MILOSAO

ESSE/ Niçja dhe Zarathustra e tij në kontekstin shqiptar dhe bashkëkohor

08:30 - 15.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga Lluka Qafoku




Lexuesi shqiptar e ka njohur Niçen në shqip vetëm pas 1990, dhe kjo edhe sepse Noli, që e nisi përkthimin e tij, as e vazhdoi e as e propagandoi, për arsye të rëndësishme, por të përkohshme; dmth të kohës së vet.
Më poshtë, një shënim i shkurtër biografik.
Friedrich Wilhelm Nietzsche lindi në Rocken, në Saksoninë Prusiane, në 15 tetor 1844, në një familje fetarësh regulltarë protestantë. Mbeti shpejt pa baba, që në moshën 5 vjeç. U arsimua që herët në mënyrë solide në filologjinë klasike në Universitetin e Leipzig. Që 22 vjeç zbulon dhe njeh thellë Schopenhauer-in, pak më vonë njihet dhe miqësohet  me Richard Wagner-in.Duke thyer rekordet e moshës, drejton që shumë herët katedrën e filologjisë klasike në Universitetin e Bazelit.Miqësohet këtu me Jacob Burkhardt dhe Franz Overbeck, miqësi që do të vijojnë tërë jetën. Në 1872 publikon “Lindjen e tragjedisë”, veprën e tij të parë madhore, që provokon polemika të ashpra Më tej kryen botime të tjera, por gjendja e tij shëndetësore degradon dhe i duhet të braktisë leksionet.. Në këtë kohë zbulon Stendalin dhe takon për here të parë mikun e tij të ngushtë të ardhshëm Paul Rée. Në 1878 boton “Njerëzor, tepër njerëzor” dhe ndahet nga Wagner-i. Në 1879 ndërpret përfundimisht punën si profesor për arsye shëndetësore. Në 1881 pushon në Zvicër, në Sils- Maria, dhe në Xhenova. Zbulon Bizet. Boton “Agimin” (“Aurorën”). Në 1882 shkruan “Dituria gazmore”, takon Lou Andreas Salomé. Në 1883-1884 boton “Kështu foli Zarathustra”, pjesët I, II, dhe III.Motra e tij, Elizabeth, martohet me Bernhard Förster, ky një politikan i shquar antisemit. Në 1885 udhëton në Nisë, Xhenova, Torino dhe Romë. Boton pjesën IV të “Kështu foli Zarathustra”.Në vitet 1886, 1887, 1888 boton me radhë “Përtej të mirës e të keqes”, “Gjenealogjia e moralit”, “Rasti Wagner”, ripunon “Muzgu i idhujve”, “Antikrishti” “Ecce homo” dhe “Niçe kundër Vagner”.Në janar 1889 humbet arsyen pas një krize nervore në Torino dhe bën një jetë vegjetative pranë nënës dhe pas vdekjes së saj, pranë motrës së tij në Weimar, ku edhe vdes në 1900.Momentet më traumatike të jetës me ndikim mbrujtës në personalitetin e tij: mbetja jetim që 5 vjeç nga i jati dhe refuzimi tre herë i propozimit për martesë nga intelektualja shumëplanëshe e shquar fisnike gjermano-ruse Lou Andreas Salomé, e cila madje martohet me mikun e tij të ngushtë Paul Rées.
Nga biografia del se ai jetoi kohën e stuhishme të krijimit të shteteve kombe të Gjermanisë dhe Italisë me tendenca tradicionale perandorake, pasi revolucionet europiane të lindura nga Franca u qetësuan gradualisht pas dështimit napoleonik për të rilindur ëndrrën e Karlit të Madh për një Evropë të bashkuar moderne dhe përparimit teknologjik-industrial.,. Në personalitetin e tij filozofik,  Filozofia Klasike Racionale gjermane demaskohet moralisht dhe sakrifikohet për ruajtjen e Frymës së Besës tek e vërteta edhe përtej arsyes, sikurse u sakrifikua Mbretëria hijerëndë fisnike e ushtarake prusiane, e krijuar nga një mbret i lavdishëm, nga një Friedrich tjetër, për lindjen e Reich-ut të dytë
.
U bënë shkas dy nga poetët profetë të rikrijimit të shoqërisë kombëtare shqiptare, Theofan Stilian Noli dhe Millosh Gjergj Nikolla, që shtynë Shqipërinë përtej orientit dhe orientales me frymën e tyre shëruese,që prezantuan shqiptarët edhe me Niçen. Dhe pikërisht ata, që me gjysëm pavetëdije i dhanë edhe licensën ndërhyrjes komuniste në shoqërinë shqiptare!!! Se pikërisht ata kërkonin një ilaç tepër të forte për gjëndjen në dukje të pashpresë të psikologjisë shoqërore postotomane shqiptare
Dhe, siç për fat të keq rëndë e përjetuam, ideologjia komuniste e dogmatizimit  të shkencës a-teiste dhe a-morale (kupto parashtesën  a- si në a-morale, pra jokundërvënëse, po indiferentizuese)-Je n’aie pas besoin de cette hypothese-Laplace a Napoleon pour Dieu)), me propagandën e vet sugjestive e pati të lehtë hyrjen në tabula rasa-n e popullates masivisht deri analfabete.(edhe si pasojë e monopolizimit të arsim-kulturës nga pushtuesit e huaj). Dogmatizimi e bën shkencën, që është relative në esencë, mashtrim të pastër propagandistik jashtëzakonisht virulent, se  interpretimit banal të realitetit i vesh autoritetin e të vërtetës absolute (p.sh. gazeta Pravda etj., etj.,)
Dhe të dy profetët poetë të sipërpërmendur, me kulturë fetare regulltare,  ishin të dy “të ndohtur”, “të infektuar” nga Niçja, me një infektim ama të ngjashëm me papastërtinë aksidentale në kulturën e stafilo-ko-këve të nobelistit. Fleming, gabim dhe papastërti kjo që zbuloi pe-nici-linën, atin e antibiotikëve. E tillë është për komunizmin ideologjia niçeane, ajo që niset nga absolutizimi i një morali të të jetuarit të jetës me pasion për ti gjetur kuptim dhe finesë estetike maksimale, i një morali në kundërthënie të drejpërdrejtë me moralin e “gjykimit të shëndoshë” hipokrit, atë të sensit komun, ku kishte katandisur morali popullor kristian dhe  kisha “popullore”, po ku domosdoshmërisht do të katandiste edhe imoraliteti shoqërisht i strukturuar i dogmës komuniste, shpejt i përgënjeshtruar nga vetë zhvillimi shkencor, dogmatizimin e të cilit ai përdori për kapjen e pushtetit.. Ja shpresa migjeniane për moralin niçean, që lind në dialog të fuqishëm të antitezës krijuese/sfiduese me Autoritetin me pretendim Absolut të moralit të krishterë (më poshtë, citim nga “Trajtat e Mbinjeriut”, tek “Vargjet e Lira”):

Por…po!po! por diç po due me thanun.
ndoshta ka me ardhun…
ndoshta ka me zbardhun…
një agim i pritun, dit’ e parathanun.

N’ardhmëni të trashgueme Mbinjeriu vrehet,
ndërgjegje pa dyshime,
ndërgjegje pa trillime,
me një grusht granite që kurr nuk do të thehet.

Një sfinks i madhnueshëm Mbinjeriu i ardhshëm
pa zemër, pa ndjenja,
syt e tij rrufena-
qarkullojnë rreth rruzllit dhe nëpër sfera të hapshë (tue synue vranshëm)
Në shtojcën 10 jepet një pjesë e studimit të kësaj poezie nga filologu dhe dijetari ynë i shquar Kristaq Jorgo, i cili hyn thellë në semantikën dhe stilistikën migjeniane.Unë theksoj se vepra kryesore e Migjenit, “Vargjet e lira”, është një përjetim i asimiluar shqiptar, si në strukturim, ashtu dhe në tematikë, i herozmit mendor niçean për një transformim rrënjësor të shoqërisë shqiptare duke u nisur nga elita kulturore. Se Niçja si shqiptari që beson besën dhe ka token/kufirin të shenjtë, beson besimin dhe ja përkushton këtë Tokës për ta përgatitur për Mbinjeriun.Po ashtu Noli shkon deri tek Omar Khajami në kërkim të shpirtit të lashtë shqiptar, sikurse Niçja tek Zarathustra antik persian e dualist, në kërkim të shpirtit të lashtë evropian
Noli e kishte “Zarathustrën” e Niçes,  në programin e përkthimeve të tij lartësisht emancipuese për shqiptarinë, deri komb dhe gjuhëformuese, ashtu si Hamletin etj., Armikun e Popullit, Don Kishotin. Ai e filloi këtë përkthim, por ndoshta u step nga abuzimi me Niçen nga e motra, Elizabeth Forster- Nietzsche me botimin postum të veprës “Vullneti për Pushtet”, e cila kontribuoi në paranojën naziste, duke e frymëzuar atë.
Sidoqoftë, të dy ata vetë, dmth Noli dhe Migjeni, “shpëtuan shpirtërisht”nga komunizmi edhe me antidotin niçean, në bazë të moralit të të cilit është edhe puna vetmohuese dhe zbulimi teknologjik (cf Parathënia e Zarathustrës), virtute këto tipike niçeane, por edhe amerikane, që mbrujtën Nolin dhe punën e tij përfundimtare rilindëse, si dhe tejkalimi i vetvetes, kaq i pranishëm në krijimtarinë dhe jetën e Migjenit . Ja si e cilëson ai Niçen: “Niçja asht prej filozofëve ma në za të kohës qi shkoi, por edhe të kohës qi vjen, ky asht mendimi im” (shtojca 12)
Niçja me gjithë veprën e tij, dhe veçanërisht me Zarathustrën, dëshmon për rezistencën titanike për të mos hequr dorë nga parimi i pare i filozofisë, pra nga Gnothi seafton(njih veten) edhe duke sakrifuar shumë nga i dyti (Pan metron ariston- gjithçka me masë). Vepra e tij dëshmon për vullnetin e pakufishëm për të kuptuar e për ti dhënë kuptim jetës, egzistencës, në altarin  e së cilës ai sakrifikoi gjithë Arsyen e tij të paepur. Vullneti për pushtet,(në vend të vullnetit për të vërtetën, që ka kristianizmi dhe shkenca) që ai, ose më mire e motra e tij, gjen,  ishte gjetur përpara nga Shopenhaueri e Darvini , dhe ai nuk përbën të renë përtejnjerëzore, të cilës ai i përkushtoi si rrallëkush jetën dhe që rrezaton fuqishëm e gjithë vepra e tij. Ketu qëndron arsyeja e ndikimit të tij gjigand në të gjithë intelektualët e shquar evropianë pasues e deri në kohën tone, kur mbetet prapë tepër aktual (shih shtojcat….). Ndaj tij edhe korifejtë e mendimit matematiko shkencor, ashtu dhe atij teologjik, Bertrand Russell dhe Hans Küng nuk mund të mbeten indiferentë (shih shtojcat 8,11…). Niçja mbetet  në luftën për kuptim e vlerë etike të egzistencës, kundër kultit të pakuptueshmërisë të mistereve të fesë dhe pakuptimësisë anihiluese të çdo vlere njerëzore të rastësisë, kotësisë statistiko-matematike të shkencës,(gjë që çekuilibron edhe më të ekuilibruarin Russell(!?)) në mbrojtje të flaktë dhe realizim të pashoq të Parimit të pare të filozofisë (shih Freud-i për Nietzsche-n në shtojcë 5,8 dhe Njerëzor, tepër njerëzor në shtojcën 4).Niçja gjithashtu nuk beson në të vërtetën shkencore, ligjet e realitetit ai i sheh si gabime të bëra zakon, gjë që paradoksalisht po tregohet edhe nga interpretime të zhvillimeve të mëvonshme dhe të tashme të mendimit shkencor, (psh mekanikës kuantike…)
Edhe unë, duke ndjekur gjurmët e profesorit tim të pavdekshëm, Petro Zhejit, i cili e përfundoi edhe punën e Nolit për Don Kishotin, u mundova ta përfundoj projektin e tij për prozat poetike të Zarathustrës dhe të  tregimeve të E. A. Poe-s, duke u munduar të ruaj në maksimum stilin nolian  përkthyes, dmth stilin kthjellues, frymezues dhe të flaktë Kjo me bindjen edhe se Fjala e kësaj vepre ka shërbyer e  do të shërbejë si antidot për toksinat recidiviste të komunizmit xhonturk akoma gjallues në ndërgjegjen kombëtare shqiptare.
Mendoj se shoqëria shqiptare është në kërkim të besimit për një moral të ri të shëndetshëm dhe bindës, frymëzimin për të cilin kjo kryevepër e mendimit heroik e ofron me bujari, me një vlerë aktualiteti gjithmonë të shtuar, si verë fisnike e mendimit vetëdijesues, që është.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.