MILOSAO

Sete, një kujtim thellësisht i kaltër (Udhëtim me poetin!)

10:02 - 25.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Orges Spahiu

Është hera e dytë që shkruaj për babanë tim. Hera e parë ish kur e shoqërova në Beuvry – Nord Pas de Calais për botimin e librit të parë në frengjisht “Lëshoje drerin Artemidë”, të përkthyer me mjeshtëri nga Aleksander Zoto.
Tashmë në gjuhën frënge është botuar libri i dytë  me titull “Urgjenca”, i shqipëruar nga Aleksandër Zoto dhe Viktor Bakillari, të cilët kanë përzgjedhur  me elegancë dhe një kujdes të veçantë  poezi të shkurtra apo “Shkurtima” fjalë e krijuar nga vetë poeti.
Gjithsesi arsyeja që jam duke shkruar këtë dokumentim të shkurtër,  është Festivali “Voix Vives” që zhvillohet në SETE- e njohur si Venecia e Languedoc_ut, në jug të Francës, një vend anës detit, vendlindja e poetit të madh frëng Paul Valery, këngëtarit Georges Brassens, si dhe  aktorit të njohur Jean Vilar. Është një qytezë me rreth 43 mijë banorë, e shquar për plazhet e saj të mrekullueshme, portin detar piktoresk, damarët bredharakë të ujit  ku japin shfaqje pulëbardhat në çdo orë të ditës, ura të vogla të zbukuruara si ballkone me vazo lulesh që dukeshin sikur ishin pikturuar nga një dore e vërtetë artisti. Sete është një qytezë mikpritëse, dhe miqësore.
Në këtë qytezë kjo ngjarje artistike që në shqip tingëllon bukur dhe përkthehet “ Zëra të Gjallë”, ndodh prej 20 vitesh dhe ka krijuar një traditë të rëndësishme për letërsinë europiane, dhe atë botërore. Në këtë qytezë të dukej se deti ishte boja, fari ishte pena dhe rrugëzat a rrugicat përhime ishin faqet ku gërvishten poezi dhe vargje, ku ndjenjat njerëzore lundronin përjetësisht.
Në këtë Festival Mesdhetar çdokush është një rrëfyes, poet apo adhurues. Recitime në gjuhë të ndryshme si ajo shqipe, greke, hebraishte, franceze, arabe, të cilat buçasin nga kraharori pasionant i çdo poeti, nga aty ku zënë fill vargjet dhe prej ku mërgojnë lehtazi në ajrin e butë. Këngë dhe tinguj të çartur nga vetë autorët e poezive e  të interpretuar më pas në frengjisht nga artistë animatorë, aktorë e komedianë  që shoqëronin vargjet e çdo poeti me një origjinalitet të pakrahasueshëm dhe të mbështjellë me atë që mund ta quaja vërtetë velloja e një teatri magjik.
Një magji që vinte nga fjalë a fjali që prodhojnë drithma. Copëza kujtimesh të sjella me një zë të kulluar, zërin e ndjenjës njerëzore. Çapiteshim mes rrugicave, shoqëruar nga tinguj melodiozë, herë të ndonjë flauti, herë të ndonjë kitare e herë të ndonjë fizarmonike. Muzika korale e një kishe që derdhej si një llavë e heshtur, përkryente faqen e turpshme të kësaj qyteze.
Sipari i Zërave të Gjallë u çel nga organizatorët dhe të ftuarit specialë, të cilët mirëpritën 115 poetë nga 43 vende të botës e që flisnin dhe shkruanin vargje në mbi 18 gjuhë.


Ditën e dytë poetët filluan të recitonin  për të pranishmit vargjet e tyre. Erdhi radha e Xhevahirit të këndonte vargjet e tij. Ndieja emocionin që çalonte  në timbrin e zërit të tij dhe  vështroja si dëgjoheshin me vëmendje  dhe përqendrim të sinqertë nga të gjithë të pranishmit e më pas përçoheshin me talent nga aktorët në gjuhën  frënge.Veç marramendjes poetike që e takoje në çdo shesh të Setes, ditën e tretë prekëm nga afër disa nga  nuret e këtij qyteti.
E nisëm me vizitën tek fari i portit të Sete-s, i cili të ngjante me një rojtar të shpirtrave të detit. Arritëm në majë përmes një shkallare spirale. Pamja që shpalosej nga  ballkoni pranë majës së farit ishte magjepsëse. Poeti hapi krahët dhe u duk sikur i pushtoi të gjitha hapësirat në gjoksin e tij. Tek ky ballkon dëgjohej fryma rrëqethëse e  erës që përzihej me tingujt e litarëve metalikë të anijeve me vela, të cilat  kompozonin një simfoni të ëndërrt.
Pasi zbritëm nga fari me një amanet pafundësisht detar u drejtuam për tek muzeu i poetit të madh francez Paul Valery, i cili do të mbetet i pavdekshëm edhe sikur të kish shkruar një poezi të vetme, atë të Varrezës detare.
Prekëm nga afër veprat e paraqitura në këtë muze, dorëshkrimet dhe skicat, piktuarat dhe bustet që i ishin kushtuar këtij poeti të horizontit, që vdiste dhe ringjallej mbi valët e detit. Mes pikturave të tjera qëndronte e varur mbi mur kryevepra e papërfunduar e piktorit gjenial El Greco: Konceptimi i Hyjnisë, e cila i kish dhuruar muzeut një portë hyjnore.
Një homazh  tek varri i Paul Valery, dhe një foto si për të përjetësuar një takim të munguar me këtë gjigand të poezisë shoqëruar nga dy vargjet e tij mbi pllakën e varrit:
O récompense après une pensée
Qu’un long regard sur le calme des dieux!

Pas një meditimi, si shpërblim më mbeti
Një vështrim i gjatë aty ku prehen hyjtë!

(Përktheu Alket Çani)

Recitimi i mbrëmjes kish mbërritur  rrëzë një kishe,  një atmosferë surreale, si për sfidë të poetit që kish  shkruar dikur “Vdekje Perëndive”.
Këtë radhë poeti (ditën e katërt)  u paraqit me shkurtimat e tij, të cilat i janë rezervuar publikut frëngjishtfolës në librin e dytë  “Urgjenca”.
Ngjitja në majën e kodrës  St. Clair pranë kryqit të qytezës ish një mision  për të marrë bekimin e erës së marrë nën çatinë e bardhë të reve. Në majë të mbërthente si gozhdët e Krishtit, një pamje, ku e paharrueshmja skalitej vërtetësisht thellë në kujtesë.
Ditën e pestë u lexuan poezi të njohura, si Fjala, Poezia dhe Njeriu pa emër. Më pas poeti pyetet për traditën e poezisë shqipe, kësaj here m’u desh të përgjigjem në vend të tij:
Më erdhi ndërmend historia e letërkëmbimit të poetit Lamartin, në kulmin e karrierës së tij artistike kur lexoi vargjet “Këngët e Milosaos” të Jeronim de Radës. Ato fjalë m’u dukën më të gjeturat për të përshkruar traditën e poezisë. Lamartin i shkroi de Radës: “Poezia ka ardhur nga brigjet Tuaja e aty duhet të kthehet.”
Mbresëlënëse nga festivali ishin takimet nostalgjike me  miq të vjetër poetë nga Izraeli, Turqia, Maroku, Libia, Franca, Italia etj. Përqafohej e gëzonte me ta si djalosh, shkëmbenin copëza kujtimesh dhe emocionesh.. Xhevahiri  fliste me gjeste të shoqëruara me iso fjalësh si të ish duke kënduar një këngë polifonike të vendlindjes së tij. Shtrinte dorën  lart si për t’u treguar drejtimin e fshatit të lindjes “Malindin tim” dhe Tomorrin e fëmijërisë së tij.
Kujtime të bukura nga Sete ishin takimet dhe miqësia me njerëz të rastësishëm.
Miqësia me një çift simpatik të dashuruar me poezinë shqipe. Qe emocionuese ndjeshmëria e tyre ndaj fjalës poetike. Pas bisedave të ndjera në shoqërinë e një gote vere u përqafuam dhe u ndamë me ta si miq  të vjetër.
Si pothuaj kudo nëpër botë nuk munguan në Sete takime me bashkatdhetarë të emigruar. Një prej tyre qe  Avdyli, një shqiptar që kish emigruar në vitet 90. Ai kish ndërtuar një biznes në këtë qytezë së bashku me familjen e tij shqiptaro – franceze. Ai ishte një shembull respekti për t’u admiruar përballë njerëzve të kësaj qyteze. I dashuruar me artin e fjalës biseda me të e mallëngjeu poetin.
Udhëtimi në kanalet detare të Setes, ish një bashkëbisedim i heshtur mes kaltërsisë dhe njeriut. Ish një udhëtim diellor buzë etjes së detit.
Çarçafët e bardhë me vargje poetësh kulmonin si balona mbi kokat tona dhe here-herë të kujtonin këngën e pavdekësisë së shpirtit. Në to shkruheshin rreshta dhe vargje që gjallonin mes zërave të Mesit të Dheut.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Bukur, Orges …

    e meriton Xhevua Juaj, por edhe Yni, kete blatim prej Biri…

    Duket i veshtire komunikimi pa Fjalen, por jo kur eshte rasti me Xhevahirin!

    Shendet, mbaresi, respekte

    Nga Toronto

    Përgjigju ↓