OPINION

Çështja “lider” në Partinë Demokratike

09:27 - 09.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Gani Xhengo

Në këto ditë të nxehta vere, pas humbjes në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, kritika e disa prej krerëve të njohur të PD-së, të shpallur si grupi kundërshtar i kryetarit Basha, të cilët kërkonin dorëheqjen e tij për të organizuar një proces zgjedhor të pandikuar prej tij, e transparent për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e 22 korrikut për kryetarin e ri në Partinë Demokratike, u kthye në një çështje mjaft të debatueshme në media, krijoi një situatë, e cila po ndiqet me vëmendje e shqetësim nga e gjithë anëtarësia e PD-së, sigurisht edhe më gjerë se aq.

Basha ngriu, ndërpreu funksionet si kryetar duke i deleguar ato te funksionarët e tjerë të PD-së. Z. Eduard Selami shpalli menjëherë kandidaturën e tij pa kushte dhe pa paragjykime, gjë që tregon se ai ka më shumë besim te vota e anëtarësisë, e cila i njeh praktikat e zgjedhjeve në Shqipëri, sesa në organizimin e procesit zgjedhor. Dyshimi për manipulim është subjektiv dhe i diskutueshëm. Kandidatët e tjerë dhe grupi kundërshtar do të kishin më shumë të drejtë dhe arsye për të ndjekur dhe kontrolluar procesin zgjedhor. Kjo mendoj do kishte qenë më e arsyeshme sesa diskutimet përçarëse të PD-së në media. Pra mënyra sesi veproi z. Selami duket më e drejtë sesa ajo e grupit kundërshtar.

Selami gëzon cilësi për të qenë lider në PD. Ai njihet si njeri modest, i natyrshëm në komunikim, i drejtë dhe jo konformist. Z. Selami është njëri nga themeluesit e PD-së. Ai është një politikan që e ruajti personalitetin e tij të pastër nga përfshirja në debate konfliktuale apo lakmitë për pushtet brenda ekzekutivit të partisë. Ndërkohë që ai qëndroi për rreth një dekadë në SHBA, dhe kjo sigurisht është një eksperiencë pozitive, kolegët politikanë të dy krahëve, demokratë e socialistë, janë akuzuar për përfshirje në korrupsion. Megjithatë, ai si një intelektual dhe demokrat i vërtetë e ndjeu të nevojshme t’i rikthehej politikës për të dhënë kontributin e tij sërish në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve si deputet i PD-së, me aq sa kemi vënë re nga mediat, nuk ka qenë protagonist i politikës konfliktuale, por ka qenë aktiv dhe kritik brenda PD-së dhe ndaj kryetarit Basha.

Kandidatura e z. Lulzim Basha, i cili rikandidon për kryetar i PD-së, duhet vlerësuar si e një intelektuali me kulturë perëndimore, energjik, me integritet të lartë në fushën e jurisprudencës, dhe një orator i lindur, por i duhet ende pak kohë të reflektojë për dobësitë e vërejtura, si nxitimi, euforia, të zhvillojë vlerat demokratike dhe të bëjë opozitën e fortë në parlament.

Mënyra sesi po veprohet për organizimin e procesit zgjedhor për kryetarin e ri, duket e diskutueshme dhe jotransparente. Procesi zgjedhor po përgatitet nga stafi i z. Basha. Mendoj se duhej mbledhur Këshilli Kombëtar, i cili pas një analize të shkurtër për zgjedhjet e 25 qershorit, të zgjidhte një komision që të organizonte zgjedhjet e rregullta në PD. Anashkalimi i forumeve, përshpejtimi i datës së zgjedhjeve etj. lënë vend për dyshime dhe paragjykime. Kjo praktikë pune e injorimit të forumeve nuk lindi sot, është e trashëguar dhe po bëhet trend. Pak a shumë është e njëjta situatë edhe në Partinë Socialiste. Tendencë regresiste kjo, që fuqizon rolin e individit lider, e bën atë autoritarist dhe dobëson ose dëmton forumet, frymën kolegjiale për vendimmarrjet e rëndësishme në parti. Në kohën kur PD-ja drejtohej nga z. Berisha, ndoshta respektoheshin forumet, por strukturat e PD-së ishin pothuajse inekzistente. Z. Basha gjatë 4 viteve të punës së tij në krye të PD-së nuk e ndryshoi situatën. Kjo ka qenë një nga arsyet e humbjeve të PD-së në zgjedhjet e 2013-ës, ‘15-ës, dhe më keq akoma 2017-ës, me 200 mijë vota më pak. Edhe sot, kur po kërkohet shkaku i mungesës së një analize reale për nxjerrjen e përgjegjësive, z. Basha shmanget, kurse z. Berisha nuk prononcohet, i kalon tangent problemit, vetëm sa i bën thirrje grupit kundërshtar të z. Basha për bashkim e jo përçarje. Në fakt, protesta e tyre është e drejtë, kurse mënyra kushtëzuese jo. Ata e morën një këshillim nga z. Gjana në “Gazetën Shqiptare”. Duket sikur asnjëri prej tyre nuk u ndje i sigurt për t’u ngritur në rolin e liderit. Edhe z. Patozi u shfaq si gjysmëkandidat, “garoj, por dua kushte”. Mirë që këta kritikojnë z. Basha, por lind pyetja: pse nuk mbështetin, asnjëri prej tyre, z. Selami? Apo druhen se mërzitet z. Berisha? Po zotin Berisha, përse nuk guxojnë ta kritikojnë; a nuk ka edhe ai përgjegjësitë e tij për zhvillimet në PD dhe këtë tranzicion pa fund 27-vjeçar?! Eshtë koha që kritikët e kryetarit dhe gjithë anëtarësia e demokratëve të kërkojnë dhe të zgjedhin një lider që gëzon cilësi morale dhe aftësi drejtuese për ndryshimin e kursit aktual të Partisë Demokratike, rikrijimin e fytyrës së re të saj, atë për të cilën lindi në vitet ‘90 nga gjiri i Lëvizjes Studentore dhe gjithë shqiptarëve që e mbështetën në zgjedhjet e 22 marsit 1992. PD-ja ishte e vetmja forcë politike progresiste në Shqipëri me kartën morale të saj për ndryshimin e sistemit politik, kalimin nga diktatura komuniste në demokraci. Prandaj le të reflektojmë të gjithë së bashku për ta ndrequr tani atë që nuk u bë mirë herën e parë. Duke e gjykuar dhe trajtuar këtë situatë, pse jo si të përshtatshme për të ndryshuar njëherë e mirë të bërit politikë dhe drejtimit të PD-së. Ky është edhe motivimi i platformës së z. Selami që e ka shpallur këto dy ditët e fundit në media.

Kështu si po veprohet në PD, por edhe në PS, duket se liderët shqiptarë janë më shumë të dhënë pas pushtetit sesa pas shtetit dhe interesit kombëtar. Në fakt, kjo çështja e liderit në Shqipëri ka qenë gjithnjë problematike. Në përgjithësi, në kohët moderne nuk kemi pasur lider të denjë si pasardhës të Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili princat shqiptarë të përçarë për territore dhe pushtet i bashkoi dhe si një strateg i madh ushtarak, me luftë taktike arriti të përballej dhe t’i fitonte betejat e luftës me ushtritë e Perandorisë Osmane. Kështu shqiptarët jo vetëm që jetuan të lirë për një çerek shekulli, por shpëtuan edhe krishterimin europian nga invazioni turk i asaj kohe. Prandaj Papa e cilësoi Gjergj Kastriot Skënderbeun “Atlet i Krishtit”. Me këtë rast unë do t’i sugjeroja kryetarit të bashkisë, z. Erion Veliaj, që të ruhet e pastër hapësira përreth monumentit të Heroit Kombëtar Skënderbeut, nga ato kulla prej hekurishte skelash për një podium koncertesh. Ismail Qemali është figura tjetër madhore e historisë së kombit shqiptar. Intelektual demokrat, politikan, diplomat, burrë shteti, Kryeministër i parë i Shqipërisë, Hero i Popullit. Natyrisht, ky nuk është rasti për krahasim për shkak të ndryshimit në kohë dhe histori, por si çështje është e njëjtë. Kemi arsye dhe të drejtë të pretendojmë për liderë me cilësi morale dhe të aftë për të na qeverisur mirë. Në këtë vit jubile të 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë kemi rastin t’i referohemi historisë dhe të krenohemi me këta liderë të historisë së kombit tonë. Prandaj, e drejta e votës së çdo individi, shtetasi demokrat apo socialist qoftë, në demokraci merr një vlerë shumë të rëndësishme. Duhet gjykuar e vendosur me drejtësi e jo për interesa të vogla e meskine. Kështu qytetarët kanë në dorë që me fuqinë e votës të bëhen pjesë e vendimmarrjeve të mëdha për fatet e vendit. Në këtë rast demokratët kanë në dorë fatin e Partisë Demokratike. Unë jam një pensionist që votoj për të që nga viti 1991. Në këtë situatë pak delikate të jetës politike të brendshme të PD-së, nuk mund të qëndroja indiferent dhe vendosa të ofroj kontributin tim modest, duke shkruar këto pak rreshta dhe shfaqur mendimin për dy kandidaturat që janë të njohura dhe të vetmet aktualisht në PD. Mendoj se ndoshta është e mundur që, pavarësisht se cili prej tyre zgjidhet kryetar, ata duhet dhe mund të bashkëpunojnë në vijim për drejtimin e PD-së, ringritjen e strukturave, kapërcimin e krizës së besimit me qëllim që Partia Demokratike të ngrihet në një stad të ri, që të jetë e aftë nesër për qeverisjen e mirë të besueshme për të gjithë shqiptarët.

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.