KULTURË

Bardhyl Demiraj, një dokument i 1700-ës në gjuhën shqipe

13:55 - 28.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Në numrin e fundit të “HyllitDritës”, profesor Bardhyl Demiraj sjell studimin “Grimca biografike për autorët tanë të vjetër”, një kontribut i vyer për emrat e “harruar” që megjithëkëtë kanë lënë dëshmi ta paçmueshme për shqipen e shkruar në motmotet e errëta kur kultura vihej në diskutim prej pushtimit osman. Anipse është së pari, një tekst fetar, duke pasur parasysh parimin primus inter pares, ai tekst është më parë se një tekst fetar, një tekst shqip, që sipas hulumtimit të Demirajt na thotë shumë për vijimësinë e shkrimit të shqipes nga autorët e vjetër e deri kur të shkruemit n’shqipe u bë krejt natyrshëm pjesë e jetës së përditshme. “GSH” vendos ta botojë, jo vetëm për të çmuar punën e prof. Demirajt, sa për të bërë me dije, se “Mallkimet” e ipeshkvit, në ditët tona bëhen bekim për larminë e kulturës, duke nënkuptuar me praninë e vet tekste të tjera që ne nuk e dimë ku janë. “Ndue Babi na ka lënë, në fakt, më shumë se një tekst shqip, por vetëm njëri, ai zindjellësi(!), mundi të mbijetonte”, thotë profesor Demiraj, duke na sjellë edhe dëshminë e një teksti të komisionit vendimmarrës në instancën e lartë të Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fide-s, ku thuhet shprehimisht se si Ndue Babi kishte bërë kërkesë të përsëritur për shtypin e një doktrine të krishterë si edhe të litanive të Virgjëreshës Hirplotë, përkthyer shqip prej tij nga latinishtja, por drejtuesi i këtij institucioni, e kishte refuzuar. Demiraj, na kujton se veç të tjerash, mungesa e aktet e vendimeve të Sinodit Dioqezan të Shkodrës në doracakë të mirëfilltë enciklopedikë është padyshim një ndeshtrashë sa e hidhur aq edhe e lashtë e natyrës shqiptare që i ngushëllon dhe i mban bashkë gjithë ata breza personalitetesh të fshira (pa)vetëdijshëm prej kujtesës historike-intelektuale shqiptare. Më poshtë, sjellim një pjesë të studimit të Demirajt për Ndue Babin që në dokumentet italisht del me emrin Antonio Babbi.(Fatmira Nikolli)

BARDHYL DEMIRAJ: NDUE BABI (1659 – 1728)

Me ndërmarrë në kohën tonë një studim me karakter të mirëfilltë njohës-enciklopedik mbi personalitetin e Imz. Ndue Babit (it. Mons. Antonio Babbi) shkaset mund të jenë të ndryshme. Ndër to më i thjeshti, pra më bindësi gjan të jetë në pamje të parë të qenit të tij për 25 vjet me radhë ipeshkëv i Dioqezës së Shkodrës, çka vjen me thënë që mungesa e tij në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, sidomos në botimin e tij të dytë, por aspak fatlum në plot tri vëllime (Tiranë 2008/9) është thuajse e vetëkuptueshme, paçka se një klerik shqiptar me atë pozicion në kapërcyell të shek. XVII – XVIII përfaqësonte si i tillë elitën e kulturës e të inteligjencës vendore edhe për atë bashkësi etnike, që përdorte shqipen si mjet komunikimi, anipse e kufizuar kjo qoftë edhe vetëm për atë shtresë sociale (të besimit katolik) që ishte mësuar të ngjëronte të paktën predikimin shqip, kur shkonte në kishë “me pā meshë”. Gjithsesi tundimin tonë e nxit shumë më shumë një shkas i dytë, ai i madhi: bash kur mësojmë se – dale-dale!!! – ky klerik na paska lënë trashëgim në letër të zvjerdhur nga motet një tekst të vjetër shqip që i takon fillimit të shek. XVIII. Ndue Babi na ka lënë në fakt më shumë se një tekst shqip, por vetëm njëri, ai zindjellësi (!), mundi të mbijetonte, pikërisht “Mallkimet” – ashtu siç dinte t’i lëshonte vetëm ai – t’Ejten e Madhe (1704), madje të kopjuara këto dyherësh dhjetëvjeçarë më pas nga të tjera duar, prashtu që të lëshoheshin rishtas “me zâ të nçelë” buzë altarit nga të tjerë ipeshkvij.

Asgjëmangut mëtuam radhazi disa ndër arsyet që na yshtën të merreshim konkretisht me këtë klerik e njëherësh lëvrues në historinë e kulturës së shkrimit shqip, duke përcjellë kështu në letër vullnetin dhe dëshirën e mirë me nxitur kërkime të mëtejshme të natyrës njohëse enciklopedike qoftë për personin në fjalë ashtu edhe për shumë e shumë bartës, lëvrues dhe studiues të kulturës shqiptare në shekuj, të cilët rrezikojnë të fshihen përfundimisht prej kujtesës historike intelektuale shqiptare në kohën tonë.

Duam pra t’i rrëfehemi qysh në fillim lexuesit tonë sqimatar, se studimi ynë nuk mëton assesi një ndërmarrje ballore dhe shteruese ndaj personalitetit në fjalë, të cilin shumëkush do të mund ta njihte në detaj vetëm pas një krehjeje fatlume të dokumentacionit përkatës në dosjet e shumta të Arkivit Historik të Propaganda Fide-s (Romë).

TË DHËNA TË SHKURTRA BIOGRAFIKE

Ndue Babi do të ketë lindur aty rreth vitit 1659 në katundin /Naraç/ që i takonte atëbotë Dioqezës së Sapës. Ndërsa për vendlindjen e tij lejohemi të citojmë literaturë enciklopedike të mirënjohur për vjeljen e akribtë të burimeve dokumentare-administrative të Vatikanit (Eubel VI 1958 317), për vitlindjen na duhet të bëjmë kalkulimet e rastit, duke mbajtur parasysh moshën 43-vjeçare, të kumtuar pas gjase po prej tij gjatë asaj vizite të gjatë apostolike që zhvilloi në fund të vitit 1702 në çdo dioqezë e famulli të Provincës Kishtare të Arbënit e të Arqipeshkëvisë së Shkupit arqipeshkvi i dikurshëm i Tivarit Vincenz Zmajević-i, pra edhe në misionin e Hajmelit, ku vepronte atëbotë edhe Ndue Babi si misionar apostolik. Siç na mësojnë Farlati & Coleti: “[Babi] vdiq në moshë të shtyrë dhe u varros në Kishën e Shën Shirgjit” rreth muajit tetor të vitit 1728, pra aty te 69 vjeç, një moshë kjo e konsiderueshme për kohën kur jetoi, paçka se jeta dhe punët nuk duhet t’i kenë ecur e rrjedhur gjithherë në vaj.

RINIA DHE FORMIMI MESHTARAK-INTELEKTUAL

Në vitin 1676 Babin e ndeshim në Kolegjin Pontifikal të Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Fermo (1663-1746), si njëri ndër kolegjet që administronte atëbotë Kongregacioni i Shenjtë i Propaganda Fide-s. Ky kolegj njihet më fort në historinë ekleziastike dhe kulturore të Ballkanit perëndimor si Kolegji Ilirik i Fermos, i ripagëzuar kështu falë destinacionit zanafillës si një institucion arsimor-fetar për formimin teologjik-intelektual të rishtarëve që vinin kryesisht nga provincat e Ilirisë, një emërtim ky kulturor-gjeografik diturak, me të cilin identifikoheshin atëkohë zonat perëndimore të Ballkanit. Ndoi ynë rezulton të jetë regjistruar në kolegj më 20 korrik të atij viti, duke studiuar po aty shtatë vjet me radhë, deri më 10 tetor 1683 (Bartoccetti 1935 162), kur përfundon formimin meshtarak dhe merr izmën për t’u kthyer me mision apostolik në atdhe, domethënë në Dioqezën e Sapës, ku do të përmbushte ato detyrime e nevoja baritore që i caktonte ipeshkvi për të mbarështuar grigjën e vet. Se si e kaloi periudhën 7-vjeçare të qëndrimit në kolegj, si eci me studimet, çfarë rezultatesh pati dhe a e përjetoi shugurimin priftëror menjëherë pas sosh, janë këto pyetje pas pyetjesh, të cilave edhe në mungesë informacioni burimor lejohemi t’u japim deri diku përgjigje pozitive, vetëm po të mbajmë parasysh karrierën e tij klerikale për plot 25 vjet si ipeshkëv i Dioqezës aspak të vogël të Shkodrës, si edhe ato vlerësime të njohura të njërit apo tjetrit relator për Kongregacionin e Shenjtë të Propagandës.

Karriera kishtare dhe aktiviteti baritor
Famullitar në Hajmeli të Dioqezës së Sapës (? – 1702) Babi filloi angazhimin e tij misionar apostolik pas gjase në dioqezën amë, ku qëndroi deri në fund të vitit 1702, ase më saktë e zyrtarisht deri më 15 janar të vitit 1703, kur iu dorëzua pallium-i i ipeshkvit të Shkodrës, anipse ishte dekretuar dhe aprovuar ky post më shumë se një vit më parë, në datat 19 dhe 21 korrik 1701 (Eubel loc. cit.), ndërsa më 25 dhjetor 1702 ishte Papë Klementi XI që firmosi dhe vulosi brevën e emërimit të tij (Farlati & Coleti loc. cit.). Siç cekëm shkurt më lart, në fund të aktivitetit të tij baritor në Dioqezën e Sapës e ndeshim në famullinë e Hajmelit, ku vepronin tre meshtarë, të cilët mbarështonin tre fshatra: Hajmeli me 55 shtëpi katolike, përkatësisht 368 frymë, ‘Caccia’ me 21 shtëpi katolike, përkatësisht 157 frymë dhe ‘Renesa’ me 23, përkatësisht 134 sosh. Këto të dhëna i nxjerrim prej relacionit të zgjeruar të Vincenz Zmajević-it (1702; Bartl 1979 62v.), i cili e përshkruan këtë famulli.

Interes edhe më të madh për rastin tonë fiton vlerësimi që i bën Zmajević-i famullitarit Ndue Babit – i zgjedhur tashmë si ipeshkëv i Shkodrës – sikurse edhe aftësive të tija të lëvdueshme meshtarake.

Pjesëmarrës aktiv në Kuvendin e Arbënit (Mërqinjë, janar 1703) Babi pjesëmerr si anëtar aktiv me votë vendimmarrëse në Kuvendin e parë Provincial të Arbënit, që është një pikë kulmore në historinë ekleziastike-kulturore të trevave shqipfolëse në fillim të shek. XVIII. Andaj nuk është assesi rastësi që emrin e tij e ndeshim edhe si firmëtar i vendimeve të atij kuvendi në botimin e akteve origjinale latinisht (Romë 1706 95)

Prania e tij aktive në këtë kuvend dha pas gjase edhe frytet e rastit në zgjidhjen e një numri problemesh me karakter administrativ-kishtar që shkaktonin prej kohësh mosmarrëveshje ndërmjet Dioqezave kufitare të Shkodrës, Lezhës, Sapës dhe Pultit.

IPESHKËV I DIOQEZËS SË SHKODRËS (1703 – 1728)

Siç e cekëm edhe më lart ishte Papë Klementi XI – i njohur në letërsinë ekleziastike-historike shqipe edhe si Papë Shqiptari – ai që firmosi e vulosi përfundimisht breven e emërimit të Babit si ipeshkëv i Dioqezës Shkodrës më 25 dhjetor 1702. Babi zuri me këtë rast vendin e mbetur vakant prej vrasjes së Ndue Negrit (Antonio Negri), i martirizuar prej pushtetit vendor osman në qershor të vitit 1698. Për këtë kumtojnë edhe Farlati & Coleti, të cilët përpos rrethanave të zhvillimit të Kuvendit të Arbënit dhe zgjidhjes së një numri çështjesh në të mirë të Dioqezës së Shkodrës, përshkruajnë edhe rolin e Ndue Babit, pasi hipi në fronin e ipeshkvit, duke u angazhuar me vetëmohim për të zbatuar e vënë në jetë vendimet e Kuvendit të Arbënit. E për këtë sigurisht që do t’i duhej të përballej edhe me ndeshtrashat e kohës, vendit dhe rastit për plot 25 vjet me radhë, derisa ndërroi jetë.

Parë nga kjo perspektivë ne jemi tash në gjendje të mirëkuptojmë me respektin përkatës organizimin e Sinodit Dioqezan të Shkodrës që ndërmorri Babi një vit më vonë (31.03.1704) në Beltojë të Shkodrës). Vendimet e këtij sinodi – falë rëndësisë së vet – i ndeshim të regjistruara dhe të plotësuara edhe katër dekada më vonë në bleun e dytë të Regjistrit të Ipeshkvisë së Shkodrës (1744-) e që kanë pas gjase për autor pasuesin e tij në selinë ipeshkvore, Imz. Pal Pema Kampsin dora vetë.

VEPRA DHE ROLI I NDUE BABIT NË KULTURËN E SHKRIMIT SHQIP

Nga e njëjta dorë buron pas gjase edhe teksti i kopjuar shqip (dhe italisht) i Mallkimeve qi leshon ipeshkvi t’Ejnten e Madhe (= it. I Scommunicati nel Giovedi Santo), tekst ky që i paraprin në regjistrin në fjalë atij të vendimeve të Sinodit Dioqezan të Shkodrës. Ky tekst shqip dëshmon ndër të tjera vijimësi në traditën shkrimore si edhe në funksionet e reja që mëtonte me kohë dhe ndërkohë shqipja e shkruar në marrëdhëniet e klerit vendor me grigjën e vet, bash me bashkësinë shqipfolëse të besimit katolik të paktën në Dioqezën e Shkodrës. Shtojmë gjithashtu që këtë tekst shqip, që ruhet në AQSH në dy variante, ia kemi nënshtruar dikur një analize të mirëfilltë gjuhësorefilologjike (Demiraj 2014), duke mundur të saktësojmë bindshëm edhe vendin e tij në kulturën e shkrimit shqip në arealin kulturor të Veriut (katolik) shqiptar, i cili për periudhën në fjalë (gjysma e parë e shek. XVIII) dëshmon qartas një bashkëjetesë tri traditash shkrimi me alfabet (kryesisht) latin, të cilat vijojnë në një mënyrë a një tjetër risitë e përftuara në kodin alfabetik nga shkrimtarët e mëhershëm shqiptarë si Budi dhe Bogdani në shek. XVII, ose të zhvilluara më tej nga Kazazi në mes të shek. XVIII. Ndër këto tri nënsisteme kodi i përdorur prej Kazazit – më përhapje ndoshta vetëm në pjesën verilindore të këtij areali – përbën risinë e kohës në kulturën e shkrimit shqip. Tradita e zhvilluar nga Budi kishte gjetur ndërkohë strehë ndër etërit françeskanë (të paktën) në dioqezën e Pultit. Ndërsa varianti i përdorur prej Ndue Babit pasqyron qartë vijimësi të (pa)ndërmjetshme të kodit alfabetik që risoi dhe përdori Pjetër Bogdani (1685), si ipeshkëv i dikurshëm i Shkodrës. Përkthyer ndryshe, Babi i përshtatet në shkrimet e veta në gjuhën shqipe shi traditës i shkodrane në kulturën e shkrimit shqip, të përditësuar dhe sendërtuar prej “mâ të vlertit ndër shkrimtarët e hershëm të shqipes.” Përdorëm më lart jo pavëmendshëm numrin shumës lidhur me “shkrimet e veta në gjuhën shqipe” të Ndue Babit. Edhe pse prej tij njohim deri sot vetëm një tekst të shkurtër shqip, madje edhe atë falë rastësisë fatlume ose fatmirësisë së rastit, sepse Babi ka shkruar pa dyshim shumë më shumë se vetëm një syresh. E kjo ka të bëjë më fort si gjithherë me rastësitë fatkeqe ase fatkeqësitë e rastit në kulturën e shkrimit shqip, pasi të gjitha rropatjet e tij që këto shkrime të shihnin dikur dritën e ditës në shtypshkronjën e Propaganda Fide-s në Romë ishin të destinuara të dështonin. Këtë kumt të trishtë e mëson i pari kolegu dhe miku ynë Gurga Gurga, i cili pati mirësinë të na verë më pas në dispozicion edhe kopjen e një teksti protokollar të komisionit vendimmarrës në instancën e lartë të Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fide-s, ku thuhet shprehimisht se si Ndue Babi kishte bërë kërkesë të përsëritur për shtypin e një doktrine të krishterë si edhe të litanive të Virgjëreshës Hirplotë, përkthyer shqip prej tij nga latinishtja, por drejtuesi i këtij institucioni, kardinali Barberini nuk e dha pëlqimin për botim.
PËRFUNDIM

Mbyllim këtu studimin tonë me dëshirën dhe shpresën e mirë të kemi ravijëzuar sado përciptas konturet e një portreti të ri në historinë e kulturës shqiptare e si të tillë edhe në atë të shkrimit shqip. Jemi gjithsesi më se të vetëdijshëm se ky portret do gëzojë plotësinë e duhur, vetëm pasi të jenë bërë objekt i analizës së mirëfilltë shkencore qoftë ajo trashëgimi e tij në dorëshkrim, e cila ruhet dhe njihet sot si e tillë, siç janë p.sh. në AQSH aktet e vendimeve të Sinodit Dioqezan të Shkodrës (1704), ashtu edhe ajo trashëgimi që ruhet, por ende s’njihet e që mund dhe duhet kërkuar e zbuluar dikur e diku në arkiva të ndryshëm brenda dhe jashtë hapësirës shqipfolëse.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.