MILOSAO

Jezui (Kujtimit të U.H.)

10:38 - 14.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga Sali Bytyçi




1.
Jezusin e kapën në një rrugicë të Qytetit, kur po i fliste një grushti të rinjsh, të cilët ishin nxënësit e tij.
Ai ishte i ekzaltuar në kulm dhe fliste me shembuj.
Në kohën kur po thoshte se të gjithë popujt kanë një Atë dhe janë vëllezër dhe se të gjithë popujt, pa marrë parasysh gjuhën dhe lëkurën e tyre, baba të parë tokësor e kishin Adamin dhe nënë Evën, dhe të gjithë njerëzit janë mëkatarë dhe për këtë duhej t’i faleshin Zotit Perëndi, që iu falte mëkatet por, ndërsa nxënësit dëgjonin gojëhapur, u afrua një patrullë ushtarësh romakë.
Jezusi nuk e ndërpreu ligjëratën. Ushtarët u afruan sikur aty po kalonin rastësisht, por që në fillim u kuptua se ata kishin ardhur në këtë rrugë, në të cilën nuk ktheheshin kurrë, me qëllim që ta kapnin Jezusin në emër të Ligjit dhe të Perandorit.
Ia vunë hekurat, ndërsa nxënësit nuk lëvizën nga vendi, nuk kundërshtuan.
Kur u nisën ushtarët, atmosferën sikur e përfshiu një zbrazëtirë, të cilën e mbushte vetëm Mësuesi me trupin dhe me fjalët e tij plot gaz dhe shpresë…

2.
Jezusi, duar e këmbë lidhur, printe përpara, ndërsa ushtarët e armatosur deri në dhëmbë, e ndiqnin pas. Populli e përqeshte, por kish prej tyre që, po të mos ishte i shoqëruar nga ushtarët, do t’i binin edhe shpullë gojës, me të cilën kishte folur aq shumë kundër besimit të tyre “të kotë”, siç shprehej jo rrallë. Indiferenca me të cilën po e përcillnin shumica e qytetarëve, po e vriste më shumë se hekurat që ia kishin lidhur duar e këmbët, dhe më shumë se fjalët e vrazhda të ushtarëve. Kur e shikoje, dukej se nuk i kishte ngelur një pikë gjaku në faqe – ishte aq i zverdhur në fytyrë. Shumë prej qytetarëve bëheshin sikur nuk e njihnin.
Kështu kaloi Jezusi nga rrugica ku e morën, pastaj ushtarët të udhëhequr nga një komandant, gradat e të cilit me siguri ishin shumë më të larta se ato që i mbante në krahë, e endën nëpër të gjitha rrugët e Jerusalemit.
Në anën tjetër, një patrullë kishte kapur një kriminel ordiner, i cili në këto vitet e fundit kishte qenë aktor i shumë vrasjeve dhe vjedhjeve në qytet.
Në qendër të Qytetit, të dy patrullat që vinin nga dy anë të kundërta, u bashkuan dhe i bashkuan  edhe të dy të kapurit. Kur krimineli e pa Jezusin, ashtu të hajthëm dhe me fytyrë dyllë të verdhë, sikur u mbush urrejtje. Unë me armë kam vrarë disa njerëz dhe me duar kam vjedhur disa të tjerë, ndërsa ti me gojën tënde çakallë deshe t’ju vrasësh zotat miliona njerëzve, ndërsa iu ke vjedhur besimin stërgjyshor miliona të tjerëve. Jezusi e vështroi dhe e ndjeu urrejtjen e njeriut të zhytur në mëkate, dhe i buzëqeshi. Nga fytyra e tij sikur u shpërndanë në natyrë rreze drite që ua kalonin edhe rrezeve të diellit. Djalli, mendoi krimineli.
Masa e mbledhur e popullit më tepër ishte përqendruar nga krimineli. Trupi i madh e i shëndoshë i tij, mjekra e zezë dhe sytë e mëdhenj, sikur e linin nën hije Jezusin gjakëpakë, mjekërverdhë…
Pas një shëtitjeje të lodhshme gjatë gjithë ditës nëpër qytet, në mbrëmje e dërguan në dhomat e errëta të kështjellës. Derisa të merrej vendimi nga Gjykata e Lartë, ai do të gjëllinte nëpër birucat e errëta dhe me lagështi të kështjellës.
Një gjë e kishte mbajtur në jetë Jezusin që nga mosha e re, derisa e kapën  ushtarët: Jeta e njerëzve në Tokë duhej të ndryshohej, ajo duhej të merrte një kahje tjetër. Dhe kjo kahje nuk ishte e vështirë: Zemrat e njerëzve duhej ta derdhnin vrerin që e kishin akumuluar në shekuj dhe në vend të vrerit të mbusheshin me Dashuri për më të Afërmin dhe për Krijuesin.
Kaq dhe çdo gjë do të ndryshohej.
Në vend që bota ishte shndërruar në Ferr, në të cilin njerëzit ia nxinin jetën njëri-tjetrit, do të kthehej në një Parajsë, në të cilën do të jetonin sa më mirë.
*  *  *
Ndërsa po e priste vendimin atje thellë në birucë, i ndriçuar nga Drita e Krijuesit dhe i ngrohur nga Dashuria e Tij, Jezusi po çuditej me popullin, i cili shekuj më parë e kishte parashikuar ardhjen e tij, dhe po kaq shekuj kishte pritur që të shfaqej, tani kur kishte ardhur, nuk i shkoi pas Atij, përveç disa nxënësve të rinj dhe të papërvojë, të cilët në Qytet nuk kishin farë peshe.
I çuditshëm është populli, përsiaste më vete, dhe më i çuditshëm është pushteti që e ndërton populli.
Aq errët ishte në kështjellë, sa nuk dihej kur mbaronte nata dhe kur fillonte dita.

*  *  *
Jezusi në vete ngërthente Fjalën e Krijuesit, Urdhrin e tij për njerëzit, ndaj pa u trembur në rrugën e tij, Jezusi do ta çonte deri në fund. Ai e dinte që në fund e priste flijimi i tij.
Nëse të mëshon dikush, ai është yt vëlla; nëse të mëshon në njërën faqe, ktheja tjetrën. Mjaft me konflikte, mjaft me luftëra.
Kështu fliste Jezusi.
Në zyrat perandorake të Ruajtësve të Rendit për çdo ditë vinin njerëz, bashkëqytetarë të Jezusit, të cilët i denonconin ligjërimet e tij, që i kishte mbajtur në rrugicat e Jerusalemit.
Një ditë, kujdestari që rrinte në zyrë, deri në ora 14:00, kishte arritur të numëronte deri në njëzet numrin e njerëzve të cilët kishin sjellë një fjali të vetme:
–    Jezusi ka thënë, ditën e enjte, se, nëse të mëshon dikush shuplakë në njërën faqe, ktheja tjetrën…
Hynte i dyti dhe përsëriste pikë për pikë të njëjtën fjali. Kështu i treti, i  katërti, gjer tek i nëntëmbëdhjeti. Kur i dëgjoi të të njëzetët, në kulm të zemërimit, nëpunësi bërtiti:
–   I marri!
Hafija u çudit.
Kështu i kalonte ditët e tij të fundit në birucën e errët të Kështjellës Jezusi, ai i cili kishte menduar për njerëzit, si ata të jetonin sa më mirë e jo kështu siç jetonin, ndërsa lumi i palodhur i njerëzve, të cilët vinin për ta denoncuar nuk kishte fund… Ditët kalonin e fuqitë po fillonin ta linin ai, i Biri i Vetëm i Krijuesit, po nuk jepej, i lutej në qetësi Krijuesit, po edhe habitej me vendimin e tij, ta flijonte për këta njerëz që mezi prisnin ekzekutimin e tij!
*  *  *
Ndërsa të lidhur këmbë e duar e nxirrnin nga qyteti për ta dërguar në kodrën ku do ta gozhdonin, me kokën ashtu të gjakosur nga ferrat që ia kishin hedhur si kurorë, dhe turma e njerëzve mezi prisnin çastin e kryqëzimit, Jezui kishte drejtuar kokën drejt qiellit, i hidhëruar në vendimin e tij që, edhe pse nuk e kuptonte deri në fund, duhej t’i bindej patjetër!
Më mirë t’i dërgoje kësaj turme një rrufe e ta digjje, sesa që dërgove Birin tënd të Vetëm për flijim, o Zoti im, pëshpëriste Jezui me zërin që kishte filluar t’i shterrej, ndërsa turma nuk e ndalte brohoritjen, e rojat nuk e ndalnin rrugëtimin për te Kryqi, duke e tërhequr zvarrë atë që, mbi të gjitha, kishte kërkuar të sundonte paqja në mesin e njerëzve…
… vetëm një grusht nxënësish po e përcillnin me lot Jezuin drejt Kryqit; po gjithë jetën e tyre këtë ditë Kryq do ta mbanin mbi shpinat e tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.