KULTURË

Konferencë ndërkombëtare për Naim Frashërin në Teheran

08:57 - 11.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Një konferencë ndërkombëtare në nderim të Naim Frashërit do të mbahet në Teheran. Kështu deklaroi dje drejtori i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi” në Tiranë gjatë një konference kushtuar jubileut të revistës “Perla”. Konferenca u mbajt në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, Tiranë. Bordi drejtues i konferencës kryesohet nga prof. Floresha Dado, kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave; prof. dr. Seyed Ahmad Hosseini Alast, drejtor i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, prof. dr. Emil Lafe, kryeredaktor i revistës shkencore-kulturore “Perla”. Janë konfirmuar me kumtesat e tyre prof. Gjovalin Shkurtaj me “Revista ‘Perla’ dhe studimet albanologjike”; prof. dr. Emil Lafe me kumtesën mbi traditën e orientalistikës në Shqipëri, kurse prof. dr. Shaban Sinani do flasë mbi kontributin e revistës “Perla” dhe lidhjet shqiptaro-perse.
Drejtori i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, prof. dr. Seyed Ahmad Hosseini Alast, duke marrë fjalën në konferencë tha se, “duke qenë se Shqipëria nuk ka as ambasadë dhe as përfaqësi kulturore në Iran, kam përgjegjësi të dyfishtë. E para, promovimi i kulturës iraniane në Shqipëri dhe e dyta, promovimi i kulturës shqiptare në Iran. Me qëllim që populli iranian të njihet më tepër me historinë dhe kulturën shqiptare kemi në program që, në bashkëpunim me qendrat kulturore dhe universitetet iraniane, të organizojmë në Teheran konferencën ndërkombëtare në nderim të Naim Frashërit, sepse ky poet i madh kombëtar shqiptar, 150 vite më parë, ka shkruar në gjuhën perse vëllimin e parë poetik “Tehajjulat” (Ëndërrime-t). Është e domosdoshme që të prezantohet për publikun iranian ky hero letrar shqiptar”.
NISMA
Rreth 20 vjet më parë, me nismën dhe mbështetjen e fondacionit “Saadi Shirazi” doli në qarkullim revista shkencore kulturore “Perla”. Ajo ka luajtur një rol të madh hulumtues në fusha si historia, letërsia, sociologjia, kultura dhe linguistika. Po ashtu, kjo revistë pasqyron edhe kulturën dhe qytetërimin perso-iranian që është një prej burimeve kryesore të mendimit, letërsisë, filozofisë dhe mistikës në shkallë botërore. Kjo revistë lë pas shumë sfida dhe pengesa politiko-sociale me të cilat përballen kryesisht industria e botimeve. Ajo nuk ka pasur asnjëherë ndërprerje në botimin e saj.
Sipas prof. dr. Emil Lafe, “Fondacioni kulturor iranian ‘Saadi Shirazi’ i themeluar në Tiranë më 1994 dhe revista ‘Perla’ që botohet rregullisht prej tij prej 20 vjetësh, kanë zënë tashmë një vend të nderuar në mjedisin mikpritës të jetës shkencore e kulturore shqiptare”. Në një varg artikujsh është paraqitur dhe vlerësuar e komentuar puna e dijetarëve si Sami Frashëri, Hafëz Ali Korça, Vexhi Demiraj, Haxhi Hafiz Ismet Dibra, Fan S. Noli, Osman Myderrizi, Tahir Dizdari, Hasan Kaleshi, Vexhi Buharaja, Bardhyl Pogoni, të cilët me veprimtarinë e tyre të pasur si orientalistë, filologë, teologë, historianë, përkthyes kanë bërë shumë edhe për njohjen e kulturës, të gjuhës dhe letërsisë iraniane ndër shqiptarët. Me veprimtarinë e tyre, ata kanë hedhur themelet e orientalistikës shqiptare. Në mbi 75 numrat e revistës “Perla” gjenden edhe emrat e dijetarëve dhe studiuesve pasardhës si: Shaban Demiraj, Ramadan Sokoli, Mahir Domi, Gazmend Shpuza, Shefik Osmani, Zija Shkodra, Bajram Preza, Ahmet Kondo, Anastas Dodi, Dalan Shapllo, Jorgo Bulo, Shaban Sinani, Mahmud Hysa, Seit Mansaku, Dhori Qiriazi, Emin Riza, Gjerak Karaiskaj, Sulejman Dashi, Ali Muka, Valter Shtylla, Nexhat Agolli, Agim Bido etj. Këta kanë trajtuar një gamë të gjerë problemesh që përfshihen në rubrikën e lidhjeve kulturore shqiptaro-perse në fushën e gjuhës në kuptimin e gjerë të fjalës, të folklorit, të besimeve popullore, të letërsisë artistike, të arkitekturës popullore e të kultit etj. Një nga shërbimet e revistës në këtë fushë është botimi i të dhënave të sakta për pasuritë orientalistike të Shqipërisë, sidomos i katalogut të dorëshkrimeve në persisht dhe në gjuhët orientale në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe në arkivat e Shqipërisë.
LIDHJET
SHQIPTARO-PERSE
Sipas prof. Shaban Sinanit, i cili ka drejtuar revistën për disa vjet rresht, “Lidhjet shqiptaro-perse, qysh në numrat e fillimit deri më sot, kanë përbërë një rubrikë të përhershme në revistën “Perla”. Kjo rubrikë e ka bërë në mënyrë dinjitoze punën e vet, duke pasur parasysh se në vitet 1990, por edhe më pas, shumica e njerëzve nuk e dinin se persët e iranianët janë popull indoeuropian, sikurse dhe shqiptarët”. Sipas prof. Sinanit, “Perla” doli atëherë ku ishte më se e domosdoshme: për të ndërlidhur brezat e orientalistëve, për të evokuar meritat e padiskutueshme të atyre dijetarëve që punuan në heshtje dhe askush nuk e mori vesh punën e tyre, për t’u hapur një dritare studiuesve albanologë, që kishin diçka për të thënë për prurjet kulturore orientale dhe për të ftuar për bashkëpunim studiuesit e rinj vullnetmirë që po formoheshin si dijetarë laikë e shekullarë në Lindje… Një prej meritave më të përveçme të revistës “Perla”, -vlerëson profesori, – është pikërisht rikthimi i nderimit intelektual atyre personaliteteve të botës shqiptare që kishin ndërtuar urat e njohjes së lidhjeve kulturore shqiptaro-perse dhe ishin privuar prej vlerësimit të merituar: përveç Fan S. Nolit, që as çmohej, as nënçmohej, ishin Hafiz Ali Korça, Vexhi Buhara e Tahir Dizdari, për të përmendur vetëm disa prej emrave më të shquar. Studiues të sotëm iranianë, si themeluesi i fondacionit “Saadi Shirazi”, dr. Ali Akbar Zijaji dhe drejtuesit e tjerë të mëvonshëm si Reza Kharami e prof. Husein Alast kanë lënë gjurmën e tyre në studimet naimiane dhe në ato të përurimit të ndërsjellë të lidhjeve të dy letërsive”.
BOTIMET
Por, krahas botimit të rregullt të revistës “Perla”, fondacioni nga Irani “Saadi Shirazi” ka një meritë në disa nisma që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare si  mbështetja e botime të tjera të veçanta si botimi shumë i bukur i “Shahname” së poetit të madh Firdeusi, përkthyer me mjeshtëri nga Vehxhi Buharaja, që u prit shumë ngrohtë dhe pati jehonë të gjerë, ashtu si edhe përkthimi dhe botimi edhe i disa veprave dhe autorëve perso-iranianë që janë pjesë e artit të përbotshëm si Saadi Shirazi, Xh. Rumiu, O. Khajam etj. Po ashtu, mjaft figura të kulturës shqiptare si Naim e Sami Frashëri, orientalisti dhe persologu Vehxhi Buhara apo Tahir Dizdari janë promovuar e nderuar veçmas me mbështetjen e fondacionit iranian “Saadi Shirazi”. Fondacioni dhe “Perla” kanë bërë të mundur veprimtari shkencore serioze e me përmasa të gjera, si sesionin shkencor me rastin e 70-vjetorit të shqipërimit të “Rubairave” të Omer Khajamit (1996), si Simpoziumi për lidhjet gjuhësore, letrare e kulturore shqiptaro-iraniane (1999), Konferenca shkencore për dialogun ndërmjet qytetërimeve (2001). Të dyja këto konferenca kishin një program të pasur dhe u organizuan me bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ato dëshmuan se në Shqipëri e në botën shqiptare në përgjithësi ka potenciale shkencore të larta, të vjetra e të reja, që mund të përballojnë veprimtari të tilla dhe se institucionet shkencore të Iranit janë të gatshme dhe të interesuara të zgjerojnë bashkëpunimin me studiuesit shqiptarë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.