KULTURË

Mustafa Greblleshi. “Kujtimet e një Tirane në luftë, ku luftë nuk ka”

09:20 - 18.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Një poster i madh, ku shquhet kopertina elegante e konceptuar prej Simone Massonit, ilustratorit aktual të ‘The NewYorker’ mezi fsheh shënimin e ekspozitës së fundme të Edi Mukës në Hotel “Dajtin” që duket sikur ha veten.
Në një mbrëmje maji të 1986-ës, në një perëndim si ky, me një të kuqërremtë që ngjyente qiellin, shkrimtari Mustafa Greblleshi u gjet i pajetë në ballkonin e shtëpisë që shihte mbi Rrugën e Kavajës, me Moneskienë në duar.
“Koka e tij më ngjante si një bust prej bronzi: ku fizionomia e kultivuar nga dija t’impresiononte. Konstrukti i tij të jepte përshtypjen se ishte i mbrujtun vetëm nga kockë, muskuj, lëkurë, pa mish! Kjo pamje ishte në antitezë me ecjen e tij: ecte i tkurrur, i strukur, i stepun. Sikur kërkonte të mbrohej nga presioni i jashtëm, ku dhe frymëmarrja duhej kontrolluar sepse edhe frymëmarrja kur është e thellë, e fuqishme, tregon rezistencë, e ai duke mohuar vetveten po shpërbëhej!” – Lulëzime Shkreli e mbante mend kështu Mustafa Greblleshin. “Po shprishej! Po shpersonalizohej! Po përpiqej t’mos ishte ai që ishte, të ishte diçka tjetër. Por vetëm ai që ishte nuk duhej të ishte. Një mbrojtje pasive nga jashtë, por një mbrojtje me një luftë sfilitëse nga brenda. Për t’u shpërbërë që mos të ishte më ai që ishte”.
Tri dekada më pas, një takim për të, u ngjan takimeve të dikurshme të klubeve të vogla të intelektualëve, si ato në të cilat në ’40-ën Greblleshi merrte pjesë i mbështetur në banakun e drunjtë. Të ftuarit futën një e nga një nëpër një korridor të errët, derisa abazhurë të vënë në rafte librash ndriçojnë me ngjyrë të verdheme sallonin e dikurshëm të vallëzimit. Shkatrrinës që mbretëron mbi famëmadhin hotel kur dikur jetohej belle epoque, ku dikur kryqëzohej jeta e një (krye)qyteti, ia ndërron pamjen, koncepti arredues i Anna Shkrelit (si edhe kujdesi për botimin) – ndriçues bulevardi në vend të ‘pishtarëve’, sende kujtimesh të vogla, objekte të një shkrimtari që dikur qe shumë i njohur, dikur kur vinte në po këtë sallon me miq artistë e gazetarë. Promovimi i librit “Kujtime 1939-1944” (Botimet Çabej) nga Mustafa Greblleshi nis kështu, në një ambient pothuaj surreal, që ngërthen kohë e kujtesa. Po të kishte ndonjë burrë me frak a kapelë, do dukej si ‘çaku’ i një filmi. Madama e letrave, Brikena Çabej, përshëndet të pranishmit me lirshmërinë e pritëses.
“E kam njohur që kur mbaj mend veten. Mustafa Greblleshi dhe Rushi vinin një herë në javë në shtëpinë tonë. Unë nuk e kam kurrë në sy të mërzitur. Fliste e rronte me art e letërsi”, thotë ajo. Mandej, psherëtin. “Kështu rrodhi jeta ime. Kam ngelur e fundit. Kam ca amanete për të kryer. Nuk janë barrë, është kënaqësi, si ky libër, që është amaneti i Rushit që pat mbledhur veprat”. Më një anë qëndron makina e shkrimit të Mustafa Greblleshit, me të e shkroi Liun e Cakut dhe Greminën e dashurisë, që do ribotohet me ripunimin e tij të mbramë. Brikena psherëtin së dyti. “Mjerisht do e njohim veprën e tij të reduktuar, se nga droja, e frika ai i ka djegur dorëshkrimet e tjera. Janë zhdukur”. Libri “Kujtime 1939-1944” nga Mustafa Greblleshi sjell kohën e luftës në një Tiranë pa luftë, ku luftë (nuk) ka. “Luhet poker e pihet ponç. Qyteti është normal. Njerëz vdesin nga tuberkolozi. Të tjerë botojnë”, thotë Brikena. Greblleshi vjen si narrator, i një Tirane në sfondin e luftës, ku jeta megjithëkëtë, vazhdon. Flet për Mustafanë e Rushin si një çift i jashtëzakonshëm, që kishin në thelb të jetës të bukurën.


NJOHJA ME BOJAXHIUN
Nasho Jorgaqi ka veshur kostumin e tij në bezhë, kur me një tufë shënimesh me shkrim dore hedhur në fletë fletoresh, merr mikrofonin, i ulur në panelin folës. Entuziast që është në një cep gërmadhash të hotelit famëmadh, për mikun e kahershëm, kujton se për herë të parë, ka dëgjuar për të në ’43-in. “Isha adoleshent kur u botua ‘Gremina e dashurisë’. Më vonë mora vesh se ish në burg. Më vonë dëgjova se ish- bojaxhi”. Njohja fizike e Jorgaqit me Greblleshin do të ishte krejt rastësore. Shkon në Ndërmarrjen ‘Banesa’ që të prenotonte lyerjen e shtëpisë e të nesërmen, një grup bojaxhinjsh i vijnë në derë. Mes tyre, pa dikë që dallonte nga pamja e veshja. “Mu afrua e më tha, se kur mora faturën, ndesha me emrin tuaj. Thashë të vija unë, meqë ju njihja. E pyes kush jeni dhe më thotë ‘Jam Mustafa Greblleshi’. Ai që keni shkruar ‘Greminën’, – e pyes? Për fat të keq po, – tha”. Nasho Jorgaqi do të befasohej. E njihte mirë Liun e Cakut. I kish besuar se romani ‘Gremina e Dashurisë’, versioni i 1943-it, kish dalë pothuaj pa miratimin e tij. “Ishte varianti i papunuar i imi. Kështu iu dha lexuesve dhe më vjen çudi që e pëlqejnë”, – kish thënë Greblleshi, i veshur me kostumin e një bojaxhiu, në një banesë në Tiranën gri të regjimit. Më vonë, Jorgaqi do e takonte në shtëpinë e Sterjo Spasses me të shoqen, Rushin e me Mitrush Kutelin. “Është interesante se shtëpia e Spases ishte bërë si klub i vogël intelektualësh; gjeje Çabejn, Mahir Domin, Andromaqi Gjergjin. Shkoja me qejf. Greblleshi ishte i drojtur. Nuk donte t’u binte në qafë njerëzve”. Njolla e tij në biografi qe shënuar kur në luftën e Tiranës, forcat partizane i kishin marrë babanë në shtëpi dhe ia kishin pushkatuar. “Edhe pse ishte i sëmurë mendor”, shton Jorgaqi. Një herë e kish pyetur pse nuk shkonte te Lidhja e Shkrimtarëve. “Jam shkrimtar non grata” i ish përgjigjur ai. E mban mend si një njeri që përçonte te letërsia e vet, tiranasin e thjeshtë, autokton, që njeh mirë psikologjinë e të vetëve, mentalitetin, brezat. Pasi miqësia mes tyre u bë e afërt, Mustafa Greblleshi do i jepte shënimet e tregimeve të veta Jorgaqit. “M’i dha t’i shihja. Kish nisur të fitonte besimin e humbur në vetvete. Mua më pëlqyen shumë. Ishin për botën autoktone tiranase. Problemi ishte biografia. Mësova se kish pas miqësi me Fadil Paçramin, ndaj i thashë Drago Siliqit si qe puna dhe vendosëm ta ndihmonim dhe tregimet panë dritën e botimit”, kujton Nasho Jorgaqi. Kishte njohje Gjergj Bubanin, Vangjel Koçin, Ernest Koliqin, Haki Stërmillin, kur shkruante e botonte në revistën “Bleta”, letrare, kulturore, shkencore e sociale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.