EKONOMI

E frikshme, çdo muaj 1 grua humb jetën nga dhuna. Arjola Alika: Në 6 muaj janë shënuar 3000 raste keqtrajtimi

09:39 - 30.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza DURO




 

Sipas statistikave, çdo muaj një femër humb jetën si pasojë e dhunës në familje, ndërsa çdo ditë 12 femra e denoncojnë atë. Në 6-mujorin e parë të 2017-ës janë evindetuar rreth 3 mijë raste dhune, ndërkohë gjykatat kanë lëshuar rreth 1600 urdhra mbrojtjeje për këto femra. Në kuadër të ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, rreth 150 anëtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë organizuan aktivitetin sensibilizues ku mbështetën fushatën e ITUC “Stop Dhunës me Bazë Gjinore në Punë – Mbështetja e një Konvente të ILO-s”. Asambleja e BSPSH votoi njëzëri për të ndërmarrë veprime konkrete në eliminimin e dhunës me bazë gjinore përmes marrëveshjeve kolektive. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Arjola Alika, anëtare e Komitetit të Grave për Këshillin Rajonal Europian, PERC, njëkohësisht dhe përfaqësuese e BSPSH-së tregon se në bazë të statistikave, shifrat e dhunës ndaj femrave në vendin tonë janë të frikshme.


Si paraqiten shifrat e dhunës ndaj femrave në Shqipëri?
Në bazë të të dhënave që kemi arritur të sigurojmë në komisariate dhe gjykata, statistikat në Shqipëri janë të frikshme. Çdo muaj një femër humb jetën nga dhuna në familje, ndërsa çdo ditë plot 12 femra denoncojnë dhunën. Në 6-të mujorin e parë të vitit 2017-të janë evidentuar 2968 raste dhune e gjykatat kanë lëshuar plot 1563 urdhra mbrojtjeje për të dhunuarat. Gjithashtu, vlen të theksoj se të paktën 2 persona ne ditë arrestohen për dhunë të ushtruar në familje.
Sa denoncohen rastet e dhunës në vendin tonë dhe a ndihen të frikësuara viktimat?
Sipas statistikave, një pjesë e madhe e femrave në vendin tonë nuk i denoncojnë rastet e dhunës, si në familje, si dhe në vendin e punës. Faktori kryesor i mosdenoncimit është frika nga dhunuesi apo dhe nga opinion. Faktorë të tjerë që i stepin janë humbja e besimit në organet e gjyqësorit në Shqipëri, për shkak të dënimeve të ulëta që marrin dhunuesit, si dhe për shkak të pamundësive financiare e mosnjohjes së legjislacionit. Të gjitha këto kanë bërë që të rishihet legjislacioni shqiptar dhe një nismë e fundit e Ministrisë së Drejtësisë është për humbjen e të drejtës së kujdestarisë së fëmijëve për dhunuesin, si dhe mospërfitimi nga amnistia, nëse është i dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale të dhunës në familje.
A ka raste dhune në vendet e punës dhe në cilat forma paraqitet ajo?
Sipas studimeve të kryera nga ITUC dhe ETUC, dhuna në familje është e lidhur me dhunën në vendin e punës. Nuk janë të pakta rastet kur dhuna fizike, psikologjike apo ngacmimet seksuale ekzistojnë dhe në vendin e punës, për të cilin nuk ka statistika, pasi punonjësit kanë frikë se humbasin vendin e punës në rast se bëjnë një denoncim.
Ku mund të drejtohen femrat e dhunuara?
Femrat e dhunuara fillimisht duhet të vrasin frikën dhe të denoncojnë çdo rast dhune në familje pranë komisariatit të policisë në zonën ku banojnë. Ndërsa për rastet e dhunës në punë, mund të drejtohen pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës. Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, pra BSPSH, ofron asistencë ligjore falas për punonjësit apo punonjëset e dhunuara në vendin e punës.


Sa prej tyre marrin zgjidhje pas denoncimit?
Për shkak të moszbatimit të legjislacionit, ka ende shumë probleme për t’u dhënë një zgjidhje përfundimtare femrave të dhunuara, që marrin guximin të denoncojnë rastet. Por kam besimin se nismat e fundit që do të merren nga Ministria e Drejtësisë do të ndikojnë në ashpërsimin e ligjit, ashpërsimin e dënimeve dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës.
Çfarë opsionesh ofroni ju për minimizimin e këtij fenomeni?
BSPSH do të luftojë për rivendosjen e dinjitetit të grave dhe për të mos kursyer asnjë përpjekje në luftën për të parandaluar, menaxhuar dhe eliminuar ngacmimet në vendin e punës dhe dhunën kundër grave. Ne angazhohemi për të rritur përpjekjet tona për të eliminuar dhunën me bazë gjinore përmes programeve dhe fushatave në vendin e punës. Së pari, duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë në mbështetjen e Konventës dhe Rekomandimit të propozuar të ILO-s kundër dhunës dhe ngacmimeve në botën e punës. Së dyti, duhet të krijojmë, zhvillojmë e forcojmë mekanizmat e shoqatave sindikale për t’u kushtuar vëmendje grave viktima të dhunës. Po kështu, të zhvillohen veprime për të identifikuar dhe diagnostikuar lloje të ndryshme të dhunës nëpërmjet bashkëpunimit midis sindikatave, Inspektoratit Shtetëror të Punës, shoqërisë civile, medias etj.
Cilat janë disa nga aktivitetet sensibilizuese të organizuara prej jush kundër dhunës me bazë gjinore?
Unë si përfaqësuese e BSPSH, mora pjesë në Konferencën e 3-të të Grave të ITUC, më 9-13 tetor 2017, ku mbi 120 delegatë nga gjithë bota u mblodhën në Kosta Rika për të vlerësuar gjendjen e grave punëtore në botë. Deklarata e BSPSH si dhe sindikatave të Belgjikës, CSC, FGTB, CGSLB, organizatat partnere dhe ITUC/TUCA në Konferencën e 3-të ITUC të Grave kishte në fokus eliminimin e dhunës dhe ngacmimeve me bazë gjinore në botën e punës. BSPSH ka iniciuar fushata të mbështetura nga ITUC, PERC dhe ETUC si “Kundër Dhunës me bazë gjinore në vendin e Punës; Mbështet një Konventë të ILO-s” si dhe “I sigurt në shtëpi, i sigurt në punë”.

Zhuljeta Harasani

Miliona gra përballen me dhunën e ngacmimet në jetë dhe punë

Koordinatorja Kombëtare e ILO-s në Shqipëri, Zhuljeta Harasani, e pranishme në këtë aktivitet, theksoi edhe njëherë mesazhin e drejtorit të përgjithshëm të ILO-s, Guy Ryder mbi dhunën në vendet e punës. “Mesazhet e fundme të fushatave globale janë një kujtesë e fortë për të gjithë se miliona gra përballen me dhunën dhe ngacmimet në jetën e tyre dhe gjatë punës – kur ato marrin çeqet e tyre të pagave, kur përpiqen të avancojnë karrierën e tyre ose thjesht ndërsa përpiqen të ushqejnë familjet e tyre. Sot, duhet të përqendrohemi në atë që bota e punës mund dhe duhet të bëjë për t’i dhënë fund dhunës dhe ngacmimit ndaj të gjithë punëtorëve”, – u shpreh Harasani gjatë takimit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.