OPINION

A mund të hiqet kaq lehtë njolla e hashashit zoti kryeministër?

07:30 - 08.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Manjola BREGASI

Teksa në intervistat e tij të vazhdueshme në mediat shqiptare, Rama nuk e kishte pranuar kurrë kanabizimin e Shqipërisë (ndonëse mediat e huaja raportonin vazhdimisht mbi këtë fakt), duket se në mandatin e ri, kryeministri mendon ndryshe. “Jemi zotuar që këtë vit do të shkruhet fjala ‘Fund’ në historinë e gjatë të kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë dhe ky zotim do të mbahet me se s’bën për “SHQIPËRINËQËDUAM”, shkruan Rama në faqen e tij në ‘FB’, ku poston edhe një video nga takimi me krerë të policisë dhe Ministrisë së Brendshme, ku është diskutuar lidhur me kanabisin. Rama shprehet i vendosur për ta hequr njollën që i ka mbetur Shqipërisë nga kjo histori shumëvjeçare, por duket se ky fillim nuk është fundi e druaj se do të jetë veç fillimi. Nuk di nëse zoti Rama do arrijë të heqë kaq lehtë edhe njollën që lë era e hashashit në çdo lagje të Tiranës sot, në çdo rrugicë apo shkallë pallati ku duket se edhe policia e ka të vështirë të depërtojë, aq më tepër që tashmë përdorimi i drogës nuk konsiderohet më një vepër penale, por thjesht një shkelje administrative. Nuk di nëse gjimnazistët e Tiranës do heqin dorë kaq lehtë nga konsumimi i cigareve në pushimet midis orëve, apo ndoshta moskultivimi i hashashit do ta rrisë çmimin e cigareve që ata sot i konsumojnë me kaq lehtësi. Nuk di nëse ne, të bezdisurit nga era e fortë, që nuk njeh as kohë e as vend, do të na duhet të bashkëjetojmë me hashashin që tymosin të tjerët, apo do na duhet të shpresojmë që fundi i kultivimit do jetë edhe fillimi i heqjes së një njolle, që u përhap shumë shpejt si virus. Të thuash që do t’i jepet fund kultivimit të hashashit është njëra anë e medaljes, por diçka tjetër është të zhdukësh pasojat sociale të këtij problemi. Tek e fundit, nëse përdorimi i lëndëve narkotike nuk është më një vepër penale në shtetin shqiptar, atëherë le të legalizohet e të mos fshihemi pas gishtit, duke moralizuar aty ku nuk na duhet moral. Unë kam durim të pres, ndonëse thuajse çdo ditë tymos aromë mariuanë nga cigaret e atyre që më rrethojnë, pa dëshirën time. Të paktën kryeministri e pranoi që ka ardhur koha t’i japim fund: Për mua është vetëm fillimi!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.