OPINION

A po shkon Saimir Tahiri drejt përplasjes me Ramën?

17:07 - 26.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Artur ZHEJI

 

Në mbledhjen e hapur të grupit kuvendor të Partisë Socialiste në Kuvend, te cilën kryeministri ka vendosur ta bëjë, si e bënte dikur Berisha, pati disa sinjale të para mosdakortësie.

Kryeministri kishte në një krah Taulant Ballën, që përfaqson më “të rinjtë” e PS dhe në krahun tjetër, Gramos Ruçin, që përfaqson “traditën” socialiste para-Rama.
Deputetët ishin ulur në disa kate, në një platformë katrore për diskutime, “të hapura” dhe të “lira”…

Në të vërtetë kjo mbledhje ngjan si dy pika uji me mbledhjet e grupit kuvendor, që bënte Berisha-kryeministër, vetëm se mungon Astrit Patozi dhe vetë Berisha.
Mirëpo ajo që bëri realisht përshtypje ishte debati që ndërmori Saimir Tahiri për financimin e vettingut, debat ky, që u zhvillua me superministrin Arben Ahmetaj.

Tahiri nuk nguroi ta komentonte parashtrimin e Ahmetajt, si një çështje “kontabilistësh”, pra si një çështje thjesht aritmetike, duke shprehur gati me përbuzje arësyetimin e superministrit si një metodë: “e lirë në miell dhe e shtrenjtë në krunde…”, që shënon pa dyshim një ironi therëse, për këtë të fundit.

Por akuza e Tahirit ishte edhe më e thellë, ai gati akuzoi Qeverinë Rama, se po “saboton” nga ana financiare, institucionin e Vettingut, duke e futur atë në një ngushticë ekonomike, që bie ndesh me vendimet politike për Vettingun.

Në të vërtetë goditja e sipërmarrë nga Tahiri, në emër të Vettingut, ishte ballore, sepse më pas Tahiri nënvizoi që ata që do të realizojnë Vettingun, do të ankohen që nesër se: “më këto kushte ekonomike, nesër do të ketë ankesa që u penguan financiarisht nga ana e qeverisë”.

Në ndërhyrjen e tij të dytë, Tahiri, forcoi tonet ndaj Ahmetajt dhe bëri ftesë politike për shkurtime fondesh nëpër borde, duke nënkuptuar shpërdorimet e administratës, që rrezikojnë të lenë pa financimet e duhura organet e Vettingut.

Por përtej këtij debati, ra në sy, mospjesmarrja e qëllimshme e Ramës në këtë debat thelbësor, duke mbajtur hapur një qëllim shpërfillës ndaj Sajmes, që deri pëprara shkarkimit, ishte në dukje Ministri më i “dashur” i kryeministrit.

Duket pra, se në një prespektivë të afërt, përplasjet publike ndërmjet Saimir Tahirit dhe Ramës, duket fare e afërt, sepse në një apo më shumë raste, duket se përplasja ndërmjet tyre ka ndodhur sigurisht, por çarja mes tyrem që të dalë në sipërfaqe është vetëm çështje kohe.

Sigurisht kryeministri mund të ketë të drejtat e tij, ndaj Tahirit, porse kostoja e një përplasjese të tillë, do të jetë sigurisht shumë e lartë, sepse ish ministri i Brendshëm, ka padyshim në dispozicion të vet, informacionet më djegëse.

Tahiri po reziston dhe po e përballon presionin, pyetja shtrohet: Deri kur?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.