OPINION

Nga “protektorë” të Rama-Tahirit, në “groposës” të tyre – Si ka ndryshuar 180 gradë qëndrimi i italianëve në Shqipëri

18:17 - 06.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kush e mban mend, deri një vit më parë, italianët bënin lojën e qeverisë “Rama”. Eksponentët e Guardia di Finanza dhe përfaqësuesit diplomatike përgëzonin qeverinë për luftën anti-kanabis. Pavarësisht se Italia u përmbyt nga hashashi, zyrtarët e Romës i mbanin iso Saimir Tahirit që thoshte: kemi shkatërruar 99% të kanabisit të zbuluar.

Kulmi i kësaj hipokrizie arriti në shtator 2015. Një avion me drogë u kap në Itali dhe autoritetet vendase deklaruan se “malli” vinte nga Shqipëria. Madje njoftimi për shtyp është ende në faqen e internetit të policisë italiane.

Por, përfaqësuesi i “Interforza”- në Shqipëri, Michele Grillo doli në një TV shqiptar në Tiranë dhe tha se avioni me drogë nuk vinte nga Shqipëria. Një mbrojtje skandaloze që nisi të vinte erë. Kur mediat italiane nisën të shkruanin për këto qëndrime të dyshimta, komisar Grillon e larguan nga detyra në Tiranë.

ZGJIMI I ITALIANEVE

Megjithatë, me kalimin e muajve, Italia nisi të kuptojë se nuk ishte e volitshme për të, të mbyllte sytë para mega-trafikut të kanabisit.

Dalëngadalë, lufta mes bandave dhe klaneve kriminale përtej Adriatikut u ashpërsua si pasojë e nevojë për kontrollin e këtij trafiku dhe përfitimeve të mëdha që buronin prej tij.

Në shkurt të këtij viti, kreu i Antimafias, Franco Roberti ishte në Tiranë ku ngriti alarmin për “3-fishimin” e hashashit drejt Italisë. Ai kërkoi shkatërrimin e klaneve kriminale që e mundësonin këtë. Asgjë nuk u bë.

MASAKRA QE ALARMOI MINISTRINE E BRENDSHME

Një masakër e vërtetë ndodhi në gusht në Foggia të Italisë, kur 4 persona u vranë në një atentat mafioz që ka tronditur vendin fqinj. Ekzekutimet mafioze në Pulia u shtuan shumë kohët e fundit, gjë alarmoi ministrin e Brendshëm, Marco Minitti dhe kryeprokurorin e Antimafias italiane, Franco Roberti.

Në atentatin e 9 gushtit, mbetën të vrarë bosi mafioz Mario Luciano Romito (i sapodalë nga burgu) dhe kunati i tij që bosi e përdorte si shofer, Matteo De Palma. Dy dëshmitarë u ekzekutuan gjakftohtësisht me kallashnikovë dhe çifte, thjesht sepse ishin prezent në skenën e krimit.

Gazeta e njohur italiane “La Reppublica” shkruan se lufta e klaneve mafioze të Pulias që zgjat prej 30 vitesh është rindezur për shkak të fluksit të madh të parasë që sjell droga që vjen nga Shqipëria.

“Sot, përplasja është ndezur rreth trafikut të lëndëve narkotike, në veçanti për drogat e lehta (hashashi, shën. red.) që vijnë nga Shqipëria. Eshtë një aferë kolosale që ka zgjuar oreksin e klaneve dhe që nis nga Pulia, vijon në të gjithë bregdetin e Adratikut për të përfunduar në Europë. Mafia e Foggias është një brinjë e Kamorrës napolitane”, deklaroi kryeprokurori kombëtar i Antimafias italiane, Franco Roberti.

SHQETESIMI ITALIAN PER DROGEN SHQIPTARE

Nuk është hera e parë që Italia shpreh shqetësim për fluksin e kanabisit që mbërrin nga brigjet shqiptare.

Kreu i Antimafias, Franco Roberti ishte në shkurt në Tiranë dhe lëshoi një deklaratë të fortë në krah të kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ai tha se kohët e fundit ishte 3-fishuar sasia e kanabisit në linjën Shqipëri-Itali.

“Trafikimi i lëndëve narkotike ka ardhur në rritje mes Shqipërisë dhe Italisë. Kemi nevojë që bashkë me kolegët shqiptarë të kuptojmë se cili është motivi i rritjes së këtij trafiku dhe në të njëjtën kohë çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar strategjitë dhe bashkëpunimin. Italia ka treguar interes për të bashkëpunuar dhe në nominimin e një gjyqtari pranë Ministrisë së Drejtësisë. Interesi jonë është të verifikojmë si mund të bashkëpunojmë dhe luftojmë trafikun. Është trefishuar sasia e drogës që është kultivuar në Shqipëri”, tha ai.

Vizita e ministrit të Brendshëm italian javën e kaluar, Marco Minitti i cili kërkoi arrestimin e “të paprekshmëve” të trafikut të drogës besohet se do ta ngrejë në një tjetër nivel dënimin e kriminelëve “me kollare” në Shqipëri. Megjithatë, kjo luftë do të jetë e vështirë. Muajin e kaluar, Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit, i cili sipas prokurorisë së Krimeve të Rënda dyshohet për grup kriminal, trafik droge dhe korrupsion pasiv.

GSH.al

Lexo edhe: “Saimir Tahiri bën 5 milionë euro në muaj!” – Dosja 416 faqe për lidhjet e Saimir Tahirit, Habilajt me trafikun e drogës miliona euro


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.