Intervista

Rrëfehet deputeti Agron Shehaj: Jam i pasur, por nuk bëj jetë pasaniku. Ja pse kandidova për PD-në

12:14 - 29.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Enida HIMAJ

Pozicioni i deputetit, sigurisht që lakmohet nga mjaft njerëz, sidomos vitet e fundit edhe nga biznesmenë. I tillë është edhe rasti i Agron Shehajt, i cili vendosi t’i futej politikës duke kandiduar për Partinë Demokratike në qytetin e Vlorës. Me një të kaluar të persekutuarish, Agroni shpreh qartë objektivat dhe synimet që ai ka për detyrën që i është caktuar, edhe pse nuk do të prononcohet hapur për sa i përket pasurisë së tij vetjake. Në intervistën e tij dhënë për “Summer Pages”“Gazeta Shqiptare”, deputeti i qarkut flet më shumë edhe për familjen e tij, të cilët jetojnë në Itali dhe sapo gjen kohën të fluturojë tek ata.

Deputeti më i ri i Kuvendit, si ishte për Agronin futja në politikë?

Kam hyrë në politikë në fund të majit dhe është ende shumë shpejt për të dhënë një përgjigje. Mund të them se ndjej një përgjegjësi shumë të madhe.

Si do e përshkruanit fushatën?

Për mua ishte e para, por nuk besoj se mund të quhet normale kjo fushatë elektorale. Zgjati vetëm 30 ditë dhe prezenca e parave të pista dhe të drogës ndihej gjithandej. Një pjesë e mirë e qytetarëve kishin humbur totalisht besimin se mund të ndryshonte diçka. Pjesa më e madhe mendojnë se në mënyrë të ndershme në Shqipëri nuk mund t’i garantojë familjes një të ardhme, shpresa e vetme që kanë është të ikin në perëndim.

Me çfarë idesh keni ardhur në politikë?

Nga bizneset e mia kam pasur shumë përfitime, por kam bërë shumë edhe për shoqërinë. Mendoj se, nëse dua realisht të ndihmoj në përmirësimin e jetës së shqiptarëve, e vetmja rrugë është politika. Politika është përgjegjësja e vetme e mjerimit, krimit, drogës dhe padrejtësive që sundojnë në Shqipëri. Si shumë shqiptarë edhe unë isha dhe jam totalisht i zhgënjyer nga politika, edhe unë ankohesha dhe shaja pafund politikanët, por arrita në konkluzionin se, nëse dua të ndryshoj diçka duhet ta bëj vetë dhe mos ta lë në dorë të Taulant Ballës dhe Gramoz Ruçit, që kanë një jetë që tallen dhe pasurohen në kurriz te qytetarëve. Jam i bindur që ndryshimi nuk vjen nga dot nga dita në ditë, por është një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë.

Çfarë do bëjë konkretisht Agroni për Vlorën?

Në përgjithësi, unë jam i mendimit se qytetarët nuk duhet të presin nga politika që ajo t’u sjell mirëqenien, por që politika t’u krijojë kushtet, arsim cilësor, vende pune, rregulla të qarta, drejtësi, siguri. Që secili prej nesh të krijoj kushtet për një jetë më të mirë për familjen e tij. Më konkretisht, kam në plan të krijoj një Dixhital Academy, e cila do të jetë falas për të rinjtë, ku mund të formohen në fusha të ndryshme të IT. Kam një eksperiencë disa vjeçare në këtë fushë pasi kam krijuar “Localëeb”, një nga kompanitë më të mëdha të reklamave online në Itali që operon edhe në Angli. Kjo kompani punëson qindra të rinj ekspert dixhital dhe është një partnere e rëndësishme e “Google”, arsye për të cilën në shtator jemi të ftuar në konferencën globale të “Google” në Neë York.

Pse zgjodhët PD?

Vij nga një familje e persekutuar, e vetmja parti me të cilën ndaj të njëjtat ide dhe parime është PD-ja.

Deputeti i PD në Vlorë, përballë Edi Ramës. A do të thotë kjo ndonjë gjë për Agronin?

Në kushte të barabarta mund të kishte pasur ndonjë domethënie.

Çfarë drejtuesi politik është Agroni?

Kam drejtuar gjithmonë mbi parimet e punës, përkushtimit, meritokracisë dhe ndershmërisë e do të vazhdoj të ndjek të njëjtat parime.

Si ishte kalimi nga biznesi në politikë?

Për momentin shumë impenjativ, për më shumë flasim pasi të kem hyrë në parlament.

Çfarë kërkon një person i pasur në politikë?

Do mundohem të bëj më të mirën për vendin tim. Dhe një ditë të kem mundë- si të krenohem për atë që do bëj.

A ke njohur deputet më të pasur se ty?

Fatkeqësisht ka me qindra politikanë shumë më të pasur se unë, madje mendoj se njerëzit më të pasur në Shqipëri nuk duhen kërkuar midis biznesmenëve.

Nëse po, kë?

Nuk e di.

A të bën të pasur politika?

Janë të rrallë politikanët në Shqipëri që nuk janë pasuruar, hyjnë pa shtëpi dhe bëhen më vila.

Sa lekë ke shpenzuar deri më tani për politikën?

Më pak nga sa kam harxhuar këto vite në aktivitete filantropike.

Në fakt, sa i pasur jeni?

Nuk besoj se ka shumë rëndësi.

Sa e lehtë është të jetohet në Shqipëri si pasanik?

Unë nuk bëj jetë pasaniku, janë të pakta lukset që i lejoj vetes. Çfarë ju mungon nga Italia?

Fëmijët e mi kanë lindur në Itali dhe familja ime jeton aty. Nuk më mungon se shkoj shpesh.

Sa i përket kulturës së punës, ku ndryshojnë shqiptarët nga italianët?

Nuk ndryshojnë shumë. Italianët kanë eksperiencë, kurse shqiptarët kanë entuziazëm dhe dëshirë. Gjëja më e rëndësishme që kam kuptuar në këto 12 vjet punë në Shqipëri është se të rinjtë shqiptarë kanë një potencial të jashtëzakonshëm. Bashkë me ta kam plane të bëj gjëra shumë më ambicioze.

Kur nuk merreni me biznes dhe politikë, kush është Agroni? Jam një njeri normal që bën një jetë të thjeshtë, që kur kam kohë të lirë kërkoj ta kaloj me familjen dhe fëmijët.

Si e ndani kohën mes familjes dhe punëve?

Nuk është e lehtë, fundjavat janë të shenjta, kërkoj t’i kaloj gjithmonë më familjen.

Cila është këshilla që i jepni gjithnjë fëmijëve?

Fëmijët e mi janë shumë të vegjël, por kërkoj t’u shpjegoj gjithmonë arsyen se, përse duhet apo nuk duhet të bëjnë një veprim të caktuar. Ata kuptojnë shumë më shumë se ç’mendojmë ne, prandaj komunikimi me ta është shumë i rëndësishëm.

Nëse do ta bëje ti zgjedhjen, fëmijët tuaj, do të bëheshin biznesmen apo politikanë?

Sot për sot detyra ime është t’i ndihmoj të bëhen njerëz të mirë, të ndershëm dhe të shkolluar.

Nëse do të kenë këto karakteristika ata mund të shkëlqejnë në çdo fushë ku të kenë talent.

Sapo është mbyllur sezoni veror. Ku pushoj Agroni këtë verë?

Në Itali.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.