kam marrë thjesht si një detyrë.

Në fakt, shumë prej mbështetësve, militantëve të partisë suaj, kryesisht të rinjtë, pasi duhet thënë se ju jeni investuar personalisht dhe politikisht tek të rinjtë, i shikoj jo pa kureshtje zhvillimet në LRI dhe fakti që kjo lëvizje është shumë aktive brenda. Ndoshta ju shërbeu dhe përvoja e Forumit Eurosocialist që ngritët dje me bashkëshorten tuaj dhe me disa kolegë të tjerë, është parë gati-gati si një braktisje që ju i keni bërë kësaj partie dhe kauzës së saj si një forcë stabiliteti, si një forcë që mbron balancat, si një forcë që thyen dhe e ruan vendin deri- diku nga rreziqet e bipolarizmit politik.

Absolutisht! Atëherë, po ju them se fillimisht kjo ka qenë një lëvizje që ka çuditur shumë njerëz brenda LSI-së, jo thjesht nga rinia, por edhe bashkëpunëtorë të mi të afërt, që mendoj se kishin një eksperiencë të madhe politike. Ndoshta kishin të drejtë, sepse këto ka qenë zhvillime të konsultuara kryesisht vetëm me z. Vasili, me z. Rama, në 48 orët e fundit, por mendoj se në një kohë shumë të shpejtë të gjithë u ndërgjegjësuan. Përcaktimin më të mirë të raportit tim me LSI-në e bëri pikërisht një nga drejtuesit e LRI-së, që është edhe një nga drejtuesit e listës për Tiranën, Klevi Pojana, i cili kishte thënë se kjo nuk është një lamtumirë e Ilir Metës me LSI-në, por është thjesht një mirupafshim.

Në fakt kështu e mendojnë…

Kështu që bërja e Konventës Kombëtare dhe gjithçka që ndodhi më pas, mendoj se absolutisht, LSI-ja është një parti e përgjegjshme, ka të gjithë pjekurinë politike, nuk ka si kauzë që të ketë Ilir Metën kryetar apo të vetmin kandidat, po themi, për kryeministër potencial, por kauza e saj është t’i shërbejë stabilitetit të vendit, si dhe të bëjë çdo investim që i shërben kësaj kauze.

Prezantimi i parë i z. Vasili në marketingun politik, si kryetar i ri i LSI-së, me një sponsor interesant me figurën e Oni Pustinës. Megjithatë, si e shikoj unë, në këtë situatë normaliteti duket një spot shumë normal, sikur është bërë në një vend normal, dhe ky është mesazhi që ju doni të përcillni si parti. Nga ana tjetër, kur shikon LSI-në forcë e parë, dhe z. Vasili si kryetar të ri të partisë, pra që prej vetëm pak ditësh kryetar i ri i LSI-së, a mund të jetë LSI-ja forcë e parë me një kryetar të ri?

Absolutisht që po, sepse LSI-ja është një parti e mirorganizuar në të gjithë Shqipërinë. Mund të them me bindje se LSI-ja ekziston sot në çdo familje shqiptare, ku djali debaton me babanë se për kë do të votojë, mbesa me gjyshin apo me gjyshen; ka një mbështetje të jashtëzakonshme, sidomos nga të rinjtë e të rejat, si dhe nga të gjithë qytetarët shqiptarë që e pëlqejnë mesazhin pozitiv, qetësues, bashkëpunues dhe modest të LSI-së.

Për sa i takon z. Vasili, mund të them me bindje të plotë se do të jetë një kryetar shumë më i mirë se Ilir Meta për LSI-në. Kam besim të plotë te drejtimi i tij, te lidershipi i tij, për arsye se është figura më e lakuar gjatë këtyre 14 vjetëve, që kur ka filluar të diskutohet për një projekt të tillë, pa u themeluar Lëvizja Socialiste për Integrim, dhe mendoj se ka të gjitha dimensionet që i duhen një drejtuesi të aftë.

Ai ka një pjekuri dhe mprehtësi politike të jashtëzakonshme dhe mbi të gjitha ka një integritet dhe personalitet të plotë dhe të fuqishëm. Ai nuk është njeri që tundohet nga pushteti dhe nga interesa afatshkurtra, por është njeri i bindjeve të tij dhe, absolutisht, me të gjitha këto elemente pozitive që ai ka, do të garantojë që LSI-ja ta fuqizojë edhe më tej frymën e ekipit, që është kultivuar gjatë gjithë këtyre viteve. Unë besoj se do të jetë një kryetar jashtëzakonisht shumë i mirë, do të ketë ato rezultate që unë i kam ëndërruar, por që unë nuk do të jem xheloz për këtë gjë.

Megjithatë, po ju bëj një pyetje, të cilën e kam me sfond matematik. Si mund të dalë LSI-ja forcë e parë me Petrit Vasilin, kur me Ilir Metën mbeti gjithmonë forcë e tretë?

Sepse unë mendoj se ka ardhur momenti që kjo forcë politike do të tregojë vërtet të gjithë potencialin e saj dhe do të korrë atë rezultat që është mbjellë prej 14 vjetësh, jo thjesht prej 3-4 vjetësh. Por, në këtë rast, unë mund të jap një shpjegim të një tjetër drejtuese shumë të re të LSI-së të Kejdi Mehmetaj, nënkryetare e LSI-së dhe deputete, e cila kishte dhënë një përgjigje shumë të bukur, meqenëse ajo ka edhe profesionin e vet si inxhiniere, dhe është një studente e shkëlqyer: që do të dalim forcë e parë, sepse unë jam inxhiniere, dhe, po të shikojmë të gjithë trendin e LSI-së, ka një kurbë rritëse, e cila në mënyrë të pashmangshme e çon drejt këtij rezultati.

Se cili do të jetë rezultati real, për mua kjo nuk është shumë e rëndësishme dhe nuk ka qenë edhe kur kam qenë edhe kryetar i LSI-së, sepse nuk është çështja e një lufte të paepur dhe të palogjikshme se kush do të dalë i pari, kush do të marrë një mandat më shumë apo dy mandate më shumë, sepse këto mund të dëmtojnë të gjithë procesin e zgjedhjeve. Objektiv kryesor besoj se edhe për LSI-në duhet të jetë një model dhe një shembull për një klimë konstruktive zgjedhore, për një fushatë larg denigrimeve dhe retorikave helmuese, të bëjë një fushatë model dhe sa më transparente, pastaj jam i sigurt që rezultati i tyre duhet të jetë jashtëzakonisht pozitiv.

Fuqia e LSI-së janë të rinjtë dhe të rejat në radhë të parë, të cilët janë shumë prezent. Mjafton të shikosh listën e LSI-së për Tiranën, për të kuptuar që kjo është një forcë e së ardhmes në mënyrë të pashmangshme, pavarësisht nga ky ndryshim që ka ndodhur në drejtimin e LSI-së. Ndërkohë që Ilir Meta nuk ka ikur diku, por ka ikur në pozicionin e Presidentit apo Kryetarit të Shtetit pas 24 korrikut, kështu që, çdo anëtar i LSI-së apo çdo votues i LSI-së besoj se ndjehet mirë që kryetari i tyre, i cili ishte deri para një jave, nesër do të punojë që të jetë kryetari i të gjithë shqiptarëve.

Do të bëj një pyetje, po më parë duke e nisur dhe duke e vlerësuar agresivitetin dhe forcën politike të bashkëshortes suaj, e cila mendoj se ka vuajtur një handikap shumë të madh, për shkak se ishte bashkëshortja juaj dhe mund të ishte një politikane me më shumë karrierë konkrete dhe besoj se ju jeni koshient për këtë. Megjithatë, ajo sot është Zv.kryetare e partisë, dhe po ju bëj një pyetje që lidhet me dilemën që mund të ketë një pjesë e publikut se sa i besueshëm mund të jetë Presidenti i Republikës, i cili njëkohësisht është edhe bashkëshorti i Zv.kryetares së një prej partive kryesore në vend?

Besoj se edhe duke qenë kryetar i LSI-së, unë kam bërë akte apo veprime që i kanë shërbyer stabilitetit të vendit. Unë nuk jam një hipokrit që të them se më 24 korrik unë do të pushoj së qeni në bindjet e mia një eurosocialist, por, absolutisht çdo qytetar i Shqipërisë do të ketë mundësi nga 24 korriku të gjykojë çdo sjellje timen, çdo vendim, deklaratë apo qëndrim timin dhe absolutisht që më 24 korrik fillon një jetë krejt e re për mua.

E thashë, nuk e përjetoj këtë moment as si kulmin e karrierës sime, as si mbyllje të një karriere e të tjera. Për mua nuk ka asnjë rëndësi. Unë ndoshta do të isha larguar vetë me dëshirë nga politika në qoftë se vendi ynë do të ishte një vend shumë i qetë, do të ishte një vend shumë normal dhe një vend shumë demokratik.

Nuk kam krijuar një forcë politike, bashkë me shumë kolegë të tjerë, që unë të mbijetoj në politikë, pra të gjej një mënyrë. Përkundrazi, kam menduar të bëj një shërbim ndaj vendit dhe investimi i madh që unë personalisht kam bërë, por edhe kolegët e mi, edhe Petriti, edhe Monika e shumë të tjerë nga fillimi, është krijimi i brezit të ri, motivimi i tyre për t’u përfshirë në politikë, për t’u socializuar, për të mos qenë egoistë, për të mos qenë individualist, sepse këto janë sëmundje të mëdha të shoqërisë sonë, sidomos të politikës sonë në nivelet e larta, për të rritur ndjenjën e tyre të përgjegjësisë për vendin, për të ardhmen e tyre, për t’i bërë ata protagonistë realë dhe vendimmarrës, dhe jo thjesht një dekor të një politike, e cila nxjerr vetëm mllef e vrer, ndërkohë që vendi ka nevojë për mesazhe të tjera.

Edi Rama tha në këtë studio javën e kaluar, në mos gaboj, se nuk do të mbajë fotografinë tuaj në zyrë si kryetar i shtetit. Ju shqetëson kjo?

Unë do të zhgënjehesha nëse do ta mbante.

Megjithatë, z. Meta, ka shumë që mendojnë se duke ju mbështetur, duke ju nxitur, duke ju propozuar të bëheshit President, në njëfarë mënyre, ju hoqi qafe nga skena politike aktive në garën thuajse të natyrshme tuajën për të qenë Kryeministër i këtij vendi...

Së pari, nuk ekziston një garë e tillë, të paktën nga ana ime. Unë kam qenë Kryeministër në një moshë fare të re, 30 vjeç. Jam përzgjedhur dhe më pas jam larguar për shkak të disa mospajtimeve dhe problemeve me zgjedhjet në atë kohë, sepse nuk dua t’i lodh teleshikuesit me histori të gjata.

Në vitin 2001...

Por ishte tregues i përgjegjshmërisë sime për zgjedhjet e vitit 2001 dhe në këtë drejtim nuk ka ekzistuar një garë e tillë nga ana ime.

Unë kam qenë gjithmonë i hapur për të ndihmuar vendin, kam qenë i hapur t’u jap mundësi edhe të tjerëve. Jam përpjekur t’i jap sa më shumë mundësi edhe Edi Ramës, edhe si kryetar bashkie disa herë, dhe pse jo, edhe si Kryeministër dhe shpresoj që ai të vazhdojë të punojë, t’i japë mundësi zgjedhjeve të jenë sa më gjithëpërfshirëse. Kjo është në të mirë të tij, në radhë të parë, por edhe në të mirë të të gjithë vendit. Them në radhë të parë në të mirë të tij, sepse ai e ka përgjegjësinë më të madhe për atë që ndodh sot në vend dhe që do të ndodhë në javët që vijnë.

Por supozojmë që ju keni të drejtë në analizat tuaja, në rast se ka qenë një problem që mund të isha unë një kandidat për Kryeministër dhe kjo mund të sillte një klimë tensioni, ky është një shërbim që bëhet për vendin tonë, që është për të ç’tensionuar. Kështu që të gjithë të ndihmomë që të jemi më të qetë në vendimet që duhet të marrim, që do të jenë shumë më të rëndësishme për të ardhmen afatgjatë të vendit.

Pas 5 ose 10 vjetësh në Presidencë, marrim një shans teorik, ku ju të konsumoni dy mandate që lejon Kushtetuta, do të jeni relativisht i ri, 58 vjeç dhe besoj do të gëzoni shëndet të plotë. Madje, ju “kërcënuat”, në sens pozitiv, edhe partinë tuaj, thatë se mund të ktheheni edhe në moshë 74 vjeç dhe të krijoni një parti të re. Realisht, pavarësisht asaj që thoni, është një kulminacion zgjedhje në krye të shtetit, si kryetar shteti, është një nder dhe privilegj shumë i madh, të paktën si e shikoj unë. Do të ktheheni sërish në skenën politike, apo do të na thoni, siç kanë thënë të gjithë të tjerët para jush, përfshirë edhe mikun tim, z. Nishani, i cili tha: “Nuk do të rikthehem më në politikë”?

Unë po them se, në rast se Shqipëria do të drejtohej nga të rinj dhe të reja, po themi si Klajda Gjosha e të tjerë njerëz me një formim edhe europian, por edhe me një sjellje europiane, unë do të kisha ikur që dje nga jeta politike, sepse kjo ka qenë dhe është një jetë shumë e vështirë për mua, siç e thatë ju, u bënë 25 vjet mjaft të vështira.

Kam një shprehje që më pëlqen shumë: “Njeriu rri më pak me ata që do më shumë” dhe shpesh ikën koha, fëmijët rriten dhe ti nuk i shijon dot ata, madje edhe kur rri me ata, ti rri me ata aty, por nuk e ke mendjen aty, sepse gjithmonë vjen një telefonatë, një problem, një shqetësim. Politika jonë është gjithmonë një politikë, për fat të keq, e paparashikueshme. Kështu që ekzistenca ime në politikë është thjesht një përgjegjshmëri për të mos bërë zgjidhje personale, që mund të krijojnë një komoditet, ku mund të kem pasur gjithnjë e më shumë mangësi, mund të kem bërë shumë gabime, por gjithmonë politikën e kam bërë me shumë përgjegjshmëri, me shumë përkushtim dhe me shumë dashuri për vendin, pavarësisht se si është vlerësuar kjo.

Për punën e moshës, nuk kam bërë llogari se sa do të jem pas pesë vjetësh, sa do të jem pas dhjetë vjetësh. Është një problem ky që thoni ju, se pas pesë vjetësh a dhjetë vjetësh, nuk e di pse duhet të mendoj që tani për një mandat të dytë. Jam i ri, madje kam edhe një problem tjetër, se gjyshi ka jetuar deri në 110 vjeç, por nuk mendoj se jeta duhet të jetë vetëm politikë.

Unë tani jam një lloj qenieje politike dhe nuk është e thënë se duhet të jesh patjetër në funksione të larta apo të jesh kryetar partie që të jesh në politikë. Ëndrra ime është që këta të rinj dhe të reja, të cilët kanë një frymë tjetër, kanë një edukatë tjetër, kanë një përgjegjshmëri tjetër dhe kanë një dashuri për vendin të drejtojnë Shqipërinë, do të isha shumë i qetë, do të isha shumë komod dhe vërtet kjo do të ishte arritja ime më e madhe.

A keni një vlerësim për Presidentin në ikje, z. Nishani, pas pesë vjetëve të tij në presidencë?

Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira me të gjithë presidentët që kanë qenë, përveçse me doktorin kur ka qenë President.

I rregulluat kur u bë Kryeministër...

Jo, jo, unë i jam mirënjohës atij, sepse ai më ka kalitur me vështirësi që nga ngjarjet e Poliçanit e në vazhdimësi.

Me Presidentin Mejdani kemi pasur raport të shkëlqyer edhe kur kam qenë Kryeministër, besoj se si me asnjë kryeministër tjetër, marrëdhëniet e tij kanë qenë të shkëlqyera me mua, por edhe në pozita të tjera. Me presidentin Moisiu unë luajta një rol kryesor për zgjidhjen e krizës atëherë dhe që ta merrte opozita Presidentin për shkak të “Dushkut”, e ke parasysh, kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera.

Me Presidentin Topi, gjithashtu, kemi pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira dhe korrekte edhe gjatë asaj periudhe, por edhe më parë, ose më pas. Pa dyshim, edhe me Presidentin Nishani kemi pasur dhe kemi marrëdhënie shumë të mira, unë e vlerësoj sepse ai ka qenë gjithmonë mjaft korrekt, ka qenë mjaft njerëzor dhe shoqëror. Këto janë marrëdhënie jo vetëm duke respektuar institucionin që ai ka përfaqësuar, por edhe njeriun, domethënë, që është i ndjeshëm, që është i respektueshëm, që është korrekt, që është modest. Njëkohësisht vlerësoj edhe gjestin e tij pak minuta pasi unë u zgjodha nga Kuvendi, ku ai më telefonoi, më uroi dhe e falënderoj për sjelljen demokratike, qytetare, por edhe mjaft institucionale!

  1. President i zgjedhur, dita kur ju u zyrtarizuat si kandidaturë ka qenë e enjte, ishte dita e ngjarjeve të rënda dhe dramatike të Shkupit, ishte dita kur u lirua miku juaj personal, Haradinaj, nga burgimi i padrejtë në Paris, si dhe ishte dita kur Tuzi u shpall komunë Shqiptare. Nuk besoj se ju ka shpëtuar ky detaj apo jo, sepse ajo ka qenë një ditë shumë e ngarkuar dhe e rëndësishme për shqiptarët.

Kemi një kuadër mjaft dinamik zhvillimesh në rajon dhe përreth nesh, prandaj është e rëndësishme të mendojmë për stabilitetin e vendit tonë, ta forcojmë atë sa më shumë, në mënyrë që të ndihmojmë pozitivisht vendet fqinje, por edhe shqiptarët kudo ku ata jetojnë, për të qenë një faktor edhe më i madh stabiliteti dhe integrimi në këto vende dhe në të gjithë rajonin tonë, pasi besoj se kjo është një nga përgjegjësitë më të mëdha që ka Shqipëria edhe në raport me komunitetin europian apo euroatlantik.

Vlera dhe pesha e Shqipërisë është pjesë e një faktori stabilitetit në rajon, por që ne ta luajmë këtë rol edhe më mirë në të ardhmen, sigurisht që duhet të kujdesemi që t’i ruajmë dhe t’i zhvillojmë më tej kredencialet tona demokratike.

Si e shikoni situatën në Maqedoni dhe rolin e Tiranës në këtë situatë?

Natyrisht, do të dëshironim që kjo situatë pas zgjedhjeve, që, për fat, të mirë u pranuan nga të gjithë, të kishte marrë një zgjidhje, në kuptimin e formimit demokratik, të të gjithë institucioneve, por kjo gjë nuk ka ndodhur ende.

Për fat të mirë, ka pasur progres, pavarësisht se me një kosto jo të pakët, siç ishin ngjarjet në parlament pas zgjedhjes së Kryetarit të ri të Kuvendit. Ajo që unë mendoj se është më e rëndësishme, është që shqiptarët të jenë shumë të qetë, në kuptimin e përmbajtjes së tyre, dhe të kontribuojnë për tejkalimin e kësaj krize në mënyrë sa më demokratike, paqësore dhe kushtetuese, duke qenë gjithmonë të kujdesshëm për të mos lënë mundësi apo shkas për krijimin e një konflikti thellësisht politik, mendoj unë, për vite të tëra midis dy partive kryesore maqedonase, në një konflikt ndëretnik.

Ndërkohë edhe Kosova është tashmë drejt zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të zhvillohen në datën 11 qershor. Edhe aty duket një situatë e cila ka nevojë për sqarim. Presidenti Nishani ishte sot në Prishtinë dhe e quajti, një akt emancipimi, dhe mendoj se ashtu është, ajo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës një ditë më parë, pasi kriza u zgjidh në mënyrë institucionale në parlament. Besoj se mesazhi ishte i qartë edhe për pjekurinë e munguar të politikës shqiptare në Tiranë në këtë drejtim. Realisht, çfarë po ndodh në Kosovë, sipas jush? Demarkacioni, raporti me Serbinë, Gjykata Speciale…

Çështja e demarkacionit e lidhur, sipas mendimit tim, jo në mënyrë shumë të drejtë me çështjen e liberalizimit të vizave, praktikisht e ka bllokuar këtë proces. Përderisa maxhoranca aktuale nuk arriti ta zhbllokonte këtë proces, kuptohej që kjo do të ishte një kosto. Kështu që do të kemi një mundësi të re për një testim të të gjitha forcave politike, ndoshta edhe për konfigurime të reja, në funksion të bllokimit të kësaj situate dhe natyrisht, sikurse e thatë edhe ju, kur gjithçka ndodh në mënyrë institucionale dhe demokratike është tregues i një pjekurie.

Zonja Mogherini tha sot se Evropa duhet të bëhet më e fortë për shkak se përfshin në një proces të shpejtë Ballkanin Perëndimor, por ndërkohë ngjarjet që ndodhin në disa vende të rajonit, situata jo të qëndrueshme, përfshirë edhe në Tiranën politike, kanë shtuar edhe një here këtë dilemën, edhe intuita juaj jua thotë, që ka forca të tjera që kërkojnë ta destabilizojnë dhe ta orientojnë ndryshe këtë rajon të Evropës. Mendoni që Rusia është një rrezik që duhet marrë parasysh?

Për fat të mirë kemi një situatë të mirë, pozitive, në tërësi, në të gjithë hapësirën europiane, jo thjesht të BE-së, pas zgjedhjes së presidentit të ri në Francë, apo pas zgjedhjeve të fundit në Holandë, pasi pas “Brexit” u rritën shumë shqetësimet për një pyetje gjithnjë e më të madhe të të ardhmes së projektit të Bashkimit Evropian, por për fat të mire, këto kanë marrë një përgjigje pozitive dhe inkurajuese, ndërkohë situate në rajonin tone ende është e paqëndrueshme. Por, nuk mund të themi që është e pashpresë dhe në këtë drejtim ne si Shqipëri dhe si politikanë shqiptarë, duhet të bëjmë gjithçka për të garantuar stabilitetin e Shqipërisë, për të garantuar një proces tërësisht demokratik zgjedhor dhe gjithëpërfshirës dhe jo vetëm për t’i ruajtur, por edhe për t’i rritur kredencialet e Shqipërisë. Kjo është shumë e rëndësishme për rolin e Shqipërisë në rajon dhe për të ardhmen e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më intriguat pak me ngjarjen e Poliçanit, që është një ngjarje e 93-it, apo jo? E gusht 93-it, që kanë qenë protestat e Poliçanit. Atëherë juve ju hoq imuniteti, u hetuat nga Prokuroria atëherë.

Jo ‘93-shit, gusht 1992-in. Sepse në korrik të 1992-it, 6 muaj pas, PD-ja fitoi zgjedhjet. Fitoi PS zgjedhjet lokale dhe kjo ndodhi pak javë pas fitores në zgjedhjet lokale.

Ma kujtuat vetë, por është ashtu siç e thashë në fillim. Jeta, jo vetëm karriera, por jeta juaj nuk ka qenë një fushë me lule si ndonjë politikan tjetër. Ju e keni pasur ndoshta më të vështirë sepse jeni luftuar nga të gjitha anët, nga të gjitha palët, në të gjitha mënyrat, nga 93-i deri në 2012-n dhe ja ku jeni sot, president i Republikës. Unë kam një shprehje angleze që më pëlqen shumë: “çfarë nuk të vret të bën më të fortë”. Po cila është formula e suksesit të Ilir Metës në xhunglën politike dhe sociale të Shqipërisë?

Të kthehesh pas në kujtimet e mia, në momente shumë interesante, meqenëse më përmende xhunglën dhe ngjarjet e Poliçanit, gjithmonë unë s’kam dashur të bëhem as deputet në 92-in, gjithmonë doja të ndiqja studimet universitare jashtë vendit dhe kështu me radhë, por pas ngjarjes së Poliçanit kjo histori mori fund.

Kisha nisur disa përpjekje, disa aplikime në disa universitete, në disa vende me shpresën se diku do kisha mundësi t’i ndiqja këto studime sepse për muaj të tërë unë isha i detyruar të rrija në vend, të ndiqesha nga prokuroria e marrëzira të tilla sikur kisha bërë ndonjë akt kundër njerëzimit, por kisha bërë një gjë të rëndësishme ku kisha nxjerrë nga pengmarrja dy drejtues policie të pafajshëm, për shkak të irritimit të popullit me qeverinë e asaj kohe me doktorin, me policinë, me forcat speciale e kështu me radhë. Edhe kjo u ndërpre.

Isha me këto dilemat atëherë, që prapë doja të ikja jashtë, por isha këtu dhe prapë s’dija çfarë të bëja dhe një ditë takova Spiro Deden, një nga drejtuesit e PS kur unë aderova në FRESSH. Kemi qenë një natë përpara Kafe Europës, bënim shëtitje atje. Po i thoja që dua të iki. Më thotë z. Spiro, “do të bëj një pyetje: Ti çfarë do të bëhesh? Do të bëhesh politikan apo do të bëhesh pedagog?” I thashë të bëj këtë shkollën, të bëhem edhe pedagog, edhe politikën po, por këtë kam si prioritet.

Atë e kisha prioritet vërtetë. Më thotë: “Dakord, bëj si të duash, por një gjë: po ike jashtë, do të humbasësh mundësinë që të mësosh këtu ato gjëra që kurrë nuk ke për t’i mësuar jashtë në politikë, sepse do të jenë vite të vështira dhe është një eksperiencë që nuk e fiton dot në një periudhë normale, të qetë, etj”. Gjithmonë, e gjithë kjo histori më rikujtohet vazhdimisht porosia e z. Spiro Dede dhe mendoj që ka qenë një porosi e drejtë për sa i takon angazhimit në politikë dhe ka qenë politikë shumë e vështirë, shumë e pashpirt, shumë mizore, shumë e pabesë.

Por nëse unë jam këtu ku jam mendoj që kjo është si rezultat i asaj që unë jam përpjekur të kem gjithmonë qëllime të mira, pavarësisht nga gabimet që mund të kem bërë dhe së dyti, nuk mund të thotë askush në Shqipëri që unë mund ta kem gënjyer për diçka, mund të mos e kem mbajtur fjalën si rasti i kësaj që thatë ju. Më nxorët këtu për çështjen e Presidentit, por besoj që të gjithë e kuptojnë dhe e mirëkuptojnë këtë situatë dhe këto rrethana.

Gjithmonë kam qenë mirënjohës dhe kam parë përpara. Po nuk pe përpara në politikë do të mbetesh peng i të kaluarës, i inateve, i hakmarrjeve, i sherreve dhe mua shpesh më vjen keq kur shohim që ka shumë politikanë që u jepen mundësitë, që kanë më shumë përgjegjësi dhe prapë nuk arrijnë të ngrihen në atë nivelin e përgjegjësive, por shkëputen nga realiteti, shkëputen nga njerëzit dhe të qenurit me këmbë në tokë për mua ka qenë gjithmonë një arritje, ka qenë një sukses për të qëndruar fort në këtë politikë me dallgë të forta.

Shpresoj të jeni me këmbë në tokë edhe si kryetar shteti dhe uroj të jeni presidenti më i mirë i shqiptarëve në ditë të mira dhe në ditë të këqija.

Unë do të përpiqem ta bëj këtë detyrë me përgjegjësi maksimale, por të jeni të sigurt që unë do të bëj çdo gjë që të jem çdo ditë me këmbë në tokë, por në çdo rast jam i bindur se edhe nëse mund të ketë ndonjë shkëputje, do më ndihmoni ju, opinioni publik që të zbres me këmbë në tokë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.