KULTURË

In memoriam / SHUHET KASEM TREBESHINA “Pengu i tij, dorëshkrimet e pabotuara”

09:30 - 08.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kasem Trebeshinën pata fatin ta takoj nga afër në shkurt 2010, në një intervistë të gjatë, ku ai vazhdimisht theksonte shqetësimin e tij që t’i botoheshin dorëshkrimet. Unë nuk mundem t’i botoj- theksonte shkrimtari,- duke iu referuar pamundësisë ekonomike. Deri në ’90 nuk i lejohej botimi. Pas ’90 ka ardhur koha që vepra e tij e plotë të shohë dritën e botimit”. Kështu tha dje për “Gazeta Shqiptare”, prof. dr. asoc. Anila Mullahi. Ajo kujtoi madje, edhe se në vitin 1998, në auditorët e universitetit, bashkë me studentët e tjerë, kishte pasur mundësinë e një bisede të gjatë me Kasëm Trebe-shinën. “Ne vazhdimisht e pyesnim për kohën e burgut dhe për diktaturën që i kishte penguar lirinë, për censurën etj. Atëherë më kishte bërë shumë përshtypje këmbëngulja e tij për të mos pranuar diktaturën dhe mungesën e lirisë në jetën e tij. Unë kam qenë gjithmonë i lirë. Asnjëherë askush nuk më ka detyruar të shkruaj, siç donin ata. Unë kam qenë i lirë në botën time, diktatura ka qenë jashtë meje”,-rrëfeu Mullahi të ketë thënë Kasem Trebeshina.
Shkrimtari i njohur ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare në Ankara të Turqisë, ku jetonte prej disa vitesh me të bijën. Trupi i tij i pajetë ka mbërritur dje në Shqipëri dhe është përcjellë në orën 14.00 për në banesën e fundit në Tiranë, krejt në heshtje nga familjarët.
Ministria e Kulturës, përmes një postimi në Facebook, shënoi se “Ndahet nga jeta një shkrimtar rebel dhe simbol i disidencës. Pa zhurmë, ashtu siç ishte mësuar dhe të jetonte e të krijonte, u largua nga kjo jetë shkrimtari Kasem Trebeshina”.Kasëm Trebeshina ka bërë burg politik për shkak se doli hapur kundër  regjimit komunist duke shkruar një “Promemorje” për Enver Hoxhën, më 5 tetor 1953. Ai denonconte vendosjen e pushtetit “njëpartiak” dhe instalimin e Metodës ideologjike. Meqëveprat e tij të para u censuruan në diktaturë, pjesa më e madhe e librave të Trebeshinës u botuan pas 1990-ës.
1926 – 2017
Kasëm Trebeshina lindi në Berat më 5 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua gjallërisht në Luftën Nacionalçlirimtare. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski”, të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës. Veprat e Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 fillimisht në Prishtinë: “Stina e stinëve” (1991); “Mekami, melodi turke” (1994); “Histori e atyre që nuk janë” (1995) dhe në Tiranë: “Legjenda e asaj që iku” (1992); “Koha tani, vendi këtu” (1992); “Qezari niset për në luftë” (1993); “Rruga e Golgotës” (1993); “Lirika dhe satirë” (1994); “Hijet e shekujve” (1996); “Ëndrra dhe hije” drama (1996) etj. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj. Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim.
“Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese (e atyre që janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, e cila ka dhe një titull të dytë “Këngë fëmijërie”, “Odin Mondvalsen” me titull të dytë “Një histori dashurie” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina” apo “Kapriçio shqiptare”. Sipas kritikës serioze vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit.

Homazh për Kasem Trebeshinën!
Mirela Kumbaro: Njohja ime me Trebeshinën kur e përktheja
E kam njohur shkrimtarin Kasem Trebeshina, në vitin 1992, e kam njohur me kureshtjen e zbulimit të personazhit për të cilin të gjithë flisnin, por pak e njihnin. Ende s’e kisha lexuar. Fati prej përkthyeseje ma solli që ta lexoja për së pari si lexuese shumë e vëmendshme. Përktheva në frëngjisht një prej pjesëve të tij teatrale, “Historia e atyre që s’janë”. Për disa muaj punuam bashkë për çdo faqe, ku njoha shkrimtarin që vinte shpesh në dyshim krijimin e vet si në një proces të komplikuar autopsie tekstuale, duke qëmtuar shkronjat, fjalët, rreshtat. Njohje e çuditshme dhe komunikim me retrospektivën, që e kishte bërë Trebeshinën të shkruante një tekst që nuk ta rrokte mendja se mund të shkruhej në vitet e diktaturës. Më pas, në po atë vit, “L’histoire de ceux qui ne sont plus” u vu në skenë në Paris në teatrin e Shkollës së Lartë të Teatrit “Pierre Debauche”. Ministria e Jashtme franceze ftoi autorin dhe përkthyesen e tij në Francë për të marrë pjesë në premierë dhe për një vizitë kulturore në Paris. Njoha në atë javë njeriun Kasem Trebeshina, i thjeshtë dhe befasues në mënyrën se si vëzhgonte ngultas veprat e artit në muzetë e famshëm të kryeqytetit frëng, të cilit ia njihte fort mirë historinë. Më vonë i lexova veprën ndryshe, ndërsa njeriu pa bujë që na la sot, më mbet në mendje përherë.

Biblioteka Kombëtare: Veprat e dorëshkrimet
që ruajmë prej Kasëm Trebeshinës
Krijimtaria e botuar e Kasëm Trebeshinës zë fill në 1953 me botimin e dramës historike “Kruja e çliruar” dhe më pas në vitin 1961 poemën “Artani dhe Minja ose hijet e fundit e maleve”, dy vepra këto të cilat ruhen në fondin e arkivit së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Krahas tyre janë edhe veprat e tjera të shkrimtarit, të cilat janë botuar pas gati 40 vjetësh nga vepra e parë, si “Legjenda e asaj që iku” (1992) “Qezari niset për luftë” (1993), “Rruga e Golgotës: një përrallë dimri” (1993), “Mekami melodi turke” (1994), “Lirika dhe satira: shfletim i paqëllimtë kujtimesh” (1994), “Historia e atyre që s’janë: komedi tragjike” (1995), “Ëndrra dhe hije” (1996), “Hijet e shekujve” (1996), “Nata para apokalipsit: triptik” (1999), “Ku bie Iliria?” (2000), “Kënga shqiptare – 5 vëllime” (2001) dhe “Më përtej kohërave” (2004). E shtrirë në kohë, e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara, e pasur dhe origjinale, vepra e Kasëm Trebeshinës, në një pjesë të saj ka mbetur ende e pabotuar, përbën një nga zërat më interesantë të letërsisë shqipe të pas luftës, thotë BK, në një njoftim drejtuar mediave. Po aty, vihet në dukje se me kujdes të veçantë në fondin e vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare ruhet edhe dorëshkrimi i shkrimtarit “Historia dhe njerëzit e saj: bisedë në mbrëmje vonë” në të cilën Trebeshina, përmes një proze politike, ka shpalosur pikëpamjet e tij politike e shoqërore, shkruar në Ankara në vitin 1997. Krahas krijimtarisë letrare, një vend të veçantë zënë edhe studimet e shumta mbi veprën letrare të Trebeshinës, por edhe mbi jetën e tij të trazuar, në gjuhën shqipe ose të huaj, si “Dosja Trebeshina dhe prapaskenat e lidhjes” (2006); “Trebeshiniana: studime, artikuj, ese” (1998); “Allori seçhi = Dafina të thara: romani i jetës sime” nga studiuesi Edmond Çali botuar në Romë në vitin 2007; “Trebeshina, një jetë para gjyqit”, nga gazetari Nuri Dragoj (2007); “Albanian” dhe “Kasem Trebeshina, prophet” (1992), nga albanologu dhe studiuesi Robert Elsie; “Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe” (2005) i studiuesit Behar Gjoka; “Miti i Metamorfozës në prozën e Mitrush Kutelit, Ismail Kadaresë, Kasem Trebeshinës”, nga Elvira Lumi (2006) “Intervistë me Kasëm Trebeshinën”, nga prof. Edmond Çali (2006), “Disidentët e rremë” i studiuesit Sadik Bejko (2007), “Shkolla e disidencës dhe Trebeshina” nga Gjovalin Kola (2012), “Veçori të poetikës në prozën romanore të Kasëm Trebeshinës” nga prof. Anila Mullahi (2013) si dhe “Disidenca në letërsinë e realizmit socialist shqiptar: Kasëm Trebeshina, Zef Pllumi dhe Ismail Kadare” me autor prof. Edmond Çali (2015).
Ai filloi studimet e larta në Institutin e teatrit “Ostrovski” në Leningrad, por nuk i përfundoi ato. Kundërshtimi i vazhdueshëm i drejtimit që synohej t’i jepej letërsisë dhe arteve gjatë viteve të regjimit e çuan Trebeshinën më se njëherë në burg, si edhe i hoqën të drejtën e botimit. Veprat e tij nisën të botohen pas viteve ’90. Në homazh dhe nderim kushtuar prozatorit Kasëm Trebeshina, i cili u nda nga jeta në moshën 91- vjeçare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli më datë 7 nëntor, ekspozitën “Kasëm Trebeshina (1926-2017)”.

Behar Gjoka: Nëse në gjallje nuk e kuptuam,
madje e përgojuam Trebeshinën…
Në moshën 91 vjeç shuhet shkrimtari Kasëm Trebeshina, njeriu që nuk pa një ditë të bardhë, në jetën e shtrirë në dy shekuj, pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore, ndonëse me komunizmin u vu në luftë të ashpër. Jeta e tij ishte një betejë me botën e mashtrimit, me hipokrizinë e kohës ku të gjithë spiunonin, e prandaj dënohet disa herë duke bërë 17 vite burgim e vite të tëra persekutim. Letërsia qe atdheu i Trebeshinës, me të gjithë kuptimin e fjalës. Ai shkëlqeu në të gjitha gjinitë dhe zhanret letrare, në poezi, prozë, dramatikë. Pena magjike e Trebeshinës erdhi me mijëra faqe letërsisë të përkorë, ndonëse ende vijon që të mbetet, ajsbergu i letrave shqipe, sepse pjesa e dërrmuese e veprës letrare vijon të mbetet në sirtar. Nga pjesa e botuar, tekstet të tilla, si “Kënga shqiptare”, “Odin Mondvalsen”, “Tregtari i skeleteve”, “Çezari niset për luftë”, Trebeshina ka endur surrealizmin. Në dramaturgji, për vlerat e shumëfishta, Trebeshina, mbetet Shekspiri i letrave shqipe. Nëse në gjallje nuk e kuptuam, madje e përgojuam, tani në amshim, kemi shansin të lexojmë universin letrar të Trebeshinës. Fati i shkrimtarëve të mëdhenj, është i njëjtë, nuk kuptohen nga bashkëkohësit, sepse vepra e tyre, pra vepra e Trebeshinës i përkon gjithkohësisë… Paqe mjeshtër, në amshim!


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. I shpreh hidherimin me te sinqerte familjes te z. Kasem, Tatianes vajza e tij dhe Farukut dhendri, te dy miq te mi, por qe koha na ndau dhe prej 30 vjet nuk kam asnje lajm prej tyre. Une nuk jam ekspert letrar per te gjykuar aktivitetin e tij artistik. Me emrin e tij jam hasur ne femini kur gjeta ne biblioteken e shtepise vellimin “Kruja e çliruar” me autografin e autorit dhurate per prindet e mi (im ate ishte nga Kruja)Ne familjen tone babai i Tatianes ka qene ajo figure me karakter te paperkulur siç pershkruhet nga autoret e shkrimeve te mesiperme.
    I paharruar qofte kujtimi i tij!
    P.S. kam vetem nje peng, qe edhe ne kete moment sinqeriteti po
    shkruaj me pseudonim

    Përgjigju ↓
  2. S’ka me te virtytshem e me te sinqerte, por edhe me jetike, se anonimet si ti, i nderuar Antonio!
    Tere keto dite, pas ikjes se Kasem Trebeshines, kam lexuar e medituar rreth kesaj percjellje “te merituar” qe le te themi shqiptaret i ben Kasem Trebeshines…
    Shkurt, sic e donte vete ai, Kasem Trebeshina i palodhur me qendresen e tij, i palekundur ne sfiden qe na dhuroi te gjitheve…

    Ne mes te viteve ’90, me ndodhi mua te provoj kete natyre stoike. Shkova t’i lutesha te pranonte pjesemarrjen ne nje si-konkurim romanesh shqiptare, me shume nje perzgjedhje ne grup, romane qe u tha se do percilleshin ne Farnce, e pas nje perzgjedhje aty, dikush/dicka do botohej.
    Trebeshina refuzoi.
    Ai e adresonte saktesisht refuzimin e tij, por le te mos merremi me emra, edhe pse, emrat e Njeshave moren me qafe!
    “Vazhdoni te jepni valute per Ate ju, vazhdoni!”
    Emrin e tabeles qe ai mbante gjithnje parasysh, e kishte regjistruar edhe Ate Zef Pllumi ne “Rrno per me rrefye”, por lete mos permendim emra, sado qe prej superemrave iu nxi jeta Kasem Trebeshines se gjore…!

    Para pak vjetesh, duke pritur nje krijues te njohur tashme, e pashe Kasem Trebeshinen dhe i bera shenje. Pastaj i fola. Kur mu afrua me njohu. Nese keni kohe, e pijme nje kafe bashke, e luta, por-sic e donte ai, pa shume ledhka.
    “Jam me tim bir, por po ulemi pak bashke”, me tha
    E ngacmova per nje term politiko-letrar qe kishte qejf ta perdorte se fundi, ne analizat e tij therese, qe po, hera heres tingellonin disi brutale, te leshuara pa dorashka, dhe po qeshte: Jo, jo, ta di merakun ty, me tha, kam folur edhe me Petraqin (Kolevicen) per ty…por jo. Une i nderoj nacionalistet…!
    Pas pak, erdhi autori/botuesi, te cilin prisja dhe u prezantua tek Kasem Trebeshina.
    Biseda vijoi sic e kishim nisur, Kasemi pyeti se kush do paguante kafete, me kujdesin per te mos ikur pa paguar (a thua, nga kjo jete?!), te ftova une, ia kujtova me ze te sigurt, pa menduar se po shiheshim per here te fundit. Ne te vertete beheshin a s’beheshin tri here te rregjuara me te…

    Erdhi kamerieri dhe miku im, krijuesi poet e botues i njohur, me luti ta paguante ai kafen me…Kasem Trebeshinen!
    “Ty te falenderoj se me dhe kete rast, qe une mund te them se jam ulur me Kasem Trebeshinen…” e justifikoi lutjen e tij, aq te bukur, sa nuk duhet kaluar pa u shenuar.

    Por, po e le edhe ate anonim, Antonio i dashur i panjohur.
    Sic bere ti, dhe une dhe …ne te gjithe.
    Ne te gjithe mbetemi anonime ne kete dynja, kur jane te tjere ata qe mburren e mburren brutalisht, pa pra e ne te gjithe kohet…

    Përgjigju ↓