KULTURË

Trashëgimia/ “2400 objekte të trashëgimisë kulturore janë zhdukur”

10:30 - 19.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli




 

2400 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare rezultojnë të zhdukura. Bëhet fjalë për objekte arkeologjike, etnografike, por edhe vepra arti që nuk dihet se ku janë. Lajmi është bërë i ditur nga Silva Breshani, drejtoreshë e Qendrës së Inventarizimit të Pasurive Kulturore, ditën e hënë gjatë seminarit kombëtar “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pasurisë kulturore: Sfidat dhe nevoja për ndërgjegjësim”.
Breshani tha para mediave se tanimë ka një koordinim të punës së institucioneve për kapjen e trafikantëve apo poseduesve të jashtëligjshëm të kësaj pasurie. “Nuk kemi pasur shtim të objekteve të humbura, të trafikuara, pasi po punohet me institucionet ndërkombëtare si Karabinieria apo Interpoli për gjetjen e tyre”, tha drejtoresha e QKIPK-së. Mes 2400 objekteve të zhdukura, të denoncuara si duhet janë vetëm 39. “Janë 39 objekte të deklaruara në faqen zyrtare të Interpolit, jo se 2300 të tjerat nuk vlejnë, por për të qenë pjesë e faqes së Interpolit duhen të dhëna të sakta”, tha Breshani, duke nënkuptuar atë që sot njihet si pasaportë e këtyre objekteve. Pasaporta përfshin imazhin, vitin e realizimit, të dhëna të sakta mbi formën e përmbajtjen, si edhe poseduesin. “Institucionet që i kanë poseduar nuk kanë pasur dokumentim të rregullt të tyre. Një nga kriteret kryesore për afishimin e tyre pranë zyrës së Interpolit është dokumentimi i saktë. Të paktën të jetë i identifikuar me foto. Është e pamundur të afishohen në database-n e objekteve të humbura, objekte pa identitet”, tha drejtoresha.
Sipas saj, pjesa më e madhe e objekteve të humbura janë objekte arkeologjike dhe bëri me dije se janë zhdukur në vitet 1990-1997. Për disa prej tyre mungojnë edhe të dhënat elementare. “Veprat identifikohen me regjistrat e institucioneve. Në ato institucione ku regjistrat janë djegur, përgjatë viteve 1990-1997, fillohet me inventarë të momentit. 2400 objektet për të cilat flasim, janë objekte etnografike, arkeologjike, janë vepra arti, ka edhe nga Galeria e Arteve edhe nga muzetë edhe nga institucionet e tjerë. Nuk janë vjedhur sot, janë vepra të humbura në vitet 1990-1997”. Sipas saj, ka edhe objekte që janë gjurmuar nga autoritetet. Bëhet fjalë për objekte që sipas Breshanit gjenden jashtë Shqipërisë, por për të cilat nuk dha detaje, pasi janë në proces hetimi. Ajo nuk premton dot që do të rikthehen, por tha se kjo nuk përjashtohet, ashtu sikundër nuk përjashtohet hetimi më i detajuar.
SEMINARI
Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Konventa e UNESCO-s e vitit 1970 mbi “Mjetet e Ndalimit dhe Parandalimit të Importit dhe Eksportit të Paligjshëm dhe Transferimit të Pronësisë së Pasurisë Kulturore”, organizuan në Tiranë dje një konferencë dhe seminar. Takimi u mbajt në kuadër të aplikimit të Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore (QKIPK) në “Programme of Participation in the activities of Member States 2016-2017” mbështetur nga UNESCO dhe përzgjedhjes së projektit “Ndërtimi i kapaciteteve dhe promovimi i inventarit të dixhitalizuar të pasurive kulturore dhe lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore”. “Humbja e pasurive kulturore të një vendi përbën goditje në trashëgiminë e kujtesën e tij historike, prandaj Shqipëria ka synuar t’i kundërvihet këtij fenomeni, duke forcuar 3 shtyllat e tempullit të ruajtjes së trashëgimisë kulturore: ligjore, institucionale dhe ndërgjegjësuese”, u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në konferencë.
Sipas saj, “vetëm në tri vitet e fundit, QKIPK ka regjistruar rreth 70 mijë objekte, 16 mijë prej të cilave janë në pronësi private. Ndërsa nga viti 1995-2013 rezultonin të regjistruara gjithsej 67 mijë, prej të cilave 19 mijë ishin në pronësi private”. Ajo theksoi se po ndërmerren hapa konkretë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Interpol dhe institucione të tjera të rëndësishme si për përmirësim të kuadrit ligjor, ashtu edhe për krijimin e një grupi institucional pune për monitorimin e luftës kundër vjedhjes dhe trafikimit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.