KULTURË

Qamil Grezda, pikturat mbi thasë, karton e çarçafë se nuk i jepnin kanavacë

09:50 - 17.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 
Fatmira NIKOLLI




Piktori Qamil Grezda, apo siç e quajnë bukur disa miq të tij Baca Qumil, e cila ka një tingull të thellë krahinor verior, së bashku me grupin e nxënësve dhe pedagogëve të Shkollës së Vizatimit përbëjnë grupin e piktorëve që hodhën bazat e artit laik. Kjo shkollë dhe studentët e saj u shkëputën përfundimisht nga piktura e porositur e besimit kristian”.
2017-ta shënon 100-vjetorin e lindjes së Qamil Grezdës. Një libër ku përfshihen ditarë, vepra e kujtime është dërguar në shtypshkronjë. I biri, Ermal Grezda kujton se i ati pati ardhur nga Gjakova në Shqipëri për shkak të represionit serb.
“Familja e tij, gjyshi erdhi me Isa Boletinin te Toptanët më 1920. Familja Grezda ishte një nga ato familje që e mbështeste financiarisht lëvizjen shqiptare. Kanë qëndruar në shtëpinë e Toptanasve, që i ka pritur si patriotë duke qenë se Murat Toptani ka qenë një nga firmëtarët e Pavarësisë”. Ermiri, kujton se Isa Boletini i dha babës një letër për në Shkodër në konviktin “Malet tona”. Pasi mbaroi Shkollën e Mesme, u vendos më pas në Tiranë. “Atë kohë, Odise Paskali e Andurrahim Buza hapën Shkollën e Vizatimit. U njoh aty me Lasgushin, Paskalin, Buzën, Sterjo Spassen e Musta Krantjen, me të cilët u bë miq. Me Lasgushin, miqësia vazhdoi gjatë, pasi im atë shkonte në Pogradec e pikturonte në muajt e verës. Rrinin e bisedonin”.
Pas kësaj, Qamil Grezda do të shkonte në Romë, në një ndër akademitë më të mira të pikturës atje. I biri, flet sot, për situatën e vështirë ekonomike të të atit student.
“Jemi në kohën e Duçes. Ishte me Hasan Reçin e Bukurosh Sejdinin. Jetonin në një dhomë, ndanin bukën bashkë. Kishin vetëm 150 gramë ushqim në ditë, duke qenë se ishte luftë e krizë. Kujtojmë se duhej të blinin edhe materialet me të cilat pikturonin. Nisën kështu të punonin duke bërë reklama për kinematë, zmadhonin fotografitë e aktorëve për posterat, bënin edhe kamerierin”.


GJAKOVA, PENGU I MADH
Me gjithë kohët e kaluara në Shkodër, Tiranë, Romë e Firence, e mandej gjithë jetën në Tiranë, ku edhe u shua, pengu i madh i Qamil Grezdës do të mbetej Gjakova.
“Im atë për tërë jetën e pati brengë Gjakovën. Nuk arriti ta shihte kurrë së gjalli. As qytetin, as të motrën, që mbeti atje se ish e martuar”. “Madje, as u përpoq të shkonte ndonjëherë, – përgjigjet i biri, – edhe pse kishte shumë dëshirë. Regjimi nuk e donte. Me ardhjen e kuadrove që patën studiuar në vendet e Bashkimit Sovjetik, babanë e mënjanuan më shumë. Babanë e ata që si ai, qenë shkolluar në shkollat borgjeze. U zëvendësuan në kuadrot e ardhur nga Lindja”.
“Grupi i parë i vizatimeve na informon për periudhën e shkollave të Romës dhe Firences, ndërsa grupi i dytë na jep pamjet e vizatimeve dhe pastelave të realizuara gjatë një periudhe të gjatë kohe e që përfshin të gjithë jetën e tij krijuese pas viteve akademike. Vizatimet akademike janë skica, portrete dhe nudo”.


PIKTORI PA KANAVACË
Mënjanimi, shkonte deri te mungesa e mjeteve të punës. I mungonte kanavaca, i mungonin bojërat. Atëkohë, ishte një dyqan i vetëm në tërë Shqipërinë që i kishte. “Por duhej të ishe në listën e Ministrisë që t’i merrje ato. Duke mos qenë pjesë e listave të ministrisë, ai punonte me çfarë t’i dilte. Në kompensatë e karton”, – thotë Ermir Grezda.
Nga 900 vepra që ka lënë në total Qamil Grezda, një numër i madh që i kalon të 40-tat, janë të hedhura mbi copat e sajuara.
“Portrete, autoportrete, Isa Boletini, Bajram Curri, portret vajze romane, janë hedhur mbi çfarë i ka dalë para”, – thotë i biri.
“Kanavaca nuk ekzistonte, babai përdorte bezet që nëna merrte nga dyqanet për çarçafë. Shoku i tij Foto Stamo nuk e përkrahte. U bë sekretar i Lidhjes, por nuk iu gjend.”
Nga albumi gati për botim shohim “Lëmi i parë i shtetit”, 1957, nga bezja e Kombinatit Stalin. “Durrësi” i 1960-ës, vizituar në thes orizi a gruri. Po në thes, ka vizatuar motrën e tij të mbetur në Gjakovë, më 1945.
Janë edhe një tufë prej 60 vizatimesh që ruhen nga koha e Romës e Firences, portrete shoqesh e mikeshash.
“Në vitet 1950-’60, babai ka qenë drejtor i Muzeut Historik, ku qëndroi 4 vjet, dhe 3 vjet piktor skenograf në Teatrin Kombëtar, ku punoi për ‘Borgjezin fisnik’.”

DITARI
Një ditar me shkrim dore është pjesë e botimit. Qamil Grezda ka mbajtur ditar nga viti 1940 deri më 1992. “Jeta dhe krijimtaria e piktorit të traditës Qamil Grezda”, titullohet botimi që del me rastin e 100-vjetorit.
“Rrëfej aty ndodhi të ndryshme”, – thotë i biri, që kujtohet të vërejë se Qamil Grezda, disa prej copëzave të ditarit i ka lënë të incizuara.
“Në kohën kur ishte drejtor i Muzeut të Luftës, realizoi 8-9 vepra për luftën e ndërtimit të vendit. Në këtë periudhë, Nexhmedin Zajmi i thotë ‘unë e di kush t’i ka prishur disa punime’. Dhe im atë e ka pasqyruar. Më ’91 Zajmi erdhi në shtëpi dhe i tha babait ‘Kam ardhur të të rrëfej një gjë që s’ma mban shpirti. Të kam prishur disa vepra’. Bëhej fjalë për 7 kompozime, që u prishën nga xhelozia mes artistëve”, – thotë Ermir Grezda. Kujton se i ati, duke qenë drejtor muzeu, kishte fotografi bruto të luftës. Qamil Grezda kishte një studio pas Legatës Jugosllave ku dilte duke punuar, e ku ka realizuar disa vepra frymëzuar nga koha. “Njëherë deshën ta çonin në zona të thella Foto Stamo e Nexhmedin Zajmi. E përjetoi keq. Nëna ime e ka pasur babanë kryetar të Gjykatës të Lartë të Ataturkut. Ishte një grua zonjë. Ajo e qetësonte, ishte ilaçi i shpirtit të tij”.
Grezda kujton edhe se, kur qe ciceron në GKA, i ati i thoshte vetëm “shuj, se jemi kos”. Atëherë, ai nuk e kuptonte qartë. Shuj- domethënë hesht. “Ishte natyrë e tërhequr dhe diskret. Nuk e kuptoja qartë. Vonë kuptova se donte të thoshte ‘hesht, se jemi kosovarë’. Ai nuk shpjegonte. Nuk fliste për Kosovën. Vinin këta të Sigurimit në shtëpi. Isha 10-12 vjeç. E pyesnin kë takoi e kush ishte e çfarë thanë”.
Duke e ditur që ishte i padëshiruar, e mbylli jetën i heshtur. “Edhe kur i shkruante Ibrahim Kodrës, e niste me ‘Ibrahim’, pa ‘i dashur vëllai im’, siç donte ai t’i shkruante. Më 1984, ai i çoi punët për të hapur ekspozitën. Kur panë që kishte imazhe të Isa Boletinit e Bajram Currit, i thanë ‘o hiqi, o nuk hapet ekspozita’. Babai i shkroi Adil Çarçanit, derisa ai i dërgoi letër komisionit ku i kërkonte që artistit t’i plotësohej dëshira”. Kjo sipas të birit, ishte e para dhe e fundit ekspozitë që iu hap.
Për të, është thënë se barti në kurrizin e tij jo vetëm moralin socialist në art, por edhe moralin e piktorit kosovar. Në këtë gjendje trysnie politike dhe moralesh të ngërthyera me njëra-tjetrën ai arriti me bindje apo me zemër t’i shmangej këtij pozicioni politiko-artistik, duke krijuar një pozicion të vetin, modest dhe të lidhur ngushtësisht me gjininë e peizazhit. Për këtë arsye Qamil Grezda mund të quhet një nga peizazhistët me emër në artin shqiptar të shekullit XX dhe një piktor që i takon llojit të zhanrit në pikturë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.