KULTURË

Studimi, nga Alpet Shqiptare në Veri, deri në Çamëri ose Thesproti

07:35 - 11.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Prof. Dr. Romeo Gurakuqi

Monografia “Antropologjia etnike e shqiptarëve” e Prof. Dr. Aleksandër Dhimës, është një studim i mirëfilltë shkencor ndërdisiplinor, hulumtim krejtësisht i veçantë dhe i parealizuar deri më sot për shqiptarët, nga shkencëtarë vendas dhe të huaj. Kjo, sepse realizimi i këtij studimi, që në fakt është një analizë komplekse e një pune kërkimore-shkencore e disa dhjetëvjeçarëve, është bërë i mundur prej një shkencëtari të aftësuar në drejtime formuese të ndryshme si mjekësi, antropologji humane, arkeologji, histori, demografi etj., me përvojë të pandërprerë në këto relacione shkencore me një përvojë të gjithanshme. Dhima ka arritur të impostohet historikisht në Mesjetën shqiptare, të lexojë me syrin e antropologut dhe demografit, regjistrat kadastralë venedikas dhe osmanë, nën udhëzimet dhe shkëmbimet e vlefshme të mendimeve me prof. Selami Pulahën e studiues të tjerë. Monografia e prof. Dhimës është një punë që analizon gjendjen disashekullore të popullsisë shqiptare, bazuar në gjetjet antropologjike të përftuara prej ekspeditave në terren, burimeve dhe të dhënave dokumentare historike, në një hark kohor që fillon nga ngjizja e popullit shqiptar në Ballkanin Perëndimor dhe vjen deri në shekullin XX. Ndërkohë, autori ka qenë i kujdesshëm që ta shtrijë studimin e tij nga Alpet Shqiptare në Veri, në Rrafshin e Dukagjinit në Verilindje, Korçë në Juglindje, dhe deri në Çamëri ose Thesproti në cepin më jugor ku shqiptarët banojnë, ose banonin deri në mesin e shekullit XX, duke krijuar mundësinë e një vlerësimi përafërsisht të plotë të strukturës etnike të popullsisë, raportet mes vedit dhe lëvizjet në territor të popullit shqiptar. Në mënyrë të posaçme, studimi është përqendruar në disa krahina që përmbyllin sondazhin dhe kërkimin në harkun gjeografik dhe demografik ku banon populli shqiptar, duke respektuar jo vetëm gjetjet, por edhe krahinat tradicionale të Shqipërisë natyrale: Malësi e Madhe, Dukagjin, Malësi e Vogël, Mirditë, Myzeqe, Labëri, Toskëri, Çamëri etj.
Për aspektet e investigimit etnologjik dhe historik, ai ka përdorur kërkimin gjegjës dhe përmes tyre ka arritur të analizojë institucionin e fisit, si grupim shoqëror që rrjedh nga një stërgjysh i përbashkët, duke u përqendruar kryesisht në ato pjesë të Shqipërisë, ku kjo ndërlidhje njerëzore vazhdon të jetë ende e fortë (kam parasysh fiset e Malësisë së Madhe, Hotin posaçërisht, që edhe pse i ndarë dhe i shpërndarë prej 100 vitesh gjeo-politikisht, ka ruajtur fuqishëm ndjenjën e përkatësisë në fis) si dhe institucionin e bajrakut, si një element i organizimit shoqëror dhe politik tradicional. Një burim shumë i veçantë për bazën e të dhënave të përdorura, posaçërisht në Shqipërinë veriperëndimore, kanë qenë regjistrat famullitare të Kishës Katolike, përmes të cilave studiuesi ka bërë vlerësimin e lidhjeve martesore mes komuniteteve, lindjeve sipas gjinive, vdekjeve dhe shkaqeve të tyre etj. Profesor Dhimën, e kam njohur mbi 30 vjet më parë përmes punimeve të tij shkencore në revistën e arkeologjisë shqiptare “Iliria” dhe gjithmonë kam menduar se ai ka në dorë materiale të së shkuarës iliro-shqiptare, që pak studiues i kanë në zotërim, për të realizuar vlerësime të krahasueshme me shkencat ekzakte.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.