KULTURË

Një kandil në arkiva dhe rreziku i humbjes së memories kolektive

09:30 - 13.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Buxheti i Arkivit të Shtetit Shqiptar për një vit, është veçse 5 milionë lekë. Një “kothere” që mezi e mban shpirtin gjallë. Kjo lëmoshë, diku më shumë e diku më pak, për Ballkanin është pothuajse e njëjta. Tranzicioni i tej zgjatur në gadishull prek me hijen e vet, më së shumti, institucionet e shkencës e kujtesës- për shumëçka tjetër, në prag fushate, a pas saj, fondet gjenden. E kujt i dhemb, a kush të voton, nëse investon në arkiva- pyet ndokush.
“Problematika ekziston masivisht mbi standardet ndërkombëtare bashkëkohore. Standardet e ruajtjes nuk kanë ndryshuar ndërsa të përpunimit janë dinamike. Ka kosto ky përpunim, futja e teknologjisë e arkivi digjital. Kostoja nuk përballohet, në vit ne kemi 5 milionë lekë buxhet”, thotë drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido. Për të, ruajtja kërkon buxhet nga shteti e thithjen e fondeve të huaja, por për vend ruajtjen nuk gjen donacione. “Megjithatë, mund të bësh gjëra të vogla. Në këto 8 muaj janë thithur aq fonde, sa është buxheti i investimeve nga shteti. I pari, është vullneti – të bëjmë ç’mundemi me aq sa kemi”.
Deklaratat e tij u bënë dje për “GSH” ndërsa në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar mbahej Konferenca e Parë Mbarëkombëtare e Arkivistikës organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, “Arkivat dhe Puna Arkivore në Trevat e shqiptarëve në shek XX- XXI”. Me ç’rast u bë me dije se arkivat e Shqipërisë dhe Kosovës po shkojnë drejt unifikimit të procedurave arkivore, themelimit të revistës së përbashkët dhe krijimit të Shoqatës Mbarëkombëtare të Arkivistëve Shqiptarë. “Konferenca është një përmasë e munguar e DPA-së”, thotë Bido, duke shënuar se “janë të pranishëm kumtues nga të gjitha trevat shqiptare, sepse një nga ndër elementët më identifikues të dokumentit, është gjuha. Përtej faktit që Arkivat e Kosovës nisin prej 1945-ës, dokumentet mbi trevat shqiptare të para kësaj kohe gjenden në Shqipëri”.
PROBLEMATIKA
Në këto kumtesa u trajtuan problematika akute. “Si në Shqipëri, Kosovë dhe në rajon për shkak të destabilizmit të madh në këto 27 vjetët e fundit, rrezikohet humbja e memories sonë kolektive”, thekson Ardit Bido. Ai thotë se me gjasë, gjen më shumë dokumente mbi vitet 1930, sesa mbi vitet 1990 e 2000. “Është fakt që ka ministri në vendin tonë që kanë pa dorëzuar dokumente që nga viti 1991, kur duhet të dorëzojnë vitet e mëvonshme. Përtej elementit të neglizhencës ka edhe pamundësi objektive. Kemi bërë propozime për akte nënligjore për VKM të caktuara, sepse ka ngërçe në kuadrin ligjor”, vëren drejtori i DPA-së.
Ai shton se nga kumtesat del që duhet punuar me sistemin që te jemi të sigurt që dokumentet administrative të 1990-ës e këtej, ose të paktën të tanishmet e tutje, të dorëzohen në kohë, të sakta, të plota e të përpunuara në arkiv, në mënyrë që të jenë brumi për arkivin shqiptar.
“Në shumë pak kohë, mbase në dy muaj, do të kemi një sistem online, një katalog online ku porosia e dosjes do bëhet online dhe studiuesi e gjen gati. Siç u bë kjo konferencë, disa ekspozita, e siç janë marrë disa akte të tjera, do bëhen të tjera- ka disa punë që janë çështje vullneti dhe ne po bëjmë ato së pari, që mandej të sigurojmë fonde për të bërë ato që duan shumë para”. Në konferencën e djeshme u referua mbi “Koleksionet muzeore në Muzeun Historik Kombëtar dhe roli i tyre në rrëfimin e historisë”, “Lef Nosi si mbledhës i folklorit në arkivin e IAKSA-s”, “Problematika të përpunimit tekniko-shkencor të dokumenteve në gjuhën greke në AQSh”, “Sfidat e përpunimit të dokumentacionit në rrjetin arkivor kombëtar”, “Arkivat dhe të drejtat civile: nga instrumentum regni në mjet “pajtimi social”. Funksioni aktiv i arkivistëve në transmetimin e kujtesës”, “Biblioteka popullore dhe universitare e Kosovës nën administrimin serb 1990-1999 dhe dëmtimi i koleksioneve bibliotekare”, “Lënda arkivore përmes mjeteve të kërkimit: përgatitja e instrumenta studiorum si formë evidentimi, shërbimi dhe përmbushjeje e detyrimeve ligjore të arkivave. Rasti i Arkivit Qendror Shtetëror” etj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.