MILOSAO

Traktet e luftës dhe nderimi ndaj një të apasionuari të artit

11:07 - 11.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Ben Andoni

 

Klodian Luca nuk zgjodhi bujën që shoqëron shumë aktivitete boshe arti, e që rëndom mbushin faqet e gazetave dhe kronikat. Madje, bëri dhe një gabim taktik, kur ekspozitën e tij e zhvendosi në muajin më të nxehtë të vitit. Por me sa duket, ai nuk synoi bujën por shpalosjen e një ekspozite të tillë, që solli risi por edhe tejet qasje për publikun e gjerë. Ekspozita fine “Trakt” në galerinë Ironbush te Pazari i Ri do mbahet mënd gjatë për të gjitha risitë dhe mesazhet e shpalosura. E para, për të sjellë për publikun një periudhë, që sot i shmangen të gjitha instancat, ndërsa e dyta një përcjellje të artit klandestin të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Kuptohet sepse kushtet, mundësitë dhe fshehtësia nuk mund t’i atribuojë ndonjë art të madh produkteve subversive të kësaj kohe, porse ideja, mesazhet kanë qenë të mëdha. Flitet për traktet, mjete propagande volante, që shpërndaheshin në mënyrë të fshehtë nga komunistët për të njohur popullin me luftën. Por, nuk ishin vetëm këto, në ekspozitë pati edhe trakte që flisnin për Shqipërinë Etnike. Kishte shumë syresh ku flitet sesi gjermanët bëjnë thirrje për Shqipërinë Etnike, ashtu si kishte trakte italiane, që për shkak të përvojës ishin më të mira grafikisht. Ato drejtohen për pavarësinë e Shqipërisë. Kemi sërish italianët që hedhin trakte në Shqipëri të ndalojmë Rusinë, sepse do të dalë në Adriatik, të gjitha këto të shoqëruara me karikatura ose skica të forta dhe me cilësi. Traktet e Partisë Komuniste Shqiptare shoqërohen gjithmonë me thirrjet: Partia Komuniste shqiptare, e me sloganin patetik Vdekje Fashizmit- Liri e Popullit. Në ekspozitë u shpalosën edhe mesazhe të Enver Hoxhës.
Ashtu si merret me mënd, në vitet e para traktet shkruheshin e vizatoheshin me dorë. Edhe pse nuk paraqesin ndonjë nivel të lartë artistik, sipas Klodian Lucës, që shpaloset jo vetëm si organizues i këtij aktiviteti por edhe si një njohës i mirë i artit figurativ, ato përcjellin në thelb një lloj ideali që edhe sot përcjell shumë mesazh për artin grafik të kësaj periudhe historike.


Të 120 traktet e paraqitura në këtë aktivitet kanë përmbajtur vizatime grafike të ndryshme, që cilësisht nuk mund të konsiderohen si shumë të arrira, porse janë të gjitha me shumë vlerë për mesazhet. Kujtojmë se populli i thjeshtë, të kujtojmë përqindjen e lartë të analfabetizmit, e kish të mjaftueshme për të marrë mesazhet, por edhe gjëra që ndodhnin në arealin ndërkombëtar.
Për ideatorin Klod Luca qëllimi i ekspozitës ka qenë një lloj paralelizmi i shpërndarjes së mesazhit masiv në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Ai vetë e quan Facebook të atyre viteve, duke aluduar se kjo formë ishte e mjaftë për të ndihur një shoqëri për të shpërthyer, për të ngritur një lloj revolucioni të heshtur, për të ndarë një opinion, i cili i kalonte kufijtë e një gazete ose të censurës së asaj kohe, e cila ka qenë shumë aktive. Apeli, që ai shpalosi, kishte të bënte me njohjen e publikut, sidomos atij të ri, për t’u njohur me këtë episod të kohës.
Ideja e tij është tejet ngacmuese, kur shton edhe faktin e mungesës së komunikimit dhe burimet shumë të kufizuara, kur atëherë radio do konsiderohej si një luks i paparë dhe mbi të gjitha privilegj i fare pak njerëzve. Nëse një njeri i ka parasysh të gjitha këto elementë, atëherë e kupton këtë punë të madhe që ka bërë Luca, një njohës i mirë i artit figurativ, koleksionist shumë interesant dhe mbi të gjitha me ide interesante.
“Unë po kërkoja diçka që ka të bëjë me folklorin shqiptar. Kisha dëgjuar për diçka që ka të bëjë për materiale të filmave të vjetër shqiptarë. Doja që të bëja diçka me posterat e filmave shqiptarë, por këtë moment ishte shumë e vështirë. Duke kërkuar për këto postera dhe duke mbledh një koleksion mes dokumenteve te koleksionistët pashë traktet dhe lindi ideja për ekspozitën”, do të thotë për median, në ato ditë.
Ekspozita ka qenë tejet interesante sepse këto trakte mbajnë në vulat e tyre jo vetëm vitet e një Shqipërie në luftë me të tjerët, por edhe në përballje me veten e vet, si për shembull trakte si kjo këtu ku gjermanët u kërkojnë tregtarëve të Korçës të mos rrisin çmimet, për vetë popullin e tyre.
Pasojë e kësaj ndërmarrje të jashtëzakonshme ishte se kjo vilë, në ditët e ekspozitës, tek Pazari i Ri, ku u përballën dokumente origjinale do sillte impakt te publiku.
Një element tjetër ka qenë komenti i kuratorit Luca për to, që zbuloi nga autorët e deri te gabimet drejtshkrimore, pasi një pjesë e tyre ishin produkte edhe të të huajve. Ajo që mbeti nga ky aktivitet ishte se patëm një ekspozitë të mrekullueshme me një koleksion të qasshëm për publikun, por mbi të gjitha kuratori na shpalosi me një element edhe një nderim për atë kohë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.