MILOSAO

Fjalët jo shpata, por Logo miqësie..

08:46 - 24.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Stefan TAÇI




Më pëlqen ta nis këtë përsiatje duke sjell në vëmëndje emrin e kontinentit tonë, Evropës, jo thjesht sepse është destinacioni ynë final, familja e madhe ku duam të hyjmë, por edhe si histori gjuhe, nga ku nisi ideja për këtë shkrim, i cili sigurisht nuk pretendon të jetë studim shkencor, nuk është natyrisht as “provokim” gjuhësor. Për mua më shumë ishte një sprovë apo meditim, për të rinjohur e rikujtuar gjuhën që flasim përditë, duke e parë atë në dialog e bashkveprim me greqishten, e sa kjo na ndan apo na bashkon më ngushtë me fqinjët, sepse mendoj që duke njohur fjalët njohim më mirë veten dhe tjetrin.
Shpesh në “sherrnajën” e pakuptimtë midis Shqipërisë e Greqisë, që më shumë është mediatike e parapolitike se sa reale, por që përsëritet kohë pas kohe apo kur vetë koha është në ngërç, ndodh që rishfaqet më dukshëm mania për të shpjeguar historinë greke, mite apo fjalë, të cilat sipas një opinioni dukshëm fanatik, shpjegohen vetëm me ilirishten (kupto shqipen), apo “iliropellazgishten”, me një siguri alkimisti për tu pasur zili. E bukura këtij ligjërimi patetik arrin kulmin kur thuhet se meqë nuk kishim gjuhë të shkruar, komshinjtë tanë, mundën ta vjedhin pa lënë gjurmë, e tërci e vërci..Nuk vihet në dyshim fakti se një pjesë e amatorëve të këtij folkdebati e kanë sinqerisht dhe besojnë te argumentat e tyre, ashtu siç nuk vihet në dyshim se ka plot zëra seriozë nga fusha letrave që janë mjaft të përmbajtur e profesionistë në analizat që bëjnë rreth këtyre ideve, por nga ana tjetër ka një heshtje të çuditshme prej tyre, një heshtje e cila lexohet si “aprovim” apo hapje dere për fantazitë përkatëse. Nga këndvështrimi kinematografik do ishte vërtet një kapriçio artistike intriguese, të shihnim fjala vjen se si një tribu kapërcen malin e shkon te tribuja më e afërt për të vjedhur fjalë e legjenda. Si ndodhi, kush kryesonte grupin e grabitjes së fjalëve, si u mbajt e fshehtë për shekuj kjo grabitje apo gjueti gërmash, një mister plot joshje në pritje për tu zbuluar!


Por a mund të vidhet fjala, miti, apo historia dikujt, sikur të bëhej fjalë për plaçkë lufte që rrëmbehet nga dikush që ka mposhtur dikë apo një popull. Mjafton ti përgjigjemi sinqerisht kësaj pyetjeje dhe është e qartë se fjalët nuk mund të vidhen, ato thjesht mund të merren “borxh” pa të drejtë kthimi si pasojë e një bashkjetese, mund të imponohen nga një pushtim i gjatë, nga një kulturë dominuese në kohë e hapësirë gjeografike, e më pas fjalët përshtaten në gjuhën vendase aq sa duken sikur janë të vetat, mirëpo kjo nuk ndodh as në një ditë e as në një muaj, duhen shekuj. Sigurisht ka edhe ndërveprim kulturash, marrje e dhënie, e këtu mund të kujtojmë romakët që pas shtrirjes së tyre në gjithë hapësirën helenike të asaj kohe, morën e përshtatën gjithë ç’kishte krijuar kultura e gjuha greke, kurse perëndive ju ndërruan emrat, jo funksionin. Ndaj sot dëgjojmë shpesh edhe nga njerëz të letrave të ngatërrojnë emrat e heronjve e të perëndive greke, e kur flasin për hyjneshën e pyjeve, përmendin Dianën romake e jo Artemisën, flasin për Herkulin romak e jo Irakliun grek, kurse heroin dinak që synojmë t’ja shpjegojmë emrin me shqipen, përsëri na pëlqen ta quajmë Ulise apo Uliks e jo Odisea, etj etj..Kjo më kthen kujtesën pas, te filmat e hershëm me shpata që shihnim dikur në kinematë që sot nuk ekzistojnë. Askush nga ne nuk mund ta merrte me mend se Herkuli ishte Irakliu, një emër që mund ta hasje në lagje, madje akoma më afër, mund të ishte babai apo xhaxhai dikujt prej nesh. Kujt i shkonte mëndja se Helena e bukur e Trojës, ishte thjesht Eleni në origjinal, emër që mund ta gjeje akoma më kollaj rrotull nesh, sepse çdo kush prej nesh mund të kishte një Eleni, Elena apo Leni në fis ose në lagje. Gjithsesi kjo deri diku duket normale, sepse përgjithsisht kultura e lashtë greke na vjen e përkthyer dhe e përshtatur përmes gjuhës e kulturës latine, e cila për hir të së vërtetës ka dominuar dy shekujt e fundit në formimin tonë të përgjithshëm, pa harruar sot gjuhët e mëdha si anglisht, frengjisht etj. Kjo na e bën më të qartë arsyetimin rreth emrit të Evropës, emrin që tashmë kudo në media e politikë e hasim shpesh të thuhet e shkruhet Europë. Pra megjithëse pretendohet fqinjësia e lashtë me popullin nga doli miti i Evropës, sot parapëlqejmë të dukemi më afër perëndimit duke huazuar formën latinizuese të emrit, me justifikimin e sforcuar se alfabeti ynë është me gërma latine. Veshja latine e fjalëve me prejardhje greke, ka krijuar një perceptim të gabuar ndaj tyre, e kur kjo përcillet përmes mësimit brez pas brezi, merr formën e një të vërtete absolute. Këtë e verteton një episod ku isha vetë dëshmitar okular. Në emisionet e mëngjezit te një nga televizionet kryesore, ishte ftuar para ca vitesh një pedagoge e respektuar e gjuhës shqipe në fakultet. Gjatë bashkbisedimit me gazetarët ajo shpjegoi disa fjalë shqipe dhe origjinën e tyre, ku njëra nga ato ishte edhe fjala “bazë”, “bazike”, që sipas saj ishin me prejardhje nga latinishtja…sigurisht asnjë gazetar nuk mund të thoshte të kundërtën, aty po fliste një pedagoge gjuhe e universitetit publik e ndoshta ashtu ja kanë mësuar edhe asaj dikur. Këtu kemi shembullin klasik kur një fjalë me prejardhje greke, vjen te ne përmes gjuhës latine, ngase gërma e dytë e alfabetit, për latinët lexohet B, kurse për grekët është V, e kjo ndodh edhe me disa gërma të tjera…është një gabim që shfaqet shpesh në përkthimet e historisë së Bizantit, ku emri i një perandori shkruhet Bazil e jo Vasil siç është realisht emri, apo vasileos (mbreti) lihet bazileus. Në këto raste mbase shprehja më korrekte mund të ishte “fjalë me origjinë greko-romane”. Sigurisht këtu ska asgjë dramatike, sepse çdo student me kërkesa ndaj vetes do mund ta mësoj këtë fakt  më vonë, në një fazë tjetër të jetës së tij. Problemi fillon kur këto dije të keqkuptuara apo keqmësuara, përdoren si fakte në një debat mbi fjalët apo gjuhën. E njëjta histori është me thirrjen e famshme EUREKA, të cilën Arkimedi e tha kur po lahej në vaskë dhe shpalli zbulimin e tij. Fjala e saktë është “Evrika – e gjeta”, e siç duket nga leximi këtu kemi përsëri një ndryshim, një përshtatje, siç ndodh edhe në rastin që prekëm më lart për Evropa – Europa, sepse për latinët gërma e vogël e Y grek lexohet si u, por për grekët, e vendosur pas gërmës E lexohet si v ose f sipas rastit. Nuk besoj se mërziten miqtë e mi vlonjatë, nëse ju them se e njëjta gjë ka ndodhur me emrin e lashtë të qytetit të tyre. Avlona bëhet Aulona për latinët pikërisht nga ky perceptim që shpjeguam më sipër. Të gjithë ata që preferojnë leximin latin të emrit, kanë gjithë të drejtën ta zgjedhin e ta përdorin si të duan e ku të duan, por e vërteta është ndryshe. Kjo duket qartë kur shohim evolucionin e emrit, gjithkush e dallon se Vlona-Vlora, buron më natyrshëm nga Avlona se sa nga Aulona. Nëse vlen si “ngushëllim” për dyshuesit ndaj asaj ç’ka po them, le të hidhemi pak në ditët e sotme të modernitetit, ku ndikimi anglishtes është fakt i njohur, mirëpo harrojmë se edhe pas anglishtes fshihet jo pak greqisht e nuk besoj se anglezët mërziten prej kësaj. Dihet se një pjesë e shoqërisë sonë politiko-mediatike, artistë, letrarë e sidomos të rinjtë, e flasin me pasion anglishten, por nuk di sa prej tyre kur udhëtojnë e gjënden nëpër aeroporte apo supermarkete, ju ka shkuar në mend se sinjalistika e famshme EXIT që tregon daljen për diku, është thjesht greqisht.. “EKSO – JASHTE”, eksodho – dalja, udha për jashtë. Një fjalë tjetër e përdorur kohët e fundit e njohur si “paradigmë”, e futur në komunikimin elitar disi vonë e kryesisht pas 90, vjen te ne gati si fjalë anglosaksone, kur në fakt është greke, madje e komunikimit të përditshëm te ata. Pra në këtë rast ne flasim greqisht përmes anglishtes…paradhigma/gr. – paradigm/angl. – përshembull, shembulli në shqip.


Ndërkohë, përpara se të shohim një listë fjalësh, të cilat i përdorim në jetën tonë duke filluar nga komunikimi i zakonshëm e deri te ai elitar, do ishte interesante të shohim fillimisht një grup mbiemrash të familjeve shqiptare nga jugu në veri. Lidhja tyre me gjuhën greke duket qartë, madje disa nga mbajtësit e këtyre mbiemrave janë të besimit musliman. Kjo natyrisht nuk do të thotë detyrimisht se origjina tyre është greke, ashtu siç nuk janë detyrimisht ruse e çeke familjet shqiptare që kanë mbiemrin Rusi apo Çeku, por nuk përjashtohet as mundësia që të ekzistojë një lidhje, ndërsa po ky argument në rastin e tifozerisë sonë gjuhësore është “absolutizues”, pra nëse dikush mban p.sh. mbiemrin Arnaut apo Arvaniti ai detyrimisht duhet të jetë shqiptar!
Mbiemrat e mëposhtëm sigurisht përfaqësojnë një pjesë jo të plotë, por mjaftojnë si informacion fillestar. Përmbajtja tyre buron nga bota e gjallë, nga epitete të caktuara, sende, zanate etj…Peristeri (pëllumbi), Fidhi (gjarpër), Rafti (rrobaqepës), Angjeli (ëngjëj), Angoni (nipi), Papa (prift), Jatru (doktor), Anagnosti (lektor), Nika (fitues), Zisi (jetë), Mastora (mjeshtër), Kulluri (kulaç), Zografi (piktor), Spathari (shpatar-njihet si titull/besnik të perandorit në Bizant), Kastrioti (kështjellar), Krisafi (ar-gjëra të çmuara), Mandili (shami), Kromidha (qepa), Qefalia (kokë/kapital), Metalla (metale), Hroni (koha-personazh mitologjik), Kallapodhi (formë këmbe/ kallëp), Skura/Skuraj (e errët), Mavraj e Mavriqi (e zeza-zeshkan), Kutali (lugë), Kondo (i shkurtër), Kota (pulë), Dhimarko (kryetar bashkie), Bukali (shishe), Idromeno (i djersitur), Zorba (rebel), Makri (larg/largësi), File (mik), Sofroni (i përmbajtur/i urtë), Ikonomi/Konomi (administrator/ekonomist) etj, po edhe mbiemra të tjerë që mund të tingëllojnë jo aq të huaj për ambientin tonë, përkthehen lehtësisht në greqisht..Kokalari (i drobitur/kockë e lëkurë), Qendro (qëndër e diçkaje), Buka (kafshatë), Rama (fill/fije peri), Meta (pas/më pas), Balla (top), Mazi (bashkë), Metalia (metal/medalie) etj, etj, pa përjashtuar edhe shpjegime të tjera për të mos qënë kategorik. Për të shmangur çdo keqkuptim, nuk po përmend mbiemrat e shumtë që vinë si rrjedhojë e besimit fetar ku vend kryesor zënë emrat e shenjtorëve si Vasili, Nikolla, Sotiri, Kostandini, Stefani, Dhimitri, Petro etj, as titujt përkatës apo të origjinës së dikurshme të përkushtimit fetar si, Protopapa, Papadhimitri, Papajani, Papapavli, Papamihali etj, etj. Për të njëjtën arsye janë lënë jashtë edhe emra vendesh, qytetesh apo fshatrash, sepse kjo do kërkonte një eksplorim më vete e nuk është ky motivi e qëllimi i këtij shkrimi.
Pa u zgjatur më tej vimë te lista që paralajmëruam pak më lart. Nga ajo mund të kuptojmë se me shumicën e fjalëve aty ne shprehim mendime, formulojmë koncepte, marrim e japim informacion në fushat kryesore të jetës, në shkencë, art, mjekësi, sociologji, politikë, etj. Madje edhe disa arte të reja apo zhvillime teknollogjike të lindura gjatë dy shekujve të fundit, janë pagëzuar me neologjizma të njohura greke. Ato prej kohësh janë pjesë e komunikimit ndërkombëtar. Nuk e shoh të nevojshme të ketë sqarimin përkatës për çdo fjalë të pranishme në këtë listë (me ndonjë përjashtim), edhe për faktin se ato tashmë janë përshtatur mjaft mirë me shqipen e janë pjesë integrale e saj, ndaj këtu do ti japim siç shkruhen në shqip. Një pjesë e tyre ka hyrë në shqip direkt nga gjuha greke, kurse pjesa tjetër nga gjuhë të tjera, kryesisht latine, por rrënja tyre fillestare është greke. Përsa i përket devijimit apo largimit prej kuptimit origjinal gjatë konvertimit të fjalëve si “tërfil nga trifili” etj, nuk është detyra ime besoj për ta shpjeguar por e studjuesve. Ndarja në tre grupe e kësaj liste është thjesht për lehtësi perceptimi e për të mos lodhur lexuesin.
Përditshmëria jetës, informacion etj.. — shtëpi, dhoma, alfabet, analfabet, shkollë, shkallë, skalis, mermer, pllaka, themeli, liko, nikoqir, trapez, qëndisma, karfica, kremastar, krevat, vazo, lule, trëndafil, tërfil, dafina, hare, histeria, llampë, llambadha, fanar, monopat, greminë, asteroid, arkipelag, pllajë, paralel, dhogë, kallam, kallamoq, kallamar, oktapod, delfin, bufi, kukuvajka, sorkadhe, metër, termometër, kronometër, ora, metal, skorje, lloqe/llogje, logo/logu, kanuni, dhia, livadh, shpellë, merak, qejf, magjia, mania, maniak, piromania, pirat, megalloman, egoist, egocentrik, narcizist, karizmatik, karakter, karakteristikë, oreks, pi, pije, daulle, kartë, hartë, atlas, oqean, horizont, diametër, perimetër, diagonal, taksi, xhiro, oriz, prasi, valanidhi, kotec, katoi, fanella, fustanella, barbar, lesbike, hipokrit, podium, monografia, biografia, gjimnaz, gjimnastikë, atletika, olimpiadë, maratonë, medalje, stadium, arkiv, thesar, frika, fobi, kleptoman, panik, polic, prototip, erotik, pedofil, pedonale, palestër, akoma, katastrofë, kriptogram, ajër, aeroplan, aeronautika, aerodrom, hipodrom, timon, idiot, heroi, heroizëm, shpata, skllav, fron, orgjia, zilia, mes, qëndër, epiqëndër, metropol, kozmopolit, ksenofob, pseudonim, anonim, nekrologji, nekrofil, skelet, agonia, vula, bazë, bazike, cikël, fazë, simpatia, nektar, portokall, disk, diamant, klima, panorama, etj…
Fjalori politiko-social e akademik.. – demokracia, anarkia, aristokracia, monarkia, oligarkia, plutokracia, politika, idea, ideologjia, tema, teoria, praktika, program, pragmatizëm, demagog, polemika, retorika, problem, provë, paradigmë, monopol, oligopol, autokrat, teknokrat, qeveria, kriza, diplomacia, stenograf, daktilografist, diakronik, deontologjia, anakronik, mistik, paradoks, stigmatizues, sistem, ekosistem, gjeopolitika, pentagoni, strategjia, taktika, antagonizëm, despotizëm, skizmatik, katarsis, emfazë, hierarkia, tiran, diktatura, martir, protagonist, hegjemoni, djall, diabolik, demon, dogma, misteri, bibla, profet, apostull, kaligrafi, kodik, ortografi, ortodoksia, katolik, teolog, idolatria, laike, apokalips, epifania, liturgjia, astrologjia, zodiak, herezi, ekumenike, etnia, etnogjeneza, etnike, patriot, autokton, autonomia, autoqefalia, diaspora, homogjen, homolog, holokaust, komb, himni, epoka, filozofia, akademia, biblioteka, pedagogjia, poliedrik, historia, fizika, kimia, gjeometria, gjeografia, matematika, arithmetika, trigonometria, gramatika, sintaksa, glosologjia, filologjia, morfologjia, semantika, sinonim, sinoptik, optikë, numizmatika, etimologjia, neologjizma, fonetika, dialektika, analizë, sofizëm, agnostik, skeptik, metafizika, ekonomia, makroekonomia, agronomia, gastronomia, astronomia, astronaut, zooteknik, zoologjia, biologjia, biokimia, botanika, ekologjia, gjenetika, gjeologjia, mitologjia, antropologjia, arketip, arkeologjia, paleolog, speleolog, sizmolog, sizmik, topograf, toponomia, utopia, llogjika, didaktik, autodidakt, metodë, aksiomë, simpozium, hipnozë, hipotezë, sintezë, parantezë, leksiku, poliglot, profan, diploma, kritika, kritere, apologjia, demografia, periferia, sfera, biosfera, hemisfera, atmosfera, etj…
Fjalët e artit, mjeksisë, shkencës etj.. – tragjedia, komedia, teatër, amfiteatër, drama, dramaturgjia, demiurg, dialog, monolog, maska, plate, kori, skena, skenografia, koreografia, etnografia, akustika, mikrofon, fonia, kakofonia, simfonia, polifonia, muzika, melodia, pentagram, harmonia, lira, poezia, poet, rima, ritmi, sinkron, simetria, panteon, kapitel, kollonë, labirinth, alegoria, metaforë, metamorfozë, fantazia, fantastike, entuziazëm, pathos, etika, estetika, parabolë, simbol, simbolika, muza, muze, ikona, ikonostas, ikonograf, qeramika, amfora, mozaik, monokron, polikromatik, kolazh, grafit, litografi, grafika, pirografi, tipografi, poligrafiku, katalog, telefon, teleskop, fotografia, kinematografia, sinopsi, episod, arena, filigram, hologram, anagram, prolog, epilog, ironia, satira, sarkazëm, farsë, frazë, frazeologji, lakonik, melankolik, nostalgji, analogji, antologji, akronim, balsam, profilaksia, prostata, farmacia, patholog, pediatër, pediatria, hematolog, hemofilik, anemia, anatomia, gjinekolog, plazma, protoplazma, psikolog, psikanalist, psikiatër, psikopat, kardiolog, urolog, nefrolog, dermatolog, sperma, spermatozoid, androlog, neurolog, pneumolog, monogamia, poligamia, organizëm, organ, gjenitale, orgazma, klonim, terapia, fizioterapia, termale, koloskopia, ortopedia, amnezia, nerva, plagë, trauma, kirurgjia, diagnozë, mikrobe, epidemia, mikroskop, metabolizëm, stomatolog, sindroma, simptoma, diafragma, toraksi, teknik, teknologjia, mekanik, mekanizëm, fosforeshent, energjia, hidroenergjia, termoenergjia, atomi, dinamik, fenomen, etj…
Le të ndalemi pak te fjala (logo/logu), që çuditërisht ka kuptim të dyfishtë veç te grekët e shqiptarët, por për çudi askush nuk e përmend ose nuk do ta shoh. Akoma më intrigues është fakti që kuptimi i parë i saj gjëndet në veri të vendit e jo në jug, nga ku mund të interpretohej si ndikim i sforcuar prej “invazionit” të gjuhës greke. Logo-fjala/fjalë, jap fjalën time, ke fjalën time, kjo është fjala ime..ky është kuptimi i parë edhe te grekët në komunikimin e tyre të përditshëm. Të gjithë besoj e njohim këtë fakt për veriun shqiptar, aty ku flitet për Logun e burrave, Logu i Bjeshkëve, vendi kur dikur jepej fjala/logo, kurse sot mblidhen për festat tradicionale. Kuptimi i dytë dihet tashmë, sepse me logon sot kemi parasysh një koncept ndërkombëtar të përfaqësimit grafik që zgjedh dikush, privat apo publik, për të prezantuar veten, biznesin, shkollën, shoqatën, ministrinë etj, përmes një simbolike vizuale të abstraguar ose jo, që thotë “shumë me pak gjë”, por që në vazhdimësi mjafton ta shohim për të kuptuar kush është pas kësaj “fjale apo shenje grafike” që njihet si LOGO.
Dikush tjetër do mund të bënte një listë padyshim më të gjatë se kjo, por edhe me kaq ne mund të shohim qartë kontaktin e gjallë mes dy gjuhëve. Sepse as ideja ime nuk ishte për të thyer ndonjë rekord. Madje kam përshtypjen se pas leximit të kësaj liste fjalësh, te disa do krijohet ndjesia sikur vërtet tanimë e njohin greqishten edhe pa ditur kurrë më parë një fjalë prej saj, ashtu si edhe te disa të tjerë mund të shtohet ndjesia bezdisë ndaj pranisë së shtuar të “fjalëve greke” mes nesh. Lexues akoma më nervozë do vënë në dyshim shumicën e listës, por kjo ka pak rëndësi, e vërteta është aty. Megjithatë për të qënë luajal, mund të pranohet një mundësi gabimi nga 1 deri 2%, e në një listë me mbi 400 fjalë kjo nuk përbën ndonjë mëkat të madh. Nuk është mëkat mendoj edhe nëse tregojmë vëmëndjen e respektin e duhur, sepse besoj biem dakort për faktin që ambienti ynë social nuk shfaq ndonjë simpati të dukshme ndaj gjuhës greke, duke e justifikuar këtë me arsye historiko-emocionale të 100 viteve të fundit. Ndaj nuk është çudi të shohësh dikë, zakonisht i shkolluar, të bezdiset kur dëgjon afër tij të flitet greqisht, apo kur pas çdo fjale greke në publik sheh rrezikun e asimilimit. Mirëpo këtu është rasti të rikujtojmë faktin se të gjitha gjuhët që lanë gjurmët e tyre në gjuhën shqipe, e kanë arritur këtë kryesisht përmes pushtimeve dhe bashkjetesës së detyruar përgjatë pushtimit aq sa ka zgjatur ai, duke filluar me romakët pas pushtimit të Ilirisë, më pas janë dyndjet barbare, gotë, vizigotë etj, vazhdon me kalimin e kryqzatave dhe atyre që mbetën këtu, pastaj vjen pushtimi sllav, derisa vimë te nata e gjatë otomane. Rasti greqishtes është tjetër gjë, sepse nuk erdhi përmes pushtimit por si rrjedhojë e bashkjetesës natyrale mes dy fqinjësh të lashtë, e natyrisht përmes ndikimit të saj kulturor që njihet edhe për rolin e saj të madh në lindjen e qytetërimit perëndimor. Pikërisht ky komunikim mbase shpjegon edhe arsyen që mes dy popujve nuk ka pasur kurrë luftë, një detaj që “harrohet” shpesh nga një pjesë jo e vogël e elitës social-politike e mediatike, e cila nga ana saj i mëshon shumë rrezikut të supozuar në horizont prej greqishtes, ndërsa shijon flladin e anglishtes apo italishtes që hyn duke përkëdhelur vrullshëm fytyrën e shqipes së ditëve tona. Për ta mbyllur me flladin e “parapëlqyer” gjuhësor, po sjell një bisedë të rastit me një adoleshente e cila quhej Melisa. Eshtë mëse e natyrshme prirja të rinjve ndaj kulturës së globalizmit, e përfaqësuar nga anglishtja në masën më të madhe, përmes muzikës, filmave etj, nga ku njerëzit joshen të zgjedhin emrat e preferuar midis shumë personazheve të famshëm për të pagëzuar fëmijët e tyre. Po ti pyesësh ata janë të bindur se kanë vendosur emra të botës anglosaksone apo amerikane, ndaj kur e pyeta Melisën për kuptimin e emrit ajo ngriti supet. Befasia u shfaq në sytë e saj të bukur, kur i thashë se emri yt vjen nga greqishtja dhe do të thotë Bletë.
Duke ju përmbajtur simbolikës së bletës (melisa), u mundova sinqerisht në përsiatjen time të bëj të njëjtën gjë, me shpresën se nektari i mbledhur nga ky fluturim do të vlej për diçka të mirë. Sepse besoj që shqiptarët dhe grekët janë shumë më të afërt nga sa kujtojmë, madje edhe nëse sdo të dinin asnjë fjalë nga gjuha njeri tjetrit, do mjaftonte lista e mësipërme e fjalëve për tu kuptuar shumë mirë mes tyre.
*Artist, shkrimi i përgatitur më 7 Korrik 2017


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.