Intervista

INTERVISTA/ Minatorët kërkojnë miratimin e statusit, Kalaja: Pension i barabartë me Forcat Ajrore

12:00 - 17.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Voltiza Duro

Rreth 8 mijë punëtorë të nëntokës në të gjithë vendin përballen përditë me rrezikshmërinë e lartë që mbart profesioni i tyre si minator. Shumë prej tyre janë dëmtuar në thellësitë e minierave dhe 467 të tjerë kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Për 27 vjet me radhë, minatorët kanë kërkuar të drejtat e tyre, e në veçanti zbatimin e statusit të minatorit, i cili ende nuk është miratuar nga shteti. Për këtë arsye, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë mbajti në Elbasan, Kongresin e saj të 7, ku gjatë diskutimeve u vendos theksi mbi miratimin e statusit të minatorit nga qeveria shqiptare. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, presidenti i kësaj sindikate, Gëzim Kalaja kërkon zbatimin e kërkesave të minatorëve, veçanërisht miratimin e një pensioni të barabartë me atë të Forcave Ajrore dhe trajtimin e tyre në spitale brenda dhe jashtë vendit, me kontributin e qeverisë dhe punëdhënësve. Aktualisht sipas presidentit, pensioni minimal i një minatori varion nga 14-24 mijë lekë të reja, në varësi të viteve të punës në nëntokë. Delegacionet e huaja të pranishme në kongres vlerësuan aktivitetin e S.P.M.SH dhe siguruan minatorët shqiptarë që do iu japin gjithë mbështetjen e tyre.

Kur u mbajt Kongresi i 7-të i minatorëve dhe cilët ishin pjesëmarrësit për realizimin e tij?
Kongresi i 7-të i Sindi-katës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë (S.P.M.SH) u mbajt në datat 9 dhe 10 shtator në Elbasan. Ishte kongresi i radhës pas zhvillimit të 36 konferencave nëpër të gjitha qendrat minerare, fabrikat e çimentos dhe distributorëve të tjerë të industrisë. Gjatë kongresit ishin të pranishëm 220 delegatë nga Amerika, Portugalia, Rusia, Gjermania, Belgjika, Turqia, Maqedonia si dhe përfaqësues nga miniera e “Trepçës” në Kosovë, e konsideruar si një nga minierat me kushtet më të vështira për punonjësit. Në këtë kongres morën pjesë edhe përfaqësuesi i AFL-CIO, Laurence Clements, zv/ sekretari i Përgjithshëm i Industrisë Globale së Federatës Botërore Minerare, Kemal Ozgan si dhe Luc Triangle, sekretar i Përgjithshëm i  IndustryAll Europe.
Cilat janë disa nga pikat më të rëndësishme që u diskutuan në Kongres?
Vendin kryesor në kongres e zuri statusi i minatorit dhe rifillimi i punës në minierat e bakrit dhe të fabrikës të pasurimit në Fushë Arrëz, të cilat janë dhe objektivat e miratuara nga Kongresi i 7 I S.P.M.SH. U raportua puna e 5 viteve dhe rezultatet e arritura, si dhe u diskutuan problemet e industrisë minerare, veçanërisht investimet e mbështetjen që duhet të japë qeveria dhe lehtësirat që duhet të krijojë për këtë biznes të fuqishëm për ekonominë e shqiptarëve. Kongresi vuri theksin në çështjen e rëndësishme të nëntokës, atë të sigurimit teknik e të përmirësimit të teknologjisë minerare.
Sa është numri i minatorëve në gjithë Shqipërinë dhe sa prej tyre kanë humbur jetën ose janë dëmtuar në krye të detyrës?
Në industrinë minerare në Shqipëri, punojnë rreth 7600 punonjës ku para viteve ’90 e deri më tani, kanë humbur jetën 467 minatorë, pasi janë aksidentuar në vendin e punës. Ndërsa numri i të dëmtuarve në krye të detyrës kalon shifrën 500. Aksidentet me pasojë vdekjen kanë ndodhur më shumë në minierat e qymyrit për shkak të rrezikshmërisë që përbëjnë këto miniera si shembjet masive, helmimi nga gazi metan, gazi karbonik si dhe prezenca e gazrave të tjera. Gjithashtu, këto aksidente kanë ndodhur dhe në minierat e kromit, të bakrit, boksiteve etj.
Sa është paga e një minatori dhe si përllogaritet ajo?
Paga e punonjësve të industrisë së minierave përcaktohet sipas kontratës kolektive të punës, por që në asnjë rast nuk mund të jetë më e ulët se 200 % e pagës minimale në shkallë vendi dhe që do të reflektojë të gjitha detyrimet e Kodit të Punës si edhe vështirësitë e veçanta që ka puna në këtë industri dhe ndikimin në shëndetin në punë sipas aktiviteteve të punës. Paga e një minatori varion nga 400 mijë lekë të vjetra deri në 1.3 milionë lekë të vjetra, e arritur kjo nëpërmjet kontratave kolektive të nënshkruara nga sindikata në minierat e bakrit. Por një pagë prej 400 mijë lekësh të vjetra është shumë e ulët për të shpërblyer një punë me kushte rrezikshmërie të larta që mund të çojnë deri në vdekje.
Cila është mosha që minatorët dalin në pension dhe sa është vlera e këtij të fundit?
Mosha e daljes në pension është aktualisht 55 vjeç e realizuar në vitin 2014 nga kryeministri Rama, me propozim dhe me luftë të vazhdueshme të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve në Shqipëri.
Pensionet variojnë nga 140 deri në 240 mijë lekë të vjetra, përllogaritur në raport me vitet e punës në nëntokë.
Cilat janë kërkesat e minatorëve nga qeveria shqiptare?
Profesioni i minatorit konsiderohet si një nga profesionet më të vështira në botë. Asnjë profesion tjetër nuk mund të krahasohet me të, për shkak të vështirësive ekstreme që ka nëntoka. Shifrën prej afro 500 vetash që kanë rënë në krye të detyrës në nëntokë, nuk e kanë as forcat ajrore dhe as ato nënujore, prandaj është legjitime dhe dinjitoze kërkesa jonë ndaj qeverisë për statusin e minatorit dhe që parlamenti duhet të ndërgjegjësohet që të miratojë kërkesën e minatorëve shqiptarë. Duam të besojmë se ekzekutivi do të nderojë veten për t’i dhënë punonjësve të nëntokës të drejtën që i takon. Dy janë kërkesat kryesore në status: dalja e minatorëve në pension me një pagesë pensioni të barabartë me pensionin e Forcave Ajrore, si dhe trajtimi i minatorëve në spitale, brenda dhe jashtë vendit me kontribut nga qeveria dhe punëdhënësit. Janë dhe shumë pika të tjera që përmirësojnë ndjeshëm jetën e minatorëve shqiptarë. Gjithashtu, kërkojmë që për të gjithë fëmijët e minatorëve që kanë humbur jetën, shteti të sigurojë edukimin dhe arsimimin e tyre.
Çfarë përmban rezoluta që ju keni hartuar?
Rezoluta është hartuar dhe miratuar nga 36 konferencat dhe Kongresi i 7-të i datave 9-10 shtator i S.P.M.SH dhe i është dërguar të gjitha forcave politike parlamentare, Federatës Botërore dhe Europiane të Minierave dhe të Energjisë, gjithashtu, qeverisë shqiptare.
Cilat janë pikat më të rëndësishme të statusit?
Të gjitha pikat janë shumë të rëndësishme, statusi i minatorit përbëhet nga 20 nene të hartuara dhe të miratuara nga të gjithë minatorët e Shqipërisë, pjesë e S.P.M.SH. Në këtë status parashikohen vlera shumë pozitive për punonjësit e nëntokës, të cilat ata i meritojnë. Të gjitha nenet u miratuan nga 220 delegatët që morën pjesë në kongres, gjithashtu, edhe nga federatat botërore dhe europiane që ishin prezent.
Çfarë idesh u shkëmbyen me delegacionet e huaja për përmirësimin e situatës?
Delegacionet e huaja vlerësuan aktivitetin e S.P.M.SH që nga viti 1991 dhe arritjet e saj, mbështetën unanimisht kërkesat e S.P.M.SH, statusin dhe rezolucionin e miratuar nga Kongresi. Ata siguruan minatorët shqiptarë që do ju japin gjithë mbështetjen e tyre, do të kontribuojnë në trajnime dhe për nevojat që ka S.P.M.SH, si dhe vlerësuan e monitoruan punimet e Kongresit të 7-të të sindikatës sonë. Vlen të theksoj këtu fjalën e zv/sekretarit të Përgjithshëm të IndustriALL Global Union, Kemal Özkan, i cili tha se punonjësit po humbin pagat e tyre, të drejtat e fituara dhe mbrojtjen sociale dhe për t’i bërë ballë këtyre pengesave duhet të jemi të gjithë në unitet.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Çeshte ky hajdut e krye hajdut qe del ne emrin tone. Gezim kalaja sot akoma duhej te ishte ne burg per gjith ato vjedhje qe na ka bere. Ku eshte vetingu leshit,ja keni pare pasurine ketij mafiozi qe nuk la kamp e zyra e ndertesa pa shitur e dhene me qera sikur te ishin te ktija. Ik or pler se nuk kena nevoj qe te kujdesesh ti per ne minatoret,ti do bash mire te tregosh se si e vune pasurine. Batkci burre.

    Përgjigju ↓