Media

Kastriot Myftaraj: Trump ja harroi emrin Bashës në vend, ja e vërteta e takimit

11:00 - 16.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




E ka quajtur një “fake event”, gazetari Kastriot Myftaraj takimin midis kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës dhe presidentit Donald Trump.

Sipas tij, Basha ka shfrytëzuar një praktikë amerikane të ndjekur edhe nga paraardhësit e Trump, pjesëmarrjen e Presidentit në dreka, darka ose pritje që jepen për fundraising (mbledhje parash për qëllime zgjedhore, jo vetëm për fushatën e tij por edhe për anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe senatorë), për të takuar Trumpin, ashtu si çdo pjesëmarrës tjetër që ka paguar shumën e caktuar për të marrë pjesë në ngjarje të tilla.

“Për qëndrimin pranë Presidentit ka një count down (llogari zbritëse) në sekonda që nga momenti që personi i ftuar i afrohet atij”, – shkruan Myftaraj.

Kastriot MYFTARAJ

Sot jetojmë në një kohë kur flitet shumë për fake news, lajmet e rreme që përhapen gjerësisht me anë të teknologjisë së informacionit. Por edhe më të këqinj se fake news janë fake events, domethënë ngjarjet e rreme. Fake event është simulimi i një ngjarjeje, e cila në të vërtetë nuk ka ndodhur, është një teatralitet bosh.

Ndryshe nga lajmet e rreme, që nuk kanë asnjë grimë të vërtetë brenda, ngjarjet e rreme janë ato që kanë një pjesë të vërtete brenda, jo aq shumë sa të quhen gjysmë të vërteta, por mjaftueshëm sa mbi to të ndërtohet një gënjeshtër e llogaritur për t’ u shitur te njerëzit naivë. Ngjarja e rreme është e tillë që ka ndodhur në dukje, si teatralitet, por ajo që ka ndodhur nuk ka lidhje me kuptimin që i jepet ngjarjes nga ai që është i interesuar për t’ ia shitur publikut atë.

Takimi Basha-Trump është një fake event. Basha ka shfrytëzuar një praktikë amerikane të ndjekur edhe nga paraardhësit e Trump, pjesëmarrjen e Presidentit në dreka, darka ose pritje që jepen për fundraising (mbledhje parash për qëllime zgjedhore, jo vetëm për fushatën e tij por edhe për anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe senatorë), për të takuar Trumpin, ashtu si çdo pjesëmarrës tjetër që ka paguar shumën e caktuar për të marrë pjesë në ngjarje të tilla. Pjesëmarrja e Presidentit është e llogaritur për të tërhequr të ftuarit që do të paguajnë, ashtu si e yjeve të Hollywood në drekat dhe darkat e bamirësisë. Secili prej të ftuarve që pranon të kalojë një procedurë shumë të bezdisshme të kontrollit nga shërbimi sekret, që ndodh jashtë mbulimit me videocamera, mund t’ i afrohet Presidentit për disa sekonda për atë që quhet photo opportunity. Për qëndrimin pranë Presidentit ka një count doën (llogari zbritëse) në sekonda që nga momenti që personi i ftuar i afrohet atij.

Në fund të kësaj kohe, nëse nuk i bindesh brenda sekondës, kërkesës të sjellshme për t’ u larguar (“Mister, please!”), do të ndjesh në trup prekjen kuptimplotë të duarve aspak delikate të oficerëve të Shërbimit Sekret që shoqërojnë Presidentin. Me kaq fake event merr fund. Ndonëse i ftuari i prezantohet Presidentit, ky, si rregull, e harron në moment se me cilin u takua.

Fake event, në realitet bart dhe lajmin e rremë në thelbin e vet. Sepse kemi të bëjmë me simulimin e një takimi, jo me një takim të vërtetë. I tillë është takimi Basha-Trump. Atë që bëri Basha mund ta bëjë cdo emigrant shqiptar që jeton në SHBA, nëse paguan shumën e caktuar për të marrë pjesë në drekën, darkën ose pritjen e dhënë për fundraising./ Shkruar për CityNews

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.