KULTURË

“Rindërtimi i krimit”, vepra e artistes serbe për vrasjen e shqiptarëve

10:00 - 24.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira Nikolli

 

Linja e muzeale e Muzeut të ri të Artit Bashkëkohor në Beograd ka të ekspozuar një vepër që në mënyrë të tërthortë shënon një “ndjesë” ndaj shqiptarëve dhe pranon vuajtjet e tyre nën ish-Jugosllavinë.

Vepra i takon artistes Milica Tomic, pjesëmarrëse në Muzen e Artit Bashkëkohor me punën e titulluar “XY the reconstruction of the crime”.

Tema e kësaj pune, realizuar në vitet 1996/1997 është krimi i harresës absolute të vrasjes së demonstruesve, shqiptarëve etnikë, qytetarë të Republikës Federale të Jugosllavisë.

“XY the reconstruction of the crime 1996/7” – është një vepër që ka si temë, krimin e harresës absolute të vrasjes së demonstruesve, shqiptarë etnikë, qytetarë të Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë. Vepra, një video instalacion 13-minutësh është e artistes serbe Milica Tomic. Vetë sqarimi i sapocituar është marrë nga shënimi i kuratorit Branimir Stojanovic. Po aty, shënohet se “më 28 mars 1989, ata protestuan kundër shuarjes së subjektivitetit politik të garantuar nga kushtetuta federale ekzistuese. Puna merret me pamundësinë e zgjidhjes së konfrontimit të minoritetit dhe shumicës. Me fjalë të tjera – kontradiktat e brendshme të komuniteteve bazuar në ekonominë e sakrificës.

Kuratori Branimir Stojanovic shkruan se “XY the reconstruction of the crime” në mediumet e artit bashkëkohor zbulon fillimin e përshkallëzimit të dhunës së pakontrolluar në RSFJ në fund të viteve ‘80, e cila përfundoi me një copëz të errët dhe kanibalizëm etnik.

TAKIMI I KUMBAROS  

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Muzeut të Artit Bashkëkohor në Beograd, ku është ekspozuar vepra e mësipërme, me ftesë të ministrit të Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë, Vladan Vukosavljević. Ajo u prit nga drejtori i Muzeut të Artit Bashkëkohor, Slobodan Nakarada dhe Dejan Sretenović, koncept ideuesi i MAB, të cilët e shoqëruar përgjatë vizitës në MAB. Ministrja Kumbaro zhvilloi takime me homologun serb dhe atë maqedonas, Robert Alogjozovski, ku u diskutua për një bashkëpunim intensiv me vendet e rajonit në fushën e artit dhe kulturës, thuhet në një njoftim për mediat që zyra e shtypit të MK u ka nisur gazetarëve. Po sipas të njëjtit njoftim, ministri Vukosavljević ka theksuar se kultura po lidh dhe po lejon njerëzit të kuptohen më mirë dhe ata, artistët, përfaqësojnë “një melodi që dëgjohet mbi zhurmën e jetës së përditshme”. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u tha agjencisë së lajmeve ‘Tanjug’ se Muzeu i Artit Bashkëkohor “nuk është vetëm një muze i ri, apo një muze i rinovuar, por një vend pa kufij. Arti dhe kultura janë hapësira që duhet të ndërtojnë ura, pavarësisht nga vendi apo ngjyra e pasaportës”, – u shpreh Kumbaro. Ajo shtoi se është veçanërisht e impresionuar me vendosjen e veprave, që reflekton idenë e bashkimit të artistëve nga vende të ndryshme të Ballkanit. “Para së gjithash, është e rëndësishme që ky vend, i cili u mbyll për dhjetë vjet, tashmë është i hapur për publikun. Ne jemi vende të vogla dhe nuk kemi luksin që të mbajmë hapësira të mbyllura. Mendoj se ky është një sukses i madh për Ministrinë e Kulturës dhe për të gjithë artistët. Së dyti, unë jam e impresionuar me të vërtetë nga pjesëmarrja e artistëve dhe e vlerësoj faktin që artistët këtu janë bashkuar nga territore të ndryshme të Ballkanit”, – tha Mirela Kumbaro Furxhi për ‘SEEcult’, e përditshme e pavarur kulturore në Beograd. “Ky vizion për të bashkuar punën e artistëve nga e gjithë ish-Jugosllavia është një ide shumë e bukur, jo vetëm për artistët, por edhe për shkak të historisë së përbashkët të rajonit tonë”, ka thënë Kumbaro, duke theksuar rëndësinë e dialogut përmes arteve. Gjatë vizitës së saj, Kumbaro deklaroi se tani është një çështje e vullnetit politik për të ndërtuar ura dhe institucionet artistike të krijojnë bashkëpunime konkrete. Si shembull, ajo tregoi bashkëpunimin e mundshëm ndërmjet Galerisë Kombëtare në Tiranë dhe MAB të sapohapur në Beograd, si dhe bashkëpunimet mes teatrit të dramës, baletit, orkestrave, etj. Gjatë qëndrimit në Beograd, ministrja Mirela Kumbaro Furxhi zhvilloi një vizitë në Teatrin Kombëtar të Beogradit. Në një bisedë të hapur me drejtorin Dejan Saviç u diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit dhe programeve kulturore të shkëmbimit dhe projektet mes institucioneve kulturore kombëtare. Kumbaro u prit nga zëvendësdrejtor i Teatrit Aleksander Stamatoviç, drejtor i bashkëpunimeve Samur Rankoviç dhe drejtori i Operës, Janko Sinadinović. Gjatë vizitës, të ftuarit vizituan ndërtesën, muzeun dhe teatrin, ku u njohën me një histori shumë të pasur dhe repertorin e Teatrit Kombëtar, si dhe funksionimin e institucioneve të rëndësishme serbe kulturore, (Teatër, Opera, Balet), të cilat së shpejti do të festojnë 150-vjetorin.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë në përfundim të Konferencës së tretë Ministeriale në Tiranë, shkurt 2017 “Nxitja e Kulturës për Zhvillim të Qëndrueshëm” ka firmosur marrëveshjen e parë për bashkëpunim kulturor me Serbinë, cilësuar nga ministri Vukosavljević si një moment historik për bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve. Qëllimi i këtij programi bashkëpunimi kulturor është të zhvillojë dhe mbështesë bashkëpunimin kulturor mes institucioneve dhe organizatave të ndryshme të të dyja vendeve, në shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e politikave në art-kulturë dhe trashëgimi kulturore, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, UNESCO-s, në përpjekje për të ndërtuar dhe nxitur marrëdhënie të mira dhe për të forcuar bashkëpunimin kulturor mes palëve.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.