MILOSAO

Poezi nga Vasko Popa

10:20 - 03.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Mendimi arrogant

Na ishte dikur një gabim
Kaq budalla, e kaq i vogël
Saqë askush nuk arrinte me e këqyr

Por mu brenda vetes s’e dinte
As ta shihte e as ta ndjente

E mundi të shpikte gjëra lloj-lloj
Thjesht donte ta provonte
Se në të vërtetë nuk ekzistonte

Pa na shpiku edhe një hapësirë
Provat e saj të ekzistencës brenda t’linte
Dhe kohën me provat e veta ta mbante
E bota në të, provat t’na i këqyrte

Të gjitha u shpikën
Nuk ishte kaq qesharake
Dhe as kaq e vogël
Por që na ishte natyrisht gabim

Mund të kishte qenë mbase një fare gjë tjetër.

Trekëndëshi i mençur

Na ishte njëherë një trekëndësh
E na kishte tre kënde
I katërti ishte i fshehur
Në flakërimën e vet në qendër

Ditën do t’na ngjitej tek tre kulmet
Dhe adhuronte qendrën
Natën do na prehej
Në një nga tre këndet

Në agim do të shihte nga të tre këndet
Transformuar në tre rrota të zjarrta
Sesi në pakthimin blu humbisnin

Do t’nxirrte anën e vet të katërt
Duke e puthur, duke e ndërprerë tre herë
Dhe duke e fshehur atë edhe një herë në vend’n e vjetër

Dhe sërish kishte tre kënde

Dhe sërish ditën do ngjitej
Në tre kulmet e veta
Dhe do admironte qendrën e vet
Dhe natën do shlodhej
Në njërën prej tre këndeve t’veta

Jehonat e gurëzuara

Njëherë e një kohë kishte një pafundësi jehonash
Shërbenin me një zë
I ndërtonin atij arkada

U shkatërruan arkadat
Ata i ndërtuan t’përkulura
Pluhuri i mbuloi ato

Ata e lanë shërbimin e rrezikshëm
U gurëzuan prej urie

Kanë fluturuar gurëzimet
Të gjenin, e të çirrnin gojët
Nga e cila zëri dilte

Ato fluturuan kush e di se përsa larg
Dhe si kanë parë t’verbrit
Ata fluturonin mu përgjatë  cepave t’gojës
Që kërkonin
Rrëfim për një rrëfim

Na ishte njëherë një rrëfenjë

E mbaroi
Para se të fillonte
Dhe filloi
Pas mbarimit t’vet

Heronjtë e saj u futën në të
Pas vdekjes së tyre
Dhe e lanë
Para lindjes së tyre

Heronjtë flisnin
Për një farë toke apo për një qiell
Flisnin për gjithçka

Për t’vetem gjë që s’flisnin
Ishte ajo, që ata nuk e dinin
Se ka vetëm heronj në rrëfime

Në rrëfime që mbarojnë
Para fillimit t’vet
Dhe të cilat fillojn
Pas mbarimit t’vet

Gogësima e gogësimave

Na ishte dikur një gogësimë
S’rrinte as nën qiellzë e as nën kapelë
As në gojë dhe as gjëkundi

Ishte më e madhja nga çdo gjë
Më e madhe nga madhësia e saj

Nga kohët në kohë
Errësira e vet e mpirë, errësira e dëshpëruar
Në dëshpërim do të flakëronte këtu dhe andej
Mund të mendohesh se ishin yje

Na ishte njëherë një gogësimë
E mërzitshme si çdo gogësimë
Dhe ende duket se do zgjasë

Vdekja e astrologut

Duhet të vdesim, thanë ata
Yjet ishin pranë tij
Më shumë sesa vetë njerëzit

Thanë se ishte ngrënë prej milingonave
Përfytyroi ai, ato yjet
Duke lindur milingonat dhe milingonat yjet
Kështu e gjeti shtëpinë, plot me milingonat

I erdhi në kokë ajo që i thanë
Qielli i tij i ndytë
Dhe pastaj pse s’mund t’u besosh thashethemeve
Të kamës me gjurmët e gishtave njerëzore

Thanë se ai ish thjesht jashtë kësaj bote
U nis të gjej lulen e diellit
Në të cilën mbërrijnë udhët
E seicilës zemër dhe çdo ylli

Duhet t’vdesë thanë ata

Unaza e qiellit

Unaza e askujt unaze
Si e humbe vallë
Si ra për nga qielli diku
Më shumë kudo sesa diku

Përse menjëherë u martove
Shkëlqim yt i vjetër, e i lashtë
Drejt boshëtirave të reja

Ata ju kanë harruar të dyve
Dhe natën e tyre të martesës

Qysh atëherë, ndriçimi yt është i dehur
Boshësitë e tua po shëndoshen
Ti sërish e humbur

Këtu është gishti im i unazës
Shkurtuar për të

Hiçgjëja

Hiçgjë, ti ishe e përgjumë
Dhe ëndërroje që diçka po bën

Diçkanë e përcëlloi zjarri
Flaka përpëlitej
Në agoni t’verbër

Ti u zgjove hiçgjë
Dhe ngrohe kurrizin tënd
në flakën e ëndrrës

Nuk e pa tretjen e flakës
T’gjithë agoninë e botës
Dritëshkurtër është kurrizi yt

Hiçgjë ti rre të flesh sërish
Dhe ëndërrove se s’ishe asgjë

Flaka u fik
Agonitë morën pamjen e tyre
Dhe ato, po ashtu ikën në hare

Mungesa jetime

Baba të vërtetë ti nuk kishe
Nëna jote s’ishte në shtëpi
Kur mbi vete botën këqyr
Ke lindur gabimisht

Ke pamjen e një honi t’munguar
Ka një mungesë kundërmimi tek ty
Ke lindur vetveten

Sorrollatesh me ndyrësitë e zjarrta
Godet me vete kokën me kokat
Hidhesh nga një prej gojëve t’tua në një tjetër gojë
Dhe gabimin e vjetër përtërin

Qëndro ashtu lakuriq nëse mundesh
Deri në gërmën time të fundit
Dhe ndiq gjurmët e tij

Më duket se kam diçka, jetim
Që të drejton tek një lloj prezence

Gjergji i Zi

Koka ime po më këqyr nga huri
Të bëhet ç’të dojë i vdekur jam dhe ju po ashtu
A e kuptoni vallë

Mallkuar u qofshin shpirtat, mallkuar pamjet e ëmbla
Mallkuar qoftë dhe Hëna me brirët në ballë
Mallkuar dhe gjarpri në sytë e tyre
Ne s’do t’vdesim

Drejt lulëzimit t’çelsit të ekzistencës
Në fund të detit të gjakut e t’mallkuar
Asnjë shikim pas, as e ardhme, vetëm më ndiq
A mundesh vallë

Mbi thika vizatoj malkime të tokave dhe qiellit të tyre
Vdekja ka mbushjen e vet qysh prej kohësh
Me thika vizatoj ujqit e mi, të shtrenjtët e dhimbjes pakufi

Nga hunjtë kokat tuaja zgërdhihen poshtë me ju
Të bëhet ç’të dojë, ju jeni të vdekur dhe unë i vdekur jam
A do mundeni vallë

*Përktheu nga origjinali
Ben Andoni


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.