Media

Promovohet libri “Lajmi në Media”, Nezaj: Përqasje e përvojave të gazetarisë perëndimore me terrenin shqiptar

14:53 - 24.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Është zhvilluar sot në ambientet e Autoritetit të Mediave Audiovizive,  ceremonia për promovimin e librit “Lajmi në media”. Ky libër me vlerë në fushën e gazetarisë dhe komunikimit vjen prej autorëve të mirënjohur në fushën e gazetarisë dhe kërkimit në media, Prof. Dr. Hamit Boriçi dhe Dr.Sami Nezaj. Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Kryetari i AMA-s, Gentian Sala, vlerësoi librin më të ri mbi median, ndërsa ftoi edhe të rinjtë të përfshihen në studime serioze në fushën e medias audiovizive. Sala theksoi se AMA ka inkurajuar kërkimin shkencor në media dhe do të vijojë edhe më tej ta bëjë këtë në funksion të rritjes së cilësisë së përmbajtjes së transmetimeve audiovizive dhe medias në përgjithësi.

Ndërkohë, drejtori i Institutit Shqiptar të Medias, Remzi Lani, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e librit dhe të lajmit në kohët e sotme. “‘Lajmi’” duhet të shprehet i saktë dhe i paanshëm në mënyrë që të përmbushet vazhdimësia e rolit të gazetarisë në një shoqëri demokratike, – tha ai.

Sami Nezaj, bashkautor i librit, në fjalën e tij për librin “Lajmi në media” tha: “Ky libër i drejtohet një audience që është e lidhur me produktet e gazetarisë në Shqipëri me synimin rritjen e cilësisë së transmetimit dhe publikimit të lajmeve. Libri erdhi si një nevojë e domosdoshme për të përqasur metoda dhe përvoja të gazetarisë perëndimore me terrenin shqiptar”, – tha Nezaj.

Në këtë takim ishin të ftuar pedagogë nga departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës dhe universitete private, gazetarë, student të gazetarisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizata që lidhen me median.

Botimi i këtij libri u mbështet nga Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe ai mund të përdoret nga studentë, gazetarë, studiues në fushën e medias. Libri i cili është në formën e një praktikumi, synon një kontribut qoftë edhe modest në rritjen e kapaciteteve të gazetarisë shqiptare, për të raportuar në mënyrë të paanshme por ndërkohë tërësisht të lirë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.