KULTURË

ROMANI I ALFRED PEZËS/ Si u përplas Zogu me Konicën për një femër

10:06 - 28.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli
Thuhet se ajo ishte gruaja më e bukur në Tiranën e viteve ‘20-‘30. Imazhet e saj ende sot ta lidhin ndërmendjen me zonjat e filmit “Great Gatsby” dhe hijeshinë e stilit të kohës. Sara Blloshmi pat lindur buzë Bosforit si e bija e Vehab bej Serdar dhe e Mevedet Vlorës. Pas fëmijërisë në Stamboll e disa vite në Paris, pat ardhur në Shqipëri në kohën e mbretërisë. Për aristokraten inteligjente, në Tiranën e Zogut president e mbret, zënë fill historitë e rrëfimet që në amullinë e mjegullën e kohës, e përkundim emrin e saj herë si agjente e herë si gruaja që rrëmbente vëmendjen e gjithë burrave. Përmendet njëherësh në letra ambasadorësh si gruaja e parë myslimane që në një ballo diplomatësh kërceu në publik. Është ajo personazhi kyç i romanit të ish-deputetit e gazetarit Alfred Peza, që prej ditësh ka ngjallur kureshtjen në Tiranën e 100 viteve më vonë. Libri i tij mban titull emrin e saj “Sarah”, por në të s’ka asgjë nga Sara biblike.
Ajo çfarë e bën grishës këtë roman është fakti që është bazuar në një histori reale, përtej stilit ndryshe dhe të veçantë. Nuk është hera e parë që letërsia ndalet në momente të veçanta të historisë. “Shkrimtarët më të lexuar sot në botë janë ata që i kanë marrë subjektet e tyre nga historia për t’i shndërruar në personazhe të jashtëzakonshëm letrarë. Stalinizmi rus, apo periudha otomane, nazizmi vazhdojnë të jenë vende që ende nuk e kanë shuar kureshtjen e lexuesit. Ndaj librat më të lexuar sot janë libra, historia e të cilëve vjen nga këto vende. Shqipëria është ndoshta një ndër rastet unikalë, ku letërsia edhe për shkak të rrethanave ku është zhvilluar nuk ka mundur ta shfrytëzojë historinë”, thotë Alda Bardhyli, drejtore UET PRESS MAPO edition.


ROMANI
“Sarah” me autor Alfred Pezën, nën siglën e Mapo Edition do të dalë në treg javën që vjen. Cilësohet si një roman befasues, duke pasur parasysh profilin e deritanishëm të autorit. Libri na çon në Shqipërinë e viteve ‘20-‘30-të për të marrë prej andej një tablo të vërtetë të kohës, të cilën Peza e ka ndërtuar si të ishte një piktor. Personazhi kryesor në këtë libër është ish-kryeministri dhe mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu. Një personazh i jashtëzakonshëm, i cili ende në ditët tona qëndron mes dritëhijesh në historinë zyrtare.
Libri trajton një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, siç ishte hapja e horizonteve të reja drejt perëndimit, një akt që sipas Pezës, u bë për shkak të një gruaje dhe ajo është personazhi më i bukur i këtij romani “Sarah”. Në një letër të ambasadorit gjerman më 1926 shkruhet: “Në festën e vitit të ri, te ambasada amerikane për herë të parë në Shqipëri një grua myslimane vallëzoi në publik. Ishte po e njëjta grua, e cila as dy vjet më parë në njërën nga festat e organizuara prej diplomatëve, asokohe tepër të pakët rrinte në lozhën e mënjanuar, e rrethuar nga katër kujdestare dhe vërente nga larg atë çka për të ishte e ndaluar”.
Edhe në romanin e Alfred Pezës është sërish një mbrëmje vallëzimi në ambasadën amerikane në Tiranë, që do të trazojë skeletin e shtetit të brishtë të shtetit shqiptar dhe që do ta vendosë Ahmet Zogun përballë një zgjedhje të vështirë: Me lindjen? Apo me Perëndimin?
E në përcaktimin e rrugës që do të ndiqte më pas shteti shqiptar, do të kishte një rol të madh një grua, me të cilën mbreti do të jetojë dhe një histori të fshehtë dashurie, e cila në fakt do të ishte e vetmja e vërtetë në jetën e tij. Sarah na tregon një nivel të lartë të femrës shqiptare në vitet ‘20-të, një grua që luan tenis, vishet bukur dhe di të luajë me zemrën e një burri. Peza e ka mbështetur imazhin e saj në historinë e vërtetë të një gruaje që ka trazuar zemrën e Ahmet Zogut në ato vite sipas biografëve. Ajo është Sara Blloshmi, mbesa e Ismail Qemalit, një prej vajzave më të bukura të kohës.
Por nuk ishte vetëm Ahmet Zogu që u dashurua prej saj, por edhe një figurë tjetër e rëndësishme e kohës, një mendje e hollë përtej Atlantikut. Ai është Faik Konica.
“Librit nuk i mungon as intriga si vetë koha kur ngjarjet zhvillohen. Peza ka ditur të japë në më shumë se 200 fq libër, gjithë elementët e jetës, si dashurinë apo vdekjen. Por përtej këtij subjekti që do të bëjë shpejt për vete këdo, ky libër mbart qëllimin kryesor të arteve dhe letërsisë, që është ngritja e pyetjeve. Në këtë rast, rikthimi i vëmendjes ndaj Mbetit Zog dhe rolit të tij në historinë e Shqipërisë”, thotë Alda Bardhyli, drejtore UET PRESS MAPO Edition.
Alfred Peza prej 23 vjetësh është prezent me publicistikën e tij si gazetar, redaktor, kryeredaktor, drejtor i gazetave, revistave dhe televizioneve, analist dhe drejtues emisionesh të debatit politik. Fitues i shumë çmimeve kombëtare të gazetarisë dhe vlerësimeve ndërkombëtare. Autor i librit “Ditari i 23 qershorit” (2013) është edhe në përfundim të studimet doktorale për histori arti pranë Qendrës së Studimeve Albanalogjike. “Sarah” është libri i tij i dytë që hedh dritë mbi gruan enigamtike e prapë kaq interesante për të cilën ambasadori gjerman e 1926-ës do të shkruante “zonja Blloshmi ka disa kohë që shfaqet e pambuluar në shtëpitë e botës, ambasadorit amerikan dukej se arritjet e përparimit, e lirisë dhe qytetërimit i shijuan veçanërisht. Ka tepër të ngjarë që të ketë informuar me një telegram edhe Shtëpinë e Bardhë. Shqiptarët pleq nga ana tjetër u ndjenë thellësisht të fyer. S’paskësh mbetur më gjë e shenjtë mbi dhe, menduan, duke u dridhur nga përfytyrimi i një Shqipërie të ardhshme me kapela dhe dansim, futboll dhe poker, me trarà burse e mish derri dhe me një ngutje e dalldisje të jetës, që deri dje rridhte e qetë dhe plot filozofi”.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Pres ta lexoj kete roman me shprese se autori u asht shmangur pershkrimeve romantike dhe eshte mbeshtetur ne fakte hstorike, meqe edhe romani nje teme te tille trajtoka. Interesante, shpresoj te jete figura e F. Konices qe une e njoh vetem si ” Enciklopedi qe ecen”, si e pati quajtue F. Noli, po se paska pas kohe me u marre edhe me episode roze, qe te behet edhe personazh romani, kete s’ ma merrte mendja. Ndoshta ky rast i ka bere edhe antogonist per nje fare kohe, Zogun e Konicen ashtu si Leke Zaharine me Leke Dukagjinin per Serafina Topinë
    Femnat e bukura gjithmone kane kene ” molle sherri ” ne jeten sociale , madje edhe politike. Urime autorit.

    Përgjigju ↓