OPINION

Reformat, sfera publike dhe riorientimi i vlerave

07:20 - 15.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Elvis ZAIMI

 

Pragreforma e sistemit ligjorë dhe reformat e tjera të rëndësishme ekonomike, që priten të vihen në zbatim in extremis në realitetin shqiptar, ndonëse kanë qenë të domosdoshme shumë kohë më parë, do të ndërmerren vetëm pasi sëmundjet shoqërore janë bërë akute, pra edhe nevoja për reforma e pashmangshme. Pikërisht për këtë arsye, një qeveri njëngjyrëshe socialiste, e vetëdijshme për sfidën serioze me të cilën duhet të përballet, po përpiqet të motivojë psikologjikisht popullin duke vënë në qarkullim dhe mbushur hapësirën publike me harenga idesh dhe shashka propagandistike të shumta, madje edhe në kurriz të sistemit demokratik, duke u përpjekur në këtë mënyrë t’i imponohet edhe sferës publike, e cila, sipas Habermas, nuk pranon forma shtrënguese dhe detyruese të komunikimit, por është e karakterizuar nga vetëreflektimi racional.

Me inkursionet dhe praktikat e saj të komunikimit në jetën publike të vendit, qeveria nuk po kufizohet vetëm në shpjegimin racional të politikave që kanë lidhje me zbatimin e reformave, por duket se ka marrë përsipër ta shtyjë dhe orientojë shoqërinë drejt vlerave të saj. Në mënyrë paradoksale, një forcë politike e majtë, po përpiqet të risinkronizojë sistemin shoqëror të vlerave kombëtare me vlerat perëndimore, duke shfrytëzuar për këtë qëllim dhe përdorur në avantazhin e saj, paaftësinë e qeverive të mëparshme për ta arritur këtë sinkronizim. Nëse kjo qeveri do ta arrinte këtë risinkronizim, ky do të ishte një sukses kombëtar, dhe jo thjesht i Partisë Socialiste, por përvoja zhgënjyese e qeverive të mëparshme të tranzicionit, na obligon të jemi syçelë. Së pari, restaurimi i filozofisë politike nëpërmjet moralizimit të saj, është prova e parë e vullnetit të sinqertë që duhet të japë qeveria për të na krijuar besimin sesa premtuese drejt suksesit janë reformat që ka marrë përsipër. Manovrat cinike dhe manipuluese, të cilat realiteti shqiptar bizantin e politik ka prirjen e natyrshme t’i përsërisë duke i çuar drejt përsosjes, ndonëse mund të jenë efektive për hegjemonizimin e pushtetit në periudhën afatshkurtër, rrezikojnë të sjellin të njëjtin efekt boomerang, siç ka ndodhur me qeverisjet e mëparshme. Përpjekjet e burokracisë për t’iu imponuar sferës publike janë një nga shkaqet e krizës së legjitimitetit demokratik të BE-së, ndaj joshja nga ideja se vetëm një forcë politike mund t’i japë legjitimitet jetësimit të vlerave etike në jetën publike të vendit apo programit të reformave, është antidemokratike. Vetëm debati racional publik ka të drejtën të vendosë standarde dhe norma të gjithëpranuara. Fatkeqësisht, diskutimi publik në Shqipëri, duke filluar nga ai që zhvillohet në parlament, në shtyp, në transmetimet publike televizive dhe në segmente të tjera të sferës publike, është jo vetëm i deformuar, por polimorf, kakofonik dhe anarkik në vlerat dhe racionalitetin që mbart. Shtypi shqiptar vazhdon të jetë një komentues pasiv i komunikimit politik, kryesisht i dominuar nga komentimi i lajmit politik, sesa nga raportimi dhe analiza e saktë e tij. Pra, shtypi vazhdon të mbetet një ndërmjetës mediokër ndërmjet politikës dhe qytetarit, duke dështuar të jetë pararendësi dinamik i progresit shoqëror.

Nga ana tjetër, kjo situatë e sferës publike shqiptare nuk mund të shërbejë si justifikim për qasje voluntariste të ekzekutivit nëpërmjet mobilizimit të masave, apo me shfaqje simbolike në publik të lidhura me menaxhimin e personelit nëpër dikasteret qeveritare, të cilat ngjajnë më shumë me lëvizjet marksiste sesa me reformat e mirëmendura liberal-demokratike që sjellin rezultate të qëndrueshme në kohë, pikërisht sepse arrijnë të rregullojnë proceset ekonomike dhe shoqërore duke riorientuar vlerat, dhe riintegruar shoqërinë drejt tyre. Ky riorientim vlerash dhe shëndoshje e kohezionit social kërkon që objektivi final i reformës të ngrihet mbi një paradigmë të re, atë të ndërtimit të një administrate shtetërore demokratike, profesionale dhe në shërbim të politikave zhvillimore të vendit, politikisht neutrale, si dhe të një gjyqësori të pavarur dhe të paanshëm. Anomalitë e funksionimit të administratës publike dhe korrupsioni i përhapur në radhët e saj nuk janë të lidhura thjesht me menaxhimin e personelit në varësi të vullnetit që dëshmojnë forca të ndryshme politike kur vijnë në pushtet. Diagnoza e këtyre fenomeneve bëhet mbështetur mbi logjikën e argumenteve racionale, të cilat dëshmojnë se parazitizmi dhe korrupsioni në administratë janë të formuara dhe konsoliduara historikisht gjatë gjithë ciklit të tranzicionit, pjesë e një kulture të shtrirë në të gjithë shoqërinë shqiptare. Këto fenomene sot janë të agravuara nga politikat e dështuara të së kaluarës në menaxhimin publik, ndaj është detyrë e kësaj qeverie të riafirmojë vlerat dhe parimet që i hapin rrugë një perspektive më të mirë të së ardhmes.

Nga ky këndvështrim, të riorientosh vlerat shoqërore duke i sinkronizuar me ato evropiane është një gjë e ndryshme nga përpjekjet e maskuara për t’i diktuar jetës publike “vlerat” e tua, të cilat nuk kanë lidhje me demokracinë, sepse demokraci të diktuar nuk mund të ketë. Riorientimi i vlerave kërkon që qeveria të udhëheqë nëpërmjet shembullit, dhe të ballafaqohet seriozisht me degradimin e institucioneve dhe luftën kundër krimit ekonomik, që po shterojnë resurset kombëtare dhe kanë mbytur klimën e investimeve private, duke rrënuar besimin e shqiptarëve te tregu i lirë dhe shteti i së drejtës. Këto duhet të jenë prioritete në agjendën reformatore, sepse janë tregues të drejtpërdrejtë se qeveria është sinqerisht e preokupuar për të mirën publike, për politika dhe aksion qeveritar që përmirëson jo vetëm kushtet shoqërore dhe ekonomike të jetës të qytetarit dhe fshatarit të thjeshtë, por edhe drejtësinë sociale. Nga ky këndvështrim, përqendrimi i kompetencës në ekonominë dhe financat publike në një dikaster të vetëm, duket jo vetëm një reminishencë e ekonomisë së komanduar politikisht gjatë regjimit komunist, por edhe e pafrymëzuar nga dëshira për reforma të sinqerta.

Në betejën reformuese të pushtetit gjyqësor, zhgani i gjyqtarëve paraqitet një kërcënim po aq I rrezikshëm sa edhe zhguni i politikës. Nëse politika shqiptare do të vazhdojë të zhvillohet dhe performojë nën standardet e një shteti modern, i cili aspiron të bëhet pjesë e një klubi vendesh të pasura si BE-ja, atëherë përpjekjet për reforma reale, d.m.th që sjellin përmirësime të qëndrueshme në kohë, do të mbeten një iluzion. Nëse besojmë Raz dhe Habermas, ajo që e dallon dhe shquan procesin e qeverisjes në demokracitë bashkëkohore, nuk është thjesht legjitimiteti që buron nga vullneti elektoral i shprehur nga shumica e popullit për të sjellë një force politike në pushtet. Më së shumti, themeli i legjitimitetit dhe çelësi i suksesit të politikave qeveritare që vihen në zbatim qëndron te përputhja ndërmjet arsyeve të veprimit qeveritar me arsyet dhe pritshmëritë e të mirës së përgjithshme, të formësuar në një hapësirë publike të dominuar nga logjika e argumentit racional.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.