MILOSAO

Në kujtim të Dhimitër Paskos (1907-1967)

08:18 - 15.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Shpëtim ÇUÇKA

Kujtimi i figurave të spikatura dhe të mira të kulturës sonë i ngjan tingëllimit të një kambane për ditë të kremte: ky kujtim-tingëllim i fton anëtarët e shoqërisë të kremtojnë ngjarjen e shënuar. Që një kremtim të kryhet, njerëzit duhet të jenë të dëlirur, të pastruar, të jenë ata vetë sa më të mirë. Dhe që një kremtim të kryhet, duhet që njerëzit të mblidhen, të grumbullohen, të bëhen bashkë në një vend. Nuk janë të shumtë, besoj, ata që e dinë se fjala “kishë” (dikur në disa zona të vendit thuhej “klishë”) vjen nga fjala e lashtë greke “ekklesía”, që do të thotë pikërisht “grumbullim”, “mbledhje”, “kuvend”.
Përse i fton në kremtim lexuesit tingëllimi i pastër dhe i bukur i veprës letrare të Dhimitër Paskos? I gjithë kumti i krijimtarisë së tij si shkrimtar (nën emrin e artit Mitrush Kuteli) mund të përmblidhet në disa mesazhe themelore: 1) Historia e vendit është në thelb histori e bërë nga vegjëlia. Se deri në çfarë mase paritë tona të epokave të ndryshme e kanë mbështetur politikën e tyre në shpresat, dëshirat dhe botëkuptimin popullor, kjo është çështje tjetër. Por fakti që historia shqiptare ka pasur jo thjesht disa faqe por edhe kapituj të tërë të hidhur, dëshmon se paritë janë udhëhequr nga interesat e tyre, të veçuara nga interesat e popullit punonjës e të atdheut dhe të kundërta me to. 2) Nga gjiri i vegjëlisë dalin njerëz, që spikatin për guxim, ndershmëri dhe atdhedashuri, njerëz që janë për t’u admiruar dhe që e vlejnë të vihen në qendër të botës së artit. 3) Për të përjetësuar thelbin e historisë së vendit, të historisë së vegjëlisë, botën e trimave atdhedashës, ka vetëm një mënyrë dhe kjo është fjala e bukur shqipe, ligjërimi i bukur në gjuhën e popullit.
Ky mendim i Dh. Paskos për botën shqiptare si botë e vegjëlisë dhe për historinë e vendit si histori pune e atdhedashurie është në përputhje dhe vijimësi të plotë me mendimin e rilindësve tanë. është porosia shpirtërore dhe kulturore më e madhe, më e çmuar, që vepra e tij merr në trashëgim nga etërit e brezit të tij dhe e përcjell me adhurim te ne bijtë e nipërit e tij.
Nëse duam një shembull, mjafton të sjellim në mendje a të marrim e të rilexojmë vetëm një krijim të Dh. Paskos: shkrimin mbi Asdrenin. Asdreni për Dh. Paskon është modeli më i mirë i shqiptarit: i pastër, i ndershëm, i thjeshtë. Dhe atdhedashës deri në vetëmohim. Ose, që ta shprehim me fjalët e Dh. Paskos, Asdreni është “…poet i madh i atdhedashurisë, …poet i mallit shqiptar, …poeti rustik i jetës shqiptare, të cilën e njeh dhe e dashuron thellësisht…ky kalorës i virtyteve të kombit, …zot i kaq veprimeve të ndritura, …Flamurtari i patrembur i ideologjisë shqiptare, …këngëtar i palodhur i tingullit të shqipes”.
Porosinë e tij të madhe Dh. Paskoja na e përcjell jo vetëm drejtpërdrejt, por edhe tërthorazi: domethënë, jo vetëm kur lartëson virtytet e shqiptarëve, por edhe kur merr e fshikullon veset e bashkatdhetarëve dhe plagët e shoqërisë. Vetëm se qesëndia dhe sarkazma e tij nuk burojnë nga kënaqësia, por nga një dhembje e thellë, një dhembje e mbrujtur me mëri. Nuk i do Dh. Paskoja, nuk i gëlltit dot bartësit dhe përhapësit e së keqes në botën shqiptare!
Ja, kështu kumbon e fton për kremtim kambana e veprës origjinale të Dh. Paskos: herë ëmbël, përmallshëm e magjepsurazi, herë thekshëm, mprehtë, me fshikullim. Le ta mbajmë vesh një pjesë-fshikullim të tillë (nga shkrimi me rastin e vdekjes së A. Çajupit): “Pluhuri i harrimit, i cili pat prekur të veneruarin plak edhe në gjallëri, po vazhdon të shtrojë fashat e tij të shëmtuara përmbi veprën e Çajupit. Kjo pasqyron më të tmerrshmin bosh shpirtëror që ka pllakosur Shqipërinë e sotme të lirë. Ne nuk kemi kultin e Kombit, i cili manifestohet me mirënjohjen për ata që kanë punuar në një kohë të hapin vraga drite nëpër errësirën që zotëron një herë…Ne…do të përpiqemi të shkundim pak nga pluhuri i harrimit të padrejtë që endet në këtë periudhë depresioni shpirtëror”.
Në vitin e përvjetorit të njëqindedhjetë të lindjes dhe të pesëdhjetë të ndarjes nga jeta të Dh. Paskos një vëmendje të veçantë meriton pa dyshim veprimtaria e tij përkthimore prej mjeshtri. Kanë gabuar – për të mos thënë “mëkatuar” – të gjithë ata që e kanë parë me nënvlerësim prurjen e madhe në kulturën tonë (letrare dhe gjuhësore) të përkthyesit Dh. Pasko. Në kohën tonë me një bosh shpirtëror e kulturor edhe më të tmerrshëm se ai i viteve të rinisë dhe burrërisë së Dh. Paskos ka shumë mundësi që emrat e A.S. Pushkinit, N.V. Gogolit, I.S. Turgenjevit, A. M. Gorkit, M.A. Shollohovit, A.N. Tolstoit, N.A. Ostrovskit dhe një vargu autorësh të tjerë të përkthyer prej tij nuk i thonë pothuaj asgjë një brezi të tërë shqiptarësh. Por kultura jonë e shkrimit artistik, e shkrimit të gjuhës në përgjithësi, është e papërfytyrueshme pa përkthimet. Madje kjo është e vërtetë deri në atë pikë, sa mund të thuhet pa mëdyshje që mbrujtja dhe zhvillimi i gjuhës letrare shqipe, i kësaj pasurie të jashtëzakonshme të kulturës sonë, i këtij kushti të përparimit të vetë vendit, kanë në themele veprimtarinë përkthimore të sa e sa përkthyesve.


Në këtë histori të përkthimit tonë Dh. Paskoja zë një vend të veçantë nderi. Përkthimet tona më të mira tingëllojnë shqip, domethënë u përgjigjen normave e mekanizmave më të thellë të gjuhës shqipe. Të tilla janë edhe përkthimet e Dh. Paskos. Përkthimet tona më të mira ngjallin te lexuesi dashuri për shqipen letrare dhe krenari për aftësitë shprehëse dhe vetitë estetike të saj. Të tilla janë përkthimet e Dh. Paskos. Përkthimet tona më të mira kanë shërbyer si shkollë e madhe gjuhësore, estetike dhe kulturore për breza të tërë shqiptarësh. Të tilla kanë qenë edhe përkthimet e Dh. Paskos. Shumëkush, madje, ka arritur deri atje sa të pëlqejë më shumë Dh. Paskon përkthyes se Dh. Paskon shkrimtar. Dhe jo pa arsye. Ia vlen të jepet të paktën një shembull (nga trilogjia “Rruga e mundimeve” e A.N. Tolstoit, v.1, viti i botimit – të vihet re! – 1957):
“Si çdo qytet i madh, Peterburgu bënte një jetë më vete, të tendosur dhe të trullosur. Këtë lëvizje e drejtonte një forcë qëndrore, por nuk çkrihej me atë që mundim ta quajmë shpirt të qytetit: fuqia qëndrore përpiqej të siguronte rregullin dhe qetësinë, duke bërë çmos për këtë qëllim, kurse shpirti i qytetit përpiqej ta shkatërronte këtë forcë. Fryma e rënimit rrihte kudo; ajo i lagte me helm vdekjeprurës edhe spekulimet madhështore të bursës, që bënte i famëshmi Sashka Sakelman, edhe urrejtjen e zymtë të punëtorit të fonderisë së çelikut, edhe ëndrat e çmendura të poeteshës së modës, që rrinte në orën pesë të mëngjesit në bodrumin e aristokratëve ‘Zilkat e kuqe’, – dhe bile ata që duhej të lëftonin këtë shkatërrim bënin çmos, pa e kuptuar as vetë, që ta shtonin dhe shumonin. Ishte koha kur dashuria, ndjenjat e mira dhe të shëndosha dukeshin si vulgare dhe të demoduara. Askush nuk dashuronte, por të gjithë kishin etje për dëfrim dhe, si ca të helmatisur, pinin çdo gjë që digjte dhe përvëlonte. Vajzat e reja fshihnin pafajsinë e tyre, bashkëshortët fshihnin besnikërinë e tyre ndaj grave të tyre. Shpirti i shkatërrimit ish një shenjë gustoje të mirë, neurastenia ish një shenjë finese. Në këtë drejtim jepnin mësime shkrimtarët e modës, që aviteshin nga mosgjëja dhe jetonin vetëm një stinë. Njerëzit trillonin vese dhe perversione që nuk i kishin – vetëm e vetëm që të mos thuhej se ishin njerëz pa lezet. I tillë ish Peterburgu më 1914. I telekosur nga netët pa gjumë, duke mbytur ankthin në verë, në ar, në dashuri pa dashuri dhe në tingujt histerikë dhe impotentë të tangos – hymnit të paravdekjes – qyteti jetonte sikur priste ditën fatale dhe të tmerrëshme. Shenjat paralajmëronjëse nuk mungonin: diçka e re dhe e pakuptueshme vërshonte nga të gjitha të çarat.”
Që një shkrimtar të ketë vlera shoqërore, ai duhet ta dojë shoqërinë, ashtu si e donte Dh. Paskoja, dhe të përpiqet të na e bëjë botën shqiptare – që ai shkrimtar rindërton artistikisht e ku ne kemi jetuar a jetojmë – gjithsesi të dashur, sado e hidhur ajo qoftë, gjithsesi të dhembshur, sado e dhembshme ajo qoftë. Sot – këtë duhet ta pranojmë dhe ta pohojmë hapur – të tillë shkrimtarë nu-u-u-uk ke-e-e-emi më.
Që një përkthyes t’u flasë lexuesve, ai duhet ta dojë e ta shkruajë shqipen të pastër e të bukur, ashtu si e donte dhe e shkruante përkthyesi Dh. Pasko, të dojë e të shkruajë një shqipe me dinjitet, siç ishte shqipja e Dh. Paskos. Sot – për fat shumë të keq dhe për faj të përkthyesve e botuesve, por edhe të institucioneve shtetërore – të pakta janë ato përkthime, ku shqipja rrezaton mençuri, dëlirësi, bukuri dhe dinjitet.
Që një veprimtar i kulturës letraro-artistike, i kulturës dhe i dijes në tërësi, të jetë i dobishëm për shoqërinë, ai duhet të synojë të jetë mik i së vërtetës, krijues i drejtë dhe i çiltër, ashtu siç ishte Dh. Pasko. Sot në kulturën tonë letraro-artistike, në kulturën tonë në përgjithësi, në vetë jetën tonë shoqërore, të tillë njerëz për fat të keq ka aq pak.
Ndërkaq Dh. Paskoja është aq i palexuar, pothuaj aq i panjohur, sa të vjen turp, turp për ne. Dhe melodia e fjalës së tij, kumbimi i kujtimit të tij nuk vjen deri te veshët e shqiptarëve, nuk jehon në zemrat e tyre.
*Përkthyes dhe publicist
9 maj 2017


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.