OPINION

Ribashkimi dhe mençuria politike gjermane

07:30 - 03.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Jorgji KOTE

 

3 tetori 1990, dita e ribashkimit gjerman që erdhi pas shembjes së Murit famëkeq të Berlinit, është një ditë e madhe reflektimesh të shumta historike lidhur me hapat, vendimet dhe veprimet e shumta strategjike që çuan drejt këtij akti të shënuar për gjithë Evropën.

Krahas mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare sidomos nga ana e SHBA-ve, ribashkimi i Gjermanisë ishte, pa dyshim, fryt i vizionit dhe pragmatizmit të spikatur politik të liderëve të tij – burra shteti të mëdhenj të periudhës së Pasluftës II Botërore – Adenauer, Erhaus, Brandt, Schmit dhe Kohl; kjo traditë ka vijuar dhe tej ribashkimit nga kancelarët e mëvonshëm Gerhard Schroder dhe gjatë 12 viteve të fundit nga Angela Merkel.

Në këtë shkrim do të ndalemi në një temë pak të prekur – mençurinë e rrallë politike gjermane për të “kopjuar” dhe zbatuar pa asnjë paragjykim strategji dhe programe të paraardhësve kundërshtarë, madje të ashpër politikë; liderët emblematikë gjermanë e bënë këtë me guxim dhe kurajë unikale, duke iu kundërvënë në jo pak raste dhe një pjese të madhe të elektoratit, edhe pse kësisoj ata vunë në pikëpyetje, madje humbën dhe të ardhmen e tyre politike. Ja disa prej rasteve më pikante.

Me fillimin e viteve ‘50, kancelari historik gjerman Konrad Adenauer i tha menjëherë dhe me plot gojën “Po” thirrjes dhe ftesës së Shumanit për krijimin e BE-së dhe Gjermania u bë një ndër 6 themelueset e saj të para. Por, social-demokratët e SPD-së nuk e mbështesnin një nismë të tillë. Jo se ishin kundër BE-së, porse donin që fillimisht të ribashkohej Gjermania që ajo të hynte e bashkuar në BE. Social-demokratët gjermanë mendonin gabimisht se ribashkimi gjerman ishte çështje e pak viteve.

Mirëpo ngritja e Murit të Berlinit më 1961-shin më në fund i bindi edhe ata se ribashkimi do të kërkonte dekada të tëra. Ndaj, pas ardhjes në pushtet më 1969-ën nuk e ngadalësuan e as e ndalën, por e intensifikuan më tej procesin e integrimit dhe zgjerimit evropian të filluar nga e djathta gjermane.

Nga ana tjetër, SPD-ja e kishte kuptuar më shpejt se e djathta gjermane se Muri i Berlinit dhe regjimet totalitare në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore nuk mund të ndryshonin më me forcën e armëve dhe të ndërhyrjeve ushtarake, por vetëm në mënyrë paqësore.

Ndaj, më 1970-ën, Kancelari Brandt lançoi pa vonesë të mirënjohurën “Ostpolitik” ose “ndryshim nëpërmjet afrimit”. Praktikisht, Ostpolitika synonte që me programe, projekte dhe marrëveshje në të gjitha fushat, përfshirë edhe ato të arsimit, kulturës dhe kontakteve njerëzore, të shmangeshin efektet e mureve ndarëse dhe izoluese, duke u zëvendësuar me ura bashkuese, sepse kështu do të njiheshin më mirë realitetet në vendet përkatëse, me qëllim që, kur të vinte momenti, ndryshimet të pranoheshin pa dhunë dhe pa gjak. Ostpolitika nisi duke shfuqizuar doktrinën e deriatëhershme “Hallstein” të Adenauerit dhe që mbështetej në ndryshimin e regjimit në RDGJ me dhunë dhe forcën e armëve.

Por, këtë radhë ishte CDU-ja që nuk po e kuptonte realitetin. Ndaj ajo e sulmoi hapur dhe ashpër Ostpolitikën. Kancelari Willy Brandt u etiketua në masë “tradhtar”, u organizuan protesta masive e kështu me radhë. Por, pasi u laureua me çmimin “Nobel” për paqe për Ostpolitikën dhe kur ish-BS po tregonte qartë se nuk do të hiqte dorë nga përdorimi i forcës për të mbrojtur vendet e saj satelite, edhe CDU-ja e kuptoi dobinë e kësaj strategjie paqësore evolucionare. Ndaj, Kancelari Helmut Kohl e vijoi zbatimin me konsekuencë Ostpolitikën deri më 1989-ën, që kulmoi me shembjen e Murit të Berlinit.

Nga fundi i viteve ‘70, ish-BS kishte filluar montimin e raketave bërthamore me rreze të mesme veprimi “SS 20”. Në këtë kohë, ish-Kancelari Helmut Schmidt, me guxim vendosi të mbështesë doktrinën e NATO-s ose “vendimin e dyfishtë” të vitit 1979. Ai këmbënguli që në rast se Rusia do të vijonte atë kurs, atëherë edhe në Gjermani të vendoseshin raketat amerikane. Kjo hasi në rezistencën masive të lëvizjes paqësore në Gjermani dhe në demonstrime të përditshme të qindra mijëra njerëzve përpara zyrës së Schmidt, i cili i qëndroi deri në fund besnik këtij projekti. Mirëpo ky vendim ndikoi ndjeshëm në dobësimin e pozitave të qeverisë dhe në tetor 1982, koalicioni qeveritar me liberalët që ai kryesonte humbi votëbesimin parlamentar.

Schmidt u largua nga politika aktive me dinjitetin që koha dhe publiku e vlerësoi gjerësisht. Edhe 30 vjet pas largimit, në daljet e tij të shpeshta e të mirëpritura publike dhe televizive, ai sërish e konsideroi të drejtë dhe të nevojshëm një vendim të tillë. Po kështu dhe pasardhësi i tij, Helmut Kohl, ky euroatlantist legjendar e zbatoi me mençuri vendimin e dyfishtë, duke deklaruar me guxim politik se Gjermania ishte partnere serioze dhe nuk mund të dilte kundër partnerëve transatlantike.

Po në vitet ‘80, Partia e të Gjelbërve sidomos në Gjermani dhe në disa vende të tjera të Evropës ishin fuqizuar mjaft. Suksesi i tyre konsistonte në politikat pacifiste kundër çdo lufte dhe konfrontimi të armatosur dhe në mbrojtjen e mjedisit. Mirëpo, me ardhjen e tyre në qeverinë e koalicionit me social-demokratët në vitin 1998, të Gjelbërit u përballën me qëndrimin politik lidhur me konfliktin e dhunshëm në Kosovë. Lideri i tyre karizmatik, Joschka Fischer, që ishte zv.kancelar dhe ministër i Jashtëm, e mbështeti pa rezerva ndërhyrjen e armatosur të NATO-s ndaj Serbisë së Millosheviçit. Për pasojë, të Gjelbërit dhe lidershipi i tyre patën shumë kritika dhe goditje politike, madje dhe fizike në selinë e Parlamentit Evropian për “tradhti të lartë” etj. Por, Fisher nuk u tërhoq nga ai kurs, duke deklaruar qartë se ata ishin në favor të ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, si mjeti i vetëm dhe i fundit për shmangien e gjakderdhjes dhe vendosjen e paqes.

Në vitin 2002, Kancelari Gerhard Schroder rifitoi mandatin e dytë. Por, ai kishte konstatuar edhe më parë se gjendja ekonomike e vendit ishte në rënie. Papunësia po rritej me shifra alarmante dhe në vitin 2004 kapi shifrën rekord prej 5 milionë vetësh!

Schroder mund të vijonte punën pa ndonjë lëvizje madhore politike e ndoshta të fitonte dhe një mandat të tretë, duke ia hedhur fajin paraardhësit të tij; në të kundërt, do të ndeshej me pakënaqësi popullore me pasoja për të. Por, ai ishte i ndërgjegjshëm se kryecilësia e një shtetari të vërtetë është përgjegjësia para vendit të vet dhe jo e ardhmja e tij politike. Shkurt, duhej ndërmarrë sa më shpejt të ishte e mundur një reformë themelore ekonomike dhe financiare që të shtonte fuqinë konkurruese gjermane dhe të përmirësonte nivelin social dhe ekonomik të popullsisë. Nuk vonoi dhe Schroder lançoi këtë reformë madhore “Agenda 2010”, por hasi në kundërshtimin masiv nga njerëzit, duke filluar nga radhët e partisë së tij social-demokrate. Megjithatë, ai iu përmbajt vendimit të tij, duke e çuar vendin në zgjedhjet e parakohshme në shtator 2005, me qëllim që të rifitonte besimin e shumicës për një reformë të tillë jetike. Si një makinë e rrallë elektorale, mjeshtër dhe magnet i medias, karizmatik dhe orator i lindur, falë fushatës së tij tejet aktive në të gjitha frontet, ai arriti ta ngushtonte madje ndjeshëm diferencën prej gati 20 pikësh ndjeshëm. Humbi vetëm për tri vende në parlament, duke e lënë gjithsesi SPD-në në bashkëqeverisje me Merkel.

Dhe ai u largua nga skena politike me dinjitetin e duhur, duke lënë pas një reformë që koha dhe ngjarjet e mëvonshme e dëshmoi si tejet të nevojshme dhe të dobishme. Ndërsa Kancelarja Merkel jo vetëm nuk e hodhi poshtë, por e zbatoi “Agenda 2010” me fanatizëm, duke bërë natyrisht disa ndryshime të lehta për të qenë sa më bindës për elektoratin.

Është pranuar gjerësisht se Gjermania i mbijetoi dhe lulëzoi me gjithë krizat e rënda e të gjithanshme që pushtuan Evropën dhe botën vitet e fundit kryesisht falë “Agenda 2010”.

Së fundi, ia vlen të nënvizohet se këto përvoja dhe praktika të çmuara nuk kanë thjesht vlera historike e ca më pak të jenë “arkivuar”. Përkundrazi, ato janë ngulitur thellë në ndërgjegjen dhe axhendën e politikës së sotme gjermane. Me siguri ato do të shfaqen tani e në të ardhmen, përballë sfidave të reja madhore me të cilat po ndeshet ky vend i shquar mbi të gjitha për mençurinë politike dhe mrekullinë ekonomike.

Mësimi që del nga këto praktika dhe përvoja madhore është se në vendet e konsoliduara demokratike, të parat vijnë politikat, alternativat, e pastaj politikanët dhe e ardhmja e tyre. Edhe në rastet kur puna nuk ecën, janë këta të fundit që bëhen “kurban”. Por, natyrisht, koha si gjykatësi më i mirë dhe elektorati më vonë i nderon dhe më shumë këta politikanë dhe shtetarë të mëdhenj, siç vepron dhe Gjermania moderne.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.