Media

“Nuk paskemi qenë të pushtuar, por dashnorë”, ja si i përgjigjet gazetarja shqiptare Erdoganit

10:34 - 20.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Gazetarja shqiptare, Arbana Xharra ka reaguar pas intervistës së dhënë nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan për Top Channel. Erdogan u shpreh se ka forca që po përpiqen të sjellin përçarje në Shqipëri, por paralajmëroi se Turqia këtë nuk do ta lejojë duke dhënë edhe arsyet përse.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Xharra tashmë pjesë e politikës, duke publikuar letrën drejtuar Ambasadës së Republikës së Turqisë në Prishtinë 2017, i është drejtuar Erdoganit: “Ju e bëni për të na bindur ne, se nuk paskemi qenë të pushtuar por dashnorë. Nuk është kështu”.

“Është e drejta jonë, ashtu si e çdo populli tjetër që ta përpunojë historinë e tij sipas fakteve. Ne nuk kërkojmë përgjegjësi nga populli i sotëm turk për krimet e perandorive në shekujt e kaluar, por nëse ju ngulni këmbë të na quani vëllezër se kemi qenë robër, jo”, – ka shkruar ndër të tjera Xharra.

Ja reagimi i plotë i Xharrës

Ne nuk ndajmë kulturë të përbashkët. Histori të përbashkët po, kemi: si popull trashëgues i perandorisë osmane merrni barrën mbi supe për krimet, pushtimin dhe kulturocidin ndaj qenies, gjuhës dhe kulturës shqiptare që e keni ushtruar për pesë shekuj mbi ne. Kështu na mësojnë faktet dhe historiografitë e shumta përveç asaj turkes, nesoosmanes që jeni duke u përpjekur ta impononi.
Nuk është e rastësishme sipas infiltrimit tuaj (Tika dhe organizata tjera) në strukturat religjioze, arsimore e politike të vendit nisi edhe dukuria e mohimit publik dhe fyerjes së personaliteteve konstituive të identitetit tonë që e ruajmë me fanatizëm që nga lashtësia e deri më sot.
Ne nuk mohojmë faktin se ju investoni ku të mbërrini. Po ta bënit këtë pa synimin e turqëzimit dhe ndikimit që edhe ne të kthehemi në sisteme autokratike, siç e praktikoni në vendin tuaj, do të ishim miqtë më të mëdhenj të botës ndoshta, por jo, ju e bëni për të na bindur ne se nuk paskemi qenë të pushtuar por dashnorë. Nuk është kështu. Është e drejta jonë, ashtu si e çdo populli tjetër që ta përpunojë historinë e tij sipas fakteve. Ne nuk kërkojmë përgjegjësi nga populli i sotëm turk për krimet e perandorive në shekujt e kaluar, por nëse ju ngulni këmbë të na quani vëllezër se kemi qenë robër, jo. Historia jonë e përbashkët është negative, ardhmërinë mund ta ndërtojmë ndryshe, por jo duke u thirrur në të si vlerë, se nuk është, nuk e ndiejmë ashtu. (Letra ime drejtuar Ambasadës së Republikës së Turqisë në Prishtinë 2017)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.