MILOSAO

Polonia krenare e Shopen, mes BE-së dhe Putin

08:41 - 24.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Varshavë, Ben ANDONI




Përballë hapësirës që kufizon ambasadën gjigande ruse, diku aty afër dhe rezidencës presidenciale, një rulotë qëndron e hapur me një si parullë ngjitur ballazi! Në fakt, Pallati Presidencial është diku pak kilometra më tutje te Sheshi i Kështjellës, ku një ndërtesë elegante klasike rikonceptuar disa herë ka shërbyer si pronë private për fisnikët vendas.
Tre njerëz rrotullohen atypari. Nuk flasin. Më duken si hije. Një orë më parë kanë qenë më shumë në një ritual me sa duket të përditshëm. Mundohem nga serbishtja të kuptoj diçka prej sloganit. Është një si protestë vetanake për demokraci…Deklamative. Kur kthehem më vonë, ata mbledhin  gjërat, pa hequr cigaret nga buza. Duken si familje endacakësh. Pas tyre parku Lazienski heshton i shkrirë me natën e freskët të Varshavës. Qytetarë të rrallë, ndonjë çift kalojnë duke bashkëbiseduar në korsinë e këmbësorëve. Parku i sotëm, pjesë e rrugës mbretërore të dikurshme, përbënte dikur një si kanal komunikimi që u zhvillua jugut të qytetit të vjetër në ditët kur mesazhet postare mbeteshin ende mënyra e vetme për të sjellë në Varshavë kumte urgjente.

…Jam pak në zhgjëndër. Luzma e njerëzve pagojë, ardhur nga të gjitha anët për të asistuar në një nga koncertet e zakonshme që jepen zakonisht në ditët e verës me muzikën e Shopen, s’është më. Më duket se kopshti, ashtu si edhe vetë Polonia është e shkrirë dhe identifikohet nën diktatin e kompozitorit të shumëpërfolur. Këtë herë Shopen e kam hasur të interpretuar nga një pianist italian. Nokturni i tij Opus 9, Nr.2 valëzon në ajër me njerëzit që vinë dhe ikin në park. Shumë ulen në barin përballë monumentit teksa mjedisi është sublimisht qetësues. Kompozitori më i famshëm i Polonisë i nënshtron aty poshtë statujës ku interpretohen prej virtuozësh pjesët e Shopen në Lazienki Park. Kujdes, kush mendon se Polonia dhe arti i saj është vetëm Shopen do gabohet rëndë.

Muzika polake ka qasje që nga rrymat moderne si xhazi e deri në muzikën mesjetare apo te opera moderne, art të cilin vendasit dhe turistët e pafundmë mund ta shijojnë në një sërë vendesh historike dhe moderne në qytetet e mëdha. Por teksa në Lazienski dhe në parqe të tilla muzikën e ndjeson në natyrë gjatë muajve të ngrohtë, ke opusin e pafundëm të kompozitorëve të tjerë, që i has në koncertet e kishës dhe në shtëpitë e shumta të operas gjatë sezonit të dimrit. Në anijatat e mjediseve fetare, falë muzikës, u përgatit ngadalë furia antikomuniste, që u shpalos me rezistencën pasive ndaj komunistëve dhe rusëve, por më vonë edhe me “komplotet” më të mëdha ndaj regjimit.
Çfarë duhet të dimë për këtë vend? Pse përmendet kaq shumë në dyert e Brukselit? Ku është magjia e tij? Është e thjeshtë: Mosmarrëveshja themelore ndërmjet Varshavës dhe Brukselit, as më shumë e as më pak, tregon vërtetë honin kulturor që tollovitet sot brenda BE-së. E një vend krenar si Polonia, anëtarja më prestigjioze e Evropës Lindore dhe Qendrore, nuk mund të durojë të trajtohet si anëtare e klasës së dytë. Paçka se Donald Tusk, ish-kryeministri polak tashmë është presidenti i Këshillit Evropian, edhe kjo në vendin e tij nuk është se llogaritet aq shumë. Kryeministrja Beata Szydlo e akuzon atë bashkë me politikanët e tjerë të Evropës Perëndimore pa doreza se atyre u duket se po ndjehen më superior ndaj anëtarëve të rinj dhe vetëm “duan të na udhëzojnë ne të tjerëve”. Vetëm pak ditë më vonë në Poloni, do kuptoj këtë mllef ndaj Tusk, kur disa gjëra ndryshe do mi shpjegojnë njerëz pa petk zyrtar. Ai akuzohet se ka bërë një marrëveshje të fshehtë me Putin sa i përket çështjes së rrëzimit të avionit, ku humbi jetën  Lech Kaczynski, kurse një shofer një ditëz do të më zbrazet hapur për korrupsionin në kohë të tij. Qytetarët polakë e kanë të rrënjosur thellë sensin e padrejtësisë prej ndarjeve që u kanë ndodhur gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë apo aneksimeve të padrejta, kohë kur Polonia e gjeti veten copëtuar mes Fuqive të Mëdha: Rusia, Austria dhe Prusia. Është paradoks por Polonia e një historie që mund t’ia ketë zili cilido vend në Evropë iu avit shekullit të njëzetë, pa qenë shtet sovran! A janë këto ngjarje që ende rëndojnë dhe përcaktuan identitetit kombëtar? E vështirë që ta zbuloj…

Kultura
Vetëm se një gjë e di mirë. Polonia ka një identitet kulturor të spikatur, aqsa vendi duket se ka qenë i pavarësuar gjithnjë. E vendosur në qendër të Evropën Veriore, vendi thuhet se rrjedh nga një fis sllav, dikur pranë Poznanit. Polonia do të thotë vendi i “banorëve ose njerëzve të fushës, livadheve “. Nga ky element kuptoj dashurinë e tyre për malet dhe detin shqiptar, teksa me një miken shoqëruese Beata kam ngulur kokën në një vitrinë në Lods ku një ofertë e orës së fundit grish për në Shqipëri. “Të etur për male dhe reliev”, më buzëqesh gruaja. Po çmimi, i them. “Nuk është keq”, më gjegjet pa kthyer kokën. Në shekullin e 16-të, Polonia ka qenë një nga vendet më të fuqishme në Evropë. Vetëm pas pushtimit për shkak të kushteve, vendi u bë një shoqëri gati mono-etnike.
Kultura polake, për të cilën jam shumë i dhënë falë qasjes së letërsisë, i ka ndikuar pozicioni gjeografik, por edhe multi-kulturalizmi i theksuar. Po. Por jo vetëm unë. Kushdo që lexon polakët nuk ndahet më prej tyre. Adam Mickiewicz, Juliusz Slowacki, Zygmunt Krasiñski, Henryk Sienkiewicz, Wladyslaw Reymont, Czeslaw Milosz,  Witold Gombrowicz, Gustaw Herling-Grudziñski, S³awomir Mro¿ek, Zbigniew Herbert, Tadeusz Ró¿ewicz, Wis³awa Szymborska janë mes autorëve më të njohur botërorë, kurse disa syresh janë edhe nobelistë. Kjo listë është fare e mangët, por nuk lë dot mënjanë edhe Ryszard Kapuœciñski, idhullin e reportazhit, ashtu si poetët e filmit botëror Andrzej Wajda dhe Roman Polanski, që i njeh kushdo në Shqipëri. Kultura bazike polake e ka origjinën nga kultura e sllavëve të hershëm, por atë dikush e identifikon natyrshëm edhe me kulturën e botëve latine, bizantine dhe gjermane që e rrethojnë vendin historikisht. Gjithsesi mos e ekzagjerojmë: popullsia e Polonisë sot prej rreth 38.1 milionë banorësh ka plot 98% polakë kurse dy përqind të tjerët janë grupe të vogla ukrainase, gjermanë, lituanë, bjellorusë dhe sllovakë. Pas gjuhës sllave “polake” ishte gjuha ruse pak dekada më parë gjuha e dytë e zakonshme e mësuar. Tani është zëvendësuar masivisht nga anglishtja dhe pastaj gjermanishtja. Polakët e ditëve të sotme po firojnë. Falë zotësisë së tyre dhe përmbushjes së nevojave të tregut emigrojnë në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe Irlandë në kërkim të mundësive më të mira të punës, kurse si në të gjithë Lindjen edhe polakët po lindin gjithnjë e më pak. Është e pakët të thuhet ajo që bëri holokausti në këtë vend, por deri në Luftën e Dytë Botërore, Polonia ishte vendi i një grupimi të larmishëm fetar. Besimet fetare që ngriheshin mes traditave të atyre hebreje, të krishterë ortodokse, katolike romake ose protestante ishin në harmoni të thellë. Derisa erdhi gjëma. Holokausti bëri katrahurën se tani Polonia është me rreth 95% katolikë romakë dhe 5 % të tjerët janë ose ortodoksë lindorë ose me ndonjë formë tjetër të fesë së krishterë. Polonia ndryshon edhe nga një aspekt nga vendet e tjera të lindjes, pasi komunitetet fetare vendase po luftojnë ashpër që feja të vendoset në sistemin arsimor.

Traditat e saj
Polonia për shkak të shtrirjes gjeografike, historisë dhe faktorëve të tjerë ruan në vetëdije një kujtesë kolektive të Bashkësisë polako-lituaneze, si ajo që ekzistonte para ndarjes nga 1569 deri më 1795, kohë kur u krijua edhe një nga parlamentet e para të Evropës. Nga ky element kapen kritikuesit e qeverisë aktuale, kur i kujtojnë se duhet të jetë më bashkëpunuese me BE-në dhe se demokracia është një parim qendror i bashkësisë që Polonia duhet ta respektojë pa kushte. Megjithë një histori të vyer dhe me përmendje, Polonia nuk ka problemet e stisura të shqiptarëve me lashtësinë e origjinës. U themelua rreth një mijë vjet më parë, në vitin 992, pas Krishtit, ja këtu mu në zemër të Evropës. Falë mungesës së barrierave të forta natyror, afërmendsh pati një kërcënim të vazhdueshëm nga mbretëritë fqinje dhe vazhdimisht i ndryshonte kufijtë. Sot, është zhvendosur kah perëndimi. Polonia lulëzoi ndër shekuj dhe madje u bë një nga fuqitë më të mëdha në Evropë gjatë kohës së Bashkimit polako-lituanez. Fatkeqësisht, mosmarrëveshjet e vetë polakëve, shtuar me fuqitë në rritje të vendeve në kufijtë e tyre çuan në ndarjen e Polonisë midis viteve 1764 dhe 1795. Rusia, Prusia dhe Austria ndanë vendin e polakëve midis tyre dhe ajo pushoi së ekzistuari për më shumë se gati një shekull! Një nga kulmet vendase është beteja e Raclawice në 1794 si pjesë e një kryengritje të suksesshme kundër rusëve. Fitorja e tyre legjendare në betejë mbahet mend e përjetësuar në një pikturë panoramike të ekspozuar në Wroclaw.
Për hir të së vërtetës, historia polake ka shumë elementë për t’u ndjerë krenarë: e para është tradita e patriotizmit kushtetues. Beata ma vërteton shpesh me sqarimet e gjata. Është e saktë si sahat, shoqëruesja ime, që shpesh kalon pak në pedantizëm. Që në 1791, Polonia kishte kushtetutën e parë të shkruar në Evropë. Lidhur me traditën parlamentare, Polonia ndërtoi një sistem vendim-marrës shumë të rëndësishëm, origjinal, që shikohej veçanërisht  me të drejtat e pakicave. Një tjetër tipar origjinal ishte i ashtuquajturi veto liberum, ku çdo anëtar i Sejmit, i lindte e drejta që mund të anulonte ligjin, kur e shihte të arsyeshme, paçka se kjo solli në probleme në fund të shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe fillim të tetëmbëdhjetë. Ne shqiptarët jemi bërë proverbialë me përsëritjen bajate të tolerancës fetare, por Polonia diti të shmangë edhe gjakderdhjen e luftërave fetare evropiane prej tolerancës së saj relative, mishëruar në aktin historik të Konfederatës së Varshavës në 1573. E kujtoj, se një takim gazetarësh 10 vite më parë, kur na tregonte përmasat institucionale të shtetit të tij, i kam rënë në qafë kot shefit të Sejmit polak, lidhur me këtë fakt.
Po hebrenjtë vallë? Kjo më kaplon, derisa evolucionin e tyre në Poloni e njoh në mënyrë te detajuar në muzeun e ri “Polin” në Varshavë, që është gati shterues sa i përket këtij fakti. Muzeu “Polin” është i vendosur në vendin ku gjendej dikur Geto e Varshavës dhe e dokumenton qartësisht historinë e hebrenjve polakë në një kohë kronologjike. Sot, nuk ka mbetur as edhe gjurma më e vogël e katrahurës. Ekspozita fillon me tregtarët udhëtues që erdhën në Poloni gjatë periudhës mesjetare dhe zgjatë deri disa qindra vjet kur mbërrin Holokausti dhe madje edhe në vitet e pas luftës.
Historia më ngatërrohet disi jashtë “Polin” , sepse fashitet pak nga pak ajo që ndodhi me hebrenjtë, kur shikon mjedisin urban shumë post-socialist dhe të vjen para trashëgimia e opozitës dhe lëvizjet disidente të viteve ’70 dhe ‘80, ku një sërë artistësh ishin realisht protagonistë. Polonia, megjithë kufizimet e saj, arriti të ishte një shoqëri multikulturore për pothuajse tërë historinë e saj, e kjo vazhdoi deri në shekullin e njëzetë. Këtu gjendet edhe një nga arsyet kundër retorikës së fundit ksenofobie, që ka lindur në vend. Edhe pse Polonia e sotme, si i gjithë Perëndimi dhe Qendra e Evropës, ka nevojë për imigracion, jo thjesht për arsye demografike, ekonomike, por edhe në faktin se kthimi sërish në status multi-kulturor do të përfaqësonte realisht një lloj kthimi në normalitet.

Ekonomia dhe Polonia ka problemet e veta
Po a është normale Polonia në zhvillimin e saj dhe një vend futur në rrjedha qetësie? Këtë e ndaj si përshtypje me shumë burokratë të lartë të administratës, polake. Një zëvendësministër, drejtorë nga Ministri të ndryshme, nëpunës dhe të tjerë. E megjithatë polakët ende thonë se janë një vend i varfër, ndërsa me modesti mëtojnë se kanë shumë çështje të brendshme dhe varfëri që duhet adresuar drejt në kohët tona. Polonia, realisht, nuk është një shoqëri me një mirëqenie shumë të zhvilluar apo të ketë forcë dhe për të shpëtuar botën, si pak shtete syresh. Megjithatë forcat polake si kontigjente të NATO janë kudo dhe madje në vijën e parë të zjarrit.
Tashmë Polonia kërkon plot 15 miliardë dollarë për t’u përballur me fenomenet që sjell ritmi i ngadalësimit. Norma e GDP-së u ngadalësua disi vitin e kaluar, kurse qeveria e Polonisë po përballet me një kohë të vështirë sepse i duhet të përballet me një rritje ekonomike larg premtimeve. Me produktin e brendshëm bruto të vendosur nën 3 për qind që nga 2013, polakët mendojnë se kanë gjetur gabimin, që specialistët e lidhin me eksportet “fiktive” të pajisjeve elektronike. PBB-ja shkoi 2,7 për qind vitin e kaluar, nga 3.9 për qind në vitin 2015 dhe 3.3 për qind në 2014, sipas vlerësimeve në një anketë të Bloomberg. Zloti, monedha më e mirë në Evropë më 2016, fitoi 0.1 përqind në 4.3328 kundrejt euros. Ajo është forcuar madje edhe me 1.6 përqind në vitin 2017.
Por a s’është ky një lloj paradoksi? Pothuaj.  Ekonomia e Polonisë është ekonomia e gjashtë më e madhe në Bashkimin Evropian dhe më e madhja midis ish-anëtarëve të Bashkimit Evropian të Bllokut Lindor. Kjo erdhi pasi nga viti 1990 Polonia ka ndjekur një politikë të drejtë të liberalizmit ekonomik dhe ekonomia e saj ishte e vetmja në gjirin e BE-së që ka shmangur me shumë zgjuarsi një recesion përmes rënies ekonomike 2008-2009. Larg fjalëve, deri në vitin 2017, ekonomia polake është rritur vazhdimisht për 26 vitet e fundit, një rekord i lartë për normat e BE-së. Një rritje e tillë ka qenë mbresëlënëse, me PBB për frymë, që kap mesatarisht 6%. Në një gjë bashkohen të gjithë: Polonia gjatë 20 viteve të fundit ka performancën më mbresëlënëse në Evropën Qendrore. Jo më kot, renditet e 20-ta në mbarë botën në terma të PBB-së dhe klasifikohet vazhdimisht si ekonomi me të ardhura të larta nga Banka Botërore. Komponenti më i madh i ekonomisë së saj është sektori i shërbimeve (62.3%), pasuar nga industria (34.2%) dhe bujqësia (3.5%). Kujtoj se Shqipëria ka pasur nevojë dhe është asistuar nga Polonia, për procesin e integrimit sa i përket burokracisë, ndërsa pala polake vazhdon të asistojë mirëdashësisht ndaj të gjithëve. Ky kontribut nuk është pa kosto. Borxhi i jashtëm polak u rrit nga 42.2 miliardë dollarë në vitin 1989 drejt 365.2 miliardë dollarë në vitin 2014. Struktura e eksporteve kryesore polake përfshin makineri, pajisje elektronike, automjete, mobilje dhe plastikë. Sipas Zyrës Qendrore të Statistikave të Polonisë, në vitin 2010 norma e rritjes ekonomike polake ishte 3.9%, e cila ishte një nga rezultatet më të mira në Evropë. Në vitin 2014 ekonomia e saj u rrit me 3.3% dhe në vitin 2015 me plot 3.6%. Eksportet dhe importet përbëjnë një përqindje të madhe të PBB-së së Polonisë. Që nga viti 2014, kur kemi edhe vitin e fundit në të cilin disponohen statistika të besueshme, eksportet dhe importet përbënin 46.9% dhe 45.4% respektivisht të PBB-së. Në këtë trend është marrëdhënia me vendin tonë sepse eksportet në drejtim të Shqipërisë janë me kurb rritëse 198.46 milionë Euro, kurse importi prej vendit tonë është 9.55 milionë Euro dhe është gati me një rritje të lehtë!!! Agjencia kombëtare e investimeve, që ka bërë të mundur vizitën time, më mbush me të dhëna por edhe me logjikën e këtij zhvillimi, një veprim që e bëjnë po me aq përkushtim edhe me kolegë të ndryshëm nga e gjithë bota. Ah se harruam. Një sfidë me të cilën ballafaqohet ekonomia e Polonisë në vitin 2016 është rënia e borxhit, i cili zë rreth 50% të PBB-së deri në dhjetor të vitit 2015. LdhD (Ligj dhe Drejtësi), partia në fuqi, zhvilloi një platformë për rritjen e përfitimeve të shportës familjare, uljen e taksave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, bizneset, si dhe uljen e moshës së pensionit, që tregon sesi do të ekuilibrohet buxheti në afat të shkurtër. Aman, ka shumë kritikë që mendojnë ende se LdhD (Ligj dhe Drejtësi) mund të krijojë politika më të mira që do të kënaqin kërkesat demokratike, ku të nxisin një mjedis të shëndetshëm për aktivitetin e biznesit dhe investimet, dhe të mbështesin më shumë zvogëlimin e borxhit publik. Si do që të ndodhë, ekonomia e Polonisë është jashtëzakonisht e varur nga shëndeti i Bashkimit Evropian, i cili po përballet me sfidat dhe pasiguritë e veta në vitin 2016. Me ekonominë e BE-së që përjeton rritje të ngadaltë, Banka Qendrore Evropiane filloi një program lehtësim sasior në vitin 2015, i cili uli normat e interesit dhe zhvlerësoi Euron në krahasim me Dollarin amerikan. Rusia është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Polonisë, duke përbërë 4.2% të eksporteve dhe 9.1% të importeve. Kurse politika e jashtme agresive e Rusisë dhe përplasjet politike që vetë Polonia ka në BE, përbëjnë një shqetësim në plan të parë ndaj prirjeve ekonomike të vetë vendit, që mund të prishë në të ardhmen krejt modelet e tregtisë. Manovrat e Putin ndaj Polonisë janë shqetësuese. E kësaj i shtohet sot edhe zvogëlimi i rritjes së Kinës, trend që pritet të vazhdojë edhe në vitin 2017, i cili do të ketë gjithashtu efekte negative në ekonominë e Polonisë, pasi Kina është partneri i tretë më i madh tregtar në lidhje me importet.

Nëpër Varshavë
Vetëm se kjo situatë ekonomike disi e turbullt nuk e ndalon grishjen për të parë kryeqytetin e miliona turistëve nga e gjithë bota. Ashtu si ndodh rëndom turet fillojnë në Qytetin e Vjetër, ku ende ka dyqane që i shesin veshjet sovjetike, veçmas suvenireve të tyre origjinale Made in Varshava. Ecja nëpër të dhe sidomos në Sheshin e Kështjellës, jo vetëm përbën një përvojë interesante, por t’i ke mundësinë që kështu të kapësh pulsin e qytetit në kohë e periudha të ndryshme. Këtë e shtojnë performancat e improvizuara dhe të tjera. Pjesa më e madhe e qytetit u rrafshua në tokë pas Luftës së Dytë Botërore dhe kjo e bën vizitën pak si surrealiste. Je brenda një qyteti të vjetër, por ngritur vetëm para 7 dekadash! Qyteti ruan një nga ndërtesat më të larta në lindje të komunizmit, dhuratë e shtetit BRSS. Si sfinks këtë trashëgimi e ruan godina gjigande që njihej si Pallati i Kulturës dhe Shkencës. Ndjenja ndaj Pallatit është shumë e përzier, ashtu si ndodh me gjithçka ruse në vend, në mes të të cilit rrjedhin lumenj gjaku. Pak vite më parë donin ta hidhnin fare në erë. E fundit, mes dy vendeve, është ajo që ka ndodhur në Smolensk me rënien e avionit presidencial dhe shpurës së tij, që mblidhte dhjetëra nga personalitetet vendase. Që atëherë, Polonia me Rusinë, qasjen e kanë vite larg. Vizitorët i drejtojnë edhe kah shtëpisë së Monarkisë Polake, por është jo shumë e këndshme sepse Polonia nuk ka pasur vijimësi të konsoliduara monarkike. Në një perimetër të arsyeshëm gjen muzeun Shopen, një tjetër muze, që i jep kuptim vizitës në Poloni, falë një koleksioni të gjerë të dorëshkrimeve, letrave dhe pikturave që dokumentojnë jetën e kompozitorit. Vetë e shmang ndërsa përfundoj tek një nga poetët e mi të preferuar Tadeusz Ró¿eëicz, i cili ka okupuar me një ekspozitë speciale në muzeun e shkrimtarëve në qendër të qytetit të vjetër. Janë pikërisht këta individë si Ró¿eëicz që i dhanë identitet Polonisë, por edhe namin ndërkombëtar dhe e kanë bërë vendin aq të dashur. Por, nëse do të ndjesh Varshavën e luftës duhet të kapësh muzeun e kryengritjes të Varshavës, një vend përkushtuar ndaj ngjarjeve të vitit 1944, ku tregohet aksioni dy mujor nga ushtria polake e rezistencës kundër gjermanëve.

Polonia: Sfida e Integrimit në BE
Ka aq shumë muze dhe flitet aq shumë saqë ti duhet ti dedikohesh, por natyra e shërbimit personal mbledh shumë aspekte. Polonia përbën një model të reformave të suksesshme në sajë të ekonomisë mbresëlënëse dhe shpejtësinë e ndryshimeve strukturore. Por a është vërtetë Polonia e gatshme të jetë një nga lokomotivat e zhvillimit në aspektin ekonomik? Jo aq. Pavarësisht nga performancat dhe parashikimet e fuqishme në treguesit ekonomikë, si norma e papunësisë, inflacioni dhe rritja e pritshme e PBB-së, ekonomia e Polonisë hyn në 2017 me një pasiguri, kryesisht për shkak të një ndryshimi në regjimin politik dhe çështjeve me të cilat ballafaqohet vetë Bashkimi Europian në tërësi.
Për vite të tëra, që nga ndarja e saj nga regjimi i shkuar dhe Bashkimi Sovjetik në vitin 1989 dhe hyrja e saj në Bashkimin Evropian në 2004, Polonia fitoi një reputacion me një histori suksesi në emër të politikave liberale, të tregtisë së jashtme ekspansive, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Nga viti 1989 deri në vitin 2007, duke hequr kontrollet e çmimeve, duke bërë monedhën e saj të konvertueshme dhe tregtinë e liberalizuar, ekonomia e Polonisë u rrit me 177% !!! Asokohe, këtë model polak të tregut të lirë dhe të demokracisë e shpërndanë si një model për stabilitetin politik dhe social.
Megjithatë, me partinë populiste në fuqi të Ligjit dhe Drejtësisë (LdhD), e udhëhequr dikur nga Jaroslaw Kaczynski, që ka fituar zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vitin 2015, vetë ky reputacion është subjekt i ndryshimeve. Kaczyñski është një mbështetës i zëshëm i kryeministrit hungarez Viktor Orban, që njihet si përkrahës i demokracisë së fortë, por edhe masave të ashpra. Partia LdhD ka zhvilluar një platformë që bën thirrje për taksat më të larta për bizneset e huaja. Ndjenjat disi izoluese të LdhD janë kryesisht një thirrje për më shumë sovranitet kombëtar, por edhe presion ndaj Bashkimit Evropian (BE) për të arritur një synim të përbashkët për të gjitha vendet anëtare të saj. Nga ana tjetër, qeveria e udhëhequr nga LdhD tashmë ka filluar të godasë fort Komisionin Evropian kurse kritikët në vend, e kanë shtuar zërin për zbatimin e reformave të gjykatës kushtetuese, roli kryesor i të cilave është të kontrollojë nëse ligjet përputhen me kushtetutën. Gjithsesi piku ose konflikti midis Bashkimit Evropian dhe qeverisë së krahut të djathtë të Polonisë u rritën kur Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që u bëri thirrje drejtuesve të Polonisë të ndalonin të sfidonin gjykatën e lartë të vendit. Anipse Jaroslaw Kaczyñski dhe përfaqësuesit e tjerë në Partinë LdhD e kanë shpallur se misioni i tyre qëndron për të mbrojtur me zell vlerat katolike konservatore dhe sovranitetin polak kundër një BE-he, gjithnjë e më laike. Beata Szydlo kryeministrja e Polonisë ka shkuar edhe më tej. Ajo e akuzoi BE-në për shantazh kur kjo e fundit ka kërcënuan të gjobisë Poloninë nëse nuk do merrte një numër të caktuar të emigrantëve që erdhën në Evropë nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Kryeministrja polak iu përgjigj këtyre kërcënimeve duke thënë se ata do të përballeshin më mirë me sanksionet e BE sesa me ndryshimin e politikës së tyre të emigrantëve.
Një shtet që sfidon vazhdimisht
Kjo është sfida polake. Të jetë vetja, por asnjëherë si të gjithë. Polakët luftuan me gjithë fuqinë e tyre kundër agresorëve gjermanë nazistë, kurse pushtimi i tyre më 1 shtator 1939 shënoi fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Luftimet vazhduan deri në 6 tetor teksa polakët kishin dhënë gjithçka që kishin. Ardhja e komunistëve do rezultonte fatale, pasi në fund të luftës Polonia u krijua edhe njëherë si një komb, por sërish jo e pavarur. Për dekadat e ardhshme, ata e pësuan nën sundimin sovjetik, pasi jetonin nën komunizëm dhe u ndanë krejt nga Evropa Perëndimore. Varfëria, mungesa e burimeve dhe standarti i epokës komuniste janë një testament i përbashkët i mendimit për këtë epokë, që e shikon rëndom në vend. Ky paradoks zgjati deri në vitin 1989. Polakët u ngritën shpejt, falë shpirti të tyre. Në vitin 1994 Polonia kërkoi anëtarësimin në BE, për arsye mjaft të qartë se donin të largoheshin nga Rusia dhe të kishin kontaktin natyral të shkëputur me Evropën Perëndimore. Sot e kësaj dite Polonia është nën kërcënimin rus, që e provokon shpesh me prezencën e saj, por edhe me mesazhet indirekte ushtarake të Putin. Dhe, që nga viti 2004, Polonia ka qenë një anëtare zyrtare e BE-së dhe po prej këtij viti polakët kanë shtrirë dhe diasporën e tyre të re në të gjithë Evropën. Komunizmi u zëvendësua nga qendrat tregtare dhe konsumerizmi materialist dhe Varshava e sotme është një metropol tejet perëndimor. Nga historia ka mbetur një vend krenar kurse fatkeqësitë i kanë mësuar se vetëm këmbëngulja për liri nuk e bën një vend që të mbetet thjesht kujtesë e largët.
Polonia, vërtetë u përfol shumë për emigrantët, por është ky vend që ka pranuar gati një milionë refugjatë ukrainas dhe ti mund t’i hasësh kudo në Poloni, por sidomos në qytetet kryesore ukrainasit, që gjithsesi, pas liberalizimit të tyre të vizave po shikojnë alternativa të tjera.  Përplasja e sotme me Bashkimin Evropian duket se e kalon disi problemin dhe te investimet e huaja. Qeveria polake mendon se është bërë favorizimi i investitorëve të huaj në kurriz të kompanive vendase. Kurse partia në fuqi e presidentit aktual Ligji dhe Drejtësia pa doreza i ka kritikuar paraardhësit për tradhëtinë e interesave kombëtare dhe formën e zhvillimit që e uli shumë mirëqenien e njerëzve të zakonshëm.

A është e tepërt e gjithë kjo? Kur flitet për Poloninë, asgjë nuk është e tillë. Jo thjesht për peshën e saj ndërkombëtare, por edhe shembullin e mirë, të cilën Shqipëria e ka mbartur në vite në fusha të ndryshme. Pak ditë pas kthimit nga Varshava, në një nga kalatat e portit të Durrësit, një nga teknikët më të vjetër, dikur më shpjegon sesa i dedikohet ndërtimtaria e anijeve shqiptare Gdanskut, edukatës së teknikëve polakëve, punëtorëve të tyre dhe gjërave që ndanë me ta. Më vjen ndërmend i gjithë korpusi i autorëve polakë, që kanë ndikuar te shqiptarët dhe kudo në Evropë, e kujtoj sesa i detyrohemi moralisht vendit të Kopernikut, Chopin, papa Vojtilës, Kyrisë, Shimborskës, Cezlav Miloshit, Ruzeviç e sa shumë të tjerëve. Por, në një reportazh kaq të vogël nuk mund t’i fusësh të gjithë. Qoftë dhe Kapuçinski vetë, babai i reportazhit modern, nuk do mundej. Ashtu si edhe ajo roleta e vogël, pranë parkut Lazienki që nuk më tregonte dot Poloninë ndryshe. Verë e vitit 2017.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.